Nuk e lexoi keq Perëndimi Putinin, por ai e lexoi mirë Perëndimin

25 Shkurt 2015 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Ish-ministri britanik i Mbrojtjes ka thënë këto ditë se Perëndimi e ka lexuar keq Rusinë dhe nuk ka ditur t’i parashikojë qëllimet e saj. Ndoshta më saktë do të ishte të thuhej se Putini e ka lexuar mirë Perëndimin dhe sa larg mund të shkojë reagimi ndaj veprimeve të Rusisë. Dhe Putini ka kalkuluar, me të drejtë, se ai mund të zbatojë planet e veta.

Para disa javësh me lot në sy më afrohet një koleg nga Ukraina, duke u ankuar se “askush nuk po e kupton?” E kuptonte pse bota ishte alarmuar dhe bashkuar në solidaritet me viktimat e sulmeve terroriste në Paris, e kuptonte edhe mobilizimin kundër kësaj të keqeje, por nuk e kuptonte se pse askush më nuk po shqetësohet për masakrat në vendin e tij, në Ukrainë. “Nëse dikush të kupton, jam unë. I kam kaluar të gjitha këto para shumë vjetësh. Kam qenë në Bosnjë gjatë luftës kur mediet e quanin si të qetë ditën kur mbi Sarajevë binin 10 predha, sepse një ditë më herët kishin rënë 100. Bota ndërhyri në Kosovë vetëm kur kaluan gati dhjetë vjet prej nisjes së masakrave të Milosheviqit”, ia rikujtova. “Po, po, e di. Prandaj edhe erdha te ti. Më kujtohesh edhe ti, edhe Ekremi (Ekrem Krasniqi, koleg gazetar) edhe Afrimi (Afrim Gjonbalaj, ish-koleg gazetar tash nëpunës në NATO) se si në kohën e luftës në vitin 1999 bënit pyetje në konferenca shtypi. Atëherë nuk ju kuptoja si duhet dhe mendoja për luftërat si një çmenduri dhe i shihja si diçka teorike. Tash po e kuptoj, por jam shumë i shqetësuar për vendin tim”, vazhdon dialogu me të. Mundohesha ta ngushëlloja disi, por nuk mjaftonte t’ia rikujtoja se edhe ne kemi vuajtur njëlloj. Nuk kishte kuptim as t’i thosha “hajt se bëhet mirë”, sepse ai e di se një ditë do të bëhet mirë dhe se lufta nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Por bashkëndieja me të shumë dhe e gjitha më kujtoi vërtet kohërat e luftërave në ish-Jugosllavi. Ky dialog me atë koleg ukrainas, i cili “by the way” ,siç thonë anglezët, ende nuk është i sigurt se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, u bë vetëm një shembull tjetër në vargun e episodeve të luftës në Ukrainë, që aq shumë i ngjajnë gjithë asaj që ka ndodhur në ish-Jugosllavi.

Në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë forcat serbe, ushtarake dhe paraushtarake, filluan krimet e tyre, duke u bazuar kinse në mbrojtjen e pakicës serbe. Njëlloj bëjnë edhe rusët në Ukrainë. Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar se ka pasur forca të saj në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, dhe nuk e pranon as sot. Lideri rus, Vladimir Putin nuk pranon se ka trupa të Rusisë në Ukrainë edhe kur e gjithë bota i sheh pamjet e mjeteve të tilla.

Edhe ndërmjetësimet ndërkombëtare, edhe konferencat e paqes, edhe sanksionet ekonomike, edhe arritja e armëpushimeve dhe shkelja e menjëhershme e tyre, janë sipas të njëjtit skenar që kemi parë në vitet nëntëdhjetë në territorin e ish-Jugosllavisë. E pamë edhe javën që shkoi se si, pas një nate dramatike, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, gjatë negociatave në Minsk arritën të bindin palët për një marrëveshje paqeje. Edhe pse vetë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pranoi marrëveshjen, luftimet vazhduan dhe forcat ruse, edhe pas hyrjes në fuqi të saj, morën një qytet tjetër në Ukrainën Lindore. Krejt çka bëri BE-ja është që t’u bëjë thirrje palëve “që t’i kthehen respektimit të armëpushimit dhe të ndërpresin shkeljen e armëpushimit”.

Për secilin tragjedia që i ndodh atij është më e madhja në botë, prandaj e kuptoj shqetësimin e kolegut nga Ukraina dhe të gjithë qytetarëve të vuajtur të atij shteti. Konflikti atje është i tmerrshëm, por as përafërsisht nuk ka përmasat e asaj që kishte ndodhur në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Por ky konflikt e ka rrezikun për rendin botëror ndoshta edhe më të madh, sepse në këtë konflikt është përfshirë një fuqi bërthamore, siç është Rusia. E kjo e bën të pamundur një gjë që ndodhi në ish- Jugosllavi: ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare.

Rusia e di se askujt në Perëndim nuk i shkon mendja që të ndërhyjë ushtarakisht në një konflikt ushtarak kundër Rusisë, sado të zhgënjyer të jenë me sjelljen e saj. Madje as ideja për ndihmë me armatim për forcat e Ukrainës kryesisht refuzohet në shumicën e qarqeve perëndimore. E pala ruse ka sa të dojë armatim, sepse i vjen nga Rusia. Këtu na kujtohet pra situata në ish-Jugosllavi. Përderisa forcat serbe kishin arsenal të madh armësh të ish-Ushtrisë Jugosllave, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët për t’u mbrojtur u desh të furnizohen nga tregu i zi. Madje bashkësia ndërkombëtare kishte vendosur embargo armësh ndaj të gjithëve në territorin e ish-Jugosllavisë, duke i goditur kështu më së shumti ata të cilët ishin viktima të agresionit serb, sepse serbët kishin mjaft armë.

Dhe ajo që m’u desh t’i them kolegut ukrainas është se nuk mund të kenë shumë shpresa në bashkësinë ndërkombëtare, e cila nuk do të hyjë në konflikt me Rusinë vetëm për shkak se ukrainasit duan të jenë pjesë e Perëndimit. Në Ballkan bashkësia ndërkombëtare ka vepruar shumë vonë, ka vepruar dhe vazhdon të veprojë shumë ngadalë, por megjithatë ka vepruar disi. Në rastin e Ukrainës edhe ata pak hapa politikë dhe ekonomikë që ka ndërmarrë i ka bërë shumë ngadalë, kurse më shumë se kaq nuk do të bëjë kurrë.

Ish-ministri britanik i Mbrojtjes ka thënë këto ditë se Perëndimi e ka lexuar keq Rusinë dhe nuk ka ditur t’i parashikojë qëllimet e saj. Ndoshta më saktë do të ishte të thuhet se Putini e ka lexuar mirë Perëndimin dhe sa larg mund të shkojë në reagim ndaj veprimeve të Rusisë. Dhe Putini ka kalkuluar, me të drejtë, se ai mund të zbatojë planet për të aneksuar pjesë të Ukrainës, siç është Krimeja, se mund të sigurojë okupimin e një pjese të madhe, e cila një ditë, së paku, do të ketë statusin që ka Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, më shumë e lidhur me Moskën sesa me Kievin, dhe se Perëndimi do të kënaqet me sanksione ekonomike. Dhe ky ka qenë çmimi që Putin ka qenë i gatshëm të paguajë, ndërkohë që në Rusi, tek popullata e tij, vetëm i është rritur autoriteti.

Tash Rusia është në pozitë më të mirë të pranojë edhe trupa paqeruajtëse ndërkombëtare, sepse ato, nëse vendosen, vetëm do të ruajnë linjën e ndarjes në terren dhe do të ndihmojnë në ndarjen e Ukrainës. E Perëndimi do të presë kohën kur të rifillojë raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...