Meucci, fajtorin për dështimin kërkojeni në shtëpinë tuaj

13 Mars 2015 - 09:11 - Agron Bajrami      

Nuk është “Koha Ditore” ajo që e do rrënimin e EULEX-it dhe largimin e tij. Rrënimin dhe largimin e EULEX-it e duan pikërisht ata që refuzojnë t’i adresojnë keqpërdorimet, korrupsionin, manipulimet politike dhe dështimet e tjera në EULEX, duke ia hedhur fajin “Kohës Ditore”

Dje, shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, bashkë me përfaqësuesin politik të BE-së, Samuel Zhbogar, takuan përfaqësuesit e partisë Nisma..., për t’i bindur se raportimet e “Kohës Ditore” rreth ndërhyrjeve politike në rastin kundër Fatmir Limajt nuk janë të vërteta. Sipas Nismës..., Meucci nuk ka zgjedhur fjalë për të diskredituar gazetën. Paska thënë madje se “Koha Ditore” nuk e ka raportuar të vërtetën, se paska sajuar ngjarje me qëllim që të shkatërrojë misionin e EULEX-it dhe ta largojë atë tërësisht nga Kosova!

Vetë EULEX-i nuk tregon nëse këto janë fjalët e sakta të Meuccit në takimin prapa dyerve të mbyllura me Nismën..., por në deklaratën e përbashkët të tij dhe Zhbogarit, nuk lihet asnjë pikë dyshimi se EULEX-i insiston që në raportimin e “Kohës Ditore” rreth rastit Limaj nuk paska pasur fakte!

Deklarata zyrtare e lëshuar nga zyra e Zhbogarit, në emër të Zhbogarit dhe Meuccit, thotë: “Z. Meucci shpjegoi se akuzat e tjera që janë publikuar thjesht nuk ishin faktike. Misioni nuk ka ndërhyrë në rezultatin e gjyqit. Asnjë anëtar i stafit të EULEX-it nuk ka kërkuar mbrojtje në lidhje me këtë rast. Dhe në fund, asnjë gjyqtar nga paneli i diskualifikuar nuk do të jetë në panelin e ri”.

Me këtë, Meucci dhe EULEX-i, të mbështetur nga Zhbogar dhe BE-ja, kanë hedhur akuza të rënda në adresë të“Kohës Ditore”. Andaj, është rendi që edhe “Koha Ditore” ta thotë fjalën e vet.

Sa për dijeni të publikut, të konfirmojmë me radhë së pari këto fakte:

- Gjithçka që “Koha Ditore” ka botuar rreth rastit në fjalë qëndron, dhe gazeta mbetet prapa raportimit të vet.

- Në raportimin e rastit - dy shkrime deri tani - “Koha Ditore” është mbështetur në burime të besueshme dhe të sigurta, duke konfirmuar secilin fakt nga së paku dy burime të ndryshme. Gazeta posedon edhe incizime të cilat konfirmojnë raportimin.

- Për gjithçka që “Koha Ditore” ka raportuar, EULEX-it i është dhënë mundësia të japë sqarimet e veta, dhe gjithçka që EULEX-i ka thënë është përfshirë në raportim.

- Në asnjë përgjigje nga EULEX-i nuk është demantuar asgjë nga ato që janë raportuar; misioni vazhdimisht është kufizuar në prononcime të përgjithësuara, duke thënë se “misioni i merr seriozisht të gjitha akuzat për sjelljen e stafit”, dhe “nëse është e nevojshme do të iniciojë veprimet e duhura”.

- EULEX-i deri më tani nuk ka dërguar asnjë reagim, asnjë demant dhe asnjë kontestim të raportimeve të “Kohës Ditore”, as në rastin aktual rreth Limajt, as në rastet e para pak muajve rreth dyshimeve serioze për korrupsion në radhët e zyrtarëve të lartë brenda misionit të EULEX-it.

- Sikur në rastin e raportimit të dyshimeve serioze për korrupsion brenda EULEX-it, kur misioni, në vend se të merret me problemin në radhët e veta, ka zgjedhur të mbrohet duke i bërë presion gazetarit, duke kërcënuar me padi, por edhe duke sulmuar fshehtazi gazetën, edhe në këtë rast gazeta e konsideron fushatën e Meuccit, me miratimin implicit politik të BE-së përmes prezencës së Zhbogarit, si një sulm direkt në lirinë e shtypit dhe mohimin e llogaridhënies së institucioneve që veprojnë në emër të ligjit. Për më tepër, përpjekja e Meuccit për të hedhur barrën e përgjegjësisë te gazeta, jo veç se manipulim i neveritshëm, por është edhe mënyrë sa cinike aq edhe e padenjë, kur vjen nga një mision që thirret në vlera evropiane.

Kaq sa u përket fakteve rreth raportimit të fakteve.


T’u kthehemi tani disa pyetjeve të tjera, edhe këto shumë, shumë relevante:

- Pse EULEX-i, i përkrahur nga BE-ja, përpiqet të rrënojë kredibilitetin e “Kohës Ditore”, një kredibilitet ky i ndërtuar me vite të tëra – do bëhen plot tetëmbëdhjetë në fund të këtij muaji - në situata shumë të rënda, prej kohës së represionit dhe luftës, deri te koha e protektoratit ndërkombëtar që vazhdon edhe në epokën pas Pavarësisë së Kosovës?

- Pse një mision i Bashkimit Evropian, që në Kosovë ka ardhur bashkë me premtimin për instalimin e rendit dhe ligjit, ndërtimin e një shteti të drejtë dhe demokratik, tani zgjedh të luajë rolin e viktimës së komplotit medial, duke hedhur insinuata sa të pavërteta aq edhe të marra, se ekzistencën e paska të rrezikuar nga një gazetë? (Do ta pranoj, edhe pse i vetëdijshëm me ndikimin që ka standardi i raportimit serioz, të guximshëm edhe profesional i “Kohës Ditore”, megjithatë ndihem i mahnitur me fuqinë që na e atribuon Meucci, si një gazetë që mund të rrënojë misione kaq të mëdha e të fuqishme si EULEX-i).

- Dhe, fare në fund, pse në vend se t’i adresojë defektet e veta, evidente edhe para raportimeve të fundit të “Kohës Ditore”, por tani të dëshmuara përtej çdo dyshimi, EULEX-i vendos të etiketojë gazetën dhe raportimet, duke shkuar aq larg sa të bëjë akuza të rrejshme, tërësisht të padenja, se gazeta e paska një plan për ta rrënuar EULEX-in, dhe për ta larguar tërësisht misionin nga Kosova?


Për ne, në gazetë, sot gjithçka është e qartë: Sikur shumë para tij, kreu i EULEX-it ka nisur një fushatë skandaloze për të diskredituar “Kohën Ditore” për arsyen e thjeshtë se nuk i pëlqen e vërteta që e raportojmë.

Por, sikur shumë para tij, edhe ky do të bindet - shpejt dhe përtej çdo dyshimi - se kjo gazetë as nuk u frikësohet presioneve e shantazheve, as nuk u nënshtrohet diktateve, as nuk mund të mashtrohet përmes lajkave - paralelisht me akuzat prapa shpine se jemi rrënues, EULEX-i dhe shefat e tij në Prishtinë dhe Bruksel, në stilin pothuaj tipik ballkanik, kanë dërguar njerëz për pajtim me gazetën, gjithnjë me mesazhin “të pajtohemi”.

“Koha Ditore”, si gjithnjë, ka insistuar se nuk është në kurrfarë armiqësie me EULEX-in, dhe ka komunikim të rregullt me misionin në kuadër të obligimeve profesionale, por përtej obligimeve zyrtare, nuk mund të kemi “jarani” përderisa EULEX-i nuk kërkon falje për presionet dhe kërcënimet që na i ka bërë, dhe, tani, edhe për këto insinuata dhe përpjekje për diskreditim që i hedh ndaj nesh.

Kjo gazetë, detyrën dhe obligimin e vetëm e ka të përpiqet ta raportojë të vërtetën, për aq sa jemi në gjendje ta zbulojmë, dhe në masën sa mund ti vërtetojmë faktet përtej dyshimit, duke pasur parasysh interesin publik, dhe të drejtën e qytetarëve të dinë çka ndodh në vendin e tyre, dhe si punojnë institucionet që kanë obligime ligjore, politike dhe morale para tyre.

EULEX-i nuk bën përjashtim. Madje, duke qenë “Koha Ditore” një gazetë që ka marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e pritjeve të mëdha nga EULEX-i, meqë kemi raportuar e edhe besuar se ky mision mund dhe duhet të sjellë një progres të madh në sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, kemi obligim edhe më të shtuar që të monitorojmë dhe raportojmë se si punon ky mision.

Andaj, përgjigjja e vetme jona për akuzat e tmerrshme që na bëhen prapa dyerve të mbyllura nga zyrtarët si Meucci, është kjo: Nuk është “Koha Ditore” ajo që e do rrënimin e EULEX-it dhe largimin e tij. Rrënimin dhe largimin e EULEX-it e duan pikërisht ata që refuzojnë t’i adresojnë keqpërdorimet, korrupsionin, manipulimet politike dhe dështimet e tjera në EULEX, duke ia hedhur fajin “Kohës Ditore”.

agronb@kohaditore.com

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...