Orli serb mbi gjakun e pafajshëm të shqiptarëve

12 Shkurt 2015 - 08:44 - Enver Robelli      

Në kohën kur ngrihen dyshime të reja kundër shefit të armatës serbe për krime të luftës në Kosovë, presidenti i Serbisë e dekoron gjeneralin Lubisha Dikoviq me “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”. Bashkimi Evropian me sa duket do të gëlltitë edhe këtë provokim dhe fyerje të viktimave shqiptare nga ana e ish-çetnikut Tomislav Nikoliq. E Kosova?

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), një organizatë për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Ballkan, ka botuar së fundi një raport prej 50 faqesh, ku përshkruhen vrasjet dhe veprimet e tjera çnjerëzore të Armatës së Republikës Federale të Jugosllavisë në katër fshatra kosovare mes datës 5 prill dhe 27 maj 1999. Gjatë kësaj periudhe NATO-ja kishte sulmuar nga ajri forcat jugosllave, në fakt serbe. Hulumtimet e kryera nga specialistët e Fondit për të Drejtën Humanitare, dokumentet ushtarake të siguruara, deklaratat e dëshmitarëve dhe të dhëna të tjera tregojnë se fshatrat e goditura nga dhuna e shfrenuar shtetërore kanë qenë në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 37-të të Motorizuar të Armatës jugosllave. Brigadën në fjalë atëbotë e kishte komanduar Lubisha Dikoviq, i cili ndërkohë mban gradën e gjeneralit dhe është shef i Armatës së Republikës së Serbisë që nga viti 2011. Akuzat kundër Dikoviqit janë mjaft konkrete: drejtoresha e FDH-së, Sandra Orloviq, deklaroi se “dëshmitë tona të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve dhe në dokumentet e Tribunalit të Hagës tregojnë për pjesëmarrjen e kësaj njësie në sulme dhe më vonë në transportimin e kufomave” nga Kosova në varreza masive në Serbi. Kufomat e 47 viktimave janë gjetur vitin e kaluar në varrezën masive në gurthyesin “Rudnica” afër Rashkës, pak përtej kufirit verior të Kosovës me Serbinë.

Deri më tani në Serbi janë gjetur trupat e mbi 900 shqiptarëve të vrarë gjatë konfliktit dhe luftës në fund të viteve 90-të. Vetëm një oficer i lartë serb, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, është dënuar nga Tribunali i Hagës me 18 vjet burg për transportimin e kufomave në Serbi. Drejtësia serbe, ndërkaq, nuk e ka akuzuar askënd tjetër për këtë krim, ndonëse zhgroposja dhe transportimi i aq shumë kufomave, gjetja e lokacioneve për gropimin e tyre në Serbi nuk ka mundur të bëhet pa një zinxhir të gjatë komandues dhe logjistik. Fondi për të Drejtën Humanitare në një kumtesë ka kritikuar Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Beograd se akuzave kundër gjeneralit Dikoviq iu ka qasur me “joprofesionalizëm” dhe duke pasur parasysh “interesat kombëtare”. Me fjalë të tjera: me gjithë dyshimet se Dikoviq mund t’i ketë duart e njollosura me gjak të viktimave civile shqiptare, drejtësia serbe, nën ndikimin e politikës, e ka shpëtuar atë nga ndjekja penale.

Pas publikimit të akuzave të Fondit për të Drejtën Humanitare politikanët qeveritarë serbë reaguan si përherë: me kundërakuza dhe përpjekje për të njollosur drejtuesit e FDH-së, sidomos themeluesen Natasha Kandiq dhe drejtoreshën aktuale, Sandra Orloviq. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, kryeministri impulsiv Aleksandar Vuçiq dhe eksponentë të tjerë të pushtetit fajësuan FDH-në se nëpërmjet raportit mbi varrin masiv “Rudnica” po përpiqet të dëmtojë imazhin e Republikës së Serbisë dhe ushtrisë së saj. Në të vërtetë, autoritetet serbe me vite të tëra kanë injoruar informacionet se afër Rashkës mund të jenë të fshehur dhjetëra viktima shqiptare. Ka disa muaj që drejtësia serbe dhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) po hetojnë së bashku rrethanat e transportimit të kufomave në Serbi. Por Fondi për të Drejtën Humanitare ka theksuar se hetimet po zgjasin tepër. EULEX-i, ndërkaq, nuk është dëgjuar, me siguri për të mos prishur idilin e rrejshëm të “bashkëpunimit rajonal”.

Porse çfarë qëndrimi mban Serbia zyrtare ndaj krimeve të luftës dhe ndjekjes së të dyshuarve për krime lufte më së qarti e demonstroi presidenti Tomislav Nikoliq. Gjatë fundjavës mediet e Beogradit njoftuan se Nikoliq e ka dekoruar me “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë” shefin e ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq. Kjo dekoratë e lartë Dikoviqit do t’i jepet më 15 shkurt, në ditën e shtetësisë së Serbisë. Pra, edhe pak ditë shqiponja e bardhë serbe do t’i bjerë me sqepin e saj të mprehtë gjakut të pafajshëm të shqiptarëve të vrarë nga ushtria serbe, nga forcat policore dhe paramilitare në vitin 1999. Duke i dhënë këtë dekoratë një gjenerali të dyshuar për krime lufte presidenti serb, Nikoliq, u ka rënë me shkelm për të satën herë të gjitha vlerave evropiane, të cilat Serbia i aspiron në mënyrë deklarative, por në thelb politika shtetërore serbe mbetet hegjemoniste, mbrojtëse e kriminelëve të luftës dhe manipuluese e dëshmive për mizoritë e aparatit serb të sigurisë.

Mund të tingëllojë paradoksale, por gjenerali Dikoviq nuk ka mundur të marrë dekoratë nga një person më i duhur sesa nga Nikoliqi: edhe ky pjekës rakie është i dyshuar për krime lufte në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë dhe gjatë luftës në Bosnjë nga prijësi çetik Vojislav Sheshel ka marrë titullin “Vojvodë i çetnikëve”, por Nikoliq nuk është hetuar kurrë nga drejtësia ndërkombëtare, madje shtetet perëndimore e kanë pranuar zgjedhjen e tij si zhvillim normal demokratik. Bashkimi Evropian me sa duket do të gëlltitë edhe provokimin dhe fyerjen e viktimave shqiptare nga ana e ish-çetnikut Tomislav Nikoliq.

E Kosova? Përfaqësuesit e saj të lartë politikë në raport me Serbinë sillen jo si mbrojtës të interesave të Kosovës, por si ndërtues të karrierave personale, duke shpresuar se sa më shumë koncesione që i bëjnë Serbisë në Bruksel, aq më intensive do të jenë rrahjet e supeve nga ana e burokratëve të BE-së. Që nga viti 1999 të gjitha qeveritë e Kosovës çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës, për shembull, e kanë trajtuar si sekondare. Andaj nuk është për t’u befasuar që sot të dhënat e vetme serioze për krimet e luftës në Kosovë janë mbledhur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe pjesërisht nga Tribunali i Hagës, derisa titullarët e institucioneve tona janë marrë ose me plaçkitje të vendit, ose me fshehje të gjurmëve të krimeve që i kanë kryer vetë – madje kundër bashkëkombësve të tyre në luftën perverse për pushtet. Njëkohësisht nuk është befasi e madhe që sa herë që duket sheshazi dështimi i institucioneve të Kosovës në hulumtimin e krimeve të luftës, aktivizohen qatipët e pushtetit të Hashim Thaçit dhe paralajmërojnë aktivitete të ngjeshura juridike kundër Serbisë. Kjo bëhet sa për t’i hedhur hi syve opinionit dhe sidomos familjarëve të viktimave.

Po të kishim pushtet serioz politik bisedimet e së hënës me palën serbe në Bruksel do të duhej të anuloheshin si shenjë proteste kundër dekorimit të gjeneralit Dikoviq. Por, me sa duket, krerët kosovarë ende preferojnë që në Bruksel të simulojnë “vlera evropiane” derisa Beogradi edhe duke e dekoruar një gjeneral të dyshuar për krime lufte vazhdon rrugëtimin drejt BE-së – derisa prej vitesh saboton dhe minon shtetin e Kosovës dhe toleron (në mos edhe mbështet) ikjen masive të shqiptarëve nga Kosova. Në të njëjtën kohë në mediet perëndimore sidomos këto ditë po skicohet imazhi i Kosovës si shtet i dështuar, qytetarët e të cilit po ikin nga një pseudoelitë që deri më tani program të vetëm qeveritar e ka pasur keqpërdorimin e lirisë, plaçkitjen e vendit dhe mbytjen e shpresës te shtresat e gjera të popullsisë.

Shumë shqiptarë kanë vendosur t’ua lëshojnë rrugën keqbërësve shumëvjeçarë në krye të shtetit pasi e kanë parë se ata me vite të tëra ia kanë lëshuar rrugën Serbisë të rikthehet në Kosovë – dhe këtë e kanë bërë duke e përshkruar si “proces të integrimeve evropiane”. Kjo agjendë e dëmshme për Kosovën ka gjetur mbështetje edhe nga EULEX-i dhe sidomos dy gjeneralët francezë, të cilët si shefa të misionit evropian për sundim të ligjit shpenzuan gati një miliard euro nga buxheti i BE-së në emër të shtetndërtimit. Në fakt ata po hyjnë në histori si shtet-shkatërrues, bashkë me urdhërdhënësit e tyre cinikë në Bruksel. Krerët e Kosovës deri më sot as nuk kanë protestuar kundër dekorimit të gjeneralit Dikoviq, madje më herët e kanë toleruar edhe ardhjen e tij në Prishtinë për t’u takuar me komandantë të KFOR-it, ku është biseduar mbi situatën e sigurisë në “Kosovë e Metohi”.

robelli@bluewin.ch

© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...