Njeriu i parimeve në Rusinë e krimeve

5 Mars 2015 - 08:27 - Enver Robelli      

Vrasja e Boris Nemcovit është kulmi i një fushate urrejtëse të regjimit të Vladimir Putinit kundër rivalëve politikë, gazetarëve kritikë dhe intelektualëve të pavarur. Në shënjestër është edhe Perëndimi dhe vlerat e tij

Kur shkrimtari rus Josif Brodskij në vitin 1987 mori çmimin “Nobel” për letërsi, ai e nisi fjalimin duke e përshkruar veten si njeri privat, i cili më tepër dëshiron të jetojë në rrethanat e tij private sesa të ketë ndonjë rol në shoqëri. Në rini Brodskij ishte internuar nga regjimi sovjetik nën akuzën e “dembelisë”. Në fakt dembelia e shkrimtarit kishte të bënte me refuzimin e tij për t’i thurur lavde sistemit komunist dhe krimeve të tij – “sepse”, vazhdonte poeti Brodskij në fjalimin e tij, “është më mirë të jesh një dështak i marrë fund në demokraci se një martir ose ajka e ajkës në një tirani”. Megjithatë, as njeriu privat Brodskij nuk mund të qëndronte indiferent përballë politikës së ashpër të Moskës kundër disidentëve. Pasi u largua në ekzil në Amerikë ai u pyet me një rast se nga cila perspektivë do të dëshironte ta shihte Kremlinin. “Nga kabina e një avioni bombardues amerikan”, u përgjigj ai.

Lajmi për vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemcov, i bën aktuale fjalët e Brodskijt. Së paku si retorikë. Sepse një luftë kundër një fuqie bërthamore siç është Rusia do ta fundoste botën siç e njohim. Por vrasja e Nemcovit është sinjal i qartë edhe ndaj Perëndimit se Rusia e sunduar nga Vladimir Putini gjithnjë e më shumë po shndërrohet në diktaturë. Ky sinjal duhet të kuptohet sidomos nga ata politikanë që në Perëndim heshtur apo hapur kanë treguar njëfarë mirëkuptimi për politikën agresive të Putinit kundër shteteve postsovjetike. Pas aneksimit të Krimesë mirëkuptuesit e politikës ruse që nuk janë të paktë në Evropën Perëndimore supozonin se oreksi i Putinit ishte ngopur. Siç dihet oreksi vjen duke ngrënë dhe Putini me përkrahjen e agresionit në Ukrainën lindore, me kontrollin shumëvjeçar të dy krahinave të Gjeorgjisë, me presionin ndaj Moldavisë, Kazakistanit, Armenisë dhe vendeve të tjera që dikur i përkisnin perandorisë komuniste sovjetike ka treguar se është i gatshëm të vazhdojë politikën e tij të nënshtrimit të shteteve të pavarura.

Me imazhin e tij të xhudistit muskulor Putini entuziazmon sidomos të djathtën ekstreme në shumë vende të Bashkimit Evropian. Disa nga këto parti, si Fronti Nacional në Francë, marrin edhe mbështetje financiare nga bankat e kontrolluara nga Kremlini. Nga atje Evropa përshkruhet me shpoti: “Gayrope”, një kontinent dekadent, ku kanë ndikim gjithnjë e më të madh qarqet homoseksuale. Qëllimi i dukshëm i Putinit nuk është vetëm grabitja e një cope territor të Ukrainës, por edhe përçarja e Evropës dhe luftimi i vlerave të saj. Kjo përçarje paralajmërohet me fjalët e pakujdesshme të shefes së re të diplomacisë evropiane Federica Mogherini mbi sanksionet gjoja joefektive kundër Rusisë apo me deklaratën e ministrit të Jashtëm të Spanjës, José Manuel García, se deri më tani Bashkimi Evropian i ka humbur 21 miliardë euro nga sanksionet kundër Moskës. E cila do të kishte qenë alternativa? Të qëndronte Bashkimi Evropian duarkryq përballë copëtimit të një vendi? Ku mund të ndalet Putini? Në Varshavë? Te Portat e Brandenburgut?

Apo do të përqendrohet Putini në vendet baltike, ku jetojnë pakica të mëdha ruse?

Vrasja e Boris Nemcovit shënon kulmin e serisë së vrasjeve asnjëherë të sqaruara plotësisht të kritikëve të Putinit. Në vitin 2006 u vra Ana Politkovskaja, një gazetare kritike, që hulumtonte krimet e luftës në Çeçeni. Po më 2006 në Londër vdiq ish-agjenti rus Aleksander Litvinenko, më parë ai ishte helmuar me “polonium 210”. Në vitin 2009 u gjet e vdekur në Kaukazin verior aktivistja e të drejtave të njeriut Natalia Estemirova. Deri më tani Boris Nemcovi është politikani më prominent rus i vrarë në rrethana të pasqaruara. Megjithatë, propaganda mediale e regjimit menjëherë kishte disa versione se kush mund të qëndrojë pas krimit. Një megafon putinesk tha se ishte punë xhelozie e pasioni (Nemcov ishte në lidhje me një modele ukrainase); një medium pas vrasjes supozoi ekstremistët e djathtë ukrainas, një tjetër terroristët e Shtetit Islamik, sepse Nemcov paskësh dënuar sulmin kundër revistës satirike franceze Charlie Hebdo.

Pa marrë parasysh kush e ka kryer vrasjen, për rreth 20 mijë rusë, të cilët të dielën morën pjesë në një marsh pikëllimi e proteste në Moskë, është e qartë se organizatorët gjenden në Kremlin. Pas aneksimit të Krimesë në Rusi është zgjeruar fushata kundër “armiqve të brendshëm”, ata kinse e pengojnë unitetin e kombit rus në luftë për të lozur në ligën e parë të politikës botërore, në luftë për t’iu kundërpërgjigjur Barack Obamës, i cili vitin e kaluar kishte thënë: “Rusia është vetëm një fuqi rajonale”. Kritikët për Putinin janë veçse “kolona e pestë” – dhe nga historia e diktaturave dihet se ç’duhet të bëhet me ta: të asgjësohen! Këtë na e tregon çdo ditë vetë Putini me fjalorin e tij vulgar, seksist, urrejtës, cinik.

Kundër kësaj mendësie luftonte Boris Nemcov, ndonëse ndikimi i tij ishte modest. Në vitet ‘90 Nemcov ishte njëri nga politikanët e rinj, të cilët presidenti i atëhershëm Boris Jelcin i solli në Moskë për të reformuar ekonominë e trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Nemcov, hebre me origjinë, fizikan e matematikan mendjemprehtë, mori postin e zëvendëskryeministrit, pasi më parë kishte ushtruar funksionin e guvernatorit të rajonit Nishnij Novgorod. Jo pak rusë e shihnin Nemcovin energjik si pasardhës të Jelcinit, i cili kishte probleme me raki dhe drejtpeshim. Por Jelcini u përcaktua për Putinin si pasardhës pasi ky i fundit i premtoi se “familja Jelcin dhe miqtë e saj” nuk do të kishin pasoja nga drejtësia. Ashtu edhe ndodhi. Jelcini vdiq në qetësi, vajzat e tij vazhdojnë jetën pa i pyetur askush se nga i kanë marrë paratë, të cilat i kishin deponuar në një bankë zvicerane në vitet 90.

Në vitin 2011 Nemcov kishte thënë: “Jam më i lumtur se ata që janë në Kremlin. Unë nuk i tradhtoj parimet e mia dhe bëj atë që besoj”. Ky besim i palëkundshëm i solli shpeshherë vështirësi, kërcënime, sulme në media. Në vitin 2009, gjatë fushatës për kryetar të Soçit, Nemcov u sulmua me amoniak. Nga kush? Nuk dihet. Siç nuk dihet as çfarë i ndodhi gazetares Ana Politkovskaja, kur në vitin 2004 u përpoq të shkonte në Beslan të Osetisë Veriore, ku terroristët kaukazianë kishin marrë peng mbi 1100 fëmijë dhe të rritur.

Politkovskaja kishte prerë tri bileta avioni për të fluturuar nga Moska në rajonin e krizës. Pak para nisjes të tri fluturimet ishin anuluar. Ajo arriti të gjente një vend në avionin për në Rostov, qyteti më i madh i Rusisë jugore, që gjendet 650 kilometra larg Beslanit. Meqë shpesh ishte ballafaquar me kërcënime, Politkovskaja nga frika se mund t’i ndodhte diçka e papritur, për shembull mund të helmohej, kishte marrë me vete edhe ushqimin. Në avion ajo piu vetëm një çaj – dhe pas pak minutave humbi vetëdijen.

Më vonë mjekët në Moskë kishin konstatuar se ajo ishte helmuar nga një helm i panjohur, i cili ia kishte dëmtuar veshkat, mëlçinë dhe sistemin hormonal. Qëllimi i Politkovskajas ishte të shkonte në Beslan, të ndërmjetësonte mes pengmarrësve dhe forcave ruse të sigurisë, por edhe të hulumtonte shkeljen e të drejtave të njeriut nga të dyja palët. Helmimi në avion e pengoi në këtë synim. Ndoshta për shkak se angazhimi i saj do të zbulonte ndonjë intrigë apo komplot të regjimit të Putinit. Në Beslan u vranë 331 pengje, shumica nxënës.

Boris Nemcov së fundi kishte paralajmëruar se do të shkruante një libër për të dokumentuar përzierjen e Rusisë në shkatërrimin e Ukrainës. Kuptohet vetvetiu se Putini dhe klani i tij nuk do të pëlqenin një libër të tillë.

robelli@bluewin.ch

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...