Mes Putinit dhe hedonizmit

2 Prill 2015 - 08:41 - Enver Robelli      

Kriza në Ukrainë është edhe krizë e Evropës përballë agresionit rus, i cili synon demontimin e modelit perëndimor të demokracisë dhe lirisë

Së fundi një gazetë gjermane kërkoi hapur që të mos botohen më as online, as në versionin e shtypur komentet e lexuesve lidhur me Rusinë dhe krizën në Ukrainë. Si arsye për një kërkesë të tillë drastike gazeta përmendi numrin tejet të madh të evropianëve (apo të komentuesve të dirigjuar nga propaganda e Kremlinit), të cilët shprehin mirëkuptim për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Fakt është: ekziston, sidomos në Gjermani, një shtresë e lexuesve talibanë, që entuziazmohen pas Vladimir Putinit, kultit rreth tij si politikan që merr vendime, që pozon mbi kalë, që shihet pranë lumit duke gjuajtur peshk, ose duke u marrë me sporte luftarake. Te kjo shtresë urrejtja ndaj medieve të etabluara gjermane është aq e madhe, saqë në demonstratat e lëvizjes populiste “Pegida” (Europianët Patriotikë kundër Islamizimit të Perëndimit) pjesëmarrësit brohorisnin kundër “shtypit të rrenave” – natyrisht pa e lexuar kurrë këtë shtyp.

Dhe kjo është parë edhe në një test që e ka bërë pasa disa javësh një emision humoristik i televizionit gjerman ZDF. Meqë mbështetësit e “Pegidas” nuk flasin për mediet gjermane, në demonstratën e tyre u dërgua një gazetar që u paraqit si rus dhe si punëtor i “Russia Today”, kanalit propagandistik të Vladimir Putinit. Në pyetjen e gazetarit të rrejshëm nëse kishte pasur ndonjë përvojë të keqe me myslimanë, një pjesëmarrës tha “po” – dhe tregoi se si ia kishin vjedhur veturën. E, çfarë nacionaliteti kishte vjedhësi, pyeti gazetari. Adhuruesi i “Pegidës” u përgjigj: “Serb”. Kaq e thjeshtë duket bota e atyre që kanë mirëkuptim për Putinin dhe edhe një vjedhës veture nga Serbia e fusin në shabllonin mysliman.

Në njërin nga numrat e fundit të gazetës së përjavshme gjermane “Die Zeit”, historiani Gerd Koenen u ankua mbi disonancën që ekziston mes partive politike dhe medieve nga njëra anë dhe një segmenti të dukshëm të opinionit publik gjerman, në anën tjetër. Ky segment hapur apo mes rreshtave tregon simpati për politikën hegjemoniste ruse dhe bëhet i verbër përballë faktit se mes Gjermanisë dhe Rusisë gjenden plot vende të tjera, demokratike, anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të cilat duhet të gëzojnë mbështetjen e Perëndimit ndaj presioneve apo agresionit eventual të Moskës.

Kërkesa e gazetës gjermane për ndalimin e komenteve të miratuesve të politikës së Putinit me gjasë nuk do të realizohet, sepse në vendet demokratike edhe budallenjtë, edhe kritikët më jocilësorë, edhe propaganduesit, edhe psikopatët, edhe sociopatët do të gjejnë platforma për të shpërndarë mendësinë e tyre. Për dallim nga perandoria e Putinit, ku kritikëve u mbyllet goja (ose në rastin më të keq edhe vriten), në çdo debat televiziv për Rusinë në Perëndim nuk guxon të mungojë një mirëkuptues i Putinit.

Historiani Koenen thekson se Gjermania është një truall pjellor për propagandën ruse. “Këtu së pari hyn frika nga lufta dhe ngurrimi për konflikt, të cilat janë të arritura civilizuese – por vetëm për aq sa kjo nuk domethënë izolim në mirëqenien shoviniste dhe qëndrim në terren të terur si zviceranët”, shkruan Koenen – dhe përkujton më tutje se edhe në vitin 1953 kancelari i atëhershëm Konrad Adenauer as nuk ishte dukur në opinion, as nuk ishte deklaruar lidhur me kryengritjen në Berlinin Lindor kundër regjimit komunist prosovjetik. Njëjtë kishte vepruar edhe kur në vitin 1961 pushteti i diktatorit Walter Ulbricht kishte nisur ndërtimin e Murit të Berlinit.

Teksti i Koenenit në “Die Zeit” kulmon me akuzën se politika gjermane ndaj Lindjes, e drejtuar nga socialdemokratët në vitet ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80, me gjithë meritat në shtendosjen e raporteve me bllokun sovjetik, ka ditur të jetë edhe mjaft zemërngushtë, duke qëndruar indiferente ndaj shpalljes së gjendjes së luftës në Poloni më 1980/81 dhe duke e pranuar pak a shumë doktrinën e Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar të shteteve fqinje. Rrjedhimisht, sipas Koenenit, kjo politikë vazhdoi të jetë e verbër edhe përballë rritjes së opozitës dhe proceseve të shpërbërjes në sferën e pushtetit sovjetik, të cilat çuan në kthesën e madhe të vitit 1989.

Pas vitit 1989, elitat politike dhe intelektuale perëndimore besuan se erdhi fundi i historisë dhe filloi epoka e postdemokracisë, paqes së përjetshme dhe mirëqenies së pashkëputur ekonomike. Një politolog amerikan shkroi për fundin e historisë – dhe ky konstatim doli shumë i paqëndrueshëm për shkak se në fillim të viteve ‘90 Iraku okupoi një vend sovran (Kuvajtin) dhe kështu u ndez lufta e parë në Gjirin Persik, pastaj nisi shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë, ku u kryen krime që nuk ishin marrë me mend më në truallin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, Evropa Perëndimore edhe pas sulmeve të 11 shtatorit dhe pas luftës mashtruese të George W. Bushit në Irak nuk u emancipua ushtarakisht, madje buxhetet e mbrojtjes zvogëlohen vazhdimisht derisa rritet indiferenca ndaj rreziqeve dhe jeta vazhdon në një flluskë hedonizmi. Tek para disa ditësh kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi themelimin e një armate evropiane, e cila po punoi si EULEX-i në Kosovë, misioni më i shtrenjtë dhe më i madh i politikës së jashtme të BE-së, atëherë ka gjasa t’i bëjë përshtypje Rusisë po aq sa i bën përshtypje një mizë ariut në Siberi.

Një shikim në retrospektivë tregon se BE-ja nuk e ka marrë parasysh me seriozitet kërcënimin rus. Pakkush në Evropën Perëndimore e ka kuptuar Vladimir Putinin kur ai më 2012, në ceremoninë e marrjes së mandatit faktikisht të katërt presidencial, deklaroi se “jeta e gjeneratave të ardhshme” do të varet nëse rusët tregohen të aftë të bëhen “ndër prijësit e mbarë Euroazisë”.

Euroazia është një projekt që synon të sfidojë Bashkimin Evropian dhe t’i detyrojë shumë shtete postsovjetike të heqin dorë nga aspiratat për integrim në BE dhe në NATO dhe të kthehen në gjirin e akullt të pushtetarëve të Moskës. Ka një arsye përse shumë vende kërkojnë bashkëpunim dhe integrim në BE: modeli i integrimit në BE mbetet ende tejet atraktiv në krahasim me modelin rus, i cili nuk buron nga demokracia, mirëqenia civile industriale, zhvillimi teknologjik, por vetëm nga resurset nëntokësore, të cilat mund të harxhohen një ditë.

Dikur kancelari gjerman Helmut Schmidt e pati quajtur Bashkimin Sovjetik një “Voltë të Epërme me raketa”. Ku gjendet sot Rusia? Sipas historianit Gerd Koenen, që nga vitet ‘90 deri më sot numri i popullsisë është reduktuar për tetë milionë dhe jetëgjatësia e meshkujve është në nivel afrikan: rreth 60 vjet. Për të gjitha këto dështime nuk mund të fajësohet Perëndimi, por politikat katastrofale të elitave politike ruse. Në vitet ‘90 Rusia ishte pre e regjimit të korruptuar të Boris Jelcinit, i cili kishte probleme me drejtpeshim për shkak të problemeve me alkool dhe të plaçkitësve të ekonomisë, të cilët i parkuan miliardat e tyre në bankat perëndimore.

Nën Vladimir Putinin vendi u stabilizua, për shkak të dorës së tij të hekurt, por ky është një stabilitet sipërfaqësor bazuar në autokraci dhe ekonomi të kontrolluar. Nga ky model nuk mund të ndërtohet një shoqëri me qytetarë të pjekur, kritikë dhe ndërtues. Adhuruesit e këtij modeli në Evropën Perëndimore në radhë të parë janë mohues të lirisë, demokracisë dhe mirëqenies, të cilat janë parakusht për zhvillimin e shoqërisë.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...