Vlerat e antivlerat

26 Mars 2014 - 09:52 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për njerëzit që duhet të presin që historia t’ua njohë vlerat, dhe njerëzit të cilët vlerat e tyre i gjejnë te rrena, mbrojtja e krimit dhe mashtrimi...

 

Sërish vjen marsi! Kjo ishte bërë motoja kosovare që nga demonstratat e viti 1981. Dhe prej atëherë, ky doli të ishte muaji që regjistroi tronditjet dhe ngjarjet sa tragjike aq edhe më domethënëse që e ndërruan rrjedhën e historisë bashkëkohore të vendit tonë. E kjo nuk ishte çështje rastësie – marsi, si muaji kur nis pranvera, e kishte domethënien e muajit në të cilin përfundonte dimri dhe pauza tre-katërmujore e së cilës ishte shfrytëzuar për mbushjen e baterive, pavarësisht aktivitetit që përgatitej. Nejse. Në këta tridhjetë e kusur vjet, do të jenë disa marse që i kam veçuar e që sipas peshës që kanë pasur në jetën time, dhe e besoj edhe të shumëkujt tjetër, kanë qenë të pamundur të mos mbaheshin mend.

Për të mos shkuar shumë larg, nisi me marsin e 1989, që shënoi rrënimin e autonomisë dhe okupimin më të vrazhdë të mundshëm të Kosovës nga ana e Serbisë; në mars 1992, u themelua Shërbimi Shëndetësor i SHHB “Nëna Terezë”; në mars 1997, u botua numri i parë i gazetës “KOHA Ditore”; në mars 1998, ndodhën masakra e Prekazit dhe demonstratat më masive që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovë; në mars 1999, u nënshkrua Marrëveshja e Rambouilletsë, nisi bombardimi i NATO-s që e shpëtoi Kosovën e shumë kosovarë nga zhdukja dhe serbët shkaktuan masakrat më të mëdha dhe gjakatare të luftës në Kosovë; në mars të 2004-s ndodhën trazirat që ai që i ka organizuar e di pse i ka bërë, e të cilave ne ende po ua vuajmë pasojat; në mars të 2007, Ahtisaari e paraqiti planin e tij, i cili u bë baza për Shpalljen e Pavarësisë; në mars 2010, nisën procedurat e para të EULEX-it kundër zyrtarëve politikë të akuzuar për korrupsion, e që ende nuk kanë përfunduar; në mars të 2011, nisën negociatat me Serbinë, pa mbështetjen e Kuvendit, pa koncept e pa ide...

Vlerat

Marsi për mua ka një rëndësi të veçantë, ngase e shënon edhe muajin kur jam lindur, por edhe muajin kur janë shuar dy njerëz të jashtëzakonshëm, në distancë prej pesëmbëdhjetë vjetësh, e që për këtë “Kosovë martire”, siç e quanin që të dy duke u tallur me patetikën që jo rrallë herë na karakterizon si popull, kanë qenë njerëz me vlerë të madhe.

Njëri nga ta, mbase avokati më i mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë: Bajram Kelmendi – një mendje e ndritur, një inteligjencë e jashtëzakonshme, një njohuri e thellë jo vetëm e profesionit të cilin e ka kultivuar me vite. Fashistët serbë ia shuan jetën kur ishte vetëm 62 vjeç.

Tjetri, miku im i afërt dhe njeriu që dha ama bash gjithçka për popullin e vet: Dr. Gani Demolli, të cilit, ironia e jetës e do ashtu, ia shoi jetën sëmundja – atë që ua kishte shëruar të tjerëve gjatë gjithë punës së tij katërdhjetëvjeçare.

Derisa Bajrami nuk e arriti as pensionin, Ganiu nuk e shijoi as muajin e parë të qenit pensionist.

Vdekja e tyre tashmë është fakt të cilin nuk mund ta kthejmë prapa. Është një humbje të cilën vetëm mund ta vajtojmë. Porse na kanë lënë një trashëgimi me të cilën duhet të krenohemi. Për më tepër, që kemi për obligim t’ua përcjellim tutje brezave të tjerë, të atyre që jo si këta që tash pretendojnë se i dinë të gjitha dhe se historia nis me ta, që do të dinë të dallojnë se çfarë është vlerë e kësaj shoqërie, dhe si duhet ruajtur dhe kultivuar ajo.

Antivlera 1

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë dalin në pah antivlerat e personalizuara të kësaj “Kosove martire”. Dhe këta kryesisht janë personalitete që i kanë zënë kolltukët qeveritarë dhe që për ideologji primare udhëheqëse e kanë rrenën. Se sa janë mësuar me këso mënyre të komunikimit, dhe sa normale iu duket kjo, për shkak se e dinë se kungulli ende po iu ecën mbi ujë, e dëshmojnë tri deklarata të njëpasnjëshme nga ministri i Jashtëm, zëvendëskryeministrja dhe kryeministri lidhur me zgjedhjet serbe që u mbajtën, por nuk u mbajtën në Kosovë, të dielën e shkuar:

“Komuniteti serb ka të drejtë vote për shkak të së drejtës së dyshtetësisë, por ju e dini që në Kosovë nuk ka zgjedhje të Serbisë. Ka qendra grumbulluese nga OSBE-ja, të cilat e bëjnë grumbullimin e materialit votues. Përtej këtij interpretimi, çdo gjë që thonë është përtej përshkrimit të realitetit në Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

"Sa i takon zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, qëndrimi është i qartë dhe i prerë që në asnjë mënyrë nuk do të organizohen zgjedhje në territorin e Kosovës", ka thënë Tahiri.

“Me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës qytetarët e Kosovës e kanë të drejtën e dyshtetësisë dhe kjo e drejtë duhet të respektohet për të gjithë pa dallim, Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, me lejoni gjithashtu që të ftoj qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që të participojnë në jetën demokratike, të participojnë në proceset elektorale dhe t`i zgjedhin njerëzit e tyre për t`i përfaqësuar”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Zgjedhje të Serbisë në Kosovë pati dhe mirë bile. Qendrat grumbulluese që i kishte themeluar OSBE-ja, ishte evidente nga pamjet në televizion, se nuk shërbenin për grumbullimin as të vezëve e as të qumështit. Shërbenin si vendvotime, me lista zgjedhore, me fletëvotime, me kuti votimi, me flamuj serbë e çka të doni. Pra, nëpërmjet mjetit të quajtur OSBE, Serbia organizoi zgjedhje në Kosovë; Serbia mbajti zgjedhje në Kosovë dhe i legjitimoi listat zgjedhore serbe, në të cilat me gjasë figurojnë edhe emrat e shqiptarëve, për shkak se tashmë e dimë se origjinalet e librave amzë të lindjeve të kosovarëve janë në Serbi. Pra, sipas nevojës, neve herë do të na bëjnë shtetas serbë e herë kosovarë... me aminin e qeveritarëve tanë.

Arsyetimi i OSBE-së se ligji zgjedhor i Serbisë nuk e njeh votimin me postë, ama bash nuk pi ujë. Në çastin kur është hapur Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Prishtinë, dhe është emëruar diplomati serb për ta udhëhequr, Serbia është bërë me përfaqësi diplomatike, ku është dashur të organizoheshin zgjedhjet për ata që kanë shtetësi të dyfishtë. I gjithë ky përshkrim mbështetet në atë që është thënë që nga maji a qershori i vjetëm në lidhje me këtë zyre dhe me atë tonën në Beograd. Natyrisht, mbase nuk duhet komentuar se këto deklarata kanë ardhur nga postet më të larta qeveritare të Kosovës. Pra, sipas kësaj po del se edhe atë që na e kanë thënë, paska qenë rrenë.

Pra, rrena është vlerë e këtij pushteti.

Antivlera 2

Rrenë është edhe ndershmëria dhe morali në të cilët thirren zyrtarët politikë që e udhëheqin Prizrenin, me në krye kryetarin e vetëpezulluar Ramadan Muja. Shkelësi i ligjit, sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, refuzon të japë dorëheqjen, bile për shkaqe morale, tash i merr dy vendime të kundërligjshme: më së pari e pezullon veten nga funksioni në të cilin është zgjedhur në zgjedhje, kësaj radhe po thonë të pavjedhura, por të dakorduara. Më pas e emëron një zëvendësues si ushtrues detyre a qashtu diçka, në kundërshtim me ligin.

Pra, si duhet interpretuar tash këtë situatë të re. Nëse ai veten e ka pezulluar, mbase është se e ka shpallur veten të paaftë për ta kryer punën për të cilën është zgjedhur, që me automatizëm nënkupton shuarjen e mandatit të tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Jerusalem tu Kosovës.

E se Muja do të ballafaqohej me gjyqin në kohën e zgjedhjeve e kanë ditur të gjithë, e megjithatë, duke e ditur rrezikun se mund të mbarojë prapa grilave, e kanë lënë kandidat për kryetar. Duke ditur se organizimi i sërishëm i zgjedhjeve do t’i kushtojë para të buxhetit të Kosovës, pra do t’i harxhonim taksat tona në hiret e një partie që e ka gjetur një njeri të moshuar të paaftë për t’u thënë “jo” urdhrave të shefit të vet.

Dhe në vend se të dëshmojë se partia e tij nuk ka çfarë humb nëse Muja edhe jep dorëheqjen, ngase i thotë vetes lider me vizion që do të na shpjerë në Evropë, shefi i kësaj Qeverie, nëpërmjet piunëve të vet i nis forcat speciale kundër protestuesve, duke e përdorur të njëjtën taktikë sikur te protestat para Rektoratit. Por kësaj radhe vepron pak më mençur: ata që i arreston, i liron si me kusht, si me njëfarë gjobe, por nuk i mban në paraburgim 48-orësh e as nuk i akuzon për vepër të rëndë penale, për të cilën mund të dënohen me nga 10 vjet burgim.

Dhe për çka i nis këto forca: për ta mbrojtur mashtruesin, i cili ka aktgjykim gjyqësor, ani që ende të paplotfuqishëm.

Mbrojtja e krimit, qoftë edhe të pretenduar, është vlerë e këtij pushteti.


Antivlera 3

Vlerë për këtë pushtet është edhe keqpërdorimi i fëmijëve tashmë të përmendur javën e shkuar, që u plotësua me vizitën edhe më neveritëse Repartit të Onkologjisë së fëmijëve, ku pa kurrfarë kontrolli kryeministri shihej duke i përqafuar fëmijët e sëmurë – pa u ndalur së menduari në mos është bartës aksidental i ndonjë virusi që mund t’ua keqësojë gjendjen fëmijëve edhe më.

Marrja e pozave vetëm për nevoja të xhirimit të kamerave, pa thënë asgjë substanciale dhe pa e komentuar madje as epideminë e gripit të derrave që e mori viktimën e katërt pardje, e që në QKUK trajtohet me preparate të cilave u ka skaduar afati, bëhet vetëm sa edhe më neveritëse.

Të shfaqësh këso lloj papërgjegjësie, të vazhdosh të zgërdhihesh për inat të kritikuesve dhe të premtosh gjëra që nuk do t’i plotësosh për shkak se je “pshtjellan”, dhe për shkak se me qëllim nuk i tregon gjërat qartë pa pasur nevojë të mashtrosh: kjo është vlerë e këtij pushteti. Se sa më shumë mashtron, aq më i fuqishëm je, në këtë “Kosovë martire”.

Nuk kanë pasur faj serbët kur para luftës thoshin se po qe se pushtetet do të ndërroheshin në Kosovë, fuqinë do ta mbanin në dorë jo ata shqiptarë të fuqishëm në tru, por në tinëzari e kapadaillëk. Se kështu, vështirë se do të bëhej Kosova shtet i mirëfilltë.

Dhe ja ku jemi sot, gjashtë vjet pas – të udhëhequr nga njerëz që ia donë të mirën vetëm vetvetes. Vlerë se jo mahi!

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...