Poshtërimet në tempullin e shenjtë

15 Mars 2015 - 08:00 - Brikenda Rexhepi      

Nëse nuk ka dinjitet në një vend ku gruaja bëhet nënë dhe ku shtohet një kosovar i ri, atëherë dinjitet nuk mund të ketë në asnjë vend tjetër, në asnjë institucion, në asnjë shkollë e spital dhe në asnjë shtëpi

Nuk mund të jetë asnjë xhami as kishë dhe asnjë tempull tjetër më i shenjtë se vendi ku jetët e reja vijnë. Ku pjesëtarët e rinj të shoqërisë i çelin sytë e ku e ngrenë zërin për herë të parë. Ku na bashkohen në shoqëri, në popull e në shtetin që të gjithë e duam më të mirë. Nuk ka shenjtor më të denjë se një që brenda trupit të vet krijon një njeri.

Që nëntë muaj i jeton në gjendje krejt tjetër fizike, psikike e shpirtërore. Që dhimbjen e lindjes e mund me dashuri. Që merr fuqinë e botës për t’i dalë zot fëmijës të vet. Nuk ka asnjë vend të shenjtë dhe nuk ka shenjtor që meriton më shumë respekt, kujdes e përulësi. Asnjë rast tjetër nuk ka ku gabimet e fyerjet janë më të pafalshme.

Nëse në një vend të tillë ku gruaja bëhet nënë dhe ku shtohet një kosovar i ri nuk ka dinjitet, atëherë dinjitet nuk mund të ketë në asnjë vend tjetër, në asnjë institucion, në asnjë shkollë e spital dhe në asnjë shtëpi. Raportimet e fundit në media për fyerje, sharje, poshtërim, nënçmim... të grave në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, nuk janë diçka e re. Për trajtim të tillë të gruas kosovare, e cila çdoherë ka qenë e nënshtruar në shoqëri, është folur ndër vite, por askush asnjëherë as institucionalisht e në asnjë formë tjetër nuk ka bërë gjë për t’i dalë në mbrojtje në momentet kur ajo është më e ndjeshme.

Unë jam befasuar në vitin 2000. Rrëfimet që kanë ardhur pastaj kanë qenë pothuajse të njëjta dhe të zakonshme. Tani pas 15 vjetësh befasohem vetëm se si shoqëria po kapërdin ende një gjë të tillë.

T’i kthehem 2000-tës.

Për shumë kosovarë ishte viti i shpresave të mëdha. Për gratë që bëheshin për herë të parë nëna ngazëllimi shumëfishohej. Një e tillë ishte shoqja ime, që në këtë tekst do t’ia ndryshoj emrin në Arra. Ishte sa e ndjeshme aq edhe e fortë. Prej momentit kur e pati kuptuar që edhe një zemër tjetër po rrihte brenda saj, qe bërë e butë, më e dashur dhe më e brishtë. Ishte çdoherë në kërkim të një mjedisi sa më dashamirës, pa konflikte e pa britma. Në praninë e saj edhe ne shoqet ndiheshim më të mira se ç’ishim. Por nëntë muaj kaluan shpejt. Erdhi koha për momentin magjik të saj. Atë që e kishte ëndërruar çdo natë e çdo ditë, madje jo veç gjatë atyre nëntë muajve – takimin me dashurinë e re të jetës së saj. Psikikisht ishte përgatitur që atë moment ta priste me mirësinë e dashurinë më të madhe. Mendonte se asnjë gjë e kësaj bote nuk do të mund t’ia prishte magjinë, ngase kishte kohë që po e përgatiste një fillim të mbarë të jetës së saj të re. Por këtu përfundon rrëfimi i bukur për të.

U dëgjuam me të më gjerësisht pas një dite a dy. Muhabetet që i patëm projektuar pas momentit magjik, nuk na dolën të tilla. Krejt rehatia e qetësia që e kishte mbledhur gjatë nëntë muajve i ishte rrënuar derisa po vinte ai moment, derisa po luftonte për shikimin e parë me dashurinë e re, për kontaktin me beben jashtë trupit të saj. Na tregoi se dhimbjet ishin të mëdha, ashtu siç ishte edhe frika, por se ngazëllimi i linte ato shumë prapa. Edhe pse më shumë e ndiente lumturinë, na pati thënë se nuk mundte zërin e vet ta ndalte, nuk mundte të ndalej së kërkuari mbështetje, ndonjë fjalë të mirë..., diçka nga personeli mjekësor që aty do të duhej të ishte për ta përkrahur, mbase jo veç fizikisht. Në brishtësinë e saj, në nevojën për një fjalë të mirë e inkurajuese..., dikush edhe i kishte folur: “Ta ka kojt mu..., duro qitash, çka po na l’shon zana k’tu”. Na pati thënë Arra se kjo që e dëgjoi ia rrëzoi kullën. Ia ndërroi dimensionin. Ia nënçmoi ndjenjën që kishte kohë që po e ngrinte. Ia prishi momentin magjik. Askush nuk i ishte drejtuar ashtu në njëzet e sa vitet e jetës së saj. Arra ishte rritur në familje të edukuar, ku gruaja respektohet por edhe ku mësohet të luftojë për veten. Ajo që e dëgjoi e transformoi atë, jo në një grua nënshtruese që e pranon fyerjen prej zorit, po në një grua që mund të hapë edhe dy fronte, për aq sa dhe si kishte takat... “I thashë ‘shiko motër a mjeke – a çka je, shikomi këta sy, m’ke nxanë në këtë gjendje e po më flet kështu, po m’i mbaj në mend këta sy dhe unë t’i mbaj në mend tutë, kur do të jemi të barabarta hundët kam me t’i thy’...”, na pati treguar ajo muhabetin me “zonjën” e Gjinekologjisë, e që nuk mund ta mohoj që me gjithë irritimin na pati bërë të qeshnim shumë. “Ishte e vetmja mënyrë për t’ia treguar vendin, çka mund t’i thosha tjetër në ato momente, si mund ta nxirrja dëshpërimin ndryshe, si mund ta bëja një njeri të tillë të kuptojë, pasi deri tash nuk e kishte kuptuar se lindja është e shenjtë, se vendi ku vijnë jetët e reja nuk duron fjalë të tilla...”.

Na pati thënë se hundët nuk do t’ia thyente dhe as nuk do të merrej me të, për të mos e lejuar shëmtinë e saj të bëhet pjesë e jetës së re me dashurinë e re... me vajzën që e ka rritur ashtu siç ishte rritur edhe vetë. Na pati thënë se aso kohe nuk kishte ndonjë mekanizëm ankesash, ku zërin do ta ngrinte konform nivelit të vet.

Kanë kaluar 15 vjet dhe gjasat që një nëne të re t’i ndodhë e njëjta gjë janë po aq e njëjta. Dhe mekanizmat për ankesa janë po aq inekzistente. Rasti i gruas që lindi në korridor javën e kaluar është veç një që e dëshmon këtë. Kjo grua tha se nëpër korridor po ecte ngadalë dhe duke ia “shtyrë me dorë bebes kokën brenda” – një ecje që infermierja i tha se po e bënte si me qenë “e killavt”.

Por fajin më të vogël këtu e ka infermierja. Edhe ajo sikur “zonja” që e shau Arrën nuk janë rritur me vlera siç është rritur shoqja ime. Nuk kanë faj ato që jetën e jetojnë si të tilla. Që punët i kryejnë duke ofenduar e duke sharë, duke nënçmuar e poshtëruar. Krejt fajin sot nuk kanë as 300 mjekët e infermieret që në vend se ta luftojnë këtë praktikë në Klinikën ku punojnë, e ushqejnë atë duke mos u distancuar dhe as duke mos u përpjekur që ta godasin këtë fenomen tashmë të dëshmuar sa e sa herë. Është e pamundur që në mesin e punëtorëve të Gjinekologjisë të mos ketë njerëz që e vlerësojnë gruan si nënë e si paciente, pavarësisht a është e shkolluar a jo, pavarësisht a është bashkëshortja e ndonjë politikani a jo. Personeli i Gjinekologjisë po bën një gabim elementar logjik, po e merr fajin kolektivisht për rastet që kanë ndodhur mu aty dhe që nuk mund të fshihen. Krejt faji sot nuk mund t’i vishet as QKUK-së për shkatërrimin e çdo mekanizmi etiko-profesional e disiplinor për personelin e saj. Që është shndërruar në një vend ku dreqi të birin nuk mund ta gjejë. Ku shefat punojnë kokë më vete varësisht prej interesave të veta dhe të partive apo grupeve të interesit që i kanë punësuar aty. E as Ministrisë së Shëndetësisë që vëmendjen e ka te tenderët më shumë sesa te mbarëvajtja e punëve në sistemin e shëndetësisë. E vetmja fajtore nuk është as Gjykata Kushtetuese, e cila ka goditur qytetarët e mjerë të Kosovës më shumë seç mund të goditen, kur e ka zhvleftësuar nenin e Ligjit për shëndetësinë që mjekëve u jepte dy mundësi – privatin ose publikun. Kushtetuesja lejoi katandisjen e sistemit shëndetësor, i cili i tillë është kryesisht për shkak të këtij vendimi që favorizoi mbushjen e xhepave të mjekëve në kurriz të shëndetit të popullit.

Askush nuk ka më shumë faj se vetë shoqëria kosovare, organizatat e shoqërisë civile që kanë thithur fonde milionëshe për të mbrojtur të drejtat e grave. Si mundet shoqëria kosovare të lejojë që nënat t’i poshtërohen aq ulët ndër vite në një klinikë, mjekët e së cilës rrogat i marrin nga taksat e qytetarëve. Në një klinikë që në vend se të flasë për luftimin e këtij fenomeni, kërcënon se do ta bllokojë Gjinekologjinë me masa siç bllokohen çmendinat, ku askush nuk guxon të hyjë dhe askush nuk guxon të nxjerrë informatë. Një klinikë që gratë nuk i trajton si paciente, por si të shkolluara e të pashkolluara, që lehonat i konsideron të paafta për të dëshmuar në gjykatë, ngjashëm siç trajtohen banorët e atyre çmendinave.

Ku janë rrjetet e grave dhe organizatat e tjera, ku janë projektet për të drejtat e grave dhe të drejtat qytetare, ku janë milionat që shtetet mike ua kanë dhënë për ngritjen e shoqërisë kosovare? Një Kosovë me një shoqëri që nuk e do si të shenjtë vendin ku vijnë jetët e reja e që lejon poshtërimin e nënave të cilat ndër vite kanë rritur fëmijë për luftë e për paqe, nuk e meriton as të ekzistojë.

brikenda@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...