Një nocebo, placebo apo Burdush për shqiptarët

21 Shkurt 2015 - 09:48 - Adriatik Kelmendi      

Sidomos në kohë krizash e rëniesh të moralit, absolutisht dhe asnjëherë s'bën të mos festohet Pavarësia e Kosovës - që është pavarësim nga Serbia - si arritja më e madhe e shqiptarëve, që nga pavarësimi i Shqipërisë. Defetizmi nuk është zgjidhje

PSE JANË AQ të kërkuar te një pjesë e popullatës ata që e quajnë veten mjekë popullorë, si puna e Burdushit dhe Basri Hoxhë Peçanit? Sigurisht, meqë njerëzit shpesh besojnë ato që u thuhen dhe bëjnë që të njëjtat të ndikojnë te ta për të mirë dhe për të keq.

Quhet efekti “nocebo”. Fuqia që një thashetheme mund të ketë mbi trurin tonë, shpesh me efekte më të rrezikshme sesa një sëmundje akute.

Me këtë fenomen të sugjestionit po merrej seksioni shëndetësor i BBC-së disa ditë më parë.

Pritja se diçka e keqe e paevitueshme mund të na ndodhë, mund të jetë po aq e rrezikshme sa edhe një virus. Në të njëjtën mënyrë se si shamanët “VooDoo” mund të dëmtojnë viktimat e tyre me fuqinë e sugjestionit, duke i bindur të mendojnë se janë të sëmurë, shpesh mund të prodhojnë simptoma të vërteta të një sëmundjeje. Të vjellat, marramendja, dhimbja e kokës dhe madje edhe vdekja nganjëherë mund të jenë rezultat i shkaktuar vetëm me anë të bindjes. Po gazetari David Robson përmend edhe raste nga historia kur njerëzit kanë vdekur, meqë dikush i ka bindur se diçka e keqe do t’u ndodhte së shpejti.

Por flet edhe për anën e kundërt ose efektin e pilulës “placebo”, ilaçit të papërmbajtje, i cili u jepet pacientëve dhe të cilët pastaj të bindur se i kanë ndërmarrë masat e duhura për ta luftuar sëmundjen – shërohen.

Të gjitha këto po më silleshin në mendje tek po ndiqja debatet që lidheshin për Përvjetorin e Shtatë të Pavarësisë së Kosovës.

A u duhet shqiptarëve më tepër një “nocebo” apo një “placebo”?


DY DILEMA kryesore u shfaqën këtë muaj shkurti të ftohtë:

A është 17 shkurti dhe Pavarësia e Kosovës aspiratë e përmbushur e shqiptarëve, apo një eksperiment?

A duhet festuar Ditën e Pavarësisë duke parë se ka një valë të ikjes së qytetarëve nga shteti dhe ankesa për klasë të korruptuar politike, për mospunë dhe paperspektivë?

Nëse do të përgjigjeshim në mënyrë negative, atëherë do të zgjidhnim pa dyshim “nocebon”. Ndjenjën e pafuqisë, mosvullnetit, sëmundjes dhe shkatërrimit.

Unë gjithmonë parapëlqej të kundërtën – “placebon”. Pilulën që na bind se mund të bëhet mirë, që na jep vullnet për të ecur tutje, për t’u përkushtuar e punuar, ndonëse bëhet fjalë për ilaç të papërmbajtje.

Të tillë e shoh edhe çështjen e festës së Pavarësisë së Kosovës. Sidomos në kohë krizash e rëniesh të moralit, absolutisht dhe asnjëherë s'bën të mos festohet Pavarësia e Kosovës – që është pavarësim nga Serbia - si arritja më e madhe e shqiptarëve, që nga pavarësimi i Shqipërisë.

Ka plot e plot shembuj që na flasin për kohë të vështira te shtete e popuj, por të cilët gjithmonë kanë qenë të palëkundur në shënimin dinjitoz të ditës shtetërore, në funksion të ngritjes së moralit e mbushjes me shpresë për të ardhmen.

Ta shikojmë këtu kombin amerikan, i cili për më pak se 200 vjet nga formimi si i tillë ia doli që të jetë superfuqia ekonomike, intelektuale e ushtarake në botë. Që nga zyrtarizimi nga Kongresi si festë kombëtare, në vitin 1870, asnjëherë nuk është lënë pa u festuar. As gjatë viteve të “Dëshpërimit të madh”, kohës së varfërisë së madhe, as përgjatë protestave “flower-power” kundër luftës në Vietnam, as pas vrasjes së presidentit Kennedy, as pas 11 Shtatorit e as gjatë protestave masive ndaj George W. Bush lidhur me luftën në Irak.

Ndonëse Kosova s’ka se si të krahasohet me Amerikën, s’ka përse të mos e zbatojë së paku matricën e njëjtë që flet për patriotizëm e moral, që mbush me optimizëm për sukses. Dhe natyrisht përvjelje mëngësh e punë serioze.


E DILEMA TJETËR lidhur me rëndësinë që e ka 17 Shkurti krahasuar me 28 Nëntorin është bukur naive në vetvete.

Festë për të gjithë shqiptarët duhet të jetë si 28 Nëntori, dita kur një pjesë e popullit shqiptar u pavarësua nga Perandoria Osmane, ashtu edhe 17 Shkurti, kur u vulos pavarësimi i një pjese tjetër të popullit shqiptar nga Serbia. Këto asnjëherë nuk mund të jenë kundërshtuese të njëra-tjetrës, por, përkundrazi, komplementare dhe në shërbim të aspiratave për përparim.

Së këndejmi, të dyja dhe pa dallim duhet të shënohen e të festohen barabar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe kudo që ka shqiptarë.

Defetizmi nuk është zgjidhje. Defetizmi është “nocebo”.

Ose, në të kundërtën, kolektivisht si popull duhet ta vizitojmë – Burdushin!

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...