Minishtetet mesjetare të Kosovës

24 Shkurt 2015 - 08:16 - Flaka Surroi      

Është i mjerë vendi, i cili nuk u beson kapaciteteve të veta për të ndërtuar një shtet normal dhe të shëndoshë dhe u nënshtrohet ideve dhe qejfeve të njerëzve që e kanë fuqinë që ua jep pasaporta e një shteti të huaj. I mjerë është ai shtet që prej një tërësie kompakte u shndërrua në konglomerat minishtetesh mesjetare me shumë princër e plot vasalë dhe një grumbull vëzhguesish aktivë nga muret e Fejsbukut...

Festim përvjetori pa kurrfarë atmosfere. Thuajse dikush me zor na e dha Pavarësinë, e ne thuajse pas shtatë vjetësh vendosëm që boll kishim luajtur me këtë lodër dhe se duhej gjuajtur në bërllok. I patëm institucionet komunale që arbitrarisht kishin vendosur se s’ishte kohë për festime, përderisa ato qendroret thanë se festimi mund të bëhej me ca flamuj pa lidhje të cilave rrugës u kishte rënë një yll – thuajse po e pasqyronin humbjen e ngadalshme të njërit, atij që i paraqet shqiptarët. Depresive, pa dyshim. Dhe punë të cilën vështirë se kemi besuar se do ta përjetonim, pas gjithë atyre mundimeve për t’u bërë shtet. Erdhëm në ditën kur thuajse s’ka kush që s’u bë shtet më vete në këtë shtet të mjerë.

Në pak fjalë, kjo ishte ndjesia e kremtimit të ditëlindjes së shtatë të Republikës së Kosovës, “së njohur ndërkombëtarisht nga 108 shtete dhe me cak të qartë për integrime euroatlantike”, të cilave tybe nuk i bien në fije ata që e përsërisin ditë më ditë sa herë dalin në televizion ose sa herë (rrallë e për mall) takohen me njerëzit në terren për t’u treguar se përse nuk bën ta braktisin Kosovën. Qe ditëlindja e shtatë e një Kosove që kurrë nuk erdhi në vete e nuk doli nga kriza ekonomike në të cilën e futën privatizimi i manipuluar dhe i keq; mungesa absolute e vizionit të shtetndërtimit e Qeverisë, posaçërisht nga 2008-a; mungesa e zhvillimit ekonomik; papunësia; hajnia e përmasave astronomike; mungesa e sundimit të ligjit; gjyqësia për turp dhe jo më me pak rëndësi, përkrahja e parezervë e të huajve për të korruptuarit e shantazhueshëm në pushtet, vetëm sa për ta ruajtur stabilitetin politik në vend. E ky stabilitet i rrejshëm duket se po i numëron orët e fundit, sepse durimi i njerëzve duket se ka prekur fundin.

Me xhipa e truproja për ta takuar popullin

Dhe sërish Jahjaga. Edhe këtë javë me mburrje mbajti epitetin e Mbretëreshës së Nepalit, si shembulli i parë i shtetit më vete në Kosovë. Ajo sillet thuajse vazhdon të jetë e izoluar nga pjesa tjetër e botës, thuajse nuk dëgjon fare atë që i thuhet kur del në terren, thuajse nuk po e kupton se si dy kryeministrat ia kanë lënë jadec përgjegjësinë për t’i hëngër krejt shuplakat, ofendimet e të sharat për situatën në të cilën që të tre kanë kontribuuar, derisa ata dy fshihen pas rehatisë së të komentuarit në FB.

Kështu, kësaj jave Jahjaga shkoi në Mitrovicë, për ta shoqëruar emisarin special të Ministrisë së Jashtme gjermane, Reichel, për të takuar qytetarë e për t’i bindur se shkuarja nga Kosova nuk është e mirë. Dhe e bëri gabimin e parë të asaj dite duke qenë se ajo është kryetare e shtetit e jo ministre e Jashtme. Nëse dikush është dashur të dalë në terren me diplomatin gjerman, ky është dashur të ishte Thaçi. Por, ja që ky ka qenë i zënë në takim me kardashin e tij në Turqi, ku s’kishte pasë shkuar moti.

U ndal në rrugë për të biseduar me qytetarët, të cilëve nuk ka absolutisht asgjë për t’u ofruar pos përsëritjes së integrimeve euroatlantike, si realizimit të shtetësisë së Kosovës. Duke e ditur këtë, është dashur ta imponojë autoritetin e simbolit të unitetit dhe aftësitë e saj të facilitimit të dialogut ndërpartiak (lidershipin, do të thoshin amerikanët) dhe t’i marrë me vete përfaqësuesit e ekzekutivit – që ata t’i premtojnë nja 350 mijë vende pune për një muaj. Kështu, pos që dëgjoi se gjërat nuk do të rregullohen pa u çuar populli në këmbë dhe premtimin e invalidit të UÇK-së se do të ikte posa t’i bënte ca para, e bëri gabimin e dytë esencial. Gabim që paraqet antipropagandën më të madhe që mund t’ia bëjë fushatës së saj: doli para tyre e veshur, e ndrequr, me shminka e me shtiklla, në përcjellje të një zot e di sa truprojave dhe nja pesë a gjashtë xhipave që përkthyer në para bëjnë diku rreth gjashtë-shtatë mijë ndihma sociale mujore.

Nëse ajo vërtet e beson se është kryetarja e të gjithë kosovarëve, e do që t’ua kuptojë hallet njerëzve me të cilët flet, më së pari do të duhej t’u tregonte se nuk u frikohet, pra s’ka pse ta përcjellë as eskorta speciale, as policia e uniformuar, as truprojat me cuclla në veshë. Së dyti, do të duhej t’i hipte një veture të thjeshtë, mesatare. Do të duhej të vishej ashtu siç ka pasur zakon të vishej para se ta nxirrnin mbretëreshë të Himalajeve nga zarfi, dhe do të mund të niste ta përdorte fondin e Presidencës për krijimin e ndonjë vendi pune, duke e përkrahur ndonjë projekt artizanati a bujqësie. Dhe, shumë me rëndësi, nuk do të duhej të harronte atë që ia tha plaku që i bërtiste pakontrollueshëm, me gjasë edhe pse është femër: “Serbia i vrau 20 mijë njerëz, kurse hajnat i larguan 100 mijë”.

Supershteti i veriut

Duke iu kthyer njërës nga arsyet e mjerimit tonë – përkrahjes ndërkombëtare së elitave të korruptuara në emër të sigurimit të stabilitetit politik – është se dje u bë publike kërkesa e Srpskas që tashmë e kishte paralajmëruar gazeta para më shumë se dy-tri javësh. Serbët kushtëzojnë kthimin në institucione me të drejtën për ta emëruar zëvendësshefin e spiunëve. Pra, pos që do ta kenë Zajednicën me fuqi ekzekutive që do t’u sjellë autonomi të nivelit të gjerë, tash duan të kenë kontrollin edhe mbi punët e institucionit më të lartë të sigurisë shtetërore. Në fakt, duan që të sigurojnë kontrollin e Serbisë edhe mbi këtë institucion, sepse tashmë Serbia e kontrollon policinë në veri, duke iu falënderuar marrëveshjes së Brukselit.

Pra, serbët shtet më vete në veri po se po. Dhe me gjasa që ai shtet të zgjerohet edhe në jug, në të gjitha komunat ku e mban pushtetin Beogradi nëpërmjet Srpskas, dhe me fuqinë për të vendosur nesër edhe për “Trepçën”. Posaçërisht pasi zyrtarët qeveritarë janë ngutur të thonë se si gjiganti metalurgjik nuk do të jetë objekt diskutimi në Bruksel. E njerëzit që i shkelin parimet e veta dhe i ndërrojnë vendimet sipas tekeve individuale nuk është se kanë ndonjë kredibilitet. Pra, në vend se t’u besojmë, duhet t’u druhemi.

Insistimi që të ruhej qetësia politike e të mos ketë antagonizma në veçanti me serbët u është kthyer të gjithëve bumerang – posaçërisht popullit. Për hir të ruajtjes së një stabiliteti të brishtë dhe fals politik që ishte interesi parësor i përfaqësuesve të huaj në Kosovë, u lejua shkatërrimi i bërthamës ekonomike i shtetit nga klanet kriminale të gjithëpushtetshme që përcaktojnë se sa dhe kush mund të vjedhë dhe sa e kush mund të dënohet me burg, nëse dënohet ndonjëherë. Në emër të ruajtjes së këtij stabiliteti të brishtë u fuqizua një minoritet edhe në krah të minoriteteve të tjera, që nuk e kanë fuqinë e njëjtë, porse që njësoj mund të shprehin pakënaqësinë me statusin e tyre të popujve të diskriminuar.

Po të kishte kjo udhëheqje kredibilitet e mbi të gjitha guxim, atëherë do të duhej t’i thoshte jo kërkesës së Srpskas për t’u bërë me postin e zëvendësshefit të AKI-së. Dhe nëse pasojë e kësaj do të jetë dalja e këtij koalicioni nga Qeveria, do të jetë rasti i fundit për ekzekutivin që të lirohet nga autogoli që ia ka dhënë vetes që në çastin kur ka lidhur koalicion me ta. Do të ishte mundësia e vetme për t’u liruar nga shantazhi i përhershëm që e paraqet kjo parti e dirigjuar nga kryeministri i tretë i Kosovës, Vuçiq.

Gjykata-shtet

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se dokumentet që i bëri publike KOHA.net-i para dy ditësh, në lidhje me Gjykatën Speciale, do t’i ketë parë moti Vuçiqi. Dhe nuk e kam as dyshimin më të vogël se dikush nga ekipi i tij ka pasur çfarë të thoshte, e t’u kontribuonte dispozitave që do ta rregullojnë institucionin, të cilin e kemi kundërshtuar shumë. Dikush për shkak se paraqet shkallën e fundit të ndjekjes së disa përfaqësuesve të UÇK-së, e dikush për shkak se paraqet humbjen vullnetare të një cope sovraniteti për shkak se s’patëm as dëshirë e as guxim me u marrë me vetveten. Porse, shikuar se çfarë i ndodhi sistemit gjyqësor që nga çlirimi dhe bindjes se ky sistem nuk do të rregullohet për shkak se është mbjellë keq, duket se kjo gjykatë është bërë, ende pa nisur punën, shpresa e fundit për shumë njerëz që i kanë humbur familjarët prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Shpresa konsiston në faktin se dyshohet se një varg vrasjesh në fakt paraqesin rezultatin e punës së efektshme të krimit të organizuar, që është shtrirë në të gjitha poret e strukturës parashtetërore dhe shtetërore, që përfshin edhe policinë dhe gjyqësinë. Konsiston në faktin se nëse ia dalin ta zënë bile një kriminel, se ky “nuk do të shkojë vetëm” – pa treguar se edhe kush tjetër i ka duart e përgjakura. Konsiston edhe në faktin se nëse do të dalin se janë të vërtetë emrat që përfliten se do të ndiqen nga kjo Gjykatë, atëherë institucionet e Kosovës do të pastrohen nga një numër i madh njerëzish, që për fat të keq sot vendosin në emrin tonë.

Dhe kjo duket se do të funksionojë falë një gjykate sui generis, që do të veprojë paralelisht me sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo do të mbështetet në një ligj të veçantë që do ta strukturojë atë si mekanizëm më vete. Për hir të qetësisë së opinionit, gjykata do të quhet Dhomë dhe do ta ketë selinë hem në Prishtinë e hem jashtë. E prokuroria vetëm jashtë – a thua pse? Nuk është befasi që gjyqtarët e prokurorët do të jenë ndërkombëtarë, kurse paraburgimi dhe vuajtja e dënimit do të bëhen jashtë Kosovës, ku edhe do të ruhet arkivi.

Për fund, gjykata speciale do të ketë fuqinë e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, që e bën institucion po aq të fuqishëm sa edhe Kuvendi i Kosovës që do t’ia japë këtë prerogativë në çastin kur t’i votojë ligjin e ri dhe ndryshimet e Kushtetutës.

Është mëkat që gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të kemi ardhur në pikën ku të gjithë tregojnë me gisht nga ne, për shkak se në mesin tonë ka të tillë që e kanë marrë pushtetin në dorë dhe kanë krijuar minishtete qoftë territoriale, qoftë biznesore prej nga i ngrehin krejt dizginat. Janë aq të fuqishëm me armë e me forcë, por mbi të gjitha me para të vjedhura apo të përvetësuara jashtëligjshëm, saqë nëse nuk mund të të blejnë, atëherë të kërcënojnë apo edhe të vrasin.

Është i mjerë vendi, i cili nuk u beson kapaciteteve të veta për të ndërtuar një shtet normal dhe të shëndoshë dhe u nënshtrohet ideve dhe qejfeve të njerëzve që e kanë fuqinë që ua jep pasaporta e një shteti të huaj. I mjerë është ai shtet që prej një tërësie kompakte u shndërrua në konglomerat minishtetesh mesjetare me shumë princër e plot vasalë dhe një grumbull vëzhguesish aktivë nga muret e Fejsbukut...

Kjo është Kosova e atyre që u bënë shtet më vete në vetë shtetin që është dashur ta ndërtojnë mbarë. Sado e mjerë, sepse ende beson se gjërat do të ndryshojnë vetvetiu apo edhe se të mirat do të bien nga qielli, është megjithatë Kosova edhe e atyre që nuk e braktisin kurrë për shkak se e dinë se asaj do t’i zhduken minishtetet, posa të hyjnë nja dy a tre princër në burg.

Në pritje që kjo të ndodhë.

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...