Mbi mitet energjetike të Kosovës

2 Mars 2015 - 08:25 - Lumir Abdixhiku      

Diskutimi publik sot duhet të drejtohet tek pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo jo e ndërtimit të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet

-1-

Përtej problemeve valutore, të kreditimit grek e krizave nacionale, ka një betejë ekonomike që Bashkimi Evropian provon ta fitojë tash e sa kohë; është energjetika. Në përpjekje të vazhdueshme për të diversifikuar dhe kështu varfëruar partneritetin furnizues të gazit me Rusi, BE-ja këtë javë publikoi planet e para (blueprints) të një Unioni Energjetik Evropian; një vizion që vetëm disa vjet më parë dukej i pamundur. Unioni – i cilësuar nga vetë evropianët si ambicioz, por gjithsesi esencial – synon shndërrimin e tregut evropian në një treg të vetëm energjetik; ku blerjet dhe shitjet e energjisë nuk do të rregullohen më nga autoritetet e 28 shteteve anëtare të BE-së, por do të rregullohen nga një autoritet i vetëm e qendror i BE-së; nga vetë Unioni pra.

Përtej investimeve multimiliardëshe në infrastrukturë energjetike dhe rritjes së potencialeve zgjedhëse të konsumatorëve evropianë, përpjekja synon edhe rritjen e fuqisë negociuese të vetë BE-së karshi shitësve të energjisë. Sepse, të ndodhur në situata pasigurie në relacion me Rusinë, dhe në kërcënim të vazhdueshëm të arrogancës ruse sa herë që ka ndonjë konflikt (e që ndodh të jetë shpesh), BE-ja nuk mund të vazhdojë më që në shekullin e 21-të, për secilën verë të mundshme, të diskutojë në frikë rreth dimrave të saj të pasigurt. Në këtë vijë ka shërbyer gjithsesi edhe ndërtimi i një furnizuesi alternativ nga shtetet e Kaspikut; fatin e rrugëtimit të të cilit e kishte edhe Shqipëria.

Realizimi i Unionit Energjetik mbetet një vizion i madh; do të kërkojë kohë, unitet, e shkrirje të diferencave në mes të shteteve anëtare. Sepse, për disa vende evropiane, furnizimi rus mbetet esencial; gjithmonë për shkak të preferencave furnizuese që Rusia mban me këto vende. Për të tjerat, ndërsa, do të mbetet sfidë kombinimi i gjenerimit të energjisë nukleare, të thëngjillit, naftës, apo asaj të ripërtërishme – në një. Pra deri në bërje do të ketë punë e kohë shumë; porse, herët apo vonë, e më shumë herët sesa vonë, ky rrugëtim do të marrë fund. Dhe në këtë fund, tregu energjetik evropian do të jetë më unik, më i fuqishëm, më i pasur e më i sigurt.

-2-

Kosova e vogël, ndërsa, vazhdon të ketë probleme të mëdha me energjinë dhe kapacitetet energjetike të saj. Ajo as nuk ka shumë, por as nuk bën shumë për t’i shfrytëzuar ato. Paradoksalisht, një vend si Kosova me thëngjill plot, vazhdon të mbështetë gjithë burimin energjetik të saj në dy termocentrale jashtëzakonisht të vjetra, të shtrenjta, ndotëse, e fare të shëndetshme pra.

Diskutimet e deritanishme të ndërtimit të kapaciteteve të reja kanë qenë repetitive dhe në masë të madhe edhe me qëndrime absurde. Qëndrimi i parë absurd ka qenë ai i ofertës së shfrytëzimit të thëngjillit; në një përmasë gjithëshfrytëzuese, me dy mijë e kusur megavat prodhim, pa ndonjë racionalitet shfrytëzues e të shitjes së energjisë në një treg rajonal që – në kohën më të madhe pra – ka tepricë furnizimi. Qëndrimi i dytë absurd, ndërsa, synonte ikjen nga thëngjilli në tërësi. Herë nëpërmjet imazheve hitçkokiane të një termocentral që mbyt fëmijë (çfarë manipulimi i ulët ky, thuajse Evropa nuk ka e nuk po ndërton më të tillë), herë me hesapime filloriste me gabime plot, por gjithherë me pare e fonde plot – fushata anti-thëngjill, e ngjizur artificialisht, pa ndërbindje të pjesëmarrjeve të saj, e në fund edhe pa fije përkrahjeje politike në vend, kishte bërë një gjysmë alternativë – absurde gjithsesi. Ndonëse, me shumë kënaqësi madje, do të merresha me shtytësit e shtytjet prapa një hajgare-fushatë si kjo, them që këtë herë të trajtoj vetëm argumentet, pa paragjykime, çfarëdo qofshin ato.

Në mes të këtyre absurditeteve, mbeste një propozim, le t’i themi i mesit. Në vija të trasha, propozimi synonte ndërtimin e kapaciteteve të reja – prej thëngjillit – të cilat zëvendësonin në plotni kapacitetet e vjetra dhe mbytëse të “Kosovës A”. Ato do të plotësoheshin nga kapacitetet më pak të vjetra të “Kosovës B”, dhe nga çfarëdo që do të mund të prodhonin iniciativat private të energjisë së ripërtërishme që përtej qejfit e dëshirës, mbesin megjithatë obligim. Ky propozim i mesit ka kohë që merr formë, madje shumë kohë. Përkatësisht, janë bërë pothuajse dhjetë vjet në ndryshime, plotësime, ndarje e bashkime të ideve për të prodhuar një përfundim që duket të mos jetë shumë entuziast. Sepse ky përfundim ka vetëm një ofertues, ka pak qartësi rreth përfitimeve eventuale të Kosovës – përtej furnizimit, taksave e vendeve të punës që paradoksalisht rrumbullakohen si suksese nga një ministër i ri ekonomik pa haber shumë – dhe mbi të gjitha nuk paraprihet nga një dokument orientues strategjik që e vë Kosovën në kontekst të një tregu panevropian.

-3-

Defekti i propozimit të tanishëm, gjithsesi, nuk e bën propozimin anti-thëngjill më të qëndrueshëm. Propozimi anti-thëngjill, pra i njëjti që refuzon thëngjillin në tërësi si alternativë të resurseve të reja energjetike, mbetet i paqëndrueshëm për shkak të disa miteve të ndërtuara rreth saj, e që shkurtazi do të provojë t’i elaborojë këtu.

Miti i parë, dhe më i paqëndrueshmi, i anti-thëngjillizmit, ndërlidhet me konsiderimin se vendet e BE-së kanë kohë që kanë hequr dorë nga energjia që nuk është e ripërtërishme; rrjedhimisht, Kosova, si një vend në bërje evropiane, duhet t’i ndjekë këto praktika moderne. Ç’është e vërteta, sado që e nevojshme dhe pa dyshim me plot ardhmëri, energjia e ripërtërishme – prej diellit, erës apo ujit – mbetet ende në fazën fillestare për pjesën më të madhe të Evropës. Ndërlidhjet e shembujve prej Kalifornisë me Kosovën që i kemi dëgjuar këndej janë po aq hajgare sa edhe vetë kontekstualizimi i gjithë Kosovës me Kaliforninë. Për më tepër, në gjithë BE-në, burimet e ripërtërishme nuk bëjnë sot më shumë se 11% të gjithë energjisë së prodhuar; ato planifikohen të arrijnë në vitin 20% të pjesëmarrjes së përgjithshme tek në vitin 2020. Madje, në vitin 2020, vendet si Britania e Madhe, Sllovakia, Polonia, Holanda, Irlanda, Hungaria, Greqia, Danimarka, Çekia, Bulgaria e Belgjika, që kanë standard dukshëm më të lartë zhvillimor se Kosova, do të mbesin sërish nën kuotën e 20% të synuar.

Miti i dytë, po aq i paqëndrueshëm, ndërlidhet me idenë e shmangies së përgjithshme të prodhimit nga thëngjilli, nën arsyetimin se në Evropë termocentralet e thëngjillit janë të tejkaluara. S’ka si të mos jetë e pavërtetë. Sipas “Greenpeace”, vetëm brenda Bashkimit Evropian – dhe hiç më larg nëpër botë – sot janë në proces të ndërtimit plot 19 termocentrale nga thëngjilli – prej linjitit madje. Vendet si Gjermania, Polonia, Sllovenia, Rumania, Çekia e Bullgaria janë vendet që sot ndërtojnë të njëjtat termocentrale që në televizionet tona na shfaqeshin si mbytëse. Për më tepër, sot, vetëm në Gjermani, Britani e Poloni prodhohen mbi 100.000 megavat energji nga thëngjilli; pse Kosova – e cila nuk ka asnjë alternativë tjetër zhvillimore energjetike – nuk bën t’i shtojë 600 megavatet

Miti i tretë ka të bëjë me parallogaritjen e kërkesës për energji. Pothuajse të gjitha llogaritjet kosovare bëhen jo vetëm duke marrë si bazë kërkesën e tanishme të energjisë, por duke reduktuar atë edhe më tutje. Sado e domosdoshme, e mbarë dhe e mirë të mbetet kursimi dhe efiçienca e energjisë, ajo as për së afërmi nuk do t’i plotësojë nevojat zhvillimore të Kosovës. Pra, ne nuk do të mundemi t’i plotësojmë kërkesat tona duke ulur vetë kërkesën; është kundërintuitive me nevojën për rritje madje. Sepse Kosova ka sot bazën më të ulët zhvillimore që mund të ketë ndonjëherë. Secili prodhim, industrializim e zhvillim do të përcillet me kërkesa energjetike shtesë, të cilat do të duhet të plotësohen me resurse shtesë. Vetëm një supozim i stagnimit të përjetshëm të gjendjes sonë ekonomike do të mjaftohej me propozimet e dhëna.

Miti i katërt ka të bëjë me ofertën e energjisë së ripërtërishme në vend; thuajse ajo është e mjaftueshme dhe e pakufizuar. As nuk është e mjaftueshme, as nuk është e pakufizuar – me teknologjitë aktuale. Në secilën përllogaritje serioze, ajo mbetet defiçente për të prodhuar mjaftueshëm energji për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë – edhe kur kombinohet me kursim pra. Edhe sikur të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e ripërtërishme, ne prapë do të duhej të prodhonim energji nga kapacitetet e reja prej thëngjilli. E kjo nevojë më bëhet domosdoshmëri në momentin e parë që ne do të duhej të mbyllnim – dhe atë sa më parë – termocentralin e stërvjetër “Kosova A”.

Miti i pestë ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike pas ndërtimit të kapaciteteve të reja prej thëngjillit. Ndonëse çmimi i ri do të jetë refleksion i kostove të ndërtimit, dhe mbi të gjitha, marrë parasysh nivelin e keqmenaxhimit në vend dhe favorizimit absurd të blerësve sa herë që shesim e bëjmë diçka këndej, secila rritje e çmimit nga prodhimi i thëngjillit mbetet gjithmonë më pak e kushtueshme – konsiderueshëm më pak e kushtueshme – sesa prodhimi nga energjia e ripërtërishme. Sot, në asnjë vend të botës, nuk mund të prodhohet më lirë energjia e ripërtërishme sesa ajo prej thëngjillit; sikur të ishte ashtu, mekanizmat e tregut e të iniciativës ndërmarrëse do të kalonin vetvetiu në energji më të lirë. Natyrisht se ka kosto përcjellëse të ekstraktimit të thëngjillit e ndotjes së ambientit me dyoksid karboni, por sot termocentralet e reja botërore – ato 19 të rejat që po ndërtohen nëpër BE – përdorin sistemin e “Carbon Capture Storage CCS)”, teknologjinë e re e cila redukton dukshëm emetimet e dyoksidit të karbonit. Mbi të gjitha, përmendja e çmimit bëhet në kontekst të prodhimit, e jo eksternaliteteve. Po u futëm në diskutim të eksternaliteteve, atëherë duhet marrë parasysh domosdo konditën e nevojës për zhvillim. Sepse ka një balancë në mes zhvillimit dhe eksternalitetit. Vendi më pak i ndotur mbetet vendi me më pak zhvillim; zhvillimi natyrshëm sjell ndotje. Çështja është si ta minimizojmë atë duke përdorur teknologjitë e kohës.

-4-

Pra, në Kosovë ka dhe do të ketë gjithmonë vend – siç dhe ka e do të ketë vend edhe nëpër Evropë – për të gjitha format e mundshme të prodhimit të energjisë. Pra, ndërtimi i kapaciteteve të reja prej 600 megavatesh – si zëvendësim i “Kosovës A” dhe si plotësim i pak nevojave të së ardhmes – as që do të duhej të ishte diskutim këndej; sidomos jo kur ne kemi probleme serioze me krijimin dhe sigurimin e një resursi të domosdoshëm të aktivitetit ekonomik në vend – energjisë elektrike pra. Këto kapacitete të reja duhet të përcillen domosdo edhe me ndërtimin e kapaciteteve të reja të ripërtërishme, në hapat e njëjtë me vendet evropiane; madje duke shfrytëzuar të gjitha fondet mbështetëse të tyre për energji alternative nga të cilat nuk marrim asgjë. Kështu, duke mbyllur përfundimisht “Kosovën A”, duke revitalizuar “Kosovën B” me 600 megavat, duke ndërtuar “Kosovën e Re”, e duke krijuar gjeneratorë të tjerë të erës, diellit e ujit kudo që kemi mundësi, ne mund të krijojmë kapacitetet prej 1200-1500 megavatesh që do të shërbejnë mjaftueshëm për një kohë të mirë për të mbuluar kërkesën e tashme dhe të re të aktivitetit tonë shoqëror e ekonomik; duke e bërë kështu, pra, energjinë si fascilitator të zhvillimit ekonomik – jo domosdo faktor të saj.

Madje në bërje të kësaj alternative, ne do të përmbushim më parë se shumë vende të BE-së edhe kuotën e ripërtëritjes prek 20%. Për më tepër, në secilin zhvillim tjetër teknologjik ne do të zëvendësojmë mbylljen e ardhshme të “Kosovës B” (të ndërtuar në vitin 1984) me resurse të reja ripërtëritëse; sado që janë ato – kudo që mundi t’i bëjmë ato. Pra, ka vend të mjaftueshëm për energji të ripërtërishme – energjinë e së ardhmes pra – siç dhe ka vend për energjinë e së sotshmes, të linjitit pra. Sot, duke parë trendët energjetikë nëpër Evropë, energjia prej thëngjillit dhe ajo alternative nuk e përjashtojnë njëra tjetrën; në rastin më optimal, ato e zëvendësojnë njëra tjetrën.

Ky fakt, natyrisht se nuk bën të shërbejë si çek i zbrazët për Qeverinë e Kosovës, e as për paketën ekzistuese që nuk nxjerr shumë për vendin tonë. Ç’është e vërteta, në paketën e fundit para kësaj, ne së paku kishim një pjesë të hises në termocentralin e ri; këtu s’kemi bash asgjë. Pra, diskutimi publik sot duhet të drejtohet tek pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo jo e ndërtimit të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...