Mos kërkoni nga politikanët të thonë të vërtetën

11 Mars 2015 - 08:41 - Augustin Palokaj      

“Ata po na thonë se po bëjnë reforma dhe po e luftojnë korrupsionin dhe ne bëhemi kinse po u besojmë”. Kjo nuk është thënie nga ndonjë seri televizive e as nga ndonjë film, por këtë e kishte thënë në fillim të këtij shekulli një zyrtar shumë i lartë i BE-së, i cili merrej me Ballkanin, duke e pranuar se në raporte me politikanët e Ballkanit ka pasur një “mirësjellje hipokrite”.

Në një dialog në serinë amerikane “House of Cards” Zonja e parë i thotë burrit, presidentit, i cili kandidon për nominim: “Jemi duke gënjyer”. E ai i përgjigjet: “Natyrisht se po gënjejmë. Çfarë do të mendonin votuesit sikur t’ua thoshim të vërtetën!” Fjala është gjithsesi për një fiksion, siç janë seritë televizive apo edhe filmat. Por edhe fiksionet ndërtohen nganjëherë në bazë të ngjarjeve reale. Sot ka aq shumë ngjarje reale, me politikanë si protagonistë, të cilët e dinë se sikur ta thoshin të vërtetën nuk do të ishin aty ku janë. Politika dhe suksesi në të ka qenë gjithmonë objekt i studimeve të shumta që kur ka filluar organizimi shoqëror. Guximi, dinakëria, tradhtia, frikësimi, manipulimi, forca kanë qenë veti të cilat u kanë mundësuar gjatë historisë shumë personazheve të ngrihen në piedestalin politik dhe shpesh me vite të qëndrojnë aty. Rrallë diku ndodh të gjesh edhe ndonjë teoriticien të thotë se politikani duhet gjithmonë ta thotë të vërtetën. Por edhe mosthënia e së vërtetës duhet t’i ketë kufijtë e vet. Sepse politika nuk duhet të jetë krejtësisht e liruar nga çfarëdo vlere morale, siç duket sot në shumë vende të Ballkanit. Kjo, sepse tash, më lehtë sesa më parë në histori, rrenat mund të zbulohen dhe populli, edhe pse nganjëherë pranon ta gënjejnë, nuk i toleron rrenat gjithmonë.

Shikojeni Ballkanin dhe çfarë thonë e çfarë bëjnë politikanët. Mund të niseni nga Athina po të doni. Madje do të ishte më së miri analiza të nisej pikërisht nga ky kryeqytet i Greqisë. Atje tash në qeveri është një parti, e cila ka premtuar se “do të rrisë rrogën minimale në 750 euro”, se “do të ndalë privatizimin”, se “nuk do të kthejë një pjesë të borxhit”, se “nuk ekziston më Trojka” dhe se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë të zbatojë programin e paketës së ndihmave për shpëtimin e Greqisë, të cilin qeveria e mëparshme e kishte arritur me Trojkën.

Pa qëndruar në pushtet as dy muaj kjo qeveri bëri të gjitha ato që u zotua se nuk do t’i bënte kurrë. Pranoi të gjitha kushtet e Trojkës (Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar) për të vazhduar programin e njëjtë, duke u zotuar se do t’i respektojë të gjitha obligimet e Greqisë. E vetmja gjë që arriti Cipras është që të mos përmendet termi “Trojka”, sepse grekët irritohen me këtë emër. Tash në vend të Trojkës përmenden “institucionet”, por në Bruksel konfirmojnë se fjala është për të njëjtët njerëz, që përfaqësojnë të njëjtat institucione, të cilat mbikëqyrin përmbushjen e të njëjtave obligime nga i njëjti program ndihme. Në vend të “rritjes së menjëhershme të rrogës minimale” kjo qeveri në një letër drejtuar institucioneve javën e shkuar ka pranuar se këtë “nuk do ta bëjë në mënyrë të njëanshme pa pajtim me partnerët dhe do të bëjë gradualisht!” që është vetëm formulim për shpëtim të fytyrës. Privatizimin nuk e ndal, premton se do të respektojë të gjitha privatizimet e kryera dhe ato në vazhdim e sipër.

BE-ja është e gatshme të vazhdojë ndihmën për Greqinë. Por popullit të vuajtur të këtij shteti do t’i tregojë po ashtu se nuk ka zgjidhje të lehtë të problemeve dhe krizave të mëdha. Pra, me fjalë të tjera, nuk mjafton të votoni për dikë që u premton gjëra të pabesueshme e të gjitha problemet të zgjidhen menjëherë. Prandaj edhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean Clade Juncker, ka porositur kryeministrin e ri të Greqisë, Alexis Cipras, që “t’ua shpjegojë qytetarëve se premtimet nuk mund të realizohen”.

Se çfarë hipokrizie kanë politikanët në Maqedoni shihet nga afera e përgjimeve që ka krijuar një krizë të madhe në këtë shtet. As në Shqipëri nuk është shumë më mirë. Shikoni vetëm çfarë thonë për njëri-tjetrin ish-partnerët e fortë, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Nuk kanë kaluar shumë kohë kur Berisha me aq vullnet dhe energji mbronte Metën nga sulmet e Edi Ramës dhe medieve që ishin kundër asaj qeverie. Edhe Rama, edhe Meta do të donin që të gjithë të kenë harruar se çfarë thoshin ata për njëri-tjetrin dhe me sa energji aktivistët e PS-së bënin fushatë brenda dhe jashtë shtetit kundër Ilir Metës me atë videokasetën e famshme.

Në Kosovë Hashim Thaçi ka qenë për shtatë vjet kryeministër, por nuk ka arritur të realizojë premtimin që të hiqen vizat për të udhëtuar në BE. Ka premtuar rritjen e madhe të rrogave gjatë fushatës dhe tash për mosrealizimin e saj përgjegjësinë ia ka lënë kryeministrit të ri, Isa Mustafa.

Por askush nuk ka bërë shkelje më të shpejtë dhe më të madhe të asaj që ka thënë sesa personazhet kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Thanë se “kurrë nuk do të shkojnë me PDK-në” dhe shkuan. Harruan se çfarë akuzash të rënda, deri edhe për likuidime politike, bënë ndaj tyre për t’u bërë aleat në koalicion.

Liderët e Serbisë i thonë Brukselit se po i procesojnë krimet e luftës dhe e kanë lënë të kaluarën e po shikojnë kah e ardhmja, ndërsa presidenti i shtetit i del në mbrojtje gjeneralit për të cilin në opinion dalin dëshmi se ka përgjegjësi për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës.

E tërë kjo nuk duhet të na habitë. Rrenat janë pjesë e suksesit të tyre dhe kështu do të jetë derisa dikush nuk thotë “mjaft”. Qytetarët e dinë se politikanët nuk e thonë gjithmonë të vërtetën, apo thënë më mirë e thonë të vërtetën gjithnjë e më pak, por nuk kanë çfarë të bëjnë. Edhe në BE e dinë se politikanët e Ballkanit nuk po e thonë të vërtetën, por BE-ja nuk di çfarë të bëjë dhe shpesh edhe nuk do të bëjë asgjë. Sepse ka vendosur se Ballkani duhet të presë edhe një kohë të gjatë për t’u integruar në BE dhe nuk ia vlen tash të kërkohet që politikanët vërtet të dëshmojnë atë që thonë, pra se po e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, po e respektojnë lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit.

“Ata po na thonë se po bëjnë reforma dhe po e luftojnë korrupsionin dhe ne bëhemi kinse po u besojmë”. Kjo nuk është thënie nga ndonjë seri televizive e as nga ndonjë film, por këtë e kishte thënë në fillim të këtij shekulli një zyrtar shumë i lartë i BE-së, i cili merrej me Ballkanin, duke e pranuar se në raporte me politikanët e Ballkanit ka pasur një “mirësjellje hipokrite”. Edhe sot politikanët kryesorë evropianë i takojnë dhe buzëqeshin me politikanë të vendeve të Ballkanit për të cilët ata vetë apo shërbimet e tyre thonë se janë të korruptuar dhe nuk i respektojnë vlerat evropiane. Por bëhen kinse nuk e dinë, sepse mendojnë se me ata po kryejnë punë.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...