Maqedonia, një shtet me sundimtarë të sëmurë

26 Mars 2015 - 08:46 - Enver Robelli      

Skandali i përgjimit të mijëra qytetarëve në Maqedoni shpalos një të vërtetë të tmerrshme: shteti fqinj i Kosovës dhe i Shqipërisë, shteti i mbi gjysmë milioni shqiptarësh po rrëshqet drejt diktaturës. Për çudi politikanët shqiptarë në rajon po qëndrojnë kryesisht indiferentë ndaj kësaj situate të rrezikshme, ndërsa BE-ja po sillet thuajse në Shkup bëhet fjalë për një fjalosje fëmijësh për lodra dhe jo për një përpjekje të kryeministrit Nikola Gruevski për të demontuar shtetin

Maqedonia? Ah, ai vendi që ka probleme me Greqinë. Për çka? Diçka rreth emrit. Pak a shumë kështu tingëllojnë reagimet në mesin e politikanëve perëndimorë kur bëhet fjalë për Maqedoninë. Në kuzhinën ndërkombëtare emri “Maqedoni” ndërlidhet edhe me sallatën me fruta, kryesisht me mollë, dardhë, portokaj, shalqi, rrush dhe banane.

Tani e tutje Maqedonia duhet të asociohet edhe me një shtet që ka hyrë në një rrugë të rrezikshme, në rrugën e diktaturës. Ka disa javë që opozita e majtë maqedonase (e majtë në kuptimin ballkanik, jo perëndimor) rregullisht po plason bomba në opinion – bomba në kuptim të incizimeve të kryera me gjasë nga Shërbimi Sekret i Shkupit. Opozita e akuzon Qeverinë e kryeministrit shumëvjeçar, Nikola Gruevski, se ka urdhëruar përgjimin e rreth 20 mijë qytetarëve apo praktikisht të të gjithë njerëzve që merren me punë publike dhe që potencialisht mund të jenë kundërshtarë të partisë sunduese VMRO-DPMNE.

Krahas politikanëve opozitarë, gazetarëve, zyrtarëve të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë, shërbimi sekret ka përgjuar edhe ministra të kabinetit të Gruevskit. Duket që Gruevski, një politikan provincial, me komplekse inferioriteti dhe i dirigjuar nga paranoja se nëse nuk kontrollon gjithçka ilegalisht mund t’i rrezikohet pushteti, synon të shantazhojë dhe frikësojë një popull të tërë.

Incizimet e publikuara deri më tani tregojnë mjaft për mënyrën e sundimit jo vetëm në Maqedoni, por më gjerë në Ballkan. Para disa vjetësh ishte bërë e ditur në media se në vitin 2004 kryeministrat konservatorë të Sllovenisë dhe Kroacisë, Janez Jansha dhe Ivo Sanader, kishin planifikuar nxitjen e incidenteve kufitare në Gjirin e Piranit në Adriatik me qëllim perfid: në prag të zgjedhjeve parlamentare në Slloveni incidentet do të mobilizonin elektoratin me orientim nacional për të mbështetur partinë e Janez Janshës. Natyrisht Sanader dhe Jansha i patën demantuar atëbotë akuzat, të cilat në këtë mënyrë u bënë edhe më të besueshme jo vetëm në sytë e rivalëve politikë.

Jansha është dënuar me dy vjet burg për shkak të korrupsionit, ndërsa Ivo Sanader ka marrë 10 vjet burg dhe aktualisht gjendet para gjyqit në Zagreb edhe për disa afera të tjera korruptuese. Në Kosovë afera “Pronto” ka shpalosur mentalitetin sundues dhe kulturor të një pjese të sundimtarëve. Në Shqipëri afera e fundit me një oligark socialist, i cili me gjasë shpiku një komplot vrasjeje kundër tij, dëshmoi se politika në Tiranë është vetëm zgjatim i nëntokës kriminale. Në Serbi vrasja e kryeministrit Zoran Gjingjiq dhe moszbulimi i urdhërdhënësve tregon se kompleksi i përbërë nga shërbimet sekrete, qarqet militariste dhe politikanët nacionalistë ende vazhdon të ketë ndikim të madh në shtet.

Afera e përgjimeve në Maqedoni përbën një dimension të ri të keqpërdorimit të pushtetit. Në një incizim dëgjohet zëri i kryeministrit Gruevski, i cili me ton urdhërues i thotë ministrit të Transporteve të rrëzojë një ndërtesë, e cila ishte pronë e një politikani opozitar. Me gjasë kjo ishte një masë hakmarrëse për shkak se politikani në fjalë mbështeste televizionin deri-diku të pavarur A1, i cili ndërkohë është mbyllur pas presioneve të regjimit të Gruevskit. Në një përgjim tjetër ministri i Financave e quan politikën e qeverisë “të çmendur” dhe “të papërgjegjshme”, më tutje ai ankohet se “kërkesat financiare (të kryeministrit Gruevski, v.j.) janë megalomane” dhe e përshkruan atë si njeri që “e ka humbur ndjenjën e realitetit”.

“Ne po hamë çokollatë dhe nuk kemi bukë”, thotë ministri i Financave. Dhe vazhdon: “Ne jemi të sëmurë mendorë”. Ky vajtim tregon se anëtarë të kabinetit janë të vetëdijshëm për politikat e gabuara të qeverisë, por asnjëri prej tyre nuk e merr guximin të kundërshtojë shefin, sepse shefi që nga viti 2006 ka arritur të fusë nën kontroll gati të gjithë mekanizmat e shtetit, pothuaj të gjitha resurset ekonomike dhe të vendosë në të gjitha postet e rëndësishme shërbëtorët e tij, të cilët me dëgjueshmëri kërme janë të gatshëm të bëjnë gati çdo shkelje për të dëmtuar opozitën dhe për të penguar çdo ndryshim demokratik të pushtetit.

Fakti që pjesë e kësaj qeverie të Gruevski është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të elektoratit shqiptar, e bën situatën edhe më të padurueshme – në radhë të parë për shqiptarët në Maqedoni. Por afera e përgjimeve në Maqedoni do të duhej të shqetësonte edhe politikanët në Tiranë e Prishtinë. Heshtja ose deklaratat me zë të ulët tregojnë se në thelb shumë politikanë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri e adhurojnë modelin orwellian të Gruevskit.

Ankesa e ministrit maqedonas të Financave kundër harxhimit të panevojshëm të parave të qytetarëve ka një sfond real: kryeministri Gruevski ka djegur rreth gjysmë miliardë euro për të ngritur ndërtesa reprezentative qeveritare, përmendore, buste e ura në Shkup. Të gjitha këto do të duhej t’i jepnin Shkupit pamjen e një kryeqyteti me rrënjë gati antike. Në fakt rezultati është një konglomerat ndërtimesh plot kiç arkitektonik.

Ndonëse Gruevski prej vitesh thotë se fajin për bllokimin e integrimeve evropiane e ka vetëm Greqia me bllokadën mbi njëzetvjeçare për shkak të konfliktit rreth emrit, pjesë e së vërtetës është se kryeministri maqedonas ngjashëm si disa kolegë të tij në rajon duket se me bisht të syrit është inspiruar nga modeli i sundimit i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Si kryeministër Erdogan ka merita të mëdha për zhvillimin e hovshëm ekonomik të Turqisë, por me kalimin e viteve në post ai u shndërrua në imitues të Vladimir Putinit, duke reaguar ashpër kundër çdo kritiku, duke futur në burg gazetarë dhe duke demontuar sistemin e drejtësisë.

Sot shumica e kryeministrave të vendeve të Ballkanit vështrojnë me ëndje pushtetarët si Erdogani dhe Putini, ndërsa retorikën proevropiane e flasin sa për të tingëlluar mirë para burokratëve të Brukselit.
Pas plasjes së aferës së përgjimeve në Shkup politikanët e BE-së që merren me politikën e jashtme u sollën sikur bëhej fjalë për një konflikt mes pushtetit dhe opozitës, andaj apeluan që palët të bisedonin mes vete. Kjo tingëllonte si një thirrje për fëmijët në çerdhe që të merren vesh mes vete për ndarjen e lojërave.

Erwan Fouéré, një ish i ngarkuar i BE-së për Maqedoninë, tha se një qeveri, e cila e përgjon popullin në “përmasë të tillë industriale”, e ka humbur çdo kredibilitet dhe legjitimitet. Kjo retorikë është e mirënjohur: në vitin 2010 edhe në Kosovë diplomatët e huaj kishin thënë se Partia Demokratike e Kosovës kishte siguruar pushtetin pas vjedhjes industriale të votave, por kjo nuk qe arsye për të përsëritur zgjedhjet.

Përkundrazi: burokratët cinikë të Brukselit i dhanë mbështetje të plotë një regjimi antidemokratik në Prishtinë, i cili u tregua i dëgjueshëm për të lejuar depërtimin e drejtpërdrejtë të strukturave të Beogradit në organizimin shtetëror të Kosovës. Derisa vetë qytetarët e Maqedonisë nuk e shporrin nga pushteti regjimin e rrezikshëm të Nikola Gruevskit, Brukseli do të qëndrojë duarkryq.

robelli@bluewin.ch
© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...