Saatchi & Thaçi dhe “vështruesi pasiv” Mustafa

5 Shkurt 2015 - 08:33 - Enver Robelli      

Imazhin e Kosovës e ka shkatërruar pushteti, jo shumica e qytetarëve. Andaj qytetarët e brengosur të Kosovës mund ta ndreqin imazhin e vendit të tyre nëpërmjet rezistencës paqësore deri në arritjen e ndryshimeve cilësore në politikë

Një ndër pjesët më teatrale dhe më groteske në skenën politike të pasluftës në Kosovë ishte konferenca për medie e mbajtur të martën e kaluar në ndërtesën e Qeverisë, pas demonstratës së organizuar nga partitë opozitare. Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa dolën para gazetarëve me fytyra të zbehura dhe pa kravata, por që të dy me këmisha të bardha dhe me kostume me ngjyra depresive. Para se të futeshin në sallë krerët e Qeverisë, lakenjtë e tyre përzgjodhën gazetarët të cilëve u lejohej të bënin pyetje. Kjo nuk ishte pamje e një shteti demokratik ku përfaqësuesit e tij më të lartë ballafaqohen me pyetje kritike, por një shfaqje me sharmin e konferencave për media në Korenë Veriore.

Thaçi dhe Mustafa nuk u morën me kërkesat e protestuesve, sado të diskutueshme të jenë ato. Hallin që të dy e patën te pushteti i tyre, duke akuzuar opozitën pa asnjë fakt se paskësh tentuar ta marrë drejtimin e shtetit me mjete jodemokratike. Me këtë vokabular të dy, Thaçi dhe Mustafa, dukeshin sikur po vinin nga një kurs për sundim të organizuar falas nga Nikola Gruevski, diktatori i vogël maqedonas. Paramendojeni sidomos Hashim Thaçin duke u brengosur për rendin demokratik dhe për imazhin e Kosovës derisa vetë është i dyshuar për krime të llojllojshme dhe korrupsion, i hetuar nga drejtësia ndërkombëtare, i quajtur në plot raporte “shef i mafisë në Kosovë”, i padëshiruar në shumë kancelari perëndimore, i akuzuar si organizator i vjedhjes së zgjedhjeve të vitit 2010, i përshkruar nga shërbimi sekret gjerman (BND) si urdhërdhënës vrasjesh të rivalëve politikë. Me këtë biografi politike Thaçi është vërtet shembull i ardhjes në pushtet me “mjete demokratike”.

Pikërisht për arsyet e mësipërme kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dikur thoshte, bërtiste, përbetohej se “LDK kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në”. Pikërisht për shkak të trashëgimisë së keqe politike të PDK-së, Mustafa më 4 qershor 2014, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, deklaronte: “Kjo qeverisje e ka ngufatur shtetin. E ka kapur shtetin. Ka lëshuar rrjetin e strukturave aq thellë nëpër tërë organizmin. Edhe në media, edhe në kompani publike, edhe në institucione qeveritare, edhe në agjenci, edhe në polici, edhe në prokurori, edhe në gjyqësi, dhe ne nuk do të bëjmë asgjë në qoftë se edhe më tutje vazhdojmë të qeverisim me ta, sepse ata do të qeverisin me rrjetin e tyre dhe ne do të jemi vështrues pasivë të kësaj qeverisjeje dhe ne s’mund të bëjmë ndryshime”.

Kjo analizë e Mustafës është ende e saktë, por e keqja është që ai me vullnetin e tij cinik dhe aventurier e ka marrë rolin e vështruesit pasiv në Qeveri. Andaj deklarata e tij të martën e kaluar se “në qoftë se qytetarët i shohin këto pamje dhe në qoftë se investitorët e jashtëm i shohin këto pamje, atëherë është vështirë të pritet që dikush do të vijë të investojë në Kosovë” tingëllon tejet e pabesueshme. Investitorët nga Kosova që nga viti 1999 i ka ndjekur klasa e papërgjegjshme politike, një klasë e përqendruar vetëm në pasurimin personal, familjar dhe klanor. Fundja, vetë Mustafa ka qenë në dy mandate kryetar i Prishtinës dhe nuk ka dhënë ndonjë shembull të prurjes së investitorëve nga bota e jashtme. Shembuj të sjelljes së investitorëve qytetarët po presin edhe nga Shpend Ahmeti derisa ditë të vlefshme të mandatit të tij po ikin.

Gurët që u hodhën rrugëve të Prishtinës të martën e kaluar drejtoheshin veçanërisht kundër qeverisjes së keqe shumëvjeçare. Imazhin e Kosovës në botë nuk e kanë shkatërruar gurëgjuajtësit, por e ka shkatërruar Saatchi & Saatchi dhe tenderi prej disa milionë eurosh i firmës Thaçi & Thaçi kinse për përmirësim imazhi. Rrjedhimisht, imazhin e Kosovës në botë e ndreq rezistenca aktive qytetare kundër politikanëve, të cilët që nga viti 1999 e njollosin Kosovën – duke e vjedhur dhe dëmtuar!
Mes regjimit të Thaçit dhe “vështruesit pasiv” (Isa Mustafa për Isa Mustafën) dhe gurëve kundër këtij regjimi – gjeneratat e humbura, të varfëruara dhe të poshtëruara të Kosovës do ta zgjedhin gurin. Por arma më efektive kundër këtij regjimi janë një kryengritje paqësore, angazhim mbarëpopullor, alternativa të reja politike.
Kjo përbërje parlamenti duhet ta miratojë themelimin e Gjykatës Speciale dhe pastaj të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të reja parlamentare. Në ato zgjedhje do ta pësojë më së keqi Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse nuk ndryshon radikalisht udhëheqja e saj. Aktualisht më së shumti qytetarë po largohen drejt Perëndimit nga bastionet e LDK-së, njëkohësisht këtë parti po e braktisin gjithnjë e më shumë votues, të cilët ose po u bashkohen partive opozitare (kryesisht “Vetëvendosjes”), ose nuk do të votojnë fare. Sa më gjatë që LDK-ja vazhdon të jetë patericë e Thaçit, aq më shumë do të rrezikojë madje edhe kalimin e pragut për në Parlament. Sa më shumë që LDK-ja vazhdon ta keqpërdorë besimin e votuesve të saj, aq më i ashpër do të jetë ndëshkimi në zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet parlamentare mund të jenë në interes të LDK-se nëse një udhëheqje e reformuar bëhet pjesë e vullnetit të përgjithshëm popullor për ndryshime. Një koalicion i madh shumëpartiak dhe vullnetmirë mund të sjellë ndryshime të rëndësishme politike në Kosovë. Por për këtë kërkohet mobilizim i madh qytetar. Ky mobilizim nuk mund të jetë produktiv nëse bazohet vetëm në deklaratën skandaloze të një ministri të minoritetit serb, pa marrë parasysh a quhet ai Jablanoviq apo ndryshe. Provokime të tilla mund të ketë edhe në atë ardhmen, por a mund dhe pse duhet të jetë katalizator mobilizimi i shumicës shqiptare vetëm diçka që ka të bëjë me serbët? Këtu më së shumti duhet të mësojë lëvizja “Vetëvendosje” si parti më dinamike, por shpeshherë edhe panevojshëm dogmatike.

Qytetarët e Kosovës duhet të mobilizohen për realizimin e interesit të tyre primar: e ky interes është shteti funksional. Shteti nuk do të bëhet funksional nëse largohet Jablanoviqi. Shteti mund të bëhet funksional dhe në shërbim të qytetarëve nëse protestohet kundër korrupsionit, krimit të organizuar, bandave politike të PDK-së, demagogëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, cinizmit të tyxharit politik Isa Mustafa. Pastaj nëse protestohet kundër atyre që gërryejnë buxhetin dhe bjeshkët e Kosovës, kundër mafiozëve të LDK-së që e kanë shkatërruar Prishtinën dhe janë bërë milionerë, kundër milicëve të SHIK-ut në Policinë e Kosovës, kundër prokurorëve që e mbrojnë krimin, kundër Sylë Hoxhës, kryeprokuror i Kosovës, që i shërbeu pushtetit të dhunshëm të Slobodan Milosheviqit, kundër mashtruesve që merren me gazetari, kundër Ramadan Mujës, kundër Xhabir Zharkut dhe partisë së xhabirëve, Partisë Demokratike të Kosovës, kundër bandës së instaluar në Gjykatën Kushtetuese, kundër negociatorëve që negociojnë fatin e Kosovës për interesat e tyre personale, kundër atyre që vjedhin KEK-un, kundër privatizimeve kriminale, kundër migrimit ilegal, plagës së rihapur të Kosovës.

robelli@bluewin.ch

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...