Kosova nuk e ka luksin ta ketë prioritet dialogun me Beogradin

11 Shkurt 2015 - 08:31 - Augustin Palokaj      

Është thënë se dialogu do ta “lehtësojë” jetën e kosovarëve dhe do të sjellë ndryshime praktike për ta. Duket se ndër “lehtësimet” e rralla praktike është mundësia që të shkojnë më lehtë nga Prishtina përmes Beogradit deri në Suboticë nga kalojnë ilegalisht kufirin me Hungarinë. Për shkak të dialogut dhe në emër të një “integrimi” imagjinar evropian elitat politike në Kosovë kanë neglizhuar të gjitha problemet tjera me të cilat përballet Qeveria. Aq ka probleme në Kosovë, saqë në këtë moment duket si luks i tepruar që dialogu me Serbinë dhe integrimet evropiane të jenë prioritet i Qeverisë.

Gjithçka do të jetë njëjtë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë apo siç e quajnë në Bruksel “mes Beogradit dhe Prishtinës” për të mos përmendur Kosovën, të cilën BE-ja nuk e trajton si shtet dhe në disa raste e përfshin në harta edhe si territor të Serbisë. Nga ana e Brukselit duket se nuk do të ketë ndryshime në qasje, sepse besohet se dialogu ka qenë aq i suksesshëm deri tash, prandaj nuk ka nevojë të bëhen ndryshime nëse gjërat kanë shkuar aq mirë. Nga ana e Serbisë nuk do të ketë ndryshime, sepse personi kryesor do të jetë Aleksandar Vuçiq, tash kryeministër i Serbisë, por që ka qenë personi kryesor edhe kur ishte zëvendëskryeministër e kur shef formal ishte Ivica Daçiq. As në qasjen e Serbisë nuk do të ketë ndryshime, sepse për ta dialogu ishte i suksesshëm, ata lëviznin në procesin e integrimeve evropiane, duke bërë lëshime minimale në dialog e në të njëjtën kohë u garantohej nga BE-ja se nuk kanë nevojë të heqin dorë nga qëndrimi i tyre kundërshtues ndaj statusit të Kosovës. Dhe ata sa herë që arrihej një marrëveshje nisnin negociatat për implementimin e saj dhe atëherë prapë negociohej për negociatat. Dhe BE-ja sa herë që duhej të lëvizte Serbia përpara, bënte raporte për “përparimin e mrekullueshëm të Serbisë në implementimin e marrëveshjes nga dialogu”.

Nga ana e Kosovës ndryshimi më i madh do të jetë në rritjen e numrit të atyre që do të përfshihen në dialog. Edhe pse ministër i Jashtëm personi kryesor do të mbetet Hashim Thaçi. Ai do të jetë i pranishëm në dialog edhe kësaj radhe “për të siguruar kontinuitet” nga njëra anë dhe, siç pranojnë në Bruksel, për të siguruar se edhe ish-shefat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të pranishëm në dialog. “Ka qenë një koincidencë e mirë se kemi pasur njerëzit që dikur kishin luftuar kundër njëri-tjetrit, Thaçi si ish-udhëheqës i UÇK-së dhe Daçiq si pjesëtar i administratës së atëhershme të Milosheviqit. Ata kanë mundur të bëjnë kompromise dhe të mos mund t’i quajnë tradhtarë” është mendim që shpesh dëgjohet në Bruksel. I vetmi ndryshim formal do të jetë Isa Mustafa, i cili formalisht do të përfaqësojë Kosovën në takimet e nivelit të lartë në dialog. Por rolin kryesor, pos Thaçit, do ta ketë edhe Edita Tahiri, aq e pashmangshme në dialog, saqë tash është bërë edhe me titull “ministre për Dialog”. Pritet që në njëfarë mënyre në dialog të jetë i përfshirë edhe Blerim Shala, padyshim person i cili me përvojën e tij mund të kontribuojë shumë, por për të cilin, thënë sinqerisht, askush nuk e di se çfarë kishte bërë deri tash dhe mes kujt kishte koordinuar në cilësinë e “koordinatorit politik”. Ai shumë pak është parë në takime të dialogut në Bruksel, por nganjëherë e kanë lënë të jetë në takime sa për t’u fotografuar dhe që ato foto t’i tregohen Ramush Haradinajt dhe AAK-së, e cila fitonte përshtypjen se në dialog e ka njeriun e saj. Edhe sot në Bruksel dhe në kryeqytetet e BE-së Blerim Shalën e njohin më shumë për shkak të së kaluarës së tij si pjesëmarrës në shumë procese sesa për ndonjë rol që ai ka pasur në dialog.

Në Bruksel na thuhet se edhe skenarët e takimeve do të jenë të njëjtë. Përfaqësuesja e lartë, Mogherini, siç kishte bërë edhe paraardhësja e saj, Ashton, do të takojë së pari njërën palë, pastaj tjetrën dhe pastaj do të organizojë takim të përbashkët mes palëve. Dhe në fund kur secila palë t’i ketë dhënë deklaratat e saj për dialogun, shpesh krejt në mënyra të kundërta, BE-ja do ta lëshojë një komunikatë qëllimisht të paqartë ku do të konstatojë se janë takuar, kanë biseduar dhe do të takohen në takimin e radhës. Sikur edhe më parë pala kosovare nuk ka ndryshuar qasjen e mëparshme që së pari shkon në dialog dhe bën kompromise e pastaj në Kuvend kërkon dhe fiton mbështetjen, shpesh me ndihmën e “miqve ndërkombëtarë” pa kërkesat e të cilëve opozita nuk i mbështeste kompromiset e dialogut, por pas secilës deklaratë të ndonjë ambasade pajtoheshin me to.

Nuk ka dyshim se për BE-në dialogu është prioritet në angazhimin e saj në Kosovë. Nuk ka dyshim se dialogu është mënyra më e mirë e normalizimit të raporteve mes vendeve, popujve dhe shoqërive që kanë dalë nga konflikti dhe duan të jetojnë në paqe. Dhe dialogun si të tillë nuk mund ta kundërshtojë askush me logjikë të shëndoshë sikur ai të ishte i përgatitur mirë dhe i udhëhequr me vizion dhe përgjegjësi. Por ky dialog në rastin e Kosovës ka krijuar pa dyshim një status quo të re. E ka ngrirë procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e BE-së, sepse dialogu është shfrytëzuar kundër njohjes në mënyrë që BE-ja të jetë në pozicion të ndërmjetësojë. Në Bruksel e pranojnë se do ta kishin shumë të vështirë të ishin “lehtësues” të duhur të dialogut sikur të gjitha shtetet e BE-së ta kishin njohur Kosovën dhe BE-ja të ishte e obliguar që Kosovën ta trajtonte sikur shtet sovran, siç i trajton shtetet e tjera të rajonit. Beogradi në ato rrethana, mendojnë në Bruksel, nuk do të ishte aq i gatshëm ta pranonte BE-në si ndërmjetësuese. Kjo shihet përmes “fjollës së borës” së Edita Tahirit, apo asteriksit mbi emrin e Kosovës dhe fusnotës famëkeqe që mbeti njollë e kurrsesi të shkrihet tash e sa vjet.

Dhe prapë mbeten edhe të njëjtat arsyetime pse Kosova do të jetë “konstruktive” në dialog e ato janë: “Kështu kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtarë”, se dialogu “është i sponsorizuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe se “ky është një obligim ndërkombëtar i Kosovës, i cili i hap dhe garanton rrugën e integrimeve evropiane Kosovës”.

Problemi për Kosovën qëndron në faktin se shumë energji, njerëz dhe vëmendje ka marrë dialogu. Gjithçka tjetër në Kosovë ka mbetur në hijen e dialogut. Madje BE-ja ka lejuar edhe shkelje të parimeve kryesore demokratike vetëm për të mos e dëmtuar dialogun. Është thënë se dialogu do ta “lehtësojë” jetën e kosovarëve dhe do të sjellë ndryshime praktike për ta. Duket se ndër “lehtësimet” e rralla praktike është mundësia që të shkojnë më lehtë nga Prishtina përmes Beogradit deri në Suboticë, nga kalojnë ilegalisht kufirin me Hungarinë. Për shkak të dialogut dhe në emër të një “integrimi” imagjinar evropian elitat politike në Kosovë kanë neglizhuar të gjitha problemet e tjera me të cilat përballet Qeveria. Aq ka probleme në Kosovë, saqë në këtë moment duket si luks i tepruar që dialogu me Serbinë dhe integrimet evropiane të jenë prioritet i Qeverisë.

Për prioritetet dihet se për të qenë të tilla duhet të jenë të pakta. Nëse përmendin shumë prioritete, atëherë ato nuk janë prioritete. Largimi aq i madh i qytetarëve të Kosovës, të cilët gjithsesi janë të dëshpëruar dhe kanë një hall të madh, sepse nuk do të iknin me fëmijë të vegjël në këtë dimër të ftohtë, tregon se sa alarmante është kriza sociale në Kosovë. Këto pamje të cilat kanë shokuar opinionin evropian sa edhe atë kosovar, dhe kanë ngritur në këmbë organet e disa shteteve të BE-së, dëshmojnë më së miri se progresi në Kosovë nuk ka qenë edhe aq i madh sa është dukur nga Brukseli apo nga deklaratat e ministrave kosovarë. Ata njerëz me siguri nuk ikin për shkak se nuk mund ta durojnë progresin aq të madh të Kosovës dhe përmirësimin aq të madh të jetës së tyre falë dialogut. Qeveria e Kosovës duhet t’i qaset dialogut me shumë më pak entuziazëm dhe t’ia bëjë të qartë edhe BE-së se ndonëse nuk do të tërhiqet nga dialogu, duhet të fokusohet në temat e tjera të shumta, sepse situata është dramatike në Kosovë.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...