Albin Kurti, një shkuarje për t’u kthyer

24 Janar 2015 - 09:21 - Adriatik Kelmendi      

Visar Ymerit do t’i mbetet si sfidë kryesore rritja e përkrahjes së subjektit në elektoratin kosovar, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me shtetet e Perëndimit, në radhë të parë me SHBA-në. Nëse nuk do t’i arrijë këto të dyja, mandati i tij do të quhet i humbur, dhe kjo do ta fusë në një situatë bukur të paparashikueshme gjithë organizatën politike. Por, edhe nëse del i suksesshëm, Ymeri do të përgatisë terrenin për dy kthime: kthimin e “Vetëvendosjes!” në parti fituese dhe kthimin e Kurtit si kryetar. Pyetja që mbetet është: Ku do të jetë Shpend Ahmeti?

“KY VENDIM ËSHTË i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme, siç është ‘Vetëvendosje’. Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar”.

Besoj se të gjithë njohësit e rrethanave në Kosovë do ta nënshkruanin një konstatim të këtillë për Albin Kurtin; kryetarit, i cili së shpejti do të jetë ish-kryetar, i subjektit të tretë më të madh politik në vend.

Vendimi i një kryetari të një force politike për t’u tërhequr nga drejtimi i organizatës dhe për të mbetur brenda vetëm pas një mandati të tij në post është vërtet diçka e paparë në politikëbërjen e kësaj pjese të Ballkanit.

Por, vendimi për ta caktuar edhe pasardhësin e tij, gjithashtu e bën “Vetëvendosjen!” veçanërisht të dallueshme dhe ekstravagante.

Një lexim i shpejtë i situatës ravijëzon dy momente të vendimit, që të dyja pozitive nëse...

Dhe natyrisht se edhe këtu ka një “nëse”, madje bukur të fortë...


Leksionet politike të Kurtit

ËSHTË LEKSIONI më i mirë politik që një lider partie ka mundur t’u japë kolegëve të tij nga subjektet konkurrente.

Albin Kurti, pas tri procesesh zgjedhore në të cilat mori pjesë, nuk ia doli ta merrte pushtetin. Dhe nuk do të vazhdojë ta mbajë partinë peng. Atë që nuk ia doli ta bënte nga pozita e liderit, do të përpiqet që ta bëjë nga ajo e individit të fuqishëm që angazhohet drejtpërdrejt në terren. Diçka të këtillë, p.sh. nuk arritën ta bëjnë kurrë as Isa Mustafa, as Ramush Haradinaj, ndërkohë që të dy u lëshuan në fizkultura për të fituar edhe nga pozicionet e humbësve.

Po të qëndronte Kurti, natyrisht se do të tingëllonte shumë cinike pandehja e tij se nuk është një “kryetar i zakonshëm”, meqë do të njëjtësohej me gjithë kryetarët e tjerë “të përjetshëm”. Rrjedhimisht edhe “Vetëvendosje!” do të ishte krejt e zakonshme, krejt e afërt me gjithçka të parë deri më tash. Kurti s’la gjë pa provuar për ta bërë “Vetëvendosjen!” forcë të parë politike në Kosovë, por me gjithë rritjen në elektorat, ky u pa si një mision jo i lehtë tash për tash.

Tjetra, gjithashtu shumë e veçantë dhe pozitive, është vlerësimi i ndikimit personal të tij në kryesinë dhe anëtarësinë e subjektit politik. Kurti, për shumicën e anëtarësisë, ka qenë më tepër sesa një kryetar. Ai shpesh është parë edhe si një guru filozofiko-politik që cyt adhurim prej shenjtori.

Këto, edhe nëse pa dashje, mund të ndikojnë në mbylljen e debatit brenda subjektit, meqë sado e paqëndrueshme mund të jetë një ide e liderit, ajo shpesh perceptohet me përulësinë që xhemati i pranon ajetet kuranore. Kjo mbase do të ishte më pak problematike sikur “Vetëvendosje!” të ishte fituese e zgjedhjeve, por duke qenë se kjo asnjëherë nuk ndodhi, jep shenja se diçka madhore duhet ndryshuar në subjekt. E ndryshim më të madh se sa hapja e rrugës për individë e ide të reja nuk mund të ketë.


Shmangia e Ahmetit dhe kompromisi i tezakëve

MIRËPO, NËSE (DHE JA KU jemi te pjesa e “nëse”-së) në “Vetëvendosje!” janë bindur se kjo është rruga që duhet marrë në këtë momentum politik, do të duhej ta kishin të qartë se ky njëkohësisht është edhe një eksperiment i madh, i cili s’mund të ketë asnjëherë garanci se do të jetë i suksesshëm.

Pikërisht për shkak të kultit të individit të përshkuar më lart, anëtarësia e gjerë pa Kurtin kryetar do të mund të ndihet për një kohë si njeriu që ka guralecë në këpucë. Do të ecin përpara, por do ta kenë një dhimbje bezdisëse. Ngase, për aq sa është për t’u duartrokitur vendimi i Kurtit që të tërhiqet nga mandati i ardhshëm, po aq ngrys vetullat menaxhimi i situatës që të mos ketë asnjë kundërkandidat. Në teorinë e shkencave politike kjo quhet “demokraci e menaxhuar”, ose “demokraci e grahur”, nocion që përshkruan autokracinë në një sistem në sipërfaqe demokratik.

A po e shohim të ndodhë? Sigurisht, koha do ta dëshmojë.

Lëvizja “Vetëvendosje!” përveç Kurtit, ka edhe liderin tjetër të dalluar, Shpend Ahmeti, i cili fitoi gati dyfish vota sesa partia, për t’u bërë individi i parë i saj që zgjidhet në një post ekzekutiv, në këtë rast kryetar i Prishtinës.

Në një situatë normale (nisur edhe nga statuti i organizatës, i cili parasheh maksimumin dy mandate trevjeçare për kryetarin, si dhe pamundësinë që një individ të jetë në të njëjtën kohë edhe në post udhëheqës institucional e edhe partiak), natyrshëm mund të pritej se Ahmeti do të ishte pasardhës i Kurtit në krye të partisë. Pas tre vjetësh Kurti do ta ezauronte mandatin e tij të dytë, kurse Ahmeti do ta përfundonte mandatin në Prishtinë, mjaftueshëm për të marrë timonin e subjektit.

Sidoqoftë, me tërheqjen e Kurtit nga mandati i ardhshëm, ai pa problem mund të kthehet në krye të “Vetëvendosjes!” për trevjeçarin e radhës. Kjo do t’i binte edhe blerje e kohës për gjashtë vjetët e ardhshëm, për ta mbajtur Ahmetin larg kreut të partisë.


Cila do të jetë udhëheqja e Ymerit?

NJË SITUATË TJETËR delikate është – çfarë kryetari do të jetë Visar Ymeri. Një subjekti çfarë na paraqitet “Vetëvendosje!” nuk do t’i bënte fare nder një kryetar kukull, ose për përdorim zëvendësues.

Prandaj, pa asnjë dyshim dhe me shumë të drejtë, Ymeri do të këmbëngulë të fuqizojë unin e tij politik dhe të sjellë edhe ndryshime politike, strategjike dhe kadrovike. Në të kundërtën, nuk do të kishte fare kuptim ndërrimi i kryetarit, apo jo. Mirëpo, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, duke pasur një anëtarësi që adhuron ish-liderin Kurti dhe duke pasur një koleg energjik dhe me ambicie, si Ahmetin. Një situatë lehtësuese këtu (dhe si duket e menduar me kujdes si kompromis) është fakti që Ymeri dhe Ahmeti janë tezakë (pavarësisht se një kohë fakti i të qenit djem tezesh nuk i kishte penguar që të ishin në dy subjekte të ndryshme politike).

Plus, Ymerit do t’i mbetet si sfidë kryesore rritja e përkrahjes së subjektit në elektoratin kosovar, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me shtetet e Perëndimit, në radhë të parë me SHBA-në.

Nëse nuk do t’i arrijë këto të dyja, mandati i tij do të quhet i humbur, dhe kjo do ta fusë në një situatë bukur të paparishikueshme gjithë organizatën politike.

Por, edhe nëse del i suksesshëm, Ymeri do të përgatisë terrenin për dy kthime: kthimin e “Vetëvendosjes!” në parti fituese dhe kthimin e Kurtit si kryetar.

Pyetja që mbetet është: A do t’ia lëshojë njësoj Kurti radhën edhe Shpend Ahmetit?

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...