Sa do të ndryshojë Evropa pas terrorizmit në Paris

14 Janar 2015 - 08:31 - Augustin Palokaj      

Në të ardhmen e djathta ekstreme dhe grupet ksenofobike dhe antiislamike do të tentojnë të shfrytëzojnë terrorizmin në Paris për propagandë të tyre. Por e mira në reagimet e para është se atyre nuk u dhanë hapësirë. Evropianët nuk e identifikojnë islamin me terrorizmin, por presin tash që vetë myslimanët po ashtu t’i izolojnë terroristët dhe ekstremistët. Gjithsesi Evropa më nuk do të tolerojë predikime radikale, nxitje të urrejtjes dhe të terrorizmit nga disa klerikë radikalë. Por vlerat evropiane do të mbrohen edhe duke respektuar myslimanët evropianë

Flamuj nga shtetet si Tunizia, Turqia, Algjeria, por edhe nga Shqipëria, në marshin kundër terrorizmit në mesin e më shumë se dy milionë njerëzve në Paris dhe qytetet e tjera të Francës, të dielën, pjesëmarrja e liderëve nga shtetet me shumicë myslimane në këtë marsh, vizitat e dhjetëra imamëve në vetëshërbimin hebraik në Paris, ku katër pjesëtarë të këtij komuniteti u vranë si viktima të terrorizmit, jep shpresë se ajo që ndodhi në dy ditët e javës së shkuar mund ta ndryshojë Evropën, por mund ta ndryshojë edhe për të mirë. Delegacioni nga Shqipëria, me prijësit e feve të ndryshme, dërgoi një porosi uniteti kundër së keqes po ashtu. Franca, si vendi me komunitetin më të madh mysliman por edhe hebraik në Evropë, përballet me rritjen e mbështetjes për të djathtën ekstreme. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian një parti e tillë fitoi më së shumti vota. Rritje të së djathtës ekstreme ka edhe në shtetet e tjera të Evropës. Por kjo kurrsesi nuk do të thotë se Evropa është antiislamike apo islamofobe siç mundohen ta paraqesin disa injorantë nëpër media.

Pas këtyre ngjarjeve u dëgjua shumë se “Evropa më nuk do të jetë siç ishte”. Por vlerat evropiane janë aq të rëndësishme saqë asnjë terrorizëm i tillë nuk do të mund të lejohet t’i rrezikojë ato vlera. Në të kundërtën, nëse jeta e njerëzve do të ndryshojë në mënyrë dramatike, nëse mediat do të duhen të kenë kujdes dhe të vendosin censurë, nëse liritë e dikujt do të duhen të kufizohen, atëherë kjo do të mund të shihej edhe si fitore e terroristëve dhe ekstremistëve.

Në të ardhmen e djathta ekstreme dhe grupet ksenofobike dhe antiislamike do të tentojnë të shfrytëzojnë terrorizmin në Paris për propagandë të tyre. Por e mira në reagimet e para është se atyre nuk u dhanë hapësirë. Evropianët nuk e identifikojnë islamin me terrorizmin, por presin tash që vetë myslimanët po ashtu t’i izolojnë terroristët dhe ekstremistët. Gjithsesi Evropa më nuk do të tolerojë predikime radikale, nxitje të urrejtjes dhe terrorizmit nga disa klerikë radikalë. Por vlerat evropiane do të mbrohen edhe duke respektuar myslimanët evropianë.

Viktima të terrorizmit janë të gjithë. Edhe në mesin e të vrarëve, kinse në emër të islamit, pati myslimanë siç ishte polici Ahmed, që me gjakftohtësi u vra derisa ishte i shtrirë përtokë me duar të ngritura. Pati edhe myslimanë që shpëtuan hebrenjtë dhe kjo tragjedi po ashtu nxori heronj të rinj. Terrorizmi nuk ka arsye kur vret. Ata vetë i shpifin arsyet e tyre. Dikë vrasin pse shkruan apo vizaton diçka, të tjerët pse janë të fesë tjetër, të tjerët se nuk janë sa duhet myslimanë, sipas kritereve të tyre, apo janë myslimanë të llojit tjetër. Të kërkosh arsyet e veprimeve të tyre duket jologjike sikurse është jologjike të ketë përgjegjësi kolektive të një besimi për shkak të akteve terroriste.

Se Evropa nuk është antiislamike pati shumë dëshmi në ditët para aktit terrorist në Paris. Në Gjermani pikërisht, kur ndodhi tubimi më i madh në histori kundër “Islamizimit të Evropës”, në atë tubim morën pjesë 18 000 njerëz. Të njëjtën ditë shumë më shumë gjermanë protestuan kundër antiislamikëve dhe madje Katedralja e Këlnit, njëra ndër më të njohurat në botë, në shenjë solidariteti me myslimanët dhe kundër islamofobisë, ndali dritat në këtë katedrale. Madje edhe në Francë, me gjithë kritikat se nuk po dëshmohet “uniteti francez”, liderja e Frontit Nacional, Le Pen, nuk u ftua të merrte pjesë, sepse ajo, me sulmet e saja ndaj të huajve, më shumë është pjesë e problemit sesa e zgjidhjes. Askush nuk e sheh në Evropë zgjidhjen e problemit mes ekstremistëve që thirren në emër të islamit përmes dërgimit të të gjithë myslimanëve nga shtetet e Evropës apo përmes mbylljes hermetike të kufijve siç do të donin ekstremistët e djathtë në Evropë. Por zgjidhjen e problemit e shohin përmes bashkëpunimit dhe luftës së përbashkët. E vërtetë tash e tutje në këtë luftë do të kërkohet që vetë myslimanët të jenë më të zëshëm, më të guximshëm dhe më pak të përmbajtur.

Menjëherë pas akteve terroriste u mobilizua Evropa në mbrojtje të lirisë dhe në dënimin e terrorizmit. Ajo që do të pasojë tash do të jenë veprimet konkrete në nivel më të gjerë evropian, por edhe global, për të nxjerrë mësime nga këto sulme.

Ajo që do të shohim është zero tolerancë ndaj ekstremistëve. Do të ketë më shumë koordinim në shkëmbimin e të dhënave për personat e rrezikshëm. Do të ketë veprime të ashpra dhe të shpejta ndaj atyre që indoktrinojnë dhe rekrutojnë të rinjtë për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Edhe Kosova dhe liderët e saj do të duhej të nxirrnin mësime nga kjo. Nuk duhet të ketë tolerancë ndaj jotolerancës. Politikanët e Kosovës, të cilët bënë shumë mirë që u solidarizuan me Francën dhe dëshmuan se cilës pjesë Kosova dhe shoqëria e saj i takojnë, duhet të veprojnë edhe në Kosovë. Edhe në Kosovë politikanët duhet t’u dalin në mbrojtje gazetarëve, duhet të luftojnë ekstremizmin dhe të mos bëjnë kalkulime politike. Kjo përgjegjësi u takon edhe liderëve fetarë. Nuk mjafton vetëm të distancohen nga ekstremistët dhe nxitësit e urrejtjes, e të tillë ka edhe në Kosovë, por ndaj tyre duhet të marrin masa konkrete. Mjafton një vështrim mbi disa postime nëpër komente në portalet e Kosovës, në rrjetet sociale, dhe të shihet se ka njerëz që arsyetojnë vrasjet në Paris dhe bëjnë ftesë edhe për sulme të tilla në Kosovë.

E keqja e quajtur terrorizëm nuk njeh kufij dhe, duke u solidarizuar në nivel global dhe duke bashkëpunuar me partnerët, luftën kundër kësaj të keqeje secili mund ta bëjë më së miri në oborrin e vet.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...