Nuk dinë apo nuk duan të dinë për masakrat në Kosovë

21 Janar 2015 - 08:20 - Augustin Palokaj      

Deklarata e ministrit të Qeverisë së Kosovës Aleksandar Jablanoviq se deri më sot nuk ka dëgjuar se ka pasur masakra të forcave serbe në Kosovë dëshmon më së miri se sa të ndryshme janë botët në të cilat jetojnë serbët në veri të Kosovës dhe pjesa tjetër e Kosovës. Por është vështirë të besohet se një ministër i tillë, sado injorantë të jetë, të mos ketë dëgjuar vërtet për krime që forcat serbe kanë bërë në Kosovë. Më shumë është e mundur se ai, sikurse edhe shumë politikanë të tjerë, nuk duan të dëgjojnë për ato krime

Para pak më shumë se një muaj kalova urën mbi lumin Ibër për të shkuar në veri të qytetit të Mitrovicës në një ligjëratë të organizuar me temën e Integrimeve Evropiane. E dija se Mitrovica është e ndarë, isha i vetëdijshëm se pjesa veriore e këtij qyteti nuk ka qenë edhe aq e integruar në sistemin e Kosovës dhe nuk kisha pritje të mëdha se rezultatet e dialogut që kryeministri i mëparshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe e dërguara e tij speciale për dialog Edita Tahiri e kanë ndryshuar shumë situatën.

Por, me gjithë pritjet e vogla që kisha, mbeta i shokuar me përshtypjet e para. Ura nuk ishte urë por ishte një bllokadë. Më shumë i ngjante një Muri të Berlinit sesa një ure. Mbi të ishin vendosur vaska të mëdha betoni, ishte mbjellë barë dhe ishin vendosur lule dhe fidanë. Menjëherë pas ure asfalti ishte i lëvruar dhe dëmtuar në atë masë saqë asnjë automjet nuk do të mund të kalonte. Edhe disa metra më larg ishin vendosur gurë dhe material ndërtimor si pengesë, ndërsa grumbuj me lakra të vendosur buzë rruge prapa ure sikur paraqisnin linjën e fundit të mbrojtjes.

Derisa e tërë Kosova është së paku dygjuhësore, me shqipen e serbishten si dy gjuhë zyrtare të shtetit dhe të barabarta, me gjuhën turke aty ku jeton ky komunitet, prapa urës në lumin Ibër nuk ka asnjë mbishkrim në gjuhën shqipe. Madje edhe ato në serbisht janë me alfabetin cirilik. Ka vetëm flamuj të Serbisë dhe askund të Kosovës. Mund të shihet aty-këtu edhe ndonjë flamur i Rusisë, foto të Putinit, por aty-këtu në dritaret e disa dyqaneve edhe të liderit të Bjellorusisë, Lukashenko.

Pak gjë të lë përshtypjen se ajo është pjesë përbërëse e Kosovës. Edhe bankat janë të Serbisë, edhe targat e automjeteve, edhe telefonat mobilë të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë. Më thonë se edhe mirëmbajtjen e rrugëve e bëjnë ndërmarrjet e Serbisë. Kosova dhe Mitrovica janë shumë më shumë të ndarë sesa që mendohet në Bruksel. Liria e lëvizjes është shumë më shumë e kufizuar sesa që mendohet në Bruksel. Ndikimi i dialogut në relaksimin e situatës është shumë më i vogël sesa që thuhet dhe mendohet në Bruksel.

“Parku i paqes” është një barrikadë shumë më e madhe që ndan qytetin e Mitrovicës, e me këtë edhe Kosovën, sesa që mendohet në Bruksel dhe Prishtinë. Për ta hequr atë do të duhet shumë më tepër vullnet politik në Bruksel sesa që ka menduar ministrja për dialog, Edita Tahiri, kur pati premtuar se “shumë shpejt” do të hiqet ai “park”, sepse kështu na i paskan “garantuar asaj në Bruksel”.

Biseda me njerëz në atë pjesë të Mitrovicës, e këtu duhet të mbaj një rezervë dhe të them se shumica ishin ose gazetarë ose aktivistë të shoqërisë civile, më la të kuptoj se ata janë jashtëzakonisht të izoluar dhe askush nuk ua thotë të vërtetën e kotë as për atë se ku ndodhen, as ku do të shkojnë e as se çfarë saktësisht rreth fatit të tyre dhe të asaj pjese të Kosovës është vendosur në Bruksel.

Në një ligjëratë që zgjati më shumë se një orë, dhe përmes shkëmbimit të pyetjeve dhe përgjigjeve, u thashë disa vlerësime në bazë të përshtypjeve të mia nga ajo që di në bazë të bisedave të shumta në Bruksel: “Serbia nuk do të mund të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe këtë e dinë politikanët e Serbisë, sepse ashtu u është thënë”, “Veriu i Kosovës formalisht do të jetë pjesë e territorit të Kosovës dhe ndarja formale nuk do të lejohet”, “Qeveria e Kosovës ka pranuar në Bruksel që të lejojë një lloj statusi special, apo trajtimi të veçantë të veriut”. “As Prishtina e as Beogradi nuk ua thonë qytetarëve të vërtetën e plotë për dialogun dhe rezultatet e tij, ndërsa Brukseli nuk është i interesuar të sqarojë se cila palë e thotë të vërtetën, sepse edhe për BE-në ambiguiteti, paqartësia dhe hutimi i qytetarëve është definuar si një modus veprimi për të arritur sukses në dialog”.

Hallet e qytetarëve në veri të Mitrovicës ishin të ngjashme me ato të pjesës tjetër të Kosovës. Varfëria, mungesa e perspektivës dhe papunësia. Edhe pse shqiptarët në pjesë të tjera të Kosovës mendojnë se serbët në veri jetojnë shumë mirë, sepse të gjithë u ndihmojnë, nuk është ashtu. Edhe atje ka nepotizëm, presione politike, krim të organizuar, papunësi. Vende pune sigurojnë vetëm ata që kanë lidhje politike. Por t’u flisje atyre për pjesën tjetër të Kosovës dukej sikur u flet për diçka që është shumë larg. Më shumë u interesonte se sa Kosova do të jetë pengesë për anëtarësimin e Serbisë në BE sesa si do të zhvillohet situata në Kosovë. Me përjashtim aty-këtu të ndonjë personi i cili ishte më i moshuar, nuk gjëje dikë që dinte gjuhen shqipe. Nëpër kioska nuk kishte gazta as në shqip por as në ndonjë gjuhë tjetër. Vetëm gazeta të Serbisë. Por thanë se në aspektin informativ kanë filluar gradualisht të thyhet izolimi dhe mediumet lokale po sjellin gjithnjë e më shumë informacione se çka ndodh në pjesën tjetër të Kosovës, megjithëse ende shumë pak.

Më ra ndër mend përvoja nga veriu i Kosovës ku kisha qëndruar në fund të nëntorit kur dëgjova deklarata skandaloze të një ministri të Qeverisë se Kosovës se ai nuk ka ide se në Kosovë forcat serbe kanë kryer masakra në vitin 1999. Ai këtë e arsyetoi me fjalët se ka qenë i ri në atë kohë dhe në Leposaviq, ku ai ka jetuar, nuk ka pasur luftë. Ofendimi që ai u ka bërë familjarëve të viktimave të luftës është i rëndë, por deklarata se ai nuk ka dëgjuar se ka pasur krime serbe në Kosovë është problem serioz, po ashtu. Kjo tregon dy botë të ndryshme në të cilat jetojnë serbët dhe shqiptarët jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi. Madje do të mund të them se, kur është fjala për përgjegjësinë për krimet e luftës, janë dy botë të ndryshme në të cilat jetojnë serbët, në njërën anë, dhe të gjithë popujt e tjerë të ish- Jugosllavisë, në anën tjetër.

Politika e mohimit të përgjegjësisë së krimeve tash e sa vite dominon jo vetëm në mesin e politikanëve në Serbi por edhe në shoqërinë serbe në përgjithësi. E serbët e Kosovës, deshëm ne të pranojmë apo jo, nuk jetojnë as shpirtërisht, as në aspektin e informimit dhe as në ambientin medial në Kosovë, por në Serbi. Nëse dikush ka jetuar në Mitrovicë apo Leposaviq në 15 vitet e fundit vërtet ka pasur mundësi të dëgjoj për krimet serbe në Kosovë po aq sa edhe dikush që ka jetuar në Zrenjanin apo Kragujevc, ose edhe më pak. Nëse flitet për krime lufte atëherëë flitet për viktimizimin e serbëve, për “gjenocidin kroat apo shqiptar ndaj serbëve”. Mediet serbe, apo më mirë të themi shumica prej tyre, vazhdojnë ta konsiderojnë Masakrën e Reçakut, sikur edhe sulmet në tregun e Sarajevës Markale ku u vranë shumë civilë, si “propagandë” e cila, sipas tyre, “vetëm ka pasur për qëllim nxitjen e opinionit ndërkombëtar për t’i mbështetur sulmet ndaj Serbisë”. Në rastin më të mirë, politikanët serbë për krime flasin duke i përgjithësuar ato, duke thënë se të gjithë kanë bërë krime kundër të gjithëve dhe tash duhet të pajtohemi.

Në rrethana të tilla ku edhe krimet shikohen me sy egoistë nuk është e pamundur që edhe politikanë si Jablanoviqi të mos kenë dëgjuar se forcat serbe kanë kryer krime në Kosovë, dëshmon më së miri se sa të ndryshme janë botët në të cilat jetojnë serbët në veri të Kosovës dhe pjesa tjetër e Kosovës. Por është vështirë të besohet se një ministër i tillë, sado injorantë të jetë, të mos ketë dëgjuar vërtet për krimet që forcat serbe kanë bërë në Kosovë. Më shumë është e mundur se ai, sikurse edhe shumë politikanë të tjerë, nuk duan të dëgjojnë për ato krime.

Nëse është i interesuar të mësojë le të shkoj në Beograd më 6 shkurt në Media qendër (“Terazije 3”) ku Fondi për të Drejtën Humanitare do të paraqesë të dhënat nga “Libri i kujtimeve për Kosovën”. Ky Fond ka dërguar një ftesë për këtë konferencë dhe në të përmes tjerash edhe këto fakte:

“Në bazë të 31.600 dokumenteve është dokumentuar vdekja apo zhdukja e 13.535 njerëzve lidhur me luftën në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 e deri me 31 dhjetor të vitit 2000. Nga ta 10.812 shqiptarë, 2.196 serbë dhe 526 romë, boshnjakë, malazias dhe joshqiptarë të tjerë”. Sipas këtyre të dhënave, madje edhe nga bombardimet e NATO-s më shumë viktima civile ka pasur nga radhët e kombësisë shqiptare sesa serbe. Po të kenë dashur, dhe po të duan, sikur e tërë bota që mori vesh, edhe serbët dhe politikanët serbë kanë mundur të informohen për viktimat shqiptare të masakrave serbe. Nuk ka njerëz më të duhur që t’ua thonë këtë sesa prijësit e sotëm të pushtetit serb, Tomislav Nikoliq, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Madje edhe Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë ka dënuar për krime sistematike në Kosovë personat nga kreu politik, ushtarak dhe policor të shtetit të Serbisë së asaj kohe.

Sado që për nga numri, e as për nga mënyra e kryerjes së krimeve nuk mund të krahasohen krime që janë kryer ndaj shqiptarëve me ato ndaj serbëve, duhet pranuar po ashtu se në Kosovë, sidomos pas lufte, janë kryer krime edhe ndaj serbëve të Kosovës, edhe atyre u janë djegur shtëpitë dhe disa objekte fetare. Disa krime janë bërë në shenjë hakmarrjeje. Ndonjë tjetër për përfitime materiale, por t’i mohosh ato, do të thotë të hysh në mënyrën e të menduarit serb.

Tash kur bëhen shumë plane për pajtim, kthim dhe integrim, duhet pasur parasysh se kjo nuk mund të arrihet duke tentuar të harrohen krimet dhe e kaluara. Sikur na pati porositur në një intervistë për “Kohën Ditore” menjëherë pas lufte Javier Solana, i cili si shef i NATO-s edhe kishte dhënë urdhër për sulme ndaj forcave serbe për të ndalur masakrat ndaj shqiptarëve, për të cilat ministri në Qeverinë e Kosovës, për dallim nga pothuajse e tërë bota, nuk ka dëgjuar, “Duhet falur por kurrsesi nuk duhet harruar”.

Në vend që të tentojnë që për hir të kinse suksesit në dialog serbëve t’u thonë një gjë e shqiptarëve diçka tjetër edhe “faktorët ndërkombëtarë” duhet të kujdesen që të gjithë ta kuptojnë të vërtetën, sado e hidhur ajo të duket. Sepse pa të vërtetën çdo sukses i momentit do të jetë jetëshkurtër. Nuk mjafton që serbët në Kosovë të kenë mediet në gjuhën e tyre, por duhet që ata të kuptojnë se vërtet ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë janë kryer masakra të mëdha edhe në emër të tyre. Atëherë do ta kenë më lehtë ta kuptojnë njëri-tjetrin.

Por politikanët, serbë apo shqiptarë, nuk janë edhe aq të interesuar që njerëzit të kuptojnë njëri-tjetrin. Atyre u interesojnë vetëm pazaret politike. Edhe skandali me ministrin Jablanoviq për ta është bërë një barrë, sepse mund t’u prish punë atyre e jo pse janë aq të shokuar me atë deklaratë.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...