Dështimi i Evropës në Kosovë

12 Mars 2015 - 08:25 - Enver Robelli      

Shtetndërtim apo shtetshkatërrim? Misioni i BE-së në Kosovë (EULEX) është shndërruar në pengesë të zhvillimit të Kosovës, andaj duhet të ndryshojë rrënjësisht për të qenë efikas

Në tregimin “Herezia e katarëve” shkrimtari italian Luigi Pirandello përshkruan një profesor të historisë së religjionit, i cili ballafaqohet me një problem të madh: në ligjëratat e Bernardino Lamis nuk shkojnë më shumë se dy studentë, shtypi refuzon të shkruajë recensione për punimet e tij shkencore mbi katarët dhe në opinion vazhdon të lavdërohet tej mase një monografi e një dijetari gjerman po ashtu mbi katarët, ku dy veprat e profesorit Lamis injorohen gati plotësisht – me përjashtim të një fusnote, në të cilën gjermani flet me përçmim për veprën e Bernardino Lamis. Profesori nevrikoset pa fund dhe ankohet për sharlatanizmin e paturpshëm që nga politika ka depërtuar së pari në letërsi dhe tani po futet edhe në qarqet e shenjta të shkencës. Lamis u përgatit gjatë për t’i dhënë një përgjigje harbutit gjerman dhe kur erdhi dita gjithçka dukej ndryshe. Duke hyrë në sallën e ligjëratave ai priste një tollovi të madhe. Por kësaj radhe kishte ardhur vetëm njëri nga dy studentët e tij që vinin rregullisht. Ai tjetri kishte lënë një porosi se do të mungonte për shkak se kishte lënduar dorën. Studenti i pranishëm kaloi pragun e sallës në maje gishtash, shikoi rrotull dhe krijoi përshtypjen se salla ishte e mbushur me studentë. Rreth njëzet pallto shiu ishin vendosur në këtë sallë për t’u terur.

Dëgjuesit e ligjëratës së profesorit Bernardino Lamis ishin vetëm palltot e shiut. Studenti i vetëm u tërhoq i frikësuar kur e shihte profesorin duke iu folur palltove.

Fraza e thatë
Shefi i ri i EULEX-it, Gabriele Meucci, ma kujtoi Bernardo Lamisin nga tregimi “Herezia e katarëve” të Luigi Pirandellos. Në një tekst të dërguar së fundi medieve Meucci e pa të udhës të lavdërojë Policinë e Kosovës, e cila sidomos në demonstratën e fundit të organizuar kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje paskësh treguar aftësi në parandalimin e eskalimit të dhunës. Meucci përmend edhe disa shkelje eventuale të policisë, por nuk i dënon ato. Vetëm thotë se hetimet po vazhdojnë, fjalë kjo e shndërruar tashmë në frazë të thatë.

Dhuna e protestuesve është dënuar shumëfish deri më tani dhe janë arrestuar disa persona derisa asnjë polic ende nuk është ndëshkuar. Meucci në tekstin e tij e citon Bob Dylanin, i cili paskësh thënë: “Unë e mendoj heroin që e kupton shkallën e përgjegjësisë, e cila vjen me lirinë e tij”. Ky është një citat i mirë, por nuk vlen vetëm për protestuesit e dhunshëm. Do të duhej të vlente edhe për policinë dhe urdhërdhënësit e saj nga politika. Do të duhej të vlente, në radhë të parë, për bashkëpunëtorët e Meuccit në skenën politike të Kosovës. Andaj ligjërata e Meuccit i përngjan asaj të Bernardino Lamis, i cili u fliste palltove të shiut.
Shefi i EULEX-it ndoshta është informuar se nga dhoma e dëshmive të Policisë së Kosovës janë vjedhur rreth 50 kilogramë drogë dhe deri më sot askush nuk është dënuar. Rasti i korrupsionit në tenderin për pasaporta biometrike nuk është sqaruar deri në fund – dhe janë dënuar vetëm disa figura të rangut të dytë, derisa përgjegjësit kryesorë kanë shpëtuar. Në zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës mes shumë profesionistëve ka edhe plot militantë partiakë, njerëz të dëgjueshëm të pushtetit dhe jo mbrojtës të ligjit. Dyshime për manipulim çmimesh ka pasur edhe në rastin e blerjes së armëve dhe municionit për policinë, pastaj për blerjen e dy autoblindave dhe një topi të ujit që përdoret në rast të trazirave.

Duket se këshillat, këshilltarët, sugjerimet, përvoja profesionale e zyrtarëve të EULEX-it nuk kanë bërë shumë punë. Andaj fraza tjetër bajate që përdoret nga misionarët ndërkombëtarë dhe politikanët vendorë se Policia e Kosovës është “storje e suksesit” duhet të shikohet me shumë skepticizëm. EULEX-i ende nuk ka arritur të zbulojë asnjë rast të rëndë krimi, shumë dosje të trasha që kanë mbetur të patrajtuara nga drejtësia e misionit të OKB-së vazhdojnë të pluhurosen në zyrat e EULEX-it. Një doganier lituan dhe një polic kosovar janë vrarë në veri, por këto raste ende nuk kanë marrë epilog nga drejtësia.

Vepra të fëlliqura
Gjendja në sektorin e drejtësisë në Kosovë mbetet katastrofale. Gjykatës të instrumentalizuar nga politika, politikanë të shndërruar në gjykatës, prokurorë që shoqërohen me banditë të krimit të organizuar ose marrin ryshfet për të mbyllur dosje – lista e skandaleve është e gjatë dhe kulmon me ministrin e Drejtësisë, i cili lejon takime në burg të njerëzve që përmenden në kontekst të korrupsionit. Rasti i fundit rreth politikanit Fatmir Limaj, të cilin me gjasë me çdo kusht dëshironin ta shihnin në burg rivalët e tij në PDK dhe disa zyrtarë të EULEX-it e ka varrosur edhe më thellë besimin që kanë kosovarët në drejtësinë ndërkombëtare. A do të jetë e tillë edhe Gjykata Speciale? Apo do të jetë një instancë që do të ndajë vërtet drejtësi? Akuzat për korrupsion brenda sistemit të drejtësisë të misionit të BE-së, të ngritura nga gjykatësja hetuese, Maria Bamieh, kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e Brukselit në Kosovë.

Gabriele Meucci dhe stafi i tij duhet ta kenë parasysh se kur vetë EULEX-i përzihet në vepra të fëlliqura, atëherë mijëra kosovarë nuk shohin më arsye të qëndrojnë në vendin e tyre. I vetmi shpëtim shikohet ikja nga Kosova. Kësaj ikjeje i kanë kontribuar, për fat të keq, edhe zyrtarët fodull ndërkombëtarë gati po aq sa klika e pushtetarëve që dëmtuan Kosovën sidomos pas Shpalljes së Pavarësisë. Që politikanët e Kosovës, veçanërisht krahu i ashtuquajtur i luftës, bën presion ndaj dëshmitarëve, fsheh prova, manipulon, plaçkit kudo ku i krijohet mundësia - kjo ka qenë e ditur. Por që misioni i BE-së me rrjedhën e viteve i përshtatet këtij sistemi – ky është skandali i madh.

Ndërkohë vitet po ecin. Kosova po humb shanse, po e humb besimin në shtetndërtim, njerëzit po e humbin shpresën. Këta njerëz i kanë besuar verbërisht Perëndimit, me të drejtë: ishte Perëndimi që në vitin 1999 i dha fund përpjekjes së Serbisë për gjenocid në Kosovë, që mundësoi kthimin e gati një milion kosovarëve në vatrat e tyre, që krijoi kushtet bazë të sigurisë për të filluar jeta në Kosovë. Sot besimi në qëllimet e mira të diplomatëve të BE-së në Kosovë i afrohet zeros. Në vitin 2008 i ngarkuari i BE-së për Politikë të Jashtme, Javier Solana, kishte deklaruar se misioni i BE-së në Kosovë do të jetë vendimtar për të ndërtuar një shtet ku sundon ligji dhe për t’i forcuar institucionet e shtetit të ri. Një synim tjetër i EULEX-it ishte që të vepronte me të drejta ekzekutive në rastin e krimeve “serioze dhe të ndjeshme”. Cilat nga këto synime janë realizuar?

Fokusi i njëanshëm
Paralajmërime të ashpra për dështimin e EULEX-it ka pasur me kohë. Jo vetëm nga gazetarët. Në vitin 2012 Gjykata e Auditorëve e BE-së në një raport dramatik theksoi se niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë mbetet i lartë. Drejtësia ende vuan nga ndikimi politik, joefikasiteti, mungesa e transparencës dhe zbatimi i ligjit. Përmendej në atë raport edhe mosarritja e përparimit në veri. A ka nxjerrë ndonjë mësim EULEX-i nga kjo kritikë e ashpër? Sa po shihet jo. Misioni i BE-së duhet urgjentisht të ndryshojë qasjen në Kosovë dhe të bëhet shumë më efikas.

Fokusimi i Brukselit kryesisht në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe injorimi i prioriteteve të tjera edhe më të rëndësishme, siç janë drejtësia funksionale dhe policia profesioniste, kanë pasur pasoja fatale për shtetin kosovar. Këto janë temat për të cilat duhet të shkruajë shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, dhe jo lavdërimet e pabaza për Policinë e Kosovës. Me këso ligjëratash Meuccin nuk e dëgjon askush, sepse i ngjan profesorit Bernardino Lamis, i cili u fliste palltove të shiut.

robelli@bluewin.ch

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...