Yjet e shkallës gri

17 Mars 2015 - 08:01 - Flaka Surroi      

...apo rrëfimi për pesë nuanca të së zezës dhe një të së përhirtës

Shkalla gri (apo grayscale) është vistra e hijeve gri që shkojnë nga e bardha në të zezën, e që paraqitet te shtypi monokrom. E ky shirit ishte i pari që m‘u parafytyrua këtë javë, teksa i dëgjoja e lexoja deklaratat dhe raportet për ngjarjet që e karakterizuan javën. Porse shkallëzimin që e shihja unë ishte inverse – pra secila fjalë e shqiptuar a veprim i bërë, po më shkonin nga e zeza futë zi deri te e bardha, jo bash bilur. E nuancat ishin aq intensive saqë m’i hijezuan plotësisht ngjyrat e tjera.

E zeza futë zi

“Ylli” i zi i javës ishte pa dyshim shefi i EULEX-it, Meucci. Në prezencën e shefit të BE-së në Kosovë, në një bisedë sqaruese me përfaqësuesit e Nismës..., ktheu tytën e ekzekutimit nga “KOHA Ditore”. I obsesionuar me gazetën, na akuzoi se duam ta heqim EULEX-in nga Kosova. Për më tepër, na dha një kompliment, me siguri pa qëllim: se ishim aq të fuqishëm, saqë mund ta përjashtonim një mision shumëmiliardësh evropian, veç pse ashtu kemi vendosur.

Esenca e kësaj çështjeje qëndron në faktin se as Meucci e as shumë të huaj që punojnë këtu, ende nuk e kanë kuptuar se KOHA është e pavarur dhe se nuk u frikësohet kërcënimeve, e aq më pak çan kokë për insinuatat që mund t’i bëhen. Ai nuk e di, sepse është taze këndej pari, porse KOHA lufton për ruajtjen e dinjitetit të njerëzve që punojnë në të me standarde profesionale. KOHA ruan integritetin e vet, të cilin njerëzit sikur ai përpiqen ta njollosin e denigrojnë – sepse të tillët sikur ai mendojnë se mund të na shkelin sa herë t’ua ka ënda. KOHA lufton për ta mbrojtur veten nga sulmet e atyre që kur nuk kanë argumente i rreken forcës. Sepse nuk mund ta përpijnë faktin se ne po e zbulojmë të vërtetën e shëmtuar për ta. Sepse na trajtojnë njerëz të rendit të dytë, ashtu siç kishin bërë edhe më parë të tjerët që na kishin sunduar.

Dhe në vend se të na kërkojnë falje për konstruktimin e rrenës dhe akuzave të fëlliqura që ia bënë gazetarit tonë dhe gazetës, ata e zgjerojnë frontin e luftës, të cilën duhet ta dinë se e kanë të humbur ende pa nisur. Pos nëse, meqenëse i kanë policët, prokurorët dhe gjyqtarët e tyre këtu, na e bëjnë një gjyq të shpejtë kafkian.

E nëse s’e kanë kuptuar deri tash, ja po e përsërisim edhe njëherë: paaftësia dhe dështimi i EULEX-it nuk është faj yni. Kërcënimet, inskenimet dhe përpjekja për ta diskredituar KOHA-n vetëm pse po ua shpalos skandalet, është veprim i pashpresë dhe s'ka lidhje me sundimin e ligjit. Më parë është përpjekje për ta instaluar sundimin e të ligut.

E zeza po aq futë

Dhe ky yll i takon Hajredin Kuçit. Më së pari për shkak të propozimit që Ministria e tij ka bërë për ndryshimin e Kodit Penal ashtu që të amnistohen në një formë ata që nuk e paraqesin pasurinë e tyre me saktësi. Duke i shtuar nja gjashtë fjalë që në shikim të parë nuk çojnë kandar (“me qëllim të fshehjes së pasurisë”), Kuçi u jep mundësi të gjithë zyrtarëve që nuk e paraqesin pasurinë e tyre, të fshihen pas “harresës” a “gabimit teknik” – për shkak se cilado gjykatë që do të duhej t’i sanksiononte për këtë shmangie të obligimit ligjor, do të duhej të dëshmonte se këta e kanë bërë këtë punë “me qëllim të fshehjes së pasurisë”. Allahile, zoti ministër, cili zyrtar që rren do ta pranojë se ka rrejt për shkak se ka “pasur qëllim ta fshehë pasurinë”. Nëse e gjeni një, na tregoni ta qesim në ballinë.

Më së dyti, dhe më së rëndi, këtë yll e meritoi për shkak të mungesës së tij në mbledhjen e djeshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk e përfilli as ftesën me metodën e tij të preferuar të komunikimit: me sms. Nuk erdhi, dhe e pamundësoi shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, që tashmë, gati është bërë evidente, e konsideron këtë trup si pronë të veten. Politizimi i skajshëm i një trupi që do të duhej të ishte profesional, e ka sjellë Kosovën në gjendjen në të cilën është – të krimit të pandëshkuar dhe të një strukture servile prokuroriale e gjyqësore që është shndërruar në servis të partive në pushtet.

E zeza më pak e zezë

Më 1989 kishte qenë 24 vjeç – më duket atëherë deputetja më e re e asaj legjislature të Kuvendit të Kosovës. Në kohën kur Millosheviqi po e shuante autonominë e Kosovës, ajo kishte qenë njëra nga dhjetë deputetët që kishin votuar kundër amendamenteve kushtetuese. Me atë veprim, rrezikonte edhe arrestimin edhe anateminim edhe syrgjynosjen. Mbeti në Kosovë, dhe u bë pjesë aktive e LDK-së.

Shumë vjet më vonë, nga pozita e anëtares së Kryesisë dhe Kryetares së Forumit të Gruas të LDK-së, dha dorëheqje dhe shkoi në AAK. Jo pa i thënë një kerr sendesh të këqija për Mustafën dhe plot njerëz të tjerë në LDK. Vjet i hyri garës për Parlamentin e Kosovës me listën e AAK-së dhe e fitoi mandatin e deputetes. Dhe menjëherë nisi ofensivën kundër kryeparlamentarit, Mr. Kty, të cilin e shihte si personifikimin e së keqes, për shkak se kishte qenë shef i SHIK-ut, të cilin kjo e akuzonte për vrasjet politike të anëtarëve të LDK-së.

Për arsye jo fort parimore, sepse e besoj se sakica duhet të presë me një vend, u kthye në LDK. Dhe me gjasë tagri që duhej paguar për këtë ishte tërheqja e nënshkrimit për formimin e komisionit parlamentar që do ta hetonte SHIK-un. Për më keq, arsyetimi se “Pse s’u mor Haradinaj me këtë çështje derisa kishte qenë kryeministër” ishte tejet dëshpëruese, ngase shqiptohej nga dikush që Haradinajn e kishte pasur shef për disa vjet dhe që megjithatë kishte gëzuar simpati për shkak të qëndrimit të treguar 26 vjet më parë.

Melihate Tërmkolli do të mund të vazhdojë të arsyetohet sesi në partinë amë i është dhënë hapësira e të vepruarit, porse heqja dorë nga atuja kryesore me të cilën e luante lojën deri tash, nuk i bën fort nder.

E zeza gati si e Melit

Yllin me këtë ngjyrë e bartin shumë njerëz që rëndom shesin mend se bartin mantele të bardha dhe se nuk u drejtohen kolegëve assesi ndryshe, pos si doktor.

Në këtë vend që është tokë e pëlleshme për shkrimin e skenarëve filmikë të turli zhanri, po kryesisht horror, na doli një moment i ri, që nuk e kishim përjetuar kurrë më parë. Mjekët e gjinekologjisë dolën për të protestuar kundër mediave. Hajde që protestuan, por edhe na u kërcënuan duke na bërë shantazh: nëse vazhdoni të shkruani për neve, ne do ta bojkotojmë punën, dhe s’do të kujdesemi për pacientët. Bravo!

Mbase këtyre profesionistëve duhet rikujtuar se falë tatimeve që qytetarët e këtij vendi kishin paguar si atëherë ashtu edhe këtë herë këta janë bërë me tituj dhe, çka është më me rëndësi, me punë. Gjithashtu duhet rikujtuar se këta e kanë dhënë betimin e Hipokratit – me ç’gjë janë obliguar se do t’u ofrojnë pacientëve kujdes mjekësor duke e respektuar etikën dhe se nuk do të kërkojnë asgjë në këmbim. Shumëçka që po shohim e po dëgjojmë për ta (pa dashur të gjeneralizojmë) dëshmon se lëre që nuk tregojnë etikë, por edhe shpesh kërkojnë diçka në këmbim.

Në vend se të merren me veten e të kujdesen për ata që për fat të keq nuk kanë opsion tjetër pos t’iu drejtohen atyre, ata merren me neve. Sepse, sikurse edhe EULEX-i, nuk mund të pajtohen me faktin se po ua zbulojmë shëmtitë që i bëjnë. Kundër popullit, me paret e popullit. Marre!

E zeza qaty diku

Yje janë tri: Ministria e Kulturës; drejtoria e Muzeut dhe regjisori Ujkan Hysaj. “Viktima” e këtyre yjeve është ahuri i muzeut etnologjik “Eminxhik”. Viktima përnjëmend është trashëgimia kulturore që është pronë e Kosovës.

Për nevojat e xhirimit të një filmi, ministria kishte dhënë lejen që regjisori ta përdorte hapësirën e këtij muzeu. Mirë fort – për hir të autenticitetit. Ama, kur e kishte dhënë lejen, më askush s’ishte angazhuar për të kuptuar se çka po ndodhte dhe si po zhvilloheshin gjërat. Dhe, pak si pahiri e më shumë me qëllim, gazeta zbuloi se regjisorit a dikujt nga ekipi i është kujtuar të shtronte çimento mbi dyshemenë e ahurit. Material, që asnjë variant nuk përdoret as për rehabilitimin dhe restaurimin e këtyre monumenteve..., se me pasë dashtë, vetë Emini i vogël e kishte shtruar çimenton kur e ka ndërtuar shtëpinë me objektet përcjellëse.

Lehtësia me të cilën vihen në dispozicion objektet e trashëgimisë kulturore dhe pafytyrësia me të cilën ato shkatërrohen para syve të të gjithëve – na kanë lënë me fare pak gjurmë të së kaluarës sonë edhe më të largët. Po asnjë film i dreqit, po qoftë ai edhe fitues i “Oscarit”, nuk e vlen prishjen e një vlere kulturore – ani që është ahur. E pasi ky regjisori paska pasur nevojë të xhironte nëpër shtëpi shtazësh, pse vëlla nuk ka shkuar në ndonjë katund. Ndoshta edhe ndonjë lopë a kali i kishte hyrë në përdorim.

E përhirta nga e bardha

Jo krejt e bardhë, megjithatë.

Aida Dërguti, deputetja e “Vetëvendosjes”, hyri në historinë e parlamentarizmit kosovar, si gruaja e parë nënkryetare e Kuvendit. Histori, për shkak se kjo ndodh për herë të parë në Kosovën e pasluftës dhe vetëm në legjislaturën e pestë. Histori edhe për shkak se emërimi i saj rrodhi nga partia më e madhe opozitare, gjë që nuk u kishte shkuar në mendje asnjërës nga partitë e mëdha që e kanë gojën plot barazi. Dhe jo krejt e bardhë për shkak se Dërguti u ngarkua me këtë detyrë “nga tentimi i dytë”, dhe vetëm pasi që pararendësi i saj aty u bë shef i grupit parlamentar.

Do të kishte qenë krejt e bardhë, po qe se ajo do të zgjidhej në këtë post që nga dita kur u dha betimi. Për shkak se ajo që dihet publikisht për të flet për një person me integritet. Për shkak se mënyra në të cilën i mbron pozicionet e partisë së saj – me maturi dhe zë përherë të kontrolluar, dëshmon për një grua të mençur që mendon para se të flasë. Dhe e cila i ka të gjitha predispozitat për ta përfaqësuar Parlamentin e Kosovës denjësisht në vend dhe jashtë.

Dhe, nuk është krejt e bardhë, për shkak se paraqet njërën nga ato pak lule me të cilat nuk çel pranvera në Kosovë.

Sepse hija e së zezës është shumë më e madhe dhe tepër e dendur.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...