Kupolat e rrezikshme

22 Shkurt 2015 - 08:08 - Elmaz Isufi      

Sulmi i parë i Aleancës së NATO-s ndaj caqeve të Jugosllavisë së mbetur, më 1999, ndodhi mbi qendrën e radarëve në Kopaonik, në majën 2017 metra lartësi mbidetare, që ndryshe quhej “Çatia e Serbisë”. Arsyeja pse u qëllua ishte fare e thjeshtë. Kjo qendër ishte “veshë e sy” për Beogradin dhe sistemin e sigurisë së saj.

Kështu ishte edhe për shtetin e Jugosllavisë së Titos, qëkur ajo u ndërtua për të qenë me modernia në rajon. Aty nga NATO-ja pohohet të jetë shkatërruar vetëm kupola e bardhë në sipërfaqe, por jo edhe pjesa tjetër e nëndheshme e infrastrukturës. Megjithatë, efekti ishte arritur - ajo ishte bërë jofunksionale dhe për më keq, me terren të minuar.

Gati 16 vjet pas atij sulmi dhe shumë të tjerëve nga ajri që zgjatën 78 ditë, askush në Kosovë nuk e di se kush menaxhon qendrën e telekomunikacionit, me tri minierat dhe me një zonë turistike atraktive të Kopaonikut, ani që ato, harta zyrtare i nxjerr brenda territorit të Kosovës, në zonën kadastrale të Leposaviqit (në Serbi ende insistohet se qendra e navigacionit për disa metra gjendet në territorin e Serbisë dhe se për zgjidhjen e këtij kontesti janë duke biseduar me NATO-n, por jo edhe me qeveritarët e Kosovës).

Kam bindjen se për të dinë më shumë ish-funksionarët e Kosovës në vitet ‘80, sesa të tashmit. Madje, një vendburim i ujit ende atje quhet “Bakalijeva voda”. Banorët e shpjegojnë se ky emër i kishte mbetur që nga vizita që i kishte bërë atij vendi ish-funksionari komunist Mahmut Bakalli me bashkëpunëtorë.

Pse për të nuk flasin institucionet e tashme (kam arsye të dyshoj se edhe nuk e dinë), mbase ka një përgjigje. Të gjithë janë të zënë më punë “të mëdha”. Interesi nacional dhe asetet e vendit nuk janë më me prioritet sesa skemat e përfitimeve të shpejta nga paraja publike.

I tërë preokupimi dhe energjia e tyre është shpenzuar në tenderë, në pronat publike dhe ato shoqërore, në rehatimin e njerëzve të farefisit (të dijshëm e të padijshëm) derisa i kanë bërë me nga dy, tre e deri në pesë vende pune. Ata nuk e kanë dertin e rëndësisë ekonomike, strategjike e ushtarake të Kopaonikut, as të sasisë së mineraleve që gjenden aty, apo në rrethinën e Mitrovicës, të Novobërdës, Kishnicës, Goleshit e Strezovcit.

Projektet si Trepça, Kopaoniku, Brezovica, Ujmani, Sibovci, Boga e Zhuri, janë të zorshme, duan vite, procedura, debate-negociata, pretendime palësh e procese gjyqësore, dhe për më tepër, fitimet nga to nuk vijnë brenda natës, sipas zakonit nga dora në dorë. Dhe meqë nuk janë të kollajshme, nuk janë përfshirë në agjenda dhe nuk lodhet askush për to.

Politikanët tanë kanë të tjera dëshira, të tjera ambicie. Ëndrrat e tyre janë të pakufishme, edhe “futuristike”.

Ata nuk duan ta dinë pse NATO-ja ka goditur pikërisht Kupolën e radarëve të Kopaonikut, zemrën e aparatit shtetëror të Milosheviqit. Aty prej nga Kosova shihet si në pëllëmbë të dorës, aty prej nga kontrollohej hapësira ajrore me rreze të gjata veprimi – në lindje deri në Rumani e Hungari.

Nuk duan të dinë për Kupolën që shteti serb e kishte instaluar për ta vënë në funksion të interesit të saj strategjik, ngase ndryshe nga ta, tanët kanë ndërtuar “Kupolën” tjetër që s’mund të jetë ndryshe pos e krimit, e zhvatjes.

Ata nuk janë në garë se kush po i ofron vendit më shumë ide e projekte zhvillimi, ata janë në garë se kush po e kap pushtetin e shtetin. Kush përshtat ligjet, kush kontrollon naftën, sigurimet, kafen, miellin, transportin, ndërmarrjet publike..., e deri te shërbimet e pagesave.

Ata, në vend se të rrisin nivelin e përgjegjësisë për shtetin, zaptuan institucionet e arsimit - vendosën kriteret e licencimit të kolegjeve, kriteret e regjistrimit të studentëve, kriteret e vlerësimit të studentëve. Shumë prej tyre morën diploma e grada akademike, ndonëse dija e disa prej tyre është e barasvlershme me të nxënësve mesatarë të fillores. Vendosën kush duhet të jetë rektor, kush dekan e prodekan, senator e deri aty se kush duhet ta fitojë tenderin e sigurimit të objekteve të Universitetit. Kush drejtor shkolle e madje edhe kush pastrues. Ata instaluan krimin edhe në këtë institucion – krijuan celula mafioze dhe grupe militantësh të fshehur pas të ashtuquajturave organizata studentore, që sfidojnë çdo ndryshim apo reformë.

Dhe prandaj e kemi arsimin kështu si e kemi - skandaloz dhe të mjerë.

Të njëjtën ia bënë institucioneve shëndetësore. I kthyen jo në qendra trajtimi e shërbimi për njerëz në nevojë, por në qendra të biznesit e të skandaleve të panumërta. Aty ata dhe bandat e tyre bënë dhe vazhdojnë të bëjnë kontrabandë me barna, me poste drejtuese, me punësime familjare, me tenderë. Aty, po njerëzit e Qeverisë dhe të afërm të tyre, paralizuan tërë aparaturat me vlera milionëshe për të detyruar pacientët të shkojnë në klinikat private, ku qeveritarë kanë aksionet e tyre. Pra, në klinikat që menaxhohen po nga njerëz të politikës dhe parapolitikës, e që marrin rrogë në spitalet publike nga taksat e qytetarëve. Në hapësirat e spitaleve u bë pazar edhe me tokën publike.

Dhe për atë Kosova prin në të gjitha statistikat për shërbime të dobëta shëndetësore.

Mafia politike, që vepron mbi dhe nën tokë, e dërrmoi edhe sistemin e drejtësisë. Në shumicën e shtyllave të institucioneve të pavarura vendosën vartësit e tyre. Për disa muaj tentuan ta mbajnë të lidhur edhe institucionin e kryeprokurorit të shtetit. Të gjithë politikanë e jo politikanë, gjyqtarë e prokurorë ishin në siklet nga epilogu i zgjedhjes. Kishin një hall të madh që donin që këtë çështje ta zvarrisin sa më shumë, të minojnë procesin. Donin të mos kenë edhe për shumë kohë një institucion, të gatshëm për ta çuar mbrapa grilave këtë bandë të shqetësuar. Dhe, duke rrënuar për vite këtë sistem, duke shpërfillur ligjet dhe vendimet, e shndërruan atë në më të korruptuarin dhe në të cilin qytetarët kanë më së paku besë.

Për pasojë, ndërkombëtarët sollën EULEX-in, e meqë nuk u mjaftuan me atë, e gatuan edhe Gjykatën Speciale. Ata nuk besojnë se këtu ka vullnet dhe kushte për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

Se këta matrapazë janë sa të padijshëm e edhe me sherr, ata janë edhe primitivë. Duke qenë të ngarkuar nga kompleksi i “njeriut të vogël” dhe me dëshirën për të qenë “madhështor”, ata nuk lënë gur pa lëvizur për të krijuar artificialisht “njeriun e qytetëruar”, “liderin e së ardhmes”, “shpëtimtarin e demokracisë”.

Janë këta që në qeveritë e pasluftës sa herë ndanin kulaçin me partnerët e koalicioneve Ministrinë e Bujqësisë e kishin për kusur. Madje, ishte bërë praktikë që ajo t’u lihej minoriteve ose partnerëve të vegjël. Donin që të mbanin sa më larg sektorin ndaj të cilit kishin krijuar neveri. T’ua përmendësh bujqësinë, atyre mendja fill u shkonte te shati e kosa, bagëtia dhe prerja e drurëve.

Dhe si për inat këtë sektor ua lanë hienave. Lejuan të shkatërrohen afro 33 mijë hektarë tokë bujqësore pas luftës, ndërsa duke vënë dorën mbi Agjencinë e Privatizimit, kontrolluan shitjet e tokave - pronë shoqërore. I blenë ato që ishin me atraktive për veprimtari biznesi dhe atë me paratë e vjedhura nga arka e shtetit. Ka edhe nga ta që shkuan më tej, nuk i blenë tokat por i uzurpuan. (AKP-ja në një raport të saj pati bërë publikimin e pronave – cilat janë të uzurpuara dhe kush uzurpuesit. Kishte disa prona që AKP-ja nga “frika” nuk ua kishte nxjerrë emrin uzurpuesve, me arsyetimin se nuk i dinte. Nuk ishin pak, bëhej fjalë për disa qindra hektarë tokë).

Dhe prandaj e kemi bujqësinë sektor të dështuar, dhe prandaj ne importojmë qindra miliona euro produkte bujqësore në vit, nga vendet me klimë dhe potencial të njëjtë, por me drejtues të shtetit më normalë se tanët.

Mund t’u duket e çuditshme, por politikanët i patën futur hundët edhe në sport. Disa kapën klubet, disa stadiumet e disa edhe federatat e sporteve. Dëshironin t’i shihte turma, dhe sporti ishte shansi i artë për t’u ndier të integruar. Edhe disa drejtues klubesh kishin sherr në këtë punë. Në pamundësi për të siguruar donacione dhe sponsor, i joshnin politikanët, kryetarët e komunave dhe komandantët me poste fiktive. Duke shfrytëzuar autoritetin e tyre, të dyja palët bënin lekun – sepse ky ishte qëllimi final, jo zhvillimi i sportit dhe afirmimi i tij.

Se si menaxhuan ata, duke qenë brenda veprimtarive sportive por edhe në pushtet, dëshmon gjendja e sportit, dëshmon gjendja e stadiumeve dhe palestrave – të gjitha për faqe të zezë.

A kanë politikanët e shekullit të ri ideal dhe vizion, apo edhe 16 vjet pas mbylljes së kapitullit të luftës dhe të asaj që për 10 vjet është quajtur politikë paqësore duhet t’i shohim e dëgjojmë se si mburren se ndjekin filozofinë e Rugovës – apo se si duhet çuar deri në fund amanetin e Adem Jasharit.

Si kanë fytyrë të bëjnë spektakël me të vdekurit e të mos ndihen me turp kur shohin me dhjetëra mijëra qytetarë të gjallë, të dëshpëruar që ikin nga shtëpitë e tyre, nga ato shtëpi që ata nuk u larguan edhe me çmimin e jetës gjatë luftës. Kur dëgjojnë e lexojnë se çfarë ndodh me arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, bujqësinë, pronën publike e shoqërore. Apo kur dëgjojnë e lexojnë se si deputetët e Kosovës kanë të ardhurat më të larta në Evropë, në raport me bruto-prodhimin vendës - se pagat e tyre janë 11 herë me të larta se të ardhurat mesatare.

NATO-ja kishte arsyet që ka shkatërruar qendrën e telekomunikacionit në Kopaonik. E dinte se ajo ishte vënë në funksion të aparatit të dhunës së ushtrisë e policisë së Serbisë në konfliktet e ndodhura gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe se ajo përbënte kërcënim për avionët e saj gjatë intervenimit ushtarak.

Në Kosovë ka nevojë për një ndërhyrje, jo në Kopaonik, por në menaxhimin e shtetit. Ngase rreziku tash nuk vjen nga Kupola në “Majën e Pançiqit”, por nga kupola e krimit me qendër në Prishtinë dhe me filialet në qytetet tjera – prej nga dirigjohet i tërë aparati që vë në rrezik sigurinë dhe të ardhmen e vendit, ndërsa shuan shpresat e qytetarëve për jetë më të mirë.

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...