Deficiti demokratik i liderëve të Kosovës

4 Shkurt 2015 - 08:25 - Augustin Palokaj      

Me reagimet e tyre ndaj veprimeve të opozitës, me gjuhën fyese paranojake ndaj mediave kritike, me mungesën kronike për të pranuar çfarëdo përgjegjësie për problemet e shoqërisë dhe me tendencat për përdorimin e aparatit shtetëror dhe publik në shërbim të tyre personal dhe politik, nga policia e deri tek mediat, liderët e sotëm të Kosovës më shumë u ngjajnë liderëve me tendenca totalitare sesa që dëshmojnë “vlera evropiane” për të cilat flasin se kinse i përfaqësojnë

Demokracia në Kosovë është në krizë të vërtetë qëmoti. Ajo kurrsesi të zhvillohet drejt përqafimit të vlerave evropiane. Ajo as që kuptohet nga liderët e Kosovës, ndërsa “miqtë ndërkombëtarë” kanë prioritete të tjera në Kosovë për shkak të së cilave nuk kanë problem të mbështesin, kryesisht në heshtje e shpesh edhe në mënyrë aktive edhe veprime jodemokratike. Kosovarët nuk duhet të fajësojnë bashkësinë ndërkombëtare, as ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë, për problemet e tyre. Por është mirë të konstatohet se ata pikë së pari në Kosovë përfaqësojnë shtetet e tyre, dhe, nëse duke e bërë këtë, mund të bëjnë diçka të mirë edhe për qytetarët e Kosovës, aq më mirë. Nëse jo, kjo nuk është përgjegjësi e tyre. Ata nuk kanë mendim të mirë për politikanët e Kosovës, por punojnë me ta sepse nuk kanë me kë tjetër të punojnë. Dhe nuk u shkon keq puna. Sa më pak demokraci të ketë, sa më pak përgjegjësi dhe llogaridhënie demokratike, aq më lehtë e kanë që të bindin “partnerët” në Kosovë që të pranojnë kompromise. Dhe sa më pakë partnerë të ketë, aq më mirë, sepse është më lehtë për ta.

“Who is boss here?” (Kush është shefi këtu), është pyetja e parë që duan ta mësojnë ata që vijnë në Kosovë për të kryer punë dhe një qasje e tillë është normale shikuar nga parimet e menaxhmentit. E tash e sa vjet në Kosovë shef i padyshimtë është Hashim Thaçi, deri vonë kryeministër e tash “zëvendëskryeministër i parë” por që jo vetëm kosovarët, por edhe diplomatët e huaj e shohin si shef të Qeverisë. Ai edhe pse është ministër i Jashtëm bën vizita në Vushtrri, jep premtime për investime, mban konferenca për shtyp rreth protestave në Prishtinë. Është praktikisht edhe shef i Qeverisë, edhe urdhërdhënës i Kuvendit. “He can deliver” (Ai mund të kryejë punë) thonë për Thaçin diplomatët e huaj dhe me këtë shpjegojnë se pse për vite preferojnë pikërisht të punojnë me të e jo me ndonjë politikanë tjetër të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë mendojnë personalisht për Thaçin . Kështu është edhe tash, edhe pse shef formal i Qeverisë është Isa Mustafa. Të gjithë e dinë se Mustafa nuk është ai i cili vendos, por është Thaçi. Prandaj me kënaqësi kanë pranuar që në dialog edhe në takimin e parë në Bruksel, më 9 shkurt ,të vijë edhe Thaçi. “Kosova nuk është rasti i parë ku Qeverinë e udhëheq zëvendëskryeministri e jo ai që formalisht është kryeministër. Kemi pasur të njëjtin rast edhe me Serbinë. Kur formalisht kryeministër ishte Ivica Daçiq, ne kryenim punë me Aleksandër Vuçiqin. E dinim se Vuçiqi ishte shefi, edhe pse formalisht ishte zëvendëskryeministër”, kështu më thotë një diplomat i lartë evropian i cili, i pyetur se çfarë mendon për Isa Mustafën, thotë në anglisht “not impressed” (nuk jam i impresionuar) duke shtuar se Mustafa ia lë përshtypjen sikur të mos jetë shumë i interesuar për postin që ka.

Dhe vërtet nëse shikohet situata në Kosovë, Mustafa nuk e ka lehtë. Kur ai porosit qytetarët se “pushteti merret me vota”, atëherë e thotë një gjë parimisht të vërtetë, por ai postin që ka nuk e fitoi me vota, por me marrëveshje me Hashim Thaçin. Dhe edhe kjo dëshmon se në Kosovë Thaçi është shefi. Kur ai porosit se “debatet nuk bëhen në rrugë, por në Kuvend”, edhe këtu në parim ka të drejtë. Por si ai, si Thaçi Parlamentin e përdorin vetëm si makinë votuese e jo si një platformë për të dëgjuar mendimet e ndryshme. Madje Mustafa është dëshmuar si shumë jotolerant edhe ndaj vetë deputetëve të partisë së tij kur ata kanë shprehur ndonjë mendim ndryshe. Kur Mustafa dhe Thaçi thonë se “secili ka të drejtë të protestojë” me deklaratat e tjera të tyre sikur thonë se “secili ka të drejtë të protestojë, por jo kundër nesh”.

Kjo Qeveri e Kosovës në fillimin e saj nuk ka treguar shumë respekt për rregullat e demokracisë dhe llogaridhënies. Sa u përket premtimeve për vende të reja të punës, duket se të vetmet që i kanë krijuar janë ato në qeveri sipas kritereve politike.

Qeveria e Kosovës në parim është zgjedhur sipas rregullave të demokracisë, sepse e ka shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës. Por gjatë formimit të saj janë bërë disa pazare që e bëjnë të vështirë funksionimin e saj të duhur. Këtë e kanë kuptuar edhe “faktorët ndërkombëtarë”, të cilët tash po druajnë se mos po destabilizohet politikisht Kosova. Edhe pse kjo Qeveri ka mjaft vota në Kuvend, problem për bashkësinë ndërkombëtare është fakti se opozita është e bashkuar për momentin. Siç kam shkruar javën e shkuar për BE-në, gjithçka duhet të jetë në shërbim të dialogut e jo dialogu në shërbim të zgjidhjeve të problemeve. Prandaj fakti se AAK-ja dhe Nisma i janë bashkëngjitur “Vetëvendosjes” në protesta, shihet si rrezik potencial për dialogun. E dialogu është për BE-në prioritet e jo zhvillimi i demokracisë në Kosovë. Sikur Kosova të ishte më afër integrimeve evropiane, atëherë do t’u interesonte më shumë demokracia, por Kosova është aq larg saqë nuk ia vlen të mendohet shumë për respektimin e parimeve, të cilat i ka për vete dhe shtetet e saja anëtare BE-ja.

Kështu rinisja e dialogut vjen në një kohë jo aq të mirë. Më parë Thaçi kishte siguruar mbështetjen e të gjithëve në dialog, pos të “Vetëvendosjes”. Dhe më e rëndësishmja për të ishte mbështetja e ish-luftëtarëve, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. E izoluar “Vetëvendosja” ishte një kundërshtar i lehtë. LDK-ja edhe ashtu me votë është parë edhe nga bashkësia ndërkombëtare si parti mjaft pasive, e cila nuk ia prish askujt “tymin e duhanit”, siç thuhet në Kosovë. Tash as në BE nuk janë më të sigurt sesa do të jenë të qetë dhe të sigurt Thaçi dhe Mustafa për zbatimin e të gjitha atyre kompromiseve që janë bërë me Serbinë e pasojat e të cilave shihen sot në vetë funksionimin e Qeverisë së Kosovës. Kur Isa Mustafa porosit qytetarët që të “mos e dëgjojnë Beogradin”, duhet të njëjtën porosi t’ia bëjë vetes dhe anëtareve të Qeverisë së tij, sepse Beogradi ka ndikim edhe në atë qeveri.

Dy çështjet për të cilat protestohet këto ditë në Kosovë janë shumë të rëndësishme si tema, sepse dëshmojnë për përfshirjen e një shteti fqinjë në funksionimin e Qeverisë së Kosovës. Por problemet e tjera të Kosovës janë edhe më të mëdha, nga papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar, kërcënimi nga terrorizmi, mosfunksionimi i sistemit të shëndetësisë e shumë të tjera. Të gjitha këto kanë potencial të shkaktojnë trazira sociale. Duhet shpresuar se situata do të qetësohet sepse, në rast të shpërthimit, BE-ja as nuk ka kapacitete e as përvojë për të ndihmuar. Se sa e kupton situatën në Kosovë BE-ja mjafton të shihet nga fakti se ende në BE janë të sigurt se përmes dialogut janë zgjidhur shumë probleme historike, e nuk është zgjidhur as fati i një prefiksi telefonie, as i një trafostacioni në veri e as rreth luleve dhe fidanëve mbi urën në Mitrovicë.

Por frika për Kosovën qëndron në dobësinë e liderëve të Kosovës, inateve të tyre, qëndrimeve përjashtuese dhe deficitit demokratik që kanë.

Me reagimet e tyre ndaj veprimeve të opozitës, me gjuhën fyese paranojake ndaj mediave kritike, me mungesën kronike për të pranuar çfarëdo përgjegjësie për problemet e shoqërisë dhe me tendencat për përdorimin e aparatit shtetëror dhe publik në shërbim të tyre personal dhe politik, nga policia e deri tek mediat, liderët e sotëm të Kosovës më shumë u ngjajnë liderëve me tendenca totalitare sesa që dëshmojnë “vlera evropiane” për të cilat flasin se kinse i përfaqësojnë.

Mund të ndodhë në Turqi, Rusi apo Maqedoni që një lider i një partie opozitare të kritikohet për “tentativë puçi”, të “shoqërohet në polici”, por jo në një vend demokratik. Në Belgjikë, për shembull, kryetari i Komunës është edhe një lloj komandanti i policisë në qytetin e tij dhe nuk mund të paramendohet arrestimi i tij nga policia, siç i ndodhi kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Mund të kuptohet frustrimi i Isa Mustafës dhe LDK-së ndaj Shpend Ahmetit, i cili i bëri ata humbës në Prishtinë në zgjedhjet lokale, por arrestimi i tij, pa marrë parasysh se cilat janë arsyet e vërteta, krijon dyshime për përdorim të policisë për qëllime politike, që është rrezik i madh për demokracinë. Madje në rastin e Kosovës krijon përshtypjen në popull se nuk janë të gjithë të barabartë as para drejtësisë. Nuk kuptohet se si organet e rendit shpesh tolerojnë nivel aq të lartë të krimit të organizuar dhe bëhen aq të ashpër ndaj opozitës. Këtu, siç dëgjohet tash në Kosovë, përsëri ka dallim sepse presioni policor shihet vetëm ndaj “Vetëvendosjes” dhe ndaj Albin Kurtit e jo, për shembull, ndaj AAK-së dhe Ramush Haradinajt.

Isa Mustafa më parë ka pasur një imazh të një politikani të urtë dhe të qetë, konstruktiv dhe të matur. Aty-këtu nginte zërin kur duhej kritikuar PDK-në me të cilën tash është si partner në koalicion. Prejse është bërë kryeministër, jo përmes votave por përmes pazareve me Thaçin, nuk po arrin të përmbajë mllefin ndaj atyre që në çfarëdo mënyre e kritikojnë, pa marrë parasysh a është fjala për anëtarët e partisë së tij, kundërshtarët politikë nga opozita apo mediat dhe shoqëria civile. Dhe fjalori i tij i tillë më shumë i ngjan atij të Putinit në Rusi, Erdoganit në Turqi, Gruevskit në Maqedoni apo edhe të Aleksandër Vuçiqit në Serbi. Ata kanë të përbashkët se nuk durojnë as opozitën e as mediat dhe shpesh i shohin si “shërbëtorë të huaj”. E tillë është për shembull kritika ndaj mediave, për të cilat thotë se “marrin fonde të huaja”. Mustafa duhet ta kuptoj se kur je në pushtet bëhesh edhe objekt legjitim i kritikave dhe,e dhe kur je i bindur se ato kritika janë të pavend, nuk guxon të reagosh në mënyrë aq agresive dhe arrogante siç bëri ai.

Edhe kur të kritikohen organizatorët e protestave, me apo pa të drejtë, duhet pasur kujdes, sepse edhe për qëllime politike është legjitime të protestohet. Nuk ka dyshim se policia është dashur të reagonte për të ndalur dhunën, që është shfaqur nga disa protestues. Por do të duhej një përpjekje e madhe e policisë për të na bindur se në këtë reagim nuk është përdorur një forcë disproporcionale nga ta.

Thaçi, i cili ka më shumë përvojë në pushtet sesa Isa Mustafa, në reagimet e tij nuk është aq agresiv, por më shumë është ironik. Ai thotë se “do t’i ndihmojë opozitës të dalë nga kjo situatë” dhe me këtë do të lërë përshtypjen se për pushtetin nuk ka asnjë problem. Ai mundohet në minimizojë efektet e protestës duke folur për numrin e vogël të atyre që morën pjesë në to. Por kur flitet për numrat e protestuesve në Kosovë, nuk duhet harruar se bëhet fjalë për një vend të vogël me mezi 1.7 milionë banorë. Isa Mustafa na është treguar si mjeshtër i mirë i statistikave dhe llogaritjeve duke e arsyetuar madhësinë e Qeverisë së tij për të cilën tha se sikur të ishte për kokë banori sipas Kinës, atëherë Kosova nuk do të duhej të kishte as edhe një ministër. Pra, Mustafa këtu mund t’i ndihmojë Thaçit dhe t’i thotë se 40.000 pjesëmarrës në Kosovë janë sa 1.2 milionë në rrugët e Parisit apo 1 milion e gjysmë në Turqi. Edhe nëse kanë qenë “vetëm 7000” edhe zërin e tyre duhet respektuar.

Kosova pa dyshim se po hyn në një fazë të një kulture politike konfliktuoze çfarë kemi parë me vite edhe në Shqipëri. Por një gjë duhet ta kenë parasysh të gjithë, opozita ka përgjegjësi, por kurrë nuk mund të jetë përgjegjësia e saj sa ajo e pushtetit. Pikërisht ndjenja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies është një njësi matëse e demokracisë. E në Kosovë nuk ka dyshim se ka deficit demokratik tek liderët e saj. Por, siç na përkujtojnë me ironi gjithmonë “miqtë tanë ndërkombëtarë”: “Secili popull ka lidershipin që e do dhe e meriton”. Dhe pikërisht tek përgjegjësia qëndron edhe arsyeja pse nuk shkarkohet ministri Jablanoviq. Për shkak se nuk dëshirojnë të krijohet një parim “i rrezikshëm” sipas të cilit ministrat duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që thonë. Kjo përgjegjësi ekziston në vendet e zhvilluara demokratike çfarë Kosova nuk është.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...