Alarmi i gjeneratës “Counter Strike”

8 Shkurt 2015 - 08:08 - Valbona Mehmeti      

Vrima nga guri i hedhur në xhamin e katit të shtatë të ndërtesës së Qeverisë vazhdon të mbetet temë muhabetesh të përditshme kosovare. Iu bënë shumë analiza asaj dhe xhamave të thyer në protestën e para dy javëve.

Në rrjetet sociale qarkullojnë foto me vizatime e komente kush dhe si arriti ta hidhte gurin aq lart. Komentuesit janë të ndarë në dy grupe: të parët e konsiderojnë gurëgjuajtësin hero, të dytët shkatërrues të pasurisë publike. Përkrahësit konstatojnë se “heroi” i tyre duhet të ketë qenë një i ri protestues që ka pi “tamël katundi”. Sepse, sipas tyre, është e pamundur që një “sheherli” të ketë forcë ta hedhë gurin aq lart. Ka të atillë që propozojnë që shenjëtari anonim ta përfaqësojë Kosovën në gara olimpike!

Dikush madje ka bërë edhe një ndarje me shigjeta të kuqe në foton e ndërtesës së Qeverisë: gurët e “sheherlive” kanë arritur vetëm deri në dy tre katet e para, gurët e “katundarëve” në katet e larta.

Grupi i dytë, ai që gurëgjuajtësit i quan shkatërrues të pasurisë publike shan “rekordmenin” anonim dhe të gjithë të tjerët për thyerjet dhe shkatërrimet që bënë në protesta. “Kurrgjë s’keni mbrri... Jeni treguar egërsira... i keni çuar dëm paratë tona, sepse tash duhet të hapet tender për xhamat e rinj dhe qeveritarët do t’i mbushin xhepat”, janë konstatimet e tyre.

Pavarësisht hipotezave nëse është rritur me “tamël katundi” apo me "Nutella" protestuesi që theu rekordin e lartësisë së hedhjes së gurit në xhamat qeveritarë, ashtu si edhe të tjerët, nxjerri mllefin e akumuluar me vite atë ditë. Jo për “Trepçën”, as për Jablanoviqin.

Edhe revolta e zemërimi që u shpreh në formë edhe më të dhunshme në protestën pasuese nuk kishte të bënte aq me arsyet e thirrjes së protestës.

I pyetur nëse e di se përse po proteston një 17-vjeçar thoshte: “Për Trepçën dhe Jablanoviqin”. Kaq. Ai nuk ishte në gjendje te elaboronte më tej se çfarë po ndodhë me “Trepçën” apo me Jablanoviqin. Në moshën e tij ai as që do të duhej t’i dinte këto probleme. Por, si shumë bashkëmoshatarë të tij edhe atë e kishte kapluar euforia e turmës dhe kishte shfrytëzuar shansin të zbrazte energjinë negative të grumbulluar me vite në realitetin e hidhur që e jeton.

Protesta e 27 janarit që përfundoi me përleshje të përgjakshme ndërmjet protestuesve dhe policisë nxori në pah një brez të ri protestuesish.

Në fotot profesionale që Albani dhe Dritoni, dy fotoreporterët e gazetës, kanë bërë gjatë protestës nën gjithë presionin e gazit lotsjellës, të habisin pamjet ku protestuesit e rinj me aq ngulm e vendosmëri i kundërvihen me gurë e drunj policisë. Nuk i ndalnin as gazi lotsjellës as vrushkujt e ujit që hidhej mbi ta.

Në njërën nga fotot shihen dy të rinj gjersa përpiqen t’ia largojnë me shkopinj druri rrjetën e xhamave kamionetës së ujit. Edhe ia dalin ta heqin.

Një qytetar pjesëmarrës në protestë tregonte se si këta të rinj gjuanin me precizitet të frikshëm gurët dhe gjësendet mbi policët. Nuk i ndalnin as thirrjet e më të vjetërve që të ndalonin. Pas gjuajtjeve pasonte një “selfie”...

Ky brez i ri protestuesish në periudhën e luftës së armatosur me Serbinë ose ishin vogëlushë ose u lindën pas përfundimit të saj. Luftën e përjetuan vetëm virtualisht sidomos në videolojën e famshme ‘Counter Strike”. Kjo ishte një lojë shumë e popullarizuar para disa vitesh që të rinjtë kryesisht e luanin nëpër internet caffe.

Dhe në dy protestat e fundit që më shumë u panë si një revoltë e përgjithshme popullore “Counter Strike Generation” nxori në pah gjithë “përvojën” dhe “taktikat” luftarake të mësuara në lojërat bjerrakohëse. “Ringjalli” heronjtë e vet të dhunshëm.

Sikur “dhuna virtuale” të ishte shkaktari kryesor i mllefit të rinisë kosovare, gjithçka do të ishte më pak e dhimbshme. Janë shumë faktorë që e sollën atë në situatë të dëshpëruar që sot të shprehin revoltën ose duke protestuar në rrugë ose duke marrë rrugët e rrezikshme të arratisjes për në shtetet e Bashkimit Evropian.

Në radhë të parë, ky brez në mënyrë të pavetëdijshme “ripërjetoi” traumat e luftës dhe ankthet e patrajtuara të prindërve të tyre. Dhe jo vetëm këto. Ata çdo ditë përballen me përpjekjet gjigante të prindërve për mbijetesë në një vend ku papunësia prek pothuajse gjysmën e popullatës. Pasojat e këtyre përjetimeve ai natyrisht se nuk do t’i shprehë me fjalë. Do që të veprojë qoftë edhe duke u futur rrugëve kriminale.

Duke iu nënshtruar për pesëmbëdhjetë vjet një sistemi arsimor që e ka kthyer në eksperiment edukimin e nxënësve, kjo gjeneratë humbi çdo motiv për të ecur në hap me shkencën, artin e kulturën.

Asnjë qeveri e pasluftës nuk u angazhua seriozisht t’i ofrojë këtij brezi arsimim, aktivitete kulturore e argëtuese, hapësira rekreacioni ku do ta zbrazte energjinë rinore. Dhe tani Qeveria aktuale po përballet me pasojat e neglizhencës shumëvjeçare të “heronjve” të dhunshëm të videolojërave.

Në shkollat e fakultetet e Kosovës ende mësohet me metodat e vjetruara nga profesorë që me vite ligjërojnë teori të thata pa praktikë, që nuk përkojnë me zhvillimet e hovshme që përjeton bota. Ky sistem nuk i inkurajon as nxënësit, as studentët që të jenë aktivë, kreativë apo të jenë progresivë dhe kritikë në punën e tyre.

Revolta e rinisë shtohet edhe më shumë kur ajo e di se as kryerja e fakultetit në këtë sistem, kështu si është i kalbur deri në themel, nuk u mundëson atyre një vend të sigurt pune. Sepse nepotizmi dhe korrupsioni janë bërë imperativ kohe i shoqërisë kosovare.

Rinia kosovare ka qasje të bollshme në internet, por fatkeqësisht e shfrytëzon për të humbur kohë e jo për të përfituar njohuri të reja. Duke qenë e lidhur me botën virtualisht asaj i shtohen ëndrrat për të jetuar në një vend që u hap mundësitë për një jetë më të mirë në të ardhmen. Dhe ajo nuk zgjedh mënyra për të prekur ëndrrën. E shton presionin edhe te familja për të bërë ndryshimin.

Prandaj, këto ditë po na rikthehen pamjet e tmerrshme të eksodit, kësaj herë jo me trena e traktorë, por me autobusë që zbrazin Kosovën çdo natë pa presionin e dhunës policore, por me “bekimin” e heshtur të qeveritarëve.

Edhe protestat e dhunshme, edhe ikjet masive po dëshmojnë se pakënaqësia me shtetin ka arritur kulmin.

Me gjithë dëmet materiale dhe dhunën, me vendosmërinë e tyre protestuesit ia dolën të realizojnë një nga kërkesat, atë për largimin e ministrit Jablanoviq që fyeu një popull, duke ia mohuar tmerret e përjetuara të luftës. Sado që nuk e pranojnë pushtetarët, iu frikësuan presionit dhe mllefit protestues dhe u detyruan që ta largojnë ministrin për të shpëtuar karriget e veta qeveritare.

Xhami me vrimë në katin e shtatë të ndërtesës së Qeverisë nuk duhet të rregullohet. Duhet të lihet si kujtim i dhembshëm i një përpjekjeje për të ndryshuar gjërat. Ndërsa qeveritarëve aktualë do të duhej t’u shërbente si zile alarmi se nuk mund të luajnë më me dinjitetin e popullit. Ose duhet ta ndërrojnë qasjen injoruese ndaj problemeve reale të qytetarëve dhe t’ia kthejnë perspektivën dhe shpresat e humbura ose të largohen që andej.

Sepse një ditë mllefi nga keqqeverisja mund të rritet aq shumë sa nga gurët mund të mos pësojnë vetëm xhamat...

valbona@koha.net

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...