Të refuzosh një vizë!

22 Mars 2014 - 08:33 - Halil Matoshi      

Në përpjekje për një vizë (kulturore!) të shtetit kroat, qytetari kosovar zatetet me 1.001 probleme, me një kodër pengesash administrative, si dhe me zhvatje (hajni legale) kroate-kosovare, përmes PTK-së dhe numrit të shpifur mobil 0900 10 400, që për dy minuta bisedë t’i rruan fiks 5 euro. Së këndejmi, shpëtimi nga kjo “betejë” është që nga ato 1.001 probleme të zgjedhësh vetëm njërin: të refuzosh vizën dhe t’i kthehesh rëndomësisë së mjerë në atdhe

Qytetarit kosovar (ndër më të izoluarit në Europën Juglindore) për të marrë një vizë të vendeve të BE-së, pos që i duhet të planifikojë plot një muaj kohë, ngarendje pas letrave që kërkohen, i duhet shpenzuar edhe një shumë domethënëse parash, të cilën vështirë ta përballojë.

Pastaj, duke ngarendur nëpër zyra të stërngarkuara kosovare pas dhjetëra dokumentesh të listuara në aplikacionin për një vizë do të humbasësh rreth një javë.

Dikur vjen në rend aranzhmani i një termini me ambasadën, që shpesh del të jetë ‘mission impossible’.

I ftuar në Split të Kroacisë ku përvjet mbahet festivali “Prićigin”, me autorë nga Europa Juglindore që ftohen për të thënë tregimin e tyre, hasa në probleme tipike burokratike, me elemente ballkanike edhe pse Kroacia është anëtare e BE-së.

Këso problemesh me Ambasadën italiane në Kosovë, një kapobandë në Prishtinë, i kishte zgjidhur ndryshe, përmes rrugëve mafioze.

Por jo të gjithë kosovarët notojnë në këso ujërash të pista.

Më 10 mars kisha provuar pa sukses të bëja një termin, e termini i radhës ishte tek më 19 mars.
Më është dashur që më 17 mars ta rrëfeja tregimin tim në Split.

Dhe krejt në fund ia beh zhgënjimi dhe zemërimi me veten dhe vendin.

Në një vend ku thuaja asgjë s’është në vendin e vet, madje edhe fjalët e kanë humbur kuptimësinë e tyre burimore etimologjike, në një vend ku administrata shtetërore është e korruptuar dhe jofunksionale.

I stërlodhur me përshkrime, ankesa, shkresa e parashtresa, apele, apologji, justifikime, kritika, fjalamani, qytetari nuk ka shumë zgjidhje, ashiqare i mbetet vetëm njëra: të heqë dorë...!
Qeveria e shtetit tim nuk e meriton liberalizimin e vizave.

Dikush nga Qeveria ime e ka vjedhur arkën e shtetit (buxhetin e pasaportave biometrike, rreth 1.4 milionë euro);

Krimi i organizuar, nepotizmi, zhvatja dhe korrupsioni po e fundosin shtetin tim, prandaj asnjë ndërkombëtar nuk na e ka besën.

Ende është i palëkundur imazhi i kosovarit që shkon në Europë ose për të bërë sherr, ose për të lypë azil.

Ndonëse në shumë raste ky është thjesht një stereotip.

Pasaporta e tij ndjell dyshime nga më të ndryshmet në secilin vendkalim kufitar ose aeroport, deri në përmasat komplotiste.

Në shtetin e kapur nga një parti me prirje maoiste sipas motos: “Pushteti faktik buron nga armët”, drejtësia dhe ligji janë vetëm deklarata politike.

Po cilët janë ata budallenj që janë ngritur në majat e pushtetit nga paligjësia e sakaq do të vendosnin ligjin?

Nëse do të funksiononte shteti ligjor, shumë nga ta do të përfundonin nëpër burgjet e sigurisë së lartë.

Këtu nuk qeveriset, por sundohet, përmes disa despotëve tribalë të cilëve ua marrin dorën njerëzit e disa copë katundeve, e pastaj u japin thasë me vota!?
Fillimisht nga frika e pastaj nga nevoja për mbijetesë.

Në shtetin tim jetojnë mirë vetëm ata që e mësojnë që në vegjëli artin e pështirë të përshtatjes për t’u shndërruar me lehtësi të padurueshme në duartrokitës me pagesë, spiunimit, lakimit të kurrizit, gjunjëzimit e përgjërimit.
Njerëzit e kësaj Qeverie janë pasuruar nga zyrat publike.
Shumë prej tyre janë njerëz pa profesion dhe që kontratën e parë të punës në jetën e tyre e kanë nënshkruar me Qeverinë.

Ky regjim nuk ofron kushte për jetesë normale madje as mjaft bukë për qytetarët e saj, sepse vjedh vetë, prandaj azilet dhe burgjet Europës Qendrore dhe asaj Perëndimore janë mbushur kosovarë.

Ndërsa kosovarët e pushtetshëm që për vete kanë pasaporta diplomatike e akuzojnë Europën për diskriminim.

Pra, kjo Qeveri s’mundet ta ndalë azilkërkimin, ajo nuk mund t’ua heqë me dekret qytetarëve të saj kërkimin e lumturisë (të drejtën e dëshirimit - lirinë ekonomike); prandaj duhet të jemi realistë: kjo Qeveri nuk i plotëson standardet për liberalizim vizash as për së afërmi.

Porse, ç‘faj ka faj çifti im, qytetari?

Liberalizimin e meritojnë, porse studiuesit, artistët, afaristët e ndershëm dhe ambiciozë, studentët e punëtorët kosovarë, qytetarët me telashe shëndetësore, emigrantët që vuajnë mallin e familjeve të ndara dhe, besoj, duhej ta meritonin shkrimtarët.

Njerëzit e kulturës...

Burokratët e Brukselit së këndejmi duhej ta ndëshkonin Qeverinë e Kosovës e ta shpëtonin të folmen e shkrimtarëve.
Por jo, Brukseli ka organizuar një gjyq apriori, pa dëshmi e dëshmitarë, kundër njerëzve në Kosovë.

Një ditë vjen zonja Pack dhe thotë se liberalizim s’do të ketë edhe katër a më shumë vjet, të nesërmen zonja tjetër Fajon thotë se kjo ka për të ndodhur së shpejti.
Një i tretë në të tretën ditë vjen e thotë për vizat ‘nothing’(asgjë.)

Mbajtja e kosovarëve në karantinë është ndëshkim i dyfishtë, së pari nga Qeveria në Prishtinë e për së dyti nga Brukseli zyrtar!?
E në të gjithë doracakët që shpjegojnë diçka për BE-në, liria e lëvizjes, pos së drejtës për jetë është ligj suprem
Duke qenë se e humba shpejt dhe lehtë betejën e një vize, u shkrova nikoqirëve të mi në Split.
Të dashur kolege e kolegë, shkrimtarë!

Sipas konditave të festivalit tuaj “Prićigin”, ku isha i ftuar të them tregimin tim; në pamundësi që të udhëtoj, për shkaqe nga më të ndryshmet, po ua dërgoj tregimin tim me postë elektronike, përderisa kryeministri kosovar ende nuk e ka ndaluar me dekret internetin, “Facebook”-un dhe “You toube”-n, sikur homologu dhe miku i tij personal Recep Tayp Erdogan. Kryeministri im ende vetëm këtë ndalesë nuk e ka dekretuar, ndonëse e ka izoluar vendin nga bota, me keqqeverisje dhe me keqdashje!?

Duke qenë se ftesa për Festivalin e tregimtarëve në Split më ngjalli një dashuri të hershme për këtë qytet bregdetar dalmat, (albanologët thonë se emri “Dalmati” vjen nga fjala “delme”, “vend-kullosë delesh”.)

Ballkanasit hokatarë me rrebe pyesin njëri-tjetrin nëpër kafehanet e zymta se përse Kroacia është anëtarësuar në BE dhe përgjigjen vetë: Sepse e ka burgosur kryeministrin!

Ndërsa në Kosovë asnjë gjykatës s’guxon të marrë lëndë siç thuhet të ‘profilit të lartë’ e në anën tjetër ministri i Drejtësisë - kur sponsorët e lirisë së saj duan një Tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës - do t’i bindë qytetarët se ndërkombëtarët po e stigmatizojnë Kosovën duke i rënë në qafë pa t’keqen e kërkujt, sepse ajo paskësh kapacitete të plota për t’i ndëshkuar vetë këto krime.

Ky është vendi im i nemun dhe i neglizhuar nga qendrat europerëndimore – për të mos e zemëruar Serbinë!?
Sidoqoftë, fajin e ka vetë shoqëria kosovare, që e voton një Qeveri të përbërë nga njerëzit më të ligj të mundshëm, kurse një shkrimtar nuk mund të bëjë asgjë tjetër pos të indinjohet dhe të refuzojë.

Më 10 mars u paraqita tek dyert e Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Prishtinë.
Aty më priti me mirësjellje dhe dashamirësi një polic i Kosovës, nga i cili mora aplikacionin, me sugjerimin se duhej të thërrisja Ambasadën kroate (për ta caktuar terminin) në një numër që menjëherë m’u duk i çuditshëm: 0900 10 400 dhe me vërejtjen shumë të sinqertë të policit se është “numër i shtrenjtë”!

Duke qenë në Redaksinë e gazetës “Koha Ditore”, disa herë u përpoqa të merrja Ambasadën kroate në numrat e saj zyrtarë, më kot.
Andej s’përgjigjej kush!?

Bleva një kartelë të “Valës” me kredi prej 5 eurosh dhe e thirra numrin “fantom”.
Matanë m’u përgjigj një zë femre: “Urdhëroni, Ambasada e Republikës së Kroacisë”!
Pasi mora frymë lirshëm, u prezantova dhe ia thashë tregimin tim.

Gruaja në linjë tashti më thoshte se ajo s’ka lidhje me ambasadën, por ishte staf i PTK-së (Postë Telekomi i Kosovës) dhe se ajo duhej të caktonte terminin në Ambasadë dhe unë isha vonuar...
Ngase pritja për vizë zgjat rreth një muaj, të paktën dy javë, se...

I thashë shkurt: Zonjushë, unë jam shkrimtar. Jam i ftuar në një festival letërsie në Split dhe se ftesën e kam marrë së voni (ndoshta një javë më parë) e njëjta ftesë u është dërguar me postë elektronike edhe autoriteteve kroate në Ambasadën e Prishtinës dhe s’e kisha ndërmend të përgjërohesha...

Fundja – i thashë – nuk m’duhet në këtë moment dhe shih për këtë asgjë Kroacia, këtë herë unë i duhesha asaj – një Kroacie të dytë, thënë më drejt, për një punë që në mendësinë ballkanike është hiçgjë ose punë koti – punë shkrimi më...!?

E të shkruarit për këso mendësie nuk është profesion.
M’u kujtua po ashtu Joseph Brodsky, i cili, në pyetjen e KGB-së sovjetike se cili është profesioni i tij, u ishte përgjigjur shkurt: “Unë shkruaj”!?

– “E çfarë pune të dobishme shoqërore bën” – e kishin pyetur!?
– “Shkruaj” – do të thoshte rishtas!

Pastaj vjen më e zorshmja për shkrimtarin Brodsky: “Kush je, ku jeton, ku e pse do të shkosh, pse do të kthehesh, sa do të rrish... kush të ushqen, për cilin armik të jashtëm punon” etj.
Asaj gruas në linjë po i thosha të mos më marrë kohën dhe paratë kot me shpjegime po ashtu koti: nëse donte të më mundësonte një termin që më konvenonte ose jo?

Zyrtarja e zyrës së Ambasadave – Departamenti i Marketingut (kurrë s’kisha dëgjuar për këso zyrtareje e zyre!?) më mbajti peng në atë linjë (sërish koti) nja dy-tre minuta derisa linja u ndërpre, duke më ardhur mesazhi nga operatori i telefonisë mobile “Vala” - më të shtrenjtën në rajon - se kredia ime prej 5 eurosh ishte harxhuar...

Derisa po prisja autobusin e linjës 10, për habi po binte borë në Prishtinë, gjë që s’e kishim parë që nga dimri i kaluar, m’u lajmërua zëri i agjentes tregtare të Ambasadës kroate, e cila më sugjeronte të aplikoja online, pasi që e kam urgjent!?

Disi m’u mor gjuha.
Mbeta pa fjalë. U shtanga.

E para – i thashë agjentes shitëse të kontraktuar nga ambasadat – se shpenzimi prej 5 eurosh në tel, për 2 minuta në këtë numër të shpifur, sot, ishte krejtësisht i kotë, madje këtë e cilësoj vjedhje ndërkombëtare të qytetarëve kosovarë;

E dyta, dokumentet e duhura i kisha përgatitur qysh më përpara dhe s’kisha nevojë për sugjerimet e saja se çfarë letrash duheshin;
E treta, faqja https://crovisa.mvep.hr/ nuk hapet dot, është e paqasshme!?;
U lodha - zini besë - duke e provuar!?

E katërta, nuk kam printer në shtëpi që të shkarkoj e të shtyp letra koti nga interneti, dhe e pesta: Më vjen keq nga miqtë e mi në Split, nga kolegët e mi shkrimtarë, përndryshe nuk kam asnjë nevojë urgjente për Kroacinë - kam një ftesë zyrtare për një festival letërsie, prandaj, duke u gjetur përballë këtyre zoreve, kam të drejtë ta refuzoj shërbimin që më ofroni Ju dhe Ambasada Kroate, duke bërë biznes me PTK-në e në kurriz të qytetarëve.

Pra, e refuzoj shërbimin tuaj dhe vizën e shtetit kroat!

Lamtumirë!

Por jo, jo askush s’është fajtor në këtë tregim pos autorit, ose më drejt imagjinatës së tij, ose madje njehsimit të mbrapsht të kohës nga ai vetë!?

Ky është thjesht instinkti i shkrimtarit. Shqisa e tij.

Indinjohem me shtetin tim, me PTK-në, por i vë faj edhe burokracisë në diplomacinë kroate.

Ky është tregimi im - historia e askundnajës!!! 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...