Eklipsi

24 Mars 2015 - 08:15 - Flaka Surroi      

Nëse, siç thuhet, SHIK-u është e keqja e Kosovës, atëherë tashmë e kemi të qartë se Kosovën prej vitesh e ka eklipsuar dhe e ka lënë të jetojë në hije dhe në të ftoftë, PDK-ja në krye me krejt kryetarët e nënkryetarët e anëtarët e Kryesisë apo fytyrat që kanë pasur njëfarë domethënie vendimmarrëse aty... Kjo, sepse e kanë kuptuar si të natyrshme grabitjen e pushtetit, për shkak të meritave të luftës. Pavarësisht se a kanë luftuar apo jo

Natyra u bë tema kryesore e javës. Na e solli eklipsin solar të pjesshëm, me të një të ftohtë, asi që t’i mërdhin eshtrat, e që nuk është vetëm klimatik. As fakti se që nga sot hyjmë në pranverë, nuk bind se gjërat do të ndreqen shpejt veç për shkak se natyra do të zbukurohet.

Mbase dhe nuk ka pasur simbolikë më të qëlluar se këtë që e solli ky fenomen astronomik i kohëpaskohshëm. Dje mendohesha se kur kishte qenë hera e fundit që e kisha parë mbulimin e diellit nga hëna dhe mezi m’u kujtua se kjo më kishte ndodhur në fëmijëri, atëherë kur nisa ta kuptoj fuqinë e natyrës dhe pafuqinë personale për ta ndalur të pashmangshmen. Dhe me analogji, kur nisa të kuptoj se për të ndodhur ndryshimet duhet pasur fuqi.

100 ditë hallakamë

Në javën e eklipsit u shënua edhe njëqindditëshi i Qeverisë Mustafa/Thaçi. Si Qeveri e krijuar pas një rrëmuje të kotë juridike, të cilën e nisi kryetarja me një pyetje të pavend dhe e përfundoi Kushtetuesja me një nebulozë arsyetimesh vështirë të kapshme, nuk premtonte shumë që nga fillimi. Me një koalicion artificial të cilit iu shtua edhe Lista Srpska me insistimin e ndërkombëtarëve dhe së cilës kërkesë këta nuk ditën e, me gjasë, as nuk deshën t’i thonë jo, u krijua bindja se kjo Qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë.

E mund mos ta ketë për dy arsye të mëdha: për shkak të Gjykatës Speciale që mund ta prishë balancën e kolltukëve, dhe për shkak se vitin tjetër në prill mund të mos mblidhen 61 vota për ta votuar Thaçin kryetar shteti, po qe se ky ende do të jetë aktiv në politikë. Ndërkohë që formimi i asociacionit serb me fuqi ekzekutive që do të shpijë në autonominë e komunave serbe nuk do të përcillet me ndonjë emocion nga kjo Qeveri. Përkundrazi, do të shërbejë si atu për të treguar se si ia ka dalë t’i “integrojë” serbët në shtetin e ri të Kosovës. Ani që serbët do të vazhdojnë të marrin instruksione nga Serbia.

Nejse..., koha do të dëshmojë po qe se kjo do të jetë vërtet kështu.

Po çka ka ndodhur në këto 100 ditë, pos që Kosovës i ikën nja 100 mijë veta, si pula pa kokë, e shkuan në Perëndim, nga, me gjasë, do t’i kthejnë bajagi si shpejt.

Ka ndodhur formimi i një qeverie megaharmonikë me 20 ministri, dy kryeministra e dy zëvendës, me një numër të papërcaktuar zëvendësministrash që nuk shpallen si duhet me listë, por emërohen ashtu kalimthi dhe në heshtje një ditë po, një ditë jo.

Janë mbajtur ndoshta një duzinë seancash plenare të Kuvendit të Kosovës, dhe gati në asnjërën kabineti qeveritar nuk ka qëndruar deri në fund.

Kryeministri dhe ministrat kryesisht u janë shmangur përgjigjeve në pyetjet parlamentare, duke u mbështetur në Rregulloren e Kuvendit sipas së cilës, nëse pyetja shtrohet për të tretën herë e nuk ka përgjigje, shpallet në Gazetën Zyrtare. Edhe që shpallet, çka? Kurrgjë kurrkujt.
Mbase ka ndodhur për të parën herë që mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të dështojë për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak se përfaqësuesit e PDK-së dhe të LDK-së nuk ishin aty.

Janë proceduar gjithsej pesë projektligje në Kuvend.

Kanë ndodhur demonstratat më masive prej kohësh për ta kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit. Aty ka ndodhur dhuna e paparë dhe e pakuptimtë.

Është folur për planin qeveritar që askush nuk e ka parë të shtypur as të publikuar.

Nuk janë rritur rrogat sipas premtimit të kryeministrit të Jashtëm dhe janë nisur disa greva që ende nuk po e kanë fuqinë e destabilizimit, sepse po ndodhin aty ku sistemi edhe ashtu nuk funksionon.

Nuk është zgjedhur kryeprokurori i shtetit.

Eklipsi shumëvjeçar, të cilin e kanë instaluar me zor ata të cilët vetes i kanë dhënë pushtet, në emër të luftës, vazhdon. Që do të ndryshojë vetëm kur një forcë më e madhe do të marrë hov në Kosovë.

Allishverishi

Njëqind ditët vijuese do të na shpijnë në korrik. Në atë ndërkohë do të ndodhin së paku katër gjëra të rëndësishme. Njëra do të jetë votimi i amendamenteve kushtetuese dhe themelimi i Gjykatës Speciale. Dhe kjo do të kalojë pa ndonjë telash të madh – sepse kjo tashmë është punë e kryer.

Tjerat lidhen për Gjykatën Kushtetuese. Dy çështje kanë të bëjnë me interpretimin që synohet t’i japë Kushtetuesja vazhdimit të mandatit të dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe dy anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Atyre që po u vihet në dyshim legaliteti i zgjatjes së mandatit thonë që Kushtetuesja nuk ka çfarë të thotë tjetër pos që mandati i tyre i shtuar është i mbështetur mbi ligj. Ata që e kontestojnë mandatin e thonë të kundërtën dhe, meqë nuk munden vetë, kërkojnë nga kryetarja që t’i drejtohet Kushtetueses për interpretim.

Interesantja në gjithë këtë mesele është se kontestimi i mandateve të tyre po ngrihet vetëm tash, pasi për herë të dytë është propozuar kandidati i njëjtë për kryeprokuror të shtetit. Pse nuk ndodhi kjo para se propozimi për kryeprokuror të shkonte te kryetarja për herë të dytë? Pse tash përnjëherë u aktualizua kjo çështje?

Përgjigjet do të jenë dy: një, për shkak se ata që e kanë ngritur çështjen e mandateve janë njerëz shumë parimorë dhe e mbrojnë ligjin; dy, për shkak se me “eliminimin” e dy të mandatuarve në Këshillin Gjyqësor krijohet precedenca për t’i hequr dy anëtarë të Këshillit Prokurorial – të atyre që e kundërshtojnë ushtruesin aktual të detyrës dhe të cilët kanë votuar në favor të kandidatit për Kryeprokuror të shtetit.

E treta çështje ka të bëjë me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të cilit i skadon mandati në qershor. Pra, nëse edhe njëherë Kushtetuesja thotë se procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit ka qenë kundërkushtetuese dhe e kundërligjshme dhe nëse kryetarja nuk e dekreton brenda, siç po thonë, afatit ligjor prej 60 ditësh nga dita e marrjes së lëndës, atëherë do të kemi konkurs të ri, me kushte të reja, që do ta mbërrijë qershorin. Me shkarkimin eventual të katër anëtarëve të lartpërmendur të të dy këshillave, do të vijnë katër të rinj që do të mund ta votonin Babën për kryeprokuror. Pse jo? Matematikë e thjeshtë.

Ndërkohë, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë nëpërmjet “Facebookut”. Sa herë që do të duam të kuptojmë se çfarë mendon kryeministri, do t’i qasemi faqes së tij. Po e njëjta do të vlejë edhe kur të merren vendimet e rëndësishme, posaçërisht kur të shkohet në Bruksel. Do të vazhdojë të funksionojë edhe pa ministrat serbë që ende konsultohen me Beogradin (kurrë s’kam parë konsultime më të gjata – që rrafsh një muaj e gjysmë po zgjasin) dhe do të vazhdojnë t’i gëzojnë privilegjet qeveritare me paratë tona.

Ministritë do të vazhdojnë të përpilojnë ligje dhe do të përpiqen të kontrabandojnë dispozita amnistuese për keqbërësit zyrtarë; zor se do të merren me ligjet që ua sigurojnë privilegjet e përjetshme apo afatgjate dhe me gjasë do t’i planifikojnë pushimet verore.

Dhe hija e eklipsit do të vazhdojë të na mbulojë ende, pos nëse kërcet fesat ndërmjet dikur bashkëmendimtarëve, e tash kolegëve e njëkohësisht edhe rivalëve brendapartiakë. Dhe kjo, jo për punë parimi.

Hipokrizia

Se sa e mjerë është politika kosovare e dëshmoi ish-kryeministri Bajram Rexhepi para disa netësh në “Rubikon” të KTV-së. Pos që tash na tregoi se ishte pa punë dhe i hidhëruar që ia kishin vjedhur votat brenda partisë, na tregoi se në Kosovë ishte më mirë të ishe deputet sesa ministër, për shkak se rroga është më e mirë. Ajo që ishte më me rëndësi, na tregoi se si SHIK-u e kishte zënë edhe partinë e edhe institucionet dhe se kjo ishte gjëja më e keqe që i kishte ndodhur Kosovës.

Mirëpo në kohën kur kishte qenë ministër i Brendshëm dhe me fuqinë së paku nominale për ta ndalur përhapjen e SHIK-ut nëpër institucione, kishte thurur lavde për Mr. Ktynë, të cilin tash e refuzonte publikisht. Nga ajo që u dëgjua atë natë, del gati e sigurt se po të ishte rizgjedhur ministër edhe në këtë ekzekutiv, me siguri se nuk e kishim dëgjuar këtë rrëfim.

Rexhepi na doli të jetë versioni jo fort më i sofistikuar i Nazim Bllacës. Në çastin kur nuk iu plotësuan pritjet, doli të flasë kundër vijës së kundërt në parti, duke e mbrojtur veten, por edhe shefin e tij. Duke dashur ta tërheqë një vijë dallimi dhe duke kthyer gishtin nga e keqja që duhet ndjekur: SHIK-u në krye me Mr. Ktynë.

Por, as SHIK-u e as Mr. Kty nuk do të mund të fuqizoheshin kurrë po mos ta kishin pasur përkrahjen financiare, logjistike, morale e politike të PDK-së, parti e së cilës Rexhepi ka qenë nënkryetar me vite të tëra. Pra, nëse e keqja është SHIK-u, atëherë fajin kryesor për këtë e bart PDK-ja, për shkak se e ka përdorur edhe si instrument për t’i shtrirë rrënjët edhe në polici, edhe në gjyqësi, edhe në ndërmarrjet shoqërore, edhe në arsim e në shëndetësi – në secilën pore që mund ta prodhojë një përfitim për partinë dhe udhëheqjen lokale a qendrore partiake.

Nëse SHIK-u është e keqja, atëherë tashmë e kemi të qartë se Kosovën prej vitesh e ka eklipsuar dhe e ka lënë të jetojë në hije dhe në të ftoftë PDK-ja në krye me krejt kryetarët, e nënkryetarët, e anëtarët e Kryesisë apo fytyrat që kanë pasur njëfarë domethënie vendimmarrëse aty... Kjo sepse e kanë kuptuar si të natyrshme grabitjen e pushtetit, për shkak të meritave të luftës. Pavarësisht se a kanë luftuar apo jo.

Vetëm se këtë që e kanë bërë nuk ka qenë e pashmangshme. Ka qenë e lejuar dhe e amnistuar prej atyre që në euforinë e pasluftës ishin në gjendje t’ua falnin të gjitha atyre që thoshin “ne ua sollëm lirinë” e më vonë edhe “ne ua sollëm pavarësinë”.

Ajo që do të jetë e pashmangshme, do të jetë rënia e tyre nga pushteti, për shkak se atë do ta shkaktojë fuqia e atyre që tashmë e konsiderojnë të shpaguar shumëfish përrallën mbi çlirimin dhe pavarësinë.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...