Pa gjysmë shteti e me gjysmë populli

17 Shkurt 2015 - 08:33 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për vetëlavdërimin, mohimin dhe servilizmin si filozofi sundimi

Javën e shënoi arritja e një marrëveshjeje të cilën e kemi parë e nuk e kemi parë, për të cilën dimë diçka e nuk dimë asgjë, porse, që në fund, është parafuar nga dy, nga tre kryeministrat e Kosovës: ai nominali Mustafa dhe ai i treti Vuçiq. Kryeministri i Jashtëm kësaj radhe shërbeu si vëzhgues, krahas dostit të tij homolog, Daçiq.

Në ambientin tashmë të njohur për delegacionin kinez të Kosovës, kësaj radhe negociatat i moderoi shefja e re e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, italiania Mogherini. Nuk përtoi të dilte t’ia zgjaste dorën secilit anëtar të delegacionit kosovar, prezenca e të cilit u mbulua me flamurin e Evropës. Pra, në sallën ku bëheshin fotot për arkiv, ishin vendosur dy flamuj të Evropës dhe një i Serbisë – në emër të barazisë së palëve në negociata. Barazisë, sipas të cilës, njëra palë është shtet kandidat, e tjetra palë njëfarë krijese ndaj të cilit gati krejt dynjaja, e në rend të parë Evropa, ka status neutral dhe që për zbukurim e mban njëfarë fusnote që s’kishte pasur hiç antifriz, se s’ka dreq që e shkrin qe sa e sa muaj.

Vetëlavdërimi

Duke u mbështetur në fjalët që rrjedhin andej-këndej dhe në debatet e zhvilluara në Kuvend, copa e letrës e nënshkruar më 9/10 janar mbase do ta ketë fatin e kontratës me “Bechtel Enkan” që nuk e pamë kurrë, por e cila na tregoi në formë plastike se si është të mbetesh pa asnjë cent në qarkullim kur ndërton rrugë me para të gatshme – e kur e harxhon gati dyfishin e asaj që të kanë thënë se do të kushtojë rruga. Nejse. Çmimin që do ta paguajmë me këtë copë letre do të jetë me gjasë një pjesë e rëndësishme e sovranitetit me një shkelje masive të Kushtetutës dhe një diskriminim gjithëpërfshirës të të gjithëve, pos serbëve. Si në kohën e masave të dhunshme serbe, me dallimin që kësaj radhe diskriminimin e pranuam me nënshkrim të vullnetshëm.

Por, nëse i dëgjojmë Mustafën dhe Kuçin, si shef i dikasterit që merret me gjykatat, marrëveshje më të mirë s’kishim mundur të arrinim. Sipas tyre, në ato gjykata do të zbatohet ligji i zbatueshëm në Kosovë. Dhe, sipas tyre, janë ruajtur parimet sipas të cilave do ta kemi një gjykatë themelore me dy objekte për shtatë komuna, ku krejt punojnë së bashku, e ku rastet penale shkojnë në veri e ato civile në jug. Sipas asaj që e kanë thënë, numri i gjyqtarëve dhe i personelit administrativ do të jetë i përafërt me strukturën e popullsisë në këtë pjesë të Kosovës. Sipas kryeministrit, me funksionalizimin e kësaj marrëveshjeje duhet të shuhen të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në Serbi që i referohen territorit të Republikës së Kosovës, si dhe dokumentacioni gjyqësor, i cili ka qenë jashtë, duhet të kthehet në Gjykatën Themelore. Fare në fund, me Marrëveshjen, EULEX-it i janë dhënë kompetenca në fazën e transicionit për kalimin e lëndëve prej andej-këndej.

Mirëpo, pos faktit që negociatat në Bruksel u vazhduan pa marrë leje nga Kuvendi; se vazhduan pa ia paraqitur strategjinë se për çka do të bisedohet dhe cilat janë objektivat, flet për nivel jashtëzakonisht të ulët të transparencës. Dhe e dëshmon se thirrjet që u bënë nga të gjithë zyrtarët e pozitës kur ndodhën protestat që gjërat të diskutoheshin nëpër institucione, ishin demagogji e kulluar. Për shkak se jo vetëm këtu u shpërfill Kuvendi, porse ai shpërfillet në secilën seancë, ku qeveritarët kryesisht mungojnë dhe as nuk i dëgjojnë pyetjet, e as nuk japin përgjigje, por veç fjalë.

Përmbajtja e saj vërtet nuk është parë, porse nëse duhet mbështetur në atë që u tha në Kuvend, atëherë kemi të bëjmë me një ujdi absolutisht diskriminuese ndaj të gjithëve, pos serbëve. Ja pse. Marrëveshja taksativisht përcakton se të punësuarit nëpër gjykata e prokurori mund të jenë ose shqiptarë ose serbë, por jo edhe boshnjakë, turq, goranë, a kroatë a çka do... Te ne supozohet se ekziston tregu i lirë i punës, ku lëvizjet nuk janë të kufizuara dhe ku njerëzit mund të ndërrojnë vendbanim edhe nëse janë nga ndonjë komunë tjetër. Sipas kësaj marrëveshjeje, kjo nuk është e mundur.

Shqiptarët janë të diskriminuar edhe nëse del përnjëmend se palët janë marrë vesh të ketë gjithsej rreth 276 të punësuar (gjyqtarë, prokurorë, staf administrativ e profesional) prej të cilëve 154 do të jenë serbë e 122 do të jenë shqiptarë. Nëse kjo gjykatë do t’i përfshijë dy Mitrovicat, Skenderajn, Vushtrrinë, Zubin-Potokun, Leposaviqin dhe Zveçanin – diqysh nuk po më dalin hesapet. Sipas Regjistrimit të popullsisë, del se në komunat shqiptare ka 191 mijë banorë e në katër serbe 39 mijë. Dikush duhet me qenë matematikan i fortë për të na e shpjeguar “proporcionin e balancuar” të kësaj Marrëveshjeje.

Konstatimi në fund: anëtarët e delegacionit kinez të Kosovës mund të lavdërohen deri mbasnesër se na kanë shpëtuar me këtë marrëveshje, ani që e kanë shkelur Kushtetutën, porse atë që kanë arritur me këtë, është ta legalizojnë Serbinë si palë vendimmarrëse në gjyqësinë kosovare – sepse ashtu e thotë pika 9 e saj.

Mohimi

Ndërkohë, sistemi gjyqësor vetëm sa shkon e zbulon kalbjen përbrenda që e ka kapluar prejse iu vunë bazat në kohën e UNMIK-ut. Para dy ditësh gazeta raportoi se si prokurorja/koordinatorja nacionale antikorrupsion i kishte propozuar Gjykatës Supreme që ta lironte nga vuajtja e mëtejme e dënimit me burgim vëllanë e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, për shkak se ky po vuante nga hipertensioni dhe diabeti. Për më tepër, thuhet e këtë propozim e kishte përkrahur edhe prokurori i Prizrenit, që rastisi të ishte po i njëjti ushtrues detyre i kryeprokurorit të Kosovës.

Psenë e këtij veprimi do të duhej kërkuar te ambicia e prokurores Pula që të emërohet kryeprokurore e shtetit, se tjetër shpjegim zor se mund të ketë. Sepse ende e kemi të freskët mishmashin që ndodhi me rastin e pensionimit të kryeprokurorit Kabashi që donte t’ia linte postin me një vendim pak a shumë të kontrabanduar që u prish falë shkrimeve në “KOHA Ditore”. E se e gjithë procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit tashmë është bërë telenovelë e keqe që po flet më parë për luftën për pushtet, sesa për ndjekjen e kriminelëve që na e hëngrën shpirtin, nuk ka dyshim. Është situatë e mjerueshme që i lë qytetarët pa shpresë se gjërat do të lëvizin vendit për të mirë. Për më tepër, siç e thotë shakaja ironike që e dëgjova sot, shpresë nuk ka, se edhe ajo ka ikur në Hungari.

Drejtësia në Kosovë e ka prekur fundin duket. Ajo që kishte nisur si rezultat i kaosit të pasluftës u institucionalizua në atë që u njohë si mosndëshkim. Pra, shpëtimi i të fortëve nga drejtësia u bë jo vetëm falë mosndjekjes dhe moszbulimit të rasteve dhe të kryerësve, por edhe nga procedimi i pafund i lëndëve të tyre nëpër gjykata. Duke lënë hapësirë që ata, të cilët dyshohen se kanë udhëhequr organizata për të cilat edhe ka dëshmi se nuk i kanë pasur duart të pastra, tash nga foltorja e Kuvendit t’i mohojnë krimet. Ta mohojnë realitetin të cilin nëse nuk e kanë ndërtuar vetë, atëherë gjithsesi kanë ndikuar që të jetë i tillë çfarë është.

Në një këmbim jo fort të këndshëm në Kuvend me deputeten e LDK-së, familjares së një viktime të një atentati të pazbuluar qe 16 vjet, Mr. Kty, u përgjigj duke thënë se “Në Kosovë kanë vrarë serbët gjatë luftës...”. Në Kosovë kanë vrarë edhe shqiptarët, edhe gjatë luftës e edhe pas luftës, sepse këtë e ka vërtetuar madje edhe ky sistem disfuksional i drejtësisë, me ndihmën e gjykatësve ndërkombëtarë. Këtë e ka pranuar edhe një ish-pjesëtar i SHIK-ut që e ka pranuar se ka kryer vrasje, e ka edhe plot rrëfime të tjera që thonë se as shqiptarët nuk i kanë duart krejt të pastra. Ta mohosh një fakt të cilin e ka vërtetuar gjykata, nga kolltuku i kryeparlamentarit që e udhëheq organin që i përfaqëson të gjitha etnitë që kanë qenë apo kanë mundur të jenë viktima të krimit është ta mohosh realitetin të cilit i ke kontribuuar. Është demagogjike, është arrogante dhe është ofenduese për një popull që ka merituar më mirë se kaq.

Serviliteti

E tashmë shpesh e kemi përsëritur se Kosova e ka merituar një shef shteti më të mirë sesa Jahjagën. E cila edhe këtë javë mban me shumë merita epitetin e Mbretëreshës së Nepalit.

Pa spekuluar se a me vetiniciativë apo me udhëzim, Jahjaga nisi të dalë në terren javën e shkuar për t’i bindur njerëzit që të mos e braktisnin Kosovën. Shkoi në Podujevë, Ferizaj e Vushtrri, e mandej e bëri një pauzë gjatë vikendit. Supozoj për shkak se e shtuna dhe e diela nuk janë ditë pune. Më pas, doli sërish në terren, dhe shkoi në Gjilan. Atje e rrethuan, i folën, e kritikuan, iu ankuan. Ajo ua përmendi pavarësinë, e këta iu përgjigjën me pyetje: “A hahet Pavarësia?”. Në fund, e dha një deklaratë para medieve: “Rruga e ikjes nuk është rrugë e mirë, nuk është rrugë e sigurt dhe ata duhet të rrinë në Kosovë, e ardhmja e tyre është këtu dhe së bashku me të gjitha institucionet edhe ato lokale edhe ato qendrore që të vazhdojnë në proceset e mëtutjeshme të shtetndërtimit tonë, sepse vetëm së bashku mund ta arrijmë synimin tonë kryesor që është i integrimeve euroatlantike”.

Me keqardhje kryetare, synimi ynë kryesor është me e pasë një jetë normale në një shtet normal, funksional dhe të mëvetësishëm ku nuk do të varemi përjetë nga instruksionet që do të na i japin të huajt. Dhe ku nuk do të na vjedhin e rrejnë secilën ditë të lume. Dhe ku nuk do të kemi udhëheqës politikë që satisfaksionin e vetëm e kanë kur ndonjë zyrtar amerikan i lavdëron, për shembull, për “lidershipin dhe udhëheqjen e gjithë procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike, që çoi në zgjidhjen e krizës institucionale dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës” – sepse thonë, ja Amerika po thotë se kemi vepruar drejt.

Lëre që nuk keni vepruar drejt, por për shkak se nuk e keni kaçikun për të vendosur vetë, për të menduar me mendjen tuaj, e për të vepruar si është më së miri se nuk kanë si t’ju shantazhojnë për asgjë, është se e kemi një Qeveri të padëshiruar; e kemi humnerën ekonomike; e kemi ikjen masive të njerëzve; e kemi sakrifikimin e një shtetësie të brishtë për hir të ruajtjes së stabilitetit të rajonit dhe për hir të dëshmimit botës se Kosova është “success story” (rrëfim suksesi). Se investimi i të huajve në ne ia ka vlejtur. Ani që mbetëm me gjysmë shteti e pa gjysmën e popullit.

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...