Faktet që i vrasin kosovarët – për çdo ditë

19 Mars 2015 - 08:49 - Enver Robelli      

Të rrezikuar nga kanceri për shkak të Çernobilit të Kosovës, të varfër për shkak të cubave plaçkitës politikë, të pashpresë për shkak të debateve shterpe – kjo është Kosova e vitit 2015. A do të ketë kjo shoqëri forcë të çlirohet përnjëmend?

Në vitin 1999 fotografi kroat Damir Shagol i agjencisë “Reuters” e përjetësoi me aparatin e tij tragjedinë kosovare: një nënë duke i dhënë gji foshnjës derisa po braktiste vendin e saj bashkë me qindra e mijëra njerëz të tjerë. Mbi kokë ajo grua e re bartte një shami të bardhë – ndoshta për të fshehur feminitetin e saj përballë policëve, ushtarëve e paramilitarëve të regjimit serb që dhunonin, vrisnin e grinin çdo gjë shqiptare.

Në vitin 2015 sërish një fotograf i agjencisë “Reuters”, kësaj radhe hungarezi Laszlo Balogh, e përjetësoi një tragjedi tjetër: në fotografinë e tij shihet një prind kosovar me një foshnjë në duar duke e çarë lumin mes kallamishteve diku në kufirin Serbi-Hungari.

Të dy fotografitë e përshkruajnë një realitet: njerëzit ikin për shkak se në vendin e tyre, në Kosovën e tyre, bëjnë kërdi politikanët e kriminalizuar – dje Slobodan Milosheviqi, sot sundimtarët vendorë, ata që krijuan një sistem klientelist dhe kriminal politik, nëpërmjet të të cilit sigurojnë pushtetin për të shkatërruar shtetin edhe ashtu të brishtë. Pas fasadës kinse demokratike fshihet bërthama e kalbur e sistemit politik. Shumë njerëz e kanë parë këtë bërthamë viteve të fundit, andaj po ikin nga Kosova.

“Nëse na kthejnë, atëherë do të ngjitem atje lart në majë të ndërtesës dhe do të hidhem me gjithë familjen”. Kështu i thotë një gazete zvicerane një refugjat kosovar, i cili në kërkim të një jete të dinjitetshme ka gjetur strehë në München, aty ku politikanët gjermanë kanë nisur të bërtasin: “Ne nuk jemi enti social i Ballkanit”. Por edhe refugjati kosovar e ka një përgjigje mbrojtëse: “Atje (në Kosovë) nuk ke asnjë shans, i kam marrë pesë euro në ditë”. Pesë euro: a jetohet në Kosovë me pesë euro në ditë, me 150 euro në muaj? E, njëkohësisht, diplomatët perëndimorë me cinizëm tregojnë: “Një pjesë e politikanëve tuaj sundues kartëmonedhën prej 50 eurosh e përdorin zakonisht si gyp për të mbushur hundët me kokainë”.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” njofton opinionin botëror se rreziku për t’u sëmurë nga kanceri është një çerek më i madh në Prishtinë se në pjesët e tjera të Kosovës. Arsyeja? Afërmendsh: termocentralet e Obiliqit janë Çernobili i Kosovës. Çdo i dhjeti kosovar jeton në Prishtinë. Rrjedhimisht, çdo i dhjeti banor i Kosovës mund të sëmuret nga kanceri. Ndotja masive e ambientit e ka dëmtuar rëndë shëndetin publik. Një shoqëri e sëmurë zor se mund të ketë ardhmëri të mirë.

“Në qendër të Evropës bën tiktak një bombë e kurdisur”, thotë një ekspert gjerman përkitazi me termocentralet e kontrolluara nga segmente të pushtetit dhe nga “kumanirat” e korrupsionit. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i referohet një studimi të organizatës amerikane për zhvillim USAID: çdo vit ndërmarrjet kosovare paguajnë 400 milionë euro për agregate të rrymës, për ndërprerjen e prodhimit dhe për dëme që shkaktohen në makineri.

Kjo mund të jetë e vërtetë, por prej këtij fakti nuk do të duhej të nxirrej përfundimi se Kosovës i duhet shumë shpejt një termocentral i ri, të cilin si ofertues i vetëm do ta ndërtonte një ndërmarrje nga New Yorku e quajtur “Contour Global”. Konkurrencë në këtë pazar të dyshimtë duket se nuk ka. As nuk do të ketë. Me rëndësi që reptilët politikë të mbushin xhepat me ryshfet duke llomotitur për “qëndrueshmëri energjetike”.

Janë humbur 15 vjet për të ndërtuar linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përse? Sepse sundimtarët në Tiranë dëshironin të blinin energji nga oligarkët serbë për të mbushur xhepat e klaneve (para)politike. Sepse bandat politike në Kosovë e shfrytëzonin dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si dyqan që mund të plaçkitet 24 orë në ditë.

Tani, me kredi gjermane, linja do të ndërtohet, por dëmi i shkaktuar nuk do të sanohet kurrë. Siç nuk mund të sanohen edhe shumë dëme të tjera – për shembull falja e rrjetit shpërndarës të KEK-ut një kompanie të lidhur me autokratin turk Rexhep Taip Erdogan. Përse i falet një kompanie turke një aset i rëndësishëm i Kosovës? Sepse një privatizim transparent, serioz dhe në të mirë të Kosovës nuk do të sillte përfitime ilegale për reptilët politikë.

Kjo është Kosova e të ashtuquajturve çlirimtarë, Kosova e “kumanirave” cinikë, të cilët si shembull për të vjedhur, plaçkitur e terrorizuar duket se kanë marrë Mihajl Kertesin dhe Jovica Stanishiqin. (Për lexuesit e moshës së re: Kertesi ka qenë shef i doganës në kohën e Slobodan Milosheviqit, ndërsa Stanishiqi shef i shërbimit sekret të Beogradit).

Sot, siç raporton një televizion gjerman, qytetarët e Kosovës jetojnë shtatë vjet më pak se popujt fqinjë. Këto vite kosovarëve ua kanë vjedhur cubat, ata që prej opingarëve u shndërruan në pronarë veturash të tipit “Mercedes”, “Range Rover”, “BMW”. Kundër tyre do të duhej të ishin të gjithë ata që e duan një Kosovë ndryshe. Me ta mund të vazhdojnë të jenë vetëm klientët e tyre, oportunistët dhe përbuzësit e lirisë.

Një shoqëri kaq e poshtëruar si kjo e Kosovës do të duhej të gjente forcën për kryengritje. Një shoqëri aq gjatë e shkelur në fyt do të duhej të kishte guxim t’i kundërvihej një regjimi shtypës.
Për fat të keq në shoqërinë e Kosovës debatet zhvillohen për tema të kota. Për një ministër serb që dha një deklaratë të papërgjegjshme, por jo për krimet e përditshme të politikanëve tanë, që sundojnë nga qershori i vitit 1999 – me intriga, reket, keqpërdorime dhe krime të tjera.

Flitet e llomotitet ende në Kosovë për bashkim me shtete të tjera - pa plan, pa ide, por me gjuhë të stuhishme pseudopatriotike. Dhe, për çudi, kjo retorikë shterpe është tamam në shërbim të Vladimir Putinit dhe idesë së tij për demontimin e krejt rendit gjeostrategjik në Evropë të determinuar nga Washingtoni dhe Brukseli në çerekshekullin e fundit. Ekstremet preken me njëra-tjetrën, pa marrë parasysh distancën.

Çfarë mbetet? Ndoshta vetëm poezia “Përmendorja” e shkrimtarit ruso-hebraik Josif Brodskiji: “Të ndërtojmë një përmendore, / e cila nuk e pengon askënd. / Madje edhe shoferët / do t’i gëzohen siluetës së saj madhështore. / (...) Të ndërtojmë një përmendore, / pranë së cilës do të vrapojmë për të shkuar në punë, / para së cilës të huajt do të fotografohen. / Gjatë natës me reflektorë do ta ndriçojmë. / Të ndërtojmë një përmendore për gënjeshtrën”.
Përmendore të gënjeshtrave “kumanirat” kanë ndërtuar shumë. Një elitë tjetër, që e përbuz mentalitetin e opingarëve duhet ta drejtojë këtë vend.

Ajo elitë nuk do të merret me lista të rrejshme e çlirimtarë edhe më të rrejshëm, ajo elitë nuk do të pasurohet duke keqpërdorur sakrificën e atyre që me vetëmohim i dhanë kuptim lirisë dhe idesë së shtetit. Ajo elitë do të ngrejë përmendore për Esad Mekulin, Anton Pashkun, Mirko Gashin, Gazmend Zajmin, Hilmi Aganin dhe shumë patriotë të vërtetë të Kosovës, që e bënë këtë vend të jetë krenar me kulturë e dituri – jo me mentalitet të cubit me allti.

Si mund të lind një elitë e re? Përfundimisht jo me debate shterpe siç zhvillohen në Kosovë, ku dinamika e zemërimit shpërthen e dobësohet brenda 24 orëve. Tragjedinë e ardhshme të Kosovës sërish mund ta përjetësojë ndonjë fotograf i “Reutersit”.

robelli@bluewin.ch
© KOHA

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...