Serumi i Gjarpnit

27 Janar 2015 - 08:04 - Flaka Surroi      

Mustafa, si politikan që merret me këtë hobi qe 30 vjet, është dashur ta dinte se Thaçi nuk do t’ia lëshonte postin, po të mos kishte për qëllim ta fundoste, përderisa ai do të shpëlahej nga të gjitha fajet, të cilat realisht janë tijat. Nuk ka edhe shumë kohë për t’u këndellur

Thënien e javës e dëgjova nga Trica: “Mustafa, për më pak se një muaj, ka bërë që t’i harrojmë shtatë vjetët e qeverisjes së keqe të Thaçit”. Dhe për fat të keq, nuk kam se si të mos pajtohem me këtë konstatim. Për më pak se një muaj, të vetmen gjë që e ka dëshmuar Mustafa, së paku në Parlament, është se është po aq cinik dhe mospërfillës sa edhe Thaçi, në raport me deputetët dhe me popullin në përgjithësi.
 
E para, për shkak se nuk tregoi se ka guximin për ta shkarkuar Jabllanoviqin për ofendimin e shqiptuar pas Gjakovës dhe zëvendësin e vet Stojanoviqin, pse Kosovo e Metohinë e shpalli Serbi, në mes të Graçanicës në prezencë të Vuçiqit. E dyta, për shkak se po përpiqet t’i menaxhojë krizat duke shkruar statuse në Fejsbuk dhe duke u shkruar letra minatorëve të ngujuar 700 metra nën tokë. E treta, për shkak se arroganca në komunikim me këdo, e posaçërisht me të përzgjedhurit e popullit, të tillë çfarë janë, nuk i bën nder as si intelektual, as si profesor, akademik apo edhe politikan. Komunikimi i tij i djeshëm me deputeten e AAK-së gjatë seancës së pyetjeve drejtuar ekzekutivit, ishte absolutisht nën nivelin e komunikimit madje edhe me nxënësit e shkollës fillore, të cilëve kërkon t’ua humbësh kurajën.
 
I humburi
 
Se do të ballafaqohej me të gjitha problemet që i ka shkaktuar paraardhësi i tij, i cili i nxirrte premtimet prej xhepit sa herë që i nevojitej të siguronte vota në ndonjë komunë, është dashur ta ketë ditur.
 
Si qytetar i Kosovës, është dashur të dinte se do të ballafaqohej me një ambient varfërie të cilit i ka kontribuuar edhe partia e tij derisa ka qenë në pushtet në të kaluarën. Por, posaçërisht derisa ka qenë në opozitë, ku falë oportunizmit të vet ia ka përkrahur krejt meseletë e Thaçit, në emër të ruajtjes së stabilitetit politik në vend.
 
Si shef opozite, me një Qeveri në hije, që na pati lodhur duke mbajtur konferenca për shtyp, ku zyrtarët e tij më të lartë i citonin raportet e gazetës “KOHA Ditore” si hulumtime vetjake, është dashur të dinte për situatën në të gjitha ndërmarrjet publike e shoqërore të interesit strategjik, për shkak se këto kanë qenë pjesë e programit politik (apo të ashtuquajturit program) të partisë së tij gjatë zgjedhjeve të shkuara.
 
Si profesor me përvojë, është dashur të dinte se kapitali rritet duke u investuar dhe ripërtërirë, e jo duke i shpenzuar paratë e gatshme – një diçka që krejt Qeveritë e shkuara e kanë bërë pa dashur ta pranonin se shtetin po e çonin në falimentim.
 
Si politikan që merret me këtë hobi qe 30 vjet, është dashur ta dinte se Thaçi nuk do t’ia lëshonte postin, po të mos kishte për qëllim ta fundoste, përderisa ai do të shpëlahej nga të gjitha fajet, të cilat realisht janë tijat. Është dashur ta dinte se Gjarpni e ka gjetur serumin për ta shpëtuar veten nga kafshimi i vet – dhe se ky serum quhet Isa Mustafa bashkë me LDK-në.
 
Rreziku
 
Në postimin e tij të fundit në FB (me mjaft gabime gjuhësore, të cilat nuk gjenden te Thaçi, se në faqen e këtij të fundit me siguri janë angazhuar si shkrimtarë ashtu edhe lektorë), në fund e thotë një fjali më të cilën pajtohem plotësisht: se është detyrë e të gjithëve që shteti të ruhet nga rreziku.
 
E rreziku më i madhi për Kosovën në këta 15 vjetët e fundit është kanosur nga injoranca e politikanëve që e kanë udhëhequr. Dhe jo vetëm nga diletantizmi i tyre, por edhe nga ambicia e sëmurë për t’u pasuruar e rehatuar, duke shkelur mbi të gjitha dhe duke luajtur me emocione sa herë që kjo hynte në përdorim për motive populiste. Dhe rrezikun më të madh për këtë shtet sot ende e paraqesin politikanët të cilët vendosin për ne.
 
E Mustafa nuk bën përjashtim nga ky grup. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për dy gjëra.
 
E para: kur e pati mundësinë për ta udhëhequr një bllok që do ta hidhte PDK-në në opozitë, i shkeli të gjitha premtimet dhe parimet e veta, dhe lidhi koalicion me Thaçin. Në vijim, po të mos ishte boll, nënshkroi marrëveshje trepalëshe koalicioni edhe me Lista Srpskan, në të cilën shprehimisht është obliguar të përmbushë gjëra të cilat janë kundërkushtetuese dhe gjithsesi mbi ligjin. Por, kjo tashmë nuk është risi – njëherë kishte vënë nënshkrimin për zgjedhjen e kryetares së shtetit, ku në formë jokushtetuese ishte vendosur mandati i saj, si dhe afatet për t’i ndryshuar ligjet dhe vetë Kushtetutën. Obligimet e marra në atë dokument nuk i përmbushi kurrë, sikurse edhe partneri i tij i koalicionit Thaçi, i cili prejse është bërë kryeministër i Jashtëm u kënaq tue u shetit nëpër botë.  
 
E dyta: javën e shkuar qiti në rend dite Projektligjin për “Trepçën”. Ministrat e votuan versionin që përbënte formulimin e nenit 11.3. sipas të cilit “Regjistrimi si ndërmarrje publike mund të bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje...”, kurse versionin që e nënshkroi ai, për ta përcjellë tutje në Kuvend, thoshte: “Regjistrimi si ndërmarrje publike bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje...”. Kjo, në kushte normale, quhet falsifikim dhe është vepër penale. Në kushtet e Kosovës quhet kontrabandim i ligjeve, praktikë para së cilës i mbyllin sytë edhe mentorët e huaj të politikanëve tanë, posaçërisht nëse ka ndonjë interes financiar për ndonjë palë të interesuar. Dhe në kushtet kur një popull i tërë është në gjumë, do të thotë thellimi i mosfunksionalizimit të shtetit të Kosovës, për shkak të kantonizimit të tij alla Bosnia...
 
Brukseli
 
Ende nuk e kuptoj për çfarë arsye është më me rëndësi të ruhet koalicioni me Srpskan sesa të ruhet integriteti territorial i Kosovës. Ende nuk e kuptoj se përse është aq me rëndësi t’i ndreqet statusi i Serbisë karshi Evropës në krah tonin. Dhe përfundimisht ende nuk e kuptoj se përse askush prej Qeverisë nuk u nis ta sjellë para Kuvendit strategjinë dhe platformën e bisedimeve me Serbinë. Pse askush nuk tregon se çfarë duam të arrijmë me këto bisedime, pos frazës së kotë “normalizimi i raporteve”?
 
Me autogolat e njëpasnjëshme që i ka shënuar Kosova karshi Srpskas dhe Serbisë, tashmë kemi ardhur në pikën e frikës reale se me duart tona do t’ia dorëzojmë Serbisë sovranitetin tonë.
 
Me të “ndine” e kam, porse pas performancës skandaloze së kryeministrit të Jashtëm, në bashkëpunim me ministren pa portofol veç ama të ngarkuar me negociata – nuk po e përjashtoj edhe këtë si opsion që do të hidhet mbi tavolinën e negociatave: Që Serbia të dalë me propozimin që për t’u zgjidhur çështja e Kosovës të zbatohet modeli i Kanadasë – pra një demokraci parlamentare federative nën sovranitetin e Serbisë, ku shef i shtetit tu Kosovës do të jetë Toma Grobari.
 
Kosova, nga ana tjetër, do t’i ketë pushtetet legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive pothuajse plotësisht të pavarura, kurse përfaqësuesi i Grobarit, përkatësisht kukulla kryetar, apo kryetari kukull do të quhet Guvernator me mandat 5-vjeçar, i emëruar nga Parlamenti i Serbisë me propozim të Varrmihësit. Qeverinë do ta udhëheqë Kryeministri dhe betimin do ta japë para flamujve të Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht.
 
Kosova do të shndërrohet në federatë, të përbërë prej më së paku tri njësive: një me shumicë shqiptare; një me pakicë serbe dhe një me një grumbull pakicash. Nëse ka nevojë për të tjera, formohen, sa për ta akomoduar minoritetin përkatës sipas shtrirjes territoriale. Natyrisht, kjo nënkupton ndryshimin e Kushtetutës dhe përshtatjen organizimit të ri shtetëror, gjë e cila mund të pasojë pas një periudhe kohore, për shkak se fillimisht të gjitha 10 komunat serbe të përfshira me marrëveshjen e prillit 2014 ndërmjet Thaçit e Daçiqit do të shndërrohen në Zajednicë me fuqi ekzekutive – që me automatizëm çon në autonomi. Dhe jam më se e sigurt, se për autonomi nuk do të ketë shembull më të mirë sesa autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së 1974-s.
 
E se kjo nuk është larg mendsh, e dëshmon marrëveshja e koalicionit PDK-LDK-Srpska.
 
E nëse Mustafa ende beson se mund ta mbrojë shtetin, atëherë fillimisht duhet ta prishë këtë marrëveshje. E ajo prishet me shkarkimin e atyre që na kanë ofenduar të gjithëve, përfshirë edhe atë, si shef nominal i tyre që është. Më pas, duhet të merret me të gjitha gafat e zëvendësit të tij të parë dhe me të gjitha hipotekat që ky ia ka lënë pas. Duhet të mos u frikohet të huajve, sepse nëse e humbim atë që me shumë vështirësi e kemi fituar pas sa e sa vjetësh lufte e përpjekjesh, do të kthehemi në pikën zero, nga e cila s’ka më kush të na çojë përpara. Dhe nëse nuk ka fuqi për ta bërë asnjërën, duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet derisa nuk e ka humbur respektin edhe për vetveten.
 
Dhe të mos mendojë se e ka mandatin e plotë për të bërë mrekulli. Se as ato nuk bëhen për një mandat, e as Gjarpni nuk do ta lejojë që ta mbërrijë fundin e mandatit faqebardhë. Pos nëse e zbulon një serum.
 

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...