Shtatë vjet nga Pavarësia BE-ja nuk e sheh të nevojshme ta konsiderojë Kosovën si shtet

18 Shkurt 2015 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Shtatë vjet të Pavarësisë së Kosovës kanë kaluar dhe ky shtet ka ngelur në një status quo në raporte me BE-në dhe NATO-n. NATO-ja, e cila e ka çliruar Kosovën, nuk ia përmend as emrin kur vjen për vizitë kryeministri i saj, ndërsa në BE shpesh në harta territorin e saj e përfshin në kuadër të Serbisë. Përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, janë krijuar dy realitete: njëri se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, por shtet i cili e ka territorin e vet, edhe pse jo tërësisht të njohur ndërkombëtarisht, dhe tjetri se Qeveria e Kosovës është pajtuar se shteti të cilin e udhëheqin nuk është si të gjitha shtetet e tjera dhe se për secilin hap duhet të ketë një pajtim me Beogradin.

“A e di dikush kush është Mustafa?” pyet me zë një koleg gazetar në Bruksel në sallën e punës së gazetarëve në kohën kur po zhvillohej takimi i ministrave të jashtëm të BE-së. “Nuk është Mustafa, por Mustafi! Si nuk e di. Ai është lojtar me prejardhje shqiptare i Kombëtares gjermane që u bë kampion bote”, i përgjigjet një tjetër koleg. Jo, jo, nuk është futbollist si duket, sepse qenka njëfarë Isa Mustafa, i cili paska takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s nesër. Ja sapo erdhi një njoftim nga NATO-ja për këtë. Por nuk shkruan se kush është ky njeri, kë përfaqëson dhe pse vjen në NATO. Shkruan vetëm se “sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të ketë takim me Isa Mustafën” dhe nuk do të ketë asgjë për mediet nga ky takim. Pas kësaj, kur u thashë se ai është kryeministër aktual i Kosovës, m’u drejtuan mua dhe më pyetën se pse NATO-ja as në një njoftim shtypi, as në një postim në rrjetin “twiter” nuk e thotë se ai është kryeministër i Kosovës. Ua sqaroj se NATO-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet dhe, si pasojë e kësaj, ka shkuar aq shumë në ekstrem, saqë nuk përmend as postin e kryeministrit të saj. Të gjithëve iu duk kjo bizare. “Vetë e kanë çliruar Kosovën e tash nuk duan as t’ia përmendin emrin!” thotë një koleg i huaj dhe e konsideron si bizare këtë situatë kur NATO-ja dërgon njoftim se si shefi i kësaj organizate takohet me një person për të cilin askund nuk e thotë se kush është dhe kë përfaqëson.

Ky shembull i Isa Mustafës dhe njoftimit që dha NATO-ja për takimin e tij me shefin e kësaj Aleance ilustron pozitën e sotme të Kosovës në raporte me organizatat ndërkombëtare, pozitë e cila nuk është formalizuar as shtatë vjet pas Pavarësisë. As në BE nuk është më mirë se në NATO. Në BE e përmendin nganjëherë Kosovën, por gjithmonë kur e shkruajnë emrin e saj e vënë edhe shenjen * për të sqaruar në fusnotë se kjo nuk paragjykon qëndrimet e vendeve anëtare rreth statusit. Në hartat e BE-së shpesh Kosova nuk figuron fare, por territori i saj është i përfshirë si pjesë e Serbisë, siç edhe e thotë Kushtetua e Serbisë, me gjithë faktin se 23 nga 28 vendet anëtare të saj e kanë njohur dhe vetëm 5 nuk e kanë njohur Kosovën. Në BE në komunikatë e kanë dhënë saktë lajmin se Isa Mustafa vjen në Bruksel, se është kryeministër dhe se do të takohet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por këtë takim nuk e kanë quajtur asnjëherë as në BE si “dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, por mes “Prishtinës dhe Beogradit”. Isa Mustafa i ka humbur zgjedhjet për kryetar të Prishtinës dhe nuk është më në atë post e as Aleksandar Vuçiqi nuk është kryetar i Beogradit. Por emrat e kryeqyteteve përmenden për të evituar përmendjen e Kosovës, e cila, as për Serbinë e as për BE-në nuk është shtet sovran dhe i pavarur.

Për të qenë ironia edhe më e madhe po të njëjtën ditë, të hënën, më 9 shkurt, në kohën kur Isa Mustafa hynte në selinë e Komisionit Evropian para ndërtesës së këtij institucioni ishte vënë flamuri i Serbisë. Kjo për shkak se menjëherë pas tij aty do të vinte kryeministri i Serbisë. E aty ku Mustafa i shtrëngon dorën nikoqirit të tij Johanes Hahhn, komisioner, i cili në përshkrimin e tij të punës ka edhe zgjerimin, janë dy flamuj të BE-së, prapë për shkak se në institucionet e BE-së, me përjashtim të Parlamentit Evropian, nuk mund ta vënë asnjë simbol shtetësie të Kosovës.

E gjithë kjo që është shkruar më lart është simbolikë. Por simbolikë e cila dëshmon statusin e Kosovës si të papërfunduar në skenën ndërkombëtare, e sidomos në BE dhe NATO si dy organizma ku Kosova dëshiron të integrohet.

Pos simbolikës për shkak të kësaj situate Kosova po ka pasoja të mëdha. Ajo po pret me padurim që këtë vit të nënshkruajë një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, por edhe kur kjo të ndodhë do të jetë e qartë se nuk është e njëjtë sikur marrëveshjet e ngjashme që ka BE-ja me vendet tjera të rajonit. Do të jetë e qartë se në asnjë mënyrë me këtë marrëveshje BE-ja nuk e trajton Kosovën si shtet. Dhe përmes kësaj Marrëveshjeje, pa dyshim të rëndësishme, Kosovës nuk i hapet formalisht perspektiva e integrimeve evropiane.

Shtatë vjet të pavarësisë së Kosovës kanë kaluar dhe ky shtet ka ngelur në një status quoje në raporte me BE-në dhe NATO-n. NATO-ja, e cila e ka çliruar Kosovën, nuk ia përmend as emrin kur vjen për vizitë kryeministri i saj, ndërsa në BE shpesh në harta territorin e saj e përfshin në kuadër të Serbisë. Përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, janë krijuar dy realitete: njëri se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, por e ka territorin e saj, edhe pse jo tërësisht të njohur ndërkombëtarisht, dhe tjetri se Qeveria e Kosovës është pajtuar se shteti të cilin e udhëheqin nuk është si gjithë shtetet e tjera dhe se për secilin hap duhet të ketë një pajtim me Beogradin.

Fitohet përshtypja se jo vetëm BE-ja, por edhe vetë institucionet e Kosovës kanë rënë në kurthin e qëndrimit “neutral ndaj statusit”, që shihet qartë në bazë të marrëveshjeve të deritashme që janë arritur me Beogradin. Secila marrëveshje në një mënyrë zvogëlon sovranitetin e Kosovës, madje edhe atëherë kur ka për qëllim shtrimin e sovranitetit në tërë territorin e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë vetëm një vizitë në Bruksel prej kur është bërë kryeministër i Kosovës, por vizita e tij e parë ka qenë për t’u takuar me kryeministrin e Serbisë. Është Beogradi arsyeja pse liderët e Kosovës ftohen në Bruksel. Edhe kur vijnë vetë në takimet e tyre me përfaqësues të BE-së dhe NATO-s flitet më së shumti pikërisht për dialogun me Beogradin.

Kështu në shtatë vjetët e fundit aq shumë vëmendje dhe energji i është kushtuar dialogut me Serbinë, saqë janë lënë anash punët në reformat konkrete, të cilat do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve dhe do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të e vendit që do të çonte deri te krijimi i vendeve të reja të punës.

Sot Kosova ka një shtetësi ende gjysmake, të papërfunduar. Jeta e qytetarëve të saj nuk është përmirësuar në masën e dëshiruar dhe një numër i madh i qytetarëve po e lëshojnë vendin. Kosova sot, nëse jo për dialogun me Serbinë, më së shumti përmendet për nga numri i emigrantëve ilegalë që dëshirojnë të ikin, për rritjen e ekstremizmit fetar, për shkuarjen e të rinjve në Siri dhe Irak, për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin e lartë. Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po flet për “ekzagjerimin e shifrave të emigrantëve ilegalë” dhe për këtë po fajëson opozitën. Por vetë institucionet e BE-së kanë thënë se numri i kosovarëve që kanë kaluar ilegalisht kufirin e jashtëm të BE-së në muajin dhjetor ka qenë 40 për qind i numrit të përgjithshëm, që është më shumë sesa i atyre që kanë ikur nga Afganistani dhe Siria së bashku. Ndoshta zëvendëskryeministrit dhe disa këshilltarëve të tij kjo shifër nuk u duket dramatike, por dramatike u duket qeverive të Gjermanisë, Austrisë, Francës, Hungarisë dhe Komisionit Evropian. Nuk do të ishte kjo çështja e parë për të cilën më pak shqetësohet Qeveria e Kosovës sesa ajo e Gjermanisë apo Austrisë. Me gjithë vetëlëvdatat për progres të madh të Kosovës, që dëgjohen nga Thaçi, i cili ka qenë në pushtet gjithmonë që nga Shpallja e Pavarësisë e deri sot, në Evropë shtrohet pyetja e madhe se pse tash aq shumë kosovarë duan të ikin nga vendi i tyre. Sigurisht jo pse nuk po mund ta durojnë jetën aq të mirë që kanë në këtë shtet, por për shkak se kanë halle të mëdha, aq të mëdha, saqë nuk mund t’i kuptojnë logjikshëm as porositë se aventura e tyre për të kërkuar azilin pothuajse në të gjitha rastet është e dënuar të dështojë dhe do të kthehen edhe më të varfër, edhe më të pashpresë.

Bashkësia ndërkombëtare vetëm konstaton situatën në raportet e tyre, por përfaqësuesit e sajë vazhdojnë të punojnë me strukturat politike për të cilat vetë thonë në raporte se janë të korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar. Qytetarët e Kosovës pos që janë të dëshpëruar me përfaqësuesit e tyre e kanë humbur besimin edhe te bashkësia ndërkombëtare. Ata që erdhën për të ndihmuar në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë politik, për të ndihmuar sundimin e ligjit, siç është misioni i EULEX-it, u gjetën vetë nën hetime për korrupsionin në radhët e tyre dhe nën akuza për tentim të mbulimit të këtyre skandaleve, duke shkelur edhe parimet themelore demokratike, siç është liria e shtypit. Tash EULEX-i po lufton për të shpëtuar edhe reputacionin e vet.

Deri tek kjo situata Kosova ka ardhur në bashkëveprim të bashkësisë ndërkombëtare dhe elitës së saj politike. Janë caktuar disa prioritete, siç janë stabiliteti politik dhe parandalimi i konfliktit ndëretnik, ndërsa janë sakrifikuar të gjitha prioritetet tjera, sidomos zhvillimi i demokracisë, llogaridhënies dhe lufta kundër korrupsionit. Politikanët kosovarë e dinë se nëse bëjnë kompromise me Serbinë do të ketë kredi te bashkësia ndërkombëtare dhe kjo do t’i mbrojë nga përgjegjësia për dështimet në fusha tjera.

Kosova është njohur nga 110 shtete të botës. Por këtu ka ngecur procesi dhe nuk është shfrytëzuar as mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të rritur numrin e njohjeve nga shtetet e BE-së dhe NATO-s. Madje është përforcuar bindja se kjo gjendje është ideale. Si të tillë e shohin “lehtësuesit” e dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Ata nuk mendojnë se kjo mosnjohje paraqet ndonjë pengesë. Madje besojnë se është një situatë e mirë për BE-së, sepse i mundëson asaj që para Serbisë të paraqitet si neutrale ndaj statusit dhe që Serbia të mos ketë problem në raporte me ta. “Për ne i tërë dialogu është nisur me neutralitetin e BE-së ndaj statusit dhe kështu do të jetë edhe pasi dialogu të përfundojë”, ka thënë në Bruksel ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Dhe vërtet asnjëherë BE-ja nuk ka kërkuar nga Serbia të ndryshojë qëndrimet e saj kundër statusit të Kosovës.

E tërë kjo situatë me statusin e Kosovës, me qëndrimin “neutral ndaj statusit” që kanë BE-ja dhe NATO-ja si pasojë e mosnjohjes nga një numër i vogël shtetesh, ka krijuar disa iluzione. Kosova ka iluzion se është shtet i pavarur sikur të gjitha shtetet tjera dhe është e përfshirë në proceset e integrimeve euroatlantike. BE-ja dhe NATO-ja kanë iluzione se me Kosovën mund t’i arrijnë të gjitha qëllimet e tyre pa pasur nevojë që ta trajtojnë si shtet të pavarur. Edhe Serbia, për shkak se BE-ja dhe NATO-ja janë neutrale ndaj statusit, i mban gjallë iluzionet se statusi i Kosovës ende nuk është përfundimtar dhe se mund të arrijë edhe më shumë në të ardhmen, sidomos nëse dëshmohet se Kosova nuk do të bëhet shtet funksional dhe nëse Serbia ecë shumë më shpejt në procesin e integrimeve në BE. Kjo nuk është kurrsesi një situatë në të cilën kemi menduar se do ta shohim Kosovën shtatë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë së saj.

© KOHA Ditore

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...