Ana tjetër e rezultateve të dialogut

28 Janar 2015 - 08:17 - Augustin Palokaj      

Në Bruksel flitet aq shumë për dialogun, në disa kryeqytete evropiane aq shumë lëvdata jepen për rezultatet e tij, saqë fitohet përshtypja sikur, jo vetëm se janë zgjidhur shumë probleme jetike për njerëzit në Kosovë përmes tij, por edhe sikur me këtë dialog është evituar shpërthimi i luftës së tretë botërore. E vërteta e hidhur qëndron në faktin se shumë pak probleme ka zgjidhur ky dialog dhe ka krijuar edhe më shumë paqartësi dhe iluzione sesa që kanë ekzistuar para tij. Madje, thënë të vërtetën, ky dialog nuk ka mundur ta zgjidhë dhe ta sqarojë as fatin e një trafostacioni në veri të Kosovës e lëre më ndonjë problem më madhor.

Cilëndo temë që mund ta përmendim dhe të analizojmë efektet e dialogut në terren, nuk gjejmë shumë fakte se diçka dramatikisht ka ndryshuar. Dhe aty ku ka ndryshime dramatike ato nuk janë medoemos në drejtimin e duhur pozitivë. Situata në veri të Kosovës është me e qetë, por liria e lëvizjes, e cila do të nënkuptonte qarkullimin e lirë në tërë qytetin e Mitrovicës, nuk ekziston. Barrikadat mbi lumin Ibër janë edhe më të mëdha sesa më parë, ndërsa askush nuk e ka ndërmend që t’i heqë ato. Pala kosovare ka pranuar se të gjitha shpresat i ka tek Brukseli, ndërsa në Bruksel nuk mund të gjesh as edhe një person të vetëm, me përjashtim ndoshta në ndonjë deputeti të Parlamentit Evropian, i cili do të thoshte publikisht se “parku i paqes” duhet të hiqet sa më shpejt.

Integrimi i serbëve të Kosovës në sistemin e Kosovës në shikim të parë duket si një sukses dhe si sukses u shit edhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e Kosovës. Por e vërteta është se kjo i ka dezintegruar serbët e Kosovës edhe më shumë sesa më parë. Ata serbë të cilët edhe ashtu gradualisht integroheshin në Kosovë, e që paraqisnin shumicën e serbëve në Kosovë, me përjashtim të atyre në veri, janë humbës të këtij procesi. Ata kanë humbur në zgjedhje dhe janë penduar se as Prishtina e as bashkësia ndërkombëtare nuk u ka ndihmuar, por ka preferuar të punojë dhe bashkëpunojë me serbët të cilët i ka caktuar dhe mbështetur direkt Beogradi. Kjo e ka bërë edhe qeverinë e Isa Mustafës të duket si një lloj “Qeveria konfederale” me së paku dy pjesë të qeverisë ndaj të cilave kryeministri nuk ka fare ndikim. Njëra pjesë është ajo e PDK-së, ndërsa tjetra ajo e serbëve nga “Lista Sërpska” e Beogradit. Dhe marrëveshja mes këtyre tri palëve (Thaçi-Mustafa dhe Lista Sërpska) është kornizë e kësaj qeverie. Asnjë ministër i PDK-së nuk mund të bëjë diçka pa pëlqimin e partisë së tij sikurse asnjë ministër me përkatësi etnike serbe nuk mund të bëjë ndonjë veprim pa lejen e Beogradit. Kjo e bën qeverinë e Mustafës praktikisht si qeveri të përbashkët edhe me Beogradin dhe kjo më nuk duhet të tingëllojë si ndonjë ofendim dashakeqes, por më shumë si konstatim i realitetit. Fundi i fundit i pamë ministrat e Kosovës në mbledhje të Qeverisë së Serbisë, në konferenca për shtyp, dhe në fund edhe vendimet në përputhje me, pak a shumë, atë që u tha në Beograd.

“Suksesi”, i cili shpesh përmendej si rezultat i këtij dialogu ishte edhe shpërbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë. Ato nuk janë shpërbërë por janë legalizuar. Madje është legalizuar edhe prania e strukturave të shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës. Kur ministri i Jashtëm Thaçi na deklaron rreth vizitës së kryeministrit të Serbisë, Vuçiq, në Kosovë se “vizitat e tilla janë normale dhe do të ketë të tilla edhe në të ardhmen” ai sikur nuk do të mendojë për format dhe elementet e shtetësisë të cilat duhet respektuar sa herë që vjen ndonjë zyrtar i lartë u huaj në vizitë. Vuçiq nuk erdhi për vizitë në Republikën e Kosovës, ai nuk u takua zyrtarisht me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, pos me përfaqësuesit e tij në atë qeveri që janë serbë të Kosovës. Nuk pati flamuj të Kosovës, por kishte përplot flamuj të shtetit të Serbisë. Ai “Kosovën e Metohinë” e vizitoi sikur një rajon të shtetin e Serbisë, sikur të kishte vizituar Shumadinë. Në Bruksel, deputetja Ulrike Lunaçek mbeti e vetmuar me zërin e saj kritik ndaj kësaj vizite duke e përfshirë edhe në raportin e Kosovës si një shembull se si nuk duhet të sillet një kryeministër, sepse ai, kur viziton Kosovën, është dashur të takohej me homologun e tij kosovar. “Kjo nuk i kontribuon fqinjësisë së mirë”, shkruan në raport Lunaçek. Por për Vuçiqin ai nuk ka vizituar asnjë fqinjë, sepse “Kosovën e Metohinë” e sheh si “pjesë të Serbisë.” As Isa Mustafa, e as Hashim Thaçi, nuk janë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës për të por vetëm “autoritete të Prishtinës”.

Është thënë se me dialog Kosova ka arritur shumë përfitime në procesin e integrimeve evropiane. Kosova prej që ka filluar dialogu nuk ka fituar ende asgjë. Ka përmbyllur negociatat për Marrëveshje Stabilizim Asociimi, e cila as që është nënshkruar. Nuk ka dhe për një kohë nuk do të ketë mundësi për të nisur rrugën formale të integrimeve në BE duke dorëzuar aplikacionin për anëtarësim dhe duke marrë statusin e vendit kandidatë. Nuk ka dhe askush nuk mund ta dijë kur do të ketë liberalizim vizash. Ndërkohë përfitime të mëdha ka pasur Serbia e cila ka liberalizim vizash tash e pesë vite, ka marrë statusin e kandidatit dhe ka nisur negociatat dhe nuk ka hequr dorë asnjë milimetër nga qëndrimi i saj se Kosova nuk është shtet por “pjesë e Serbisë”. Në të njëjtën kohë Serbia ka siguruar që asnjë shtet i BE-së, i cili nuk e ka bërë këtë më parë të mos e njoh Kosovën si shtet. Madje është pikërisht dialogu ai që, sipas vlerësimeve në Bruksel dhe në disa kryeqytete të shteteve që nuk e njohin pavarësinë, e bën mosnjohjen si diçka pozitive, sepse ia mundëson BE-së të paraqitet si “neutrale ndaj statusit”. Aq larg ka shkruar kjo saqë nganjëherë duket sikur edhe vetë pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës janë neutralë ndaj statusit.

Pak ka arritur dialogu edhe në relaksimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo shihet edhe nga shembulli me deklaratat e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Jablanoviq, dhe reagimeve që ato kanë shkaktuar nga radhët e shqiptarëve të Kosovës.

Kështu mbetet mundësia e kosovarëve për të udhëtuar nëpër Serbi si një ndër sukseset e vërteta të rralla të këtij dialogu. Dhe nga kjo përfitojnë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë, por edhe ata që duan të ikin ilegalisht nga Kosova.

Rasti i “Trepçës” po ashtu ka dëshmuar se sa larg janë qëndrimet e Beogradit dhe të Prishtinës dhe sa pak e interesuar, apo e aftë për të ndihmuar është Bashkimi Evropian. E nga zyrtarët kosovarë kemi dëgjuar zotime se “Me Serbinë nuk diskutojmë për “Trepçën”, e cila është e Kosovës”, ndërkohë që Beogradi pret që në Bruksel të diskutohet edhe për këtë temë.

Nuk është hera e parë që zyrtarët e lartë të pushtetit në Kosovë thonë se “kurrë nuk do të pranojnë” që të diskutohet me Serinë në Bruksel për ndonjë çështje të brendshme për Kosovën. Këtë e kanë thënë në të kaluarën disa herë dhe gjithmonë ka ndodhur e kundërta, në dialog janë diskutuar vetëm çështjet e brendshme të Kosovës e asgjë tjetër.

Nga presidentja Jahjaga, ish-kryeministri dhe personi kryesorë në Qeverinë e tashme të Kosovës, Thaçi, e dërguara e tij për dialog, Edita Tahiri, shpesh kemi dëgjuar se “nuk ekziston çështja e veriut”, se “me Beogradin nuk diskutojmë asnjë temë që është çështje e brendshme e Kosovës” dhe se “nuk do të ketë kurrfarë diskutimesh për veriun me Beogradin”. Për asgjë më shumë në dialog sesa për veriun nuk është diskutuar. Nuk është diskutuar as për Kralevën e as Kragujevcin, por për Mitrovicën, Zubin-Potokun e madje edhe për komunat e tjera të Kosovës. Kosova nuk është pyetur se kur duhet të zhvillohen zgjedhjet në Serbi e kush duhet ta formojë Qeverinë e Serbisë, me cilat kushte. Por Beogradi ka pasur rol të rëndësishëm në vendimet se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Kosovë, a do të marrin pjesë dhe sipas cilave kushte serbët e Kosovës në to, si do të formohet Qeveria e Kosovës, e madje kush është i pranueshëm e kush jo si partner nga partitë politike të shqiptarëve të Kosovës. Brukseli ka heshtur ose ka folur vetëm kur është frikësuar se ndonjë veprim mund t’i prishë punë dialogut. Problemi me dialogun është se Brukseli i sheh të gjitha zhvillimet në Kosovë në shërbim të dialogut e jo dialogun në shërbim të zgjidhjeve. Sa për dialogun, problemet e kosovarëve mund të vazhdojnë me vite, sepse në të ende nuk është biseduar as për pensionet e qytetarëve të Kosovës, as për ndonjë temë tjetër që është në interes jetik të kosovarëve. Ndërsa Qeveria e Kosovës pret që Gjermania dhe Britania e Madhe t’i paraqesin kushte Serbisë e liderët kosovarë atëherë do t’i përshëndesin ato qëndrime të Gjermanisë dhe do t’i falënderohen asaj. Kështu edhe tash kosovarët i gëzohen një deklarate të ambasadorit britanik se “Trepça” nuk duhet të diskutohet me Serbinë” por edhe më parë Londra ka pasur qëndrime më të forta rreth Kosovës sesa vetë Qeveria e Kosovës.

Në këto kushte pritet edhe takimi i parë i Isa Mustafës dhe i Aleksandër Vuçiqit në Bruksel, i cili do të shënojë më 9 shkurt edhe rifillimin e dialogut, por në të cilin agjendën do e diktojë Beogradi, duke insistuar që prioritet të kenë temat në interes të tyre siç është edhe krijimi i “Bashkësisë” apo “Asociacionit” të Komunave Serbe, si një krijesë të re, e cila do të mbajë serbet e Kosovës me një status të veçantë përtej asaj që propozonte Pakoja e Ahtisaarit.

Edhe para se të nisej dialogu në Bruksel, zyrtarë të lartë të BE-së thoshin se ky dialog “është i domosdoshëm, sepse Pakoja e Ahtisaarit nuk mund të zbatohet dhe serbëve duhet siguruar diçka më shumë”. Pra me pranimin për të hyrë në këtë mënyrë në këtë dialog Kosova vetë ka pranuar se duhet t’u japë serbëve më shumë autonomi sesa që u jepte Pakoja e Ahtisaarit.

Nuk duhet pritur ndonjë ndryshim të qasjes së Kosovës në dialog për disa arsye. E para është se Hashim Thaçi do të jetë personi kryesor në Kosovë, i cili do të vendosë dhe Isa Mustafa do të jetë vetëm formalisht në dialogun e nivelit të lartë mes dy kryeministrave. Thaçi, na thonë në Bruksel, edhe ka insistuar që në dialog të jenë edhe kryeministrat edhe ministrat e jashtëm, ndërsa në Kosovë mediet tashmë kanë shkruar se “Me Thaçin në dialog do të jetë edhe kryeministri Mustafa” që lë të qartë se Mustafa nuk është numri 1, por numri 2 këtu. Në anën tjetër, Mustafa edhe kur ka qenë në opozitë e ka mbështetur tërësisht Thaçin në dialog, siç kishte bërë edhe AAK-ja. Dhe, mbi të gjitha, në Qeverinë e sotme të Kosovës edhe ashtu janë persona nga LDK-ja, të cilët nuk kanë shumë besim as në anëtarësinë e tyre, sepse kanë hyrë në qeveri me PDK-në, edhe pse me muaj betoheshin se nuk do të hynin në koalicion me këtë parti. Pra, kur ata thonë “kurrë nuk do të bëjnë diçka” pak ka arsye t’u besohet. Dhe në këto rrethana pritet të vazhdojë dialogu, i cili Kosovës nuk i ka sjellë realizimin e pritjeve që i kishte në kohën kur ky dialog u nis.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...