Mendtë që s’i kemi

3 Shkurt 2015 - 08:21 - Flaka Surroi      

Po ta kishin përdorur policët gjithë atë forcë, atë energji e atë dhunë për t’i zënë hajnat e kriminelët e vërtetë që e kanë sakatuar këtë shtet e popull, sa mirë i kishim pasur punët. Kush nuk ishte mërzitur se qysh po dukemi përjashta, se kishim qenë shumë të lumtur dhe të bukur përbrenda

Java nuk qe e mirë. Protesta e së martës përshkallëzoi në një dhunë të pabesueshme dhe të kotë në të cilën fitimtari i vetëm doli të ishte Jabllanoviqi. Prishtina sa nuk u kall me gjithë atë gaz lotsjellës, e sa nuk u shndërrua në një gurthyes lëvizës. Dhe për çka? Për të dëshmuar se inati është motori që e udhëheq të menduarit politik në Kosovë; se garnitura, e cila ka ardhur në pushtet, nuk dallon shumë nga ajo e kaluara; se opozita vazhdon të jetë e papjekur për shumë gjëra; se qeveritarët tanë vlojnë me demagogji; se kryetarja jonë është kukull, mbretërore, madje; se vetë i kemi fajet që i kemi punët aq keq, sepse kemi heshtur shumë gjatë.

Kryeintaçori

Këtë epitet do ta mbajë deri në ndryshim qasjeje dhe komunikimi kryeministri nominal i Kosovës, Isa Mustafa. Në njërin nga veprimet e rralla të mençura që bëri që nga koha kur mori detyrën, e thirri një konferencë për shtyp në të cilën foli para gazetarëve bri kryeministrit të Jashtëm, partnerit të tij të koalicionit, Thaçit. Dhe kjo për dy arsye: një, ngase Thaçi ia kalon edhe atij me demagogji dhe, dy, ngase i tregoi publikut se dhuna të cilën e kishte ushtruar policia me urdhër institucional ishte përgjegjësi e të dy shefave të partive politike të koalicionit, dy shefave të Qeverisë, dy bashkëveprimtarëve të martuar përkohësisht deri në zgjedhjet e ardhshme.

Për të hequr krejt përgjegjësinë prej tij dhe establishmentit, iu qas teorisë së konspiracionit me primesa paranoje, duke ia hedhur të gjithë fajin protestuesve dhe partive opozitare që e organizuan dhe e përkrahën protestën e së martës, duke e quajtur atë tentativë për grusht shtet, për puç, për marrje të pushtetit me dhunë. Me insistim thoshte se pjesëmarrësit e protestës ishin militantë partiakë dhe se të gjithë ishin përgjegjës për dhunën. E nuk ishte kështu. Sepse plot protestues nuk kishin lidhje me partitë e aq më pak me dhunën, për shkak se shumica absolute u tërhoqën nga ajo që do të shndërrohej në fushëbetejë që në çastin që fluturoi kënaçja e parë e lotsjellësit.

Për më keq, të nesërmen, në mbledhje të Qeverisë, e lexoi edhe një copë deklaratë fort të shëmtuar: “Qeveria vlerëson rolin dhe pavarësinë e mediave, por njëkohësisht thekson se është përgjegjësi e këtyre mediave që të angazhohen për stabilitetin e vendit dhe jo që disa prej tyre të bëhen zëdhënëse dhe bashkorganizatore të rrënimit të shtetit. Këto përvoja i kemi të njohura sidomos nga viti 2014, në të vërtetë 2004, prandaj nuk duhet të lejojmë që edhe më tutje të përsëriten”. Pra, sikur të mos ishte boll, bashkëfajtorë për krejt atë që ngjan në Kosovë i shpalli gazetarët, të cilët jo vetëm të martën, por për çdo ditë të lume prejse pushtetin e kanë marrë në dorë ata që vërtet e kanë sjellë këtë shtet në nivel të gjynahit, e kanë kryer punën profesionalisht.

Thirrjeve për censurë dhe për mbyllje të mediumeve më së miri iu përgjigj eksperti juridik (në kuptimin e plotë të fjalës) Fisnik Korenica, nga GSPJ, dhe kësaj nuk kam çfarë t’i shtoj: “Një gjuhë e tillë që i sulmon mediat dhe tenton që t’ua veshë mediave fajin pse një Qeveri nuk ia del ta kontrollojë një situatë që i takon ta kontrollojë, ta kujton gjuhën e diktatorëve të shteteve aziatike që sa herë që ka probleme me qytetarët, natyrisht që një faj të këtillë tentojnë ta menaxhojnë përmes mbylljes së gojës së mediave... ky është interferim i drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar lirshëm... populli ka të drejtë të informohet nga mediat, dhe nëse dikush tenton ta shkëpusë këtë lidhje ndërmjet popullit dhe mediumeve, atëherë ky do të ishte një vendim diktatorial...”

Kësaj duhet shtuar edhe një brengë tjetër, e ajo është filozofia “Për inat t’resë, le t’më vdesë djali”, që po e udhëheq veprimin e tij politik e qeverisës, e që Kosovës po i bën shumë dëm, për shkak se e ka humbur racionalen diku rrugës...

Të papjekurit

Adriatiku e quajti fëmijëror, që i bie përafërsisht njëjtë si me qenë i papjekur. Problemi është se papjekuria te i rrituri është shumë më e rrezikshme sesa te fëmija. Ftesa ultimative që ia bëri sekretari organizativ i VV-së policisë për t’i hequr rrethojat e hekurta të martën ishte plotësisht e kotë, e panevojshme dhe e kritikuar nga shumë protestues që ishin mbledhur për ta përkrahur një kauzë të drejtë. Ishte, sërish, zaptim i një aktiviteti nga një subjekt politik, me vetëdije se mund të shkaktonte telashe në të cilat do të mund t’i vuanin pasojat edhe të tjerët që nuk pajtoheshin me një thirrje të këtillë.

Mbase nuk është imagjinuar se përmasat e agresivitetit do të arrinin këso shkalle, porse kjo që i ndodhi Prishtinës atë ditë shërbeu për t’i frikësuar qeveritarët që nuk imagjinuan se në reprizë do të kishte kaq shumë njerëz (çuditërisht, ditën e dajakut, policia vlerësoi se ishin mbledhur 17 mijë njerëz, e ishin më pak se tri ditë më parë kur u vlerësua se ishin vetëm 7 mijë). I frikësoi besa edhe të huajt që orë e çast e përsërisin nevojën për stabilitet politik në shtet. Por, edhe e shtyu shefin e BE-së në Kosovë të dalë me një deklaratë të fuqishme, që e vërtetonte atë që po përsëritet prej kohësh: populli, i zbërthyer në masë protestuese ka nevojë të dëgjohet, sepse ka shumë punë për të cilat askush s’çan kokën.

Nga ana tjetër, edhe kjo protestë kaloi pa simbole shtetërore të Kosovës, dhe shtrohet pyetja se ku na qenkan pra simpatizuesit e AAK-së dhe të Nismës, deputetët e të cilëve nuk e kanë problem dhënien e betimit para flamurit shtetëror. Kaloi me një numër të madh të rinjsh, mbase edhe të mitur, që nuk e kanë pasur vendin aty. Pa pasur qëllim që t’i ofendojë në çfarëdo forme, megjithatë e besoj se këta fëmijë është dashur të rrinin nëpër klasë (edhe pse “lezeti” në gjimnaz është me ikë prej orëve, e edhe me pa se çka po zihet në shehër), sepse jam e sigurt se njohuritë e tyre për Jabllanoviqin apo edhe “Trepçën” janë të kufizuara. Dhe se aktivizimi i tyre bëhet më shumë falë inercisë sesa bindjeve. Të papjekurit e lypin kohën e tyre për maturim.

Mbretëresha e Nepalit

Kjo do të jetë nofka e saj e re, të cilën ia gjeti ish-këshilltari i saj politik, Ilir Deda. Kryetarja Atifete Jahjaga prej shumë kohësh tashmë reagon vetëm kur i thonë se duhet dalë për të thënë diçka. Nuk u deklarua fare për Jabllanoviqin, përderisa doli me një deklaratë të “sertë” për protesta duke i qortuar protestuesit për dhunë kundër ish-kolegëve të saj, por duke mos e qortuar policinë për dhunë kundër protestuesve. Përfundimisht doli me thirrje “për udhëheqësit e të gjitha partive politike në vend që ta rinisin dialogun dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.

Dhe krejt kjo, derisa ajo nuk duket askund, thuajse vërtet është strehuar dikund në Mount Everest..., atje ku informatat për Kosovën i vijnë me pëllumba.

Nëse vërtet e konsideron veten faktor të unitetit, atëherë është dashur ta bënte një gjë atë ditë të martën: të zbriste nga zyra e saj dhe të dilte aty në mes të protestuesve dhe të policisë dhe t’u bënte ftesë të gjithëve për dialog. Kamera ka pasur aq shumë, sa porosinë ka mundur t’ua përçonte edhe dy kryeministrave, që thuhet se i kanë shikuar të gjitha ngjarjet e asaj dite në televizor.

Shansin për të treguar se është më shumë sesa një marionetë dhe se ka identitet të vetin e ka pasur atë ditë. Dhe e ka ende. Kosova kurrë nuk ka qenë më afër shpërthimit social sesa këto ditë. Dhe gjërat nuk do të përmirësohen, për shkak se qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit na ka lënë një legat të rëndë që sa nuk na ka fundosur edhe ekonomikisht e besa edhe fizikisht. Nëse do qetësi, le të jetë ajo që do t’i ftojë partitë politike për ta nisur dialogun dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët. Le të jetë ajo që do t’ia sugjerojë Mustafës që ta shkarkojë Jabllanoviqin, se një ofendues në baza nacionale s’mund të qëndrojë në ekzekutiv dhe le të jetë ajo që do të përkujdeset që Ligji për “Trepçën” të mos kalojë me shverc dhe me mashtrime. Le ta bëjë, se s’ka çfarë të humbë.

Imazhi

Kryeministri na tha se për shkak të dhunës do të na ikin investitorët. S’po di cilët, porse do të na ikin. Ministri i Brendshëm tha se dhuna e protestuesve na e kishte prishur imazhin në botë; atë që e kishim pasur krejt pembe qe nja dhjetë vjet. Tash na ishte bâ krejt zi. Aq sa kryetari lexhendar kishte shkruar në FB: “Sot kur u çova prej gjumit e vërejta që mu kish prishë imazhi. Thash ishalla s'm'shohin t'hujtë kshtu”.

Imazhin e keq në shtëpi dhe jashtë na e kanë krijuar politikanët tanë me keqqeverisjen e tyre dhe humbjen e perspektivës në këtë vend. Imazhin e keq si shtet e kemi përkeqësuar edhe më me ikjen masive të njerëzve tanë të të gjitha shtresave në kërkim të një jete tjetër në Perëndim. Burimet e huaja thonë se bëhet fjalë për rreth një mijë njerëz në ditë, prejse kjo Qeveri ka marrë pushtetin. Këta bëjnë 45 mijë njerëz, që i bie përafërsisht sa shtimi i natyrshëm dyvjeçar i popullsisë së Kosovës. Që i bie se nëse vazhdohet me këtë trend deri në fund të vitit, Kosova do ta humbë diku rreth 7% të popullsisë.

Fitues? Jabllanoviqi dhe mentorët e tij. Duke iu falënderuar injorancës dhe arrogancës sonë.

Imazh tepër të keq tregoi edhe Policia e Kosovës me gjithë atë dhunë disproporcionale që nisi me hedhjen e gazit lotsjellës kundër dhjetëra mijëra njerëzve, me qëllim që t’i shpërndajë ata të rreshtave të parë që donin t’i hiqnin rrethojat. Rreziku më i madh i atij veprimi ishte stampedoja, që fatmirësisht nuk ndodhi. Qe veprim i pamatur që nxiti reagimin virulent, po aq të dhunshëm, po aq të papranueshëm të protestuesve. Dhe, çka është më e keqja, e nxiti përdorimin e plumbave të gomës, atyre të ndaluarve që i kishin përdorur policët e UNMIK-ut kur i kishin vrarë dy demonstrues më 2007. Dhe për çka e gjithë kjo? Për ta mbrojtur një ministër që na ka ofenduar të gjithëve dhe i cili nuk e njeh as shtetin në të cilin jeton.

E mendoja me vete – po ta kishin përdorur policët gjithë atë forcë, atë energji e atë dhunë për t’i zënë hajnat e kriminelët e vërtetë që e kanë sakatuar këtë shtet e popull, sa mirë i kishim pasur punët. Kush nuk ishte mërzitur se qysh po dukemi përjashta, se kishim qenë shumë të lumtur dhe të bukur përbrenda. Atëherë na kishte pasur hije edhe të shisnim mend nga zemra e Himalajeve. Kështu, s’na mbetet tjetër veç me i gjet ato mendtë që s’i kemi.

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...