EULEX-i nuk ndodhet në Kosovë për t’u marrë me vetveten

18 Mars 2015 - 08:37 - Augustin Palokaj      

Kur u vendos që EULEX-i të vijë në Kosovë nuk mendohej se do të merrej më shumë me vetveten dhe me mbrojtjen e reputacionit të vet. Ky mision tash është bërë një “Flag mission”, që do të mund të dëshmojë ose seriozitetin e BE-së, ose të japë arsyen pse BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë nuk mund ta marrin shumë seriozisht

Ishte fundi i dimrit të vitit 2008, koha kur pritej që Kuvendi i Kosovës të shpallte pavarësinë, sipas propozimit të Marti Ahtisaarit. Ajo pavarësi dihej se do të ishte në një mënyrë “e kushtëzuar” me praninë ndërkombëtare që do të kishte fuqi ekzekutive.

Duke e ditur se mes shteteve të BE-së nuk do të kishte pajtim për të njohur pavarësinë e Kosovës, dhe për të evituar që këto ndasi të ndikonin edhe në praninë e ardhshme të BE-së në Kosovë, edhe para se të shpallej pavarësia, u mor vendimi për vendosjen e misionit të BE-së në fushën e rendit dhe të ligjit, EULEX, në Kosovë.
Ishte një lloj konsensusi i përbashkët i kosovarëve dhe i ndërkombëtarëve se Kosova, së paku në vitet e para të pavarësisë së saj, do të kishte nevojë për një ndihmë, në formën e mbikëqyrjes, në fushën e rendit dhe të ligjit.

Kosovarët, që e donin pavarësinë e tyre, nuk besonin se strukturat e shtetit të tyre do të ishin në gjendje, apo do të kishin edhe vullnetin politik, që të dënonin krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin më të lartë, nëse me këtë nivel mendohej edhe në vetë strukturat më të larta politike. Prandaj, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, askush nuk ishte kundër misionit të EULEX-it. Për ardhjen e EULEX-it kishte konsensus mes partive politike, shoqërisë civile dhe kishte mbështetje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse te popullata. Madje mund të thuhet lirisht se kishte edhe entuziazëm dhe pritje të mëdha nga ky mision.

Dhe kishte arsye për pritje të mëdha nga EULEX-i. Besohej se ky mision do të ishte ndryshe nga gjykatat, Policia dhe Doganat e UNMIK-ut. Arsyeja e parë ishte se ky do të ishte një mision i BE-së, me personel nga shtetet e saj anëtare apo nga partnerët, si: SHBA-ja, Norvegjia, Zvicra dhe Kanadaja. Pra e dinim se në këtë mision do të kishte vetëm qytetarë të vendeve me traditë demokratike, me gjykata të pavarura, ku respektohen të drejtat themelore, si liria e shprehjes, demokracia dhe llogaridhënia.

Duke e pasur parasysh se Kosova synonte integrimin në BE, EULEX-i u pa si një rast i shkëlqyeshëm për të përgatitur Kosovën që të ecë në këtë rrugë. Nga zyrtarët e EULEX-it do të merreshin mësime se si duhej vepruar, do të mësoheshin parimet e pavarësisë së gjyqësorit, profesionalizimit të policisë. Nëse do të shihnin se këto parime do të shkeleshin nga strukturat vendore, ata do të ndërhynin, sepse kanë mandat ekzekutiv.

Pas disa vitesh do të kishin shembullin më të mirë që mund të merret për sundimin e ligjit dhe kështu Kosova, nëse do të realizoheshin pritjet, do të ishte shumë para vendeve të tjera të rajonit, të cilat nuk e patën rastin të kenë mision të EULEX-it. Madje qytetarët e disa vendeve fqinje ua kishin zili kosovarëve dhe dëshironin që edhe ata të kishin një mision të tillë, i cili do të kishte guximin t’i godiste politikanët e tyre të korruptuar, sepse strukturat vendore të gjyqësisë nuk e kishin guximin ta bënin një gjë të tillë apo janë vetë të përziera me krimin dhe politikën dhe nuk duan ta bëjnë si duhet luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çka kemi pas shtatë vjetësh me EULEX-in? Kemi disa të dhëna statistikore se sa raste i ka trashëguar ky mision nga UNMIK-u dhe sa i ka zgjidhur. Kemi disa raste të krimeve të luftës të procesuara. Dhe kemi disa në vazhdim e sipër. Por pak për të arsyetuar gjithë ato pritje nga ky mision kaq i madh dhe kaq i shtrenjtë.

Nga ana tjetër kemi të dënuar që kanë ikur pa shkuar në burg, kemi dyshime për korrupsion në radhët e EULEX-it, policë të këtij misioni të kapur duke bërë kontrabandë me alkool dhe së fundi edhe dyshime se struktura politike, për nevoja politike dhe për të ndërhyrë në proceset politike të krijimit të Qeverisë së Kosovës kanë tentuar ta përdorin Gjyqësorin për këtë qëllim. Pra kemi dyshim se dikush në BE dhe në EULEX ka tentuar ta bëjë atë që BE-ja u thotë vendeve kandidate se nuk guxojnë ta bëjnë kurrë: ndërhyrjen politike në Gjyqësor dhe, që është edhe më e rëndë, përdorimin e Gjyqësorit për qëllime politike.

Pakkush ka menduar se misioni më i madh, më i shtrenjtë dhe më i rëndësishëm i BE-së në fushën e sundimit të ligjit, EULEX-i, në Kosovë, në vend të rezultateve të dukshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin më të lartë do ta gjejë veten nën akuza dhe hetime për korrupsion, keqmenaxhim dhe keqpërdorime. Kur u vendos që EULEX-i të vijë në Kosovë nuk mendohej se ai atje do të merret me vetveten, me mbrojtjen e reputacionit të vet. Ky mision tash është bërë një “Flag mission”, që do të mund të dëshmojë ose seriozitetin e BE-së, ose të japë arsyen pse BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë nuk mund ta marrin shumë seriozisht.

Misioni i EULEX-it dhe BE-ja kanë mundur ndryshe të reagojnë pas daljes në shesh të dyshimeve për keqpërdorime dhe korrupsion në këtë mision. Gjërat e tilla mund të ndodhin gjithkund. Ka mundur këtë ta shfrytëzojë për të dëshmuar se, edhe pse mund të ndodhin gjithkund gjërat e tilla, dallime duhet të ketë në reagime. Dhe të dëshmojnë se në EULEX nuk do të ketë tolerancë ndaj personave që njollosin një mision të tillë. Të dëshmojnë se vërtet “EULEX-i do të jetë më i bardhë se bora” (fjali që përdori disa herë një zyrtar i EEAS-it në Parlamentin Evropian), dhe të dëshmojë atë. Në vend që të shokohet me gjërat që dyshohet se kanë ndodhur në këtë mision, shefat e këtij misioni dhe eprorët e tyre në Bruksel u shqetësuan më shumë për faktin se kjo u bë publike.

Prandaj në vend që të shprehin mirënjohje ndaj atyre që morën guximin të flasin kundër keqpërdorimeve dhe ndaj medieve që botuan ata u vërsulen kundër tyre, duke u marrë me motivet. Një prokurore, e cila foli për keqpërdorime dhe dha për këtë dëshmi, e shpallën “të frustruar”, “egocentrike” dhe “hakmarrëse”, dhe për shkak u përjashtua nga misioni, sepse “nuk e kaloi testin gjatë ristrukturimit të misionit”, ani pse për shumë vjet punoi në të njëjtin mision.

Ndaj gazetarit së pari u tentua presion që të mos botojë shkrimet për skandalet e EULEX-it (duke shkelur edhe një parim të shenjtë të BE-së për lirinë e medieve) e prapa shpine u tentua edhe të njolloset ai dhe gazeta për kinse “fabrikime” me qëllime “për ta larguar EULEX-in nga Kosova”.

Për gjithë atë që ka ndodhur dhe po ndodh në EULEX, nga diplomatët e shteteve anëtare dëgjohen vetëm komente “skandaloze”, “e tmerrshme”, “tragjedi”. Thonë ashtu sepse EULEX-i, me skandalet dhe mënyrën se si është marrë me to ia ka humbur Bashkimit Evropian kredibilitetin edhe ndaj shteteve tjera të cilave duhet t’u thotë që ta respektojnë pavarësinë e Gjyqësorit, lirinë e medieve, të mos ketë presion ndaj gazetarëve dhe të mos lejohet kurrsesi ndërhyrje politike në gjyqësor.

Ende ka pak shpresë, por vetëm pak, që EULEX-i të bëjë një kthesë edhe të kthejë reputacionin. Mund ta bëjë këtë duke zbuluar dhe dënuar ata që janë përgjegjës për keqpërdorime. Kështu mund të mbrohet reputacioni i një misioni dhe një organizate, i cili nuk mund të sakrifikohet për mbrojtjen e disa individëve që bënë keqpërdorimet.

Por nëse BE-ja dhe EULEX-i do të orvaten të heshtin këto skandale me disa raporte, të cilat do të merren me procedua, dhe nëse ato janë shkelur apo jo, nëse do të presë që të kalojë koha dhe me kohë të harrohen këto keqpërdorime, atëherë nuk do t’i bëjë mirë as Kosovës e as BE-së. Për momentin mund të thuhet se ka të interesuar në BE edhe për njërën edhe për tjetrën mënyrë, edhe për të heshtur disi krejt këtë që ka ndodhur, edhe për ta sqaruar deri në fund. E EULEX-i në vend të ofensivës kundër kriminelëve dhe të korruptuarve duket se është në ofensivë ndaj atyre që i sheh si rrezik, e ata në këtë rast kanë qëlluar të jenë pikërisht ata të cilët kanë pritur shumë nga ky mision dhe kanë besuar, dhe vazhdojnë të besojnë në parimet e llogaridhënies, pavarësinë e Gjyqësorit dhe mosndikimet politike në sistemin e drejtësisë dhe në polici.

Nëse diçka nuk ndryshohet shpejt, mund të thuhet se misioni i EULEX-it paska qenë një mision me qëllime politike, i cili për shkak të prioritetit të një stabiliteti politik sakrifikon të gjitha parimet demokratike. Ata që sot kritikojnë EULEX-in nuk po e bëjnë këtë për shkak se ai ndodhet në Kosovë, por për shkak se, as përafërsisht, nuk e ka kryer dhe nuk po e kryen punën për të cilën ka ardhur.

© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...