Divljakat

13 Janar 2015 - 08:47 - Flaka Surroi      

Jabllanoviqi, për fat të keq, nuk është carrok të cilit ia kris dy shuplaka në prapanicë dhe e çon në gjumë për dënim. Është njeriu, i cili do ta mbajë peng komplet Qeverinë, e besa edhe Kuvendin, sepse atë e ka fuqizuar një proces dialogu pa kurrfarë koncepti e ideje

Aiiii, çfarë jave bre na ishte kjo -- e keqe, e dhunshme, e përgjakur, e ftohtë...

Nisjen e mirë të vitit e qiti përtokë vrasja e së paku dhjetë gazetarëve, dy policëve, katër pengjeve, tre terroristëve, në një ngjarje që zgjati dy ditë dhe që nisi edhe me ekzekutimin e njëkohshëm të lirisë së shprehjes. E gjitha nisi në emër të hakmarrjes për ofendimin e ndjenjave fetare... dhe atë në një shtet ku funksionon sistemi i drejtësisë dhe ku ka garanci se të pakënaqurit mund të ngrehin padi për shpifje e fyerje. Për më tepër, aty ku mund edhe ta përjetojnë satisfaksionin, sepse gjykatat vendosin me neutralitet, dhe ku me gjithë gjasë do të konstatohej shkelja, nëse ajo vërtet do të ekzistonte. Marrja e drejtësisë në duar të individëve kurrë nuk ka sjellë asgjë të mirë. Gati përherë ka sjellë vrasje. Të egra.

Lajmi tjetër i javës, pos mjerimit, pasqyronte akull. Hipotermi i thonë mjekët. Ngrirje për vdekje i thonë shul shqip. Ali Fetahu nga Talinovci i Muhaxherëve gjeti vdekjen në një mal të Hungarisë në përpjekje për të kaluar në Gjermani, thuhej, për të kërkuar shërimin. Edhe pse mjaft të paqarta arsyet e 55-vjeçit për të ikur nga Kosova, fakti se as acari nuk i ndalon njerëzit që në numra të mëdhenj t’i braktisin shtëpinë dhe familjen, tregon se po ballafaqohemi me një problem tepër, tepër të madh. Të cilit duhet gjetur çarenë. E që është problem që nuk do të ndalet me gjobitjen e atyre që shtetet perëndimore do t’i kthejnë për shkak se nuk i plotësojnë kushtet për azil.

I treti në radhën e rrëfimeve që e shënuan këtë javë të mbrapshtë ishte ai i shënimit të “bozhiqit” ortodoks, kthimit të pelegrinëve serbë në Gjakovë dhe ofendimit shokues, të cilin ua bëri gjakovarëve ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

I painformuari

Nuk ka vit që nga mbarimi i luftës që nuk më rrëqethet trupi çdo pranverë, sa herë që i shoh fotografitë e familjeve të tëra, ku dominojnë fëmijët e moshës së re, të ekzekutuara mizorisht gjatë luftës në Kosovë. Shumë syresh, në fakt kishin vdekur, besohet, të djegur për së gjalli kur ua kishin kallur shtëpitë. Shumë të tjerë ishin ekzekutuar në masë. Ishin groposur diku, e më pas zhgroposur me qëllim që të humbeshin gjurmët e krimit. Gati 16 vjet pas luftës, Kosova ende ballafaqohet me mungesën e madje 1700 shqiptarëve, të cilët i quajmë të zhdukur.

Shumica e këtyre përkujtimeve vijnë nga Gjakova. Qyteti, i cili kishte pësuar shumë rëndë, nëse jo më së rëndi, gjatë luftës së fundit. Përjetë nuk do ta harroj vizitën time të parë që ia kisha bërë këtij qyteti në ditët e para të pasçlirimit: Çarshia e bërë shkrumb e hi; Xhamia e Hadumit me minare të thyer përgjysmë; shtëpitë rrëzë Çabratit të paçati; qyteti që kundërmonte stërvine. Ne si vizitorë që ishim, ende nuk e kishim kuptuar dimensionin e tragjedisë që e kishin jetuar gjakovarët. Nuk do ta kuptonim deri në çastin kur na u paraqitën familjarët e të zhdukurve për të na e rrëfyer tmerrin e marrjes me dhunë dhe të zhdukjes të të afërmve të tyre. E ka të tillë të cilët nuk e kanë kuptuar ende. Për shkak se refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Njëri nga ta është eksponenti i pushtetit serb në Kosovë, të cilin politika e mbështetur mbi “marrëveshjen e normalizimit” e ka ulur në kolltuk ministri. Një njeri për të cilin madje nuk dihet nëse është shtetas i Kosovës. Dihet që për vendbanim e ka paraqitur Leposaviqin, e gjithashtu dihet se kur ka krisur lufta në Kosovë ka qenë 18 vjeç, kurse kur ajo ka përfunduar i kishte mbushur 19. Pra, ka pasur më se moshë të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë i kishte ndodhur popullatës civile në Kosovë, madje edhe prej mediumeve serbe.

Të egrit

Si çdo vit në këtë kohë, serbët duan të bëjnë pelegrinazh në Gjakovë, për ta shënuar Krishtlindjen ortodokse, në mënyrë që t’i tregojnë opinionit të vet dhe atij botëror se janë viktima të “terroristëve shqiptarë që i kanë dëbuar prej trojeve të tyre”. Kjo, natyrisht, duke iu qasur filozofisë millosheviqiane, i cili për të bëmat e veta e gjente një fajtor kujdestar. Shqiptarët.

Dhe sikurse çdo vit në këtë kohë, kryesisht familjarët e të zhdukurve do të dilnin në rrugë për të protestuar, që të mos lejohej parakalimi i atyre serbëve që ishin identifikuar si kriminelë nga vetë familjarët e banorët e përvuajtur të Gjakovës. Për shembull, kryetari serb i Gjakovës, i emëruar nga Qeveria e Serbisë, të cilin në korrik të 1998-s jo vullnetshëm e pata takuar në Stacionin e Policisë të Gjakovës, si njëra nga tre anëtarët e arrestuar të ekipit të UNICEF-it, “për shpërndarjen e barnave terroristëve”, në kohën kur Gjakova ishte e mbushur jo vetëm me policë e paramilitarë, por edhe me ushtarë të rregullt.

Edhe sivjet, familjarët protestuan dhe nuk lejuan që autobusi që bartte persona sikurse ky, të kalonte tutje dhe t’i afrohej kishës. Shyqyr që qe acar, e autobusi u kthye prapa për shkak të akullit. Kështu së paku u deklaruan në Policinë e Kosovës.

Ky veprim nxiti reagimin e menjëhershëm të Jabllanoviqit, “ministrit të Kthimit dhe të Komuniteteve në Qeverinë e Kosovë e Metohisë”, i cili tekstualisht tha se ishin “divljakat” (demek “të egrit”, përkatësisht “egërsirat”) ata që e kishin ndaluar kremten e një dite të madhe feste; kremten e një dite të shenjtë për serbët.

Askush nga institucionet s’u dëgjua të reagonte. S’kishte koment as ndaj përdorimit të Kosmetit si term identifikimi të Republikës së Kosovës, e aq më pak ndaj identifikimit të familjarëve të të vrarëve dhe të të zhdukurve gjakovarë si “divljaka”.

Se çka ndodhi, kush kujt ia mbushi mendjen, nuk e dimë, porse dje u dëgjuan dy deklarata. Një pa lidhje. Tjetra edhe më pa lidhje.

Qortimi pa ngjyrë

“Nuk i kam quajtur ‘divljaka’ qytetarët e Gjakovës, për të cilët kam respekt, por i kam quajtur disa njerëz, të cilët me gurë i kanë gjuajtur autobusët me serbë që atë ditë donin të vizitonin një shenjtore. Unë kam respekt për viktimat nga njëra dhe ana tjetër dhe të jem i sinqertë, nuk kam ditur për humbjet katastrofike që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë bombardimeve. Këtë e kam mësuar pas kësaj deklarate nga disa miq shqiptarë”.

Pra, Jabllanoviq nuk e di që Kosova i ka pasur 5 mijë të zhdukur pas luftës. Nuk e di ende që nuk janë gjetur 1700 persona të cilëve ua kanë humbur gjurmët ushtria e policia e shtetit, pjesë e të cilit është edhe partia e tij politike, e të cilën e kishin themeluar ish-ministri për informim i Millosheviqit, kryeministri aktual serb, dhe ish-shefi i varrmihësve diku në Serbi, kryetari aktual serb.

Jabllanoviq thotë se nuk ka ditur se Kosova i ka pësuar 12 mijë viktima në luftë dhe se asaj i janë shkatërruar 100 mijë shtëpi e banesa. Me siguri e ka kuptuar se 800 mijë të dëbuarit nga regjimi fashist, të cilit i kanë kontribuuar edhe shefat e tij, s’kanë qenë të përjashtuar nga tokat e tyre, por kanë dalë me bâ korzo deri në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi.

Jabllanoviq nuk e di që masakrën e parë që e kanë shkaktuar forcat serbe, të shtetit, shtetas i të cilit është dhe deputet i të cilit ishte deri para disa javësh, ka ndodhur më 27 e 28 shkurt 1998. Se pas kësaj ka pasur një më 5 mars 1998, e më pas një në prill 1998, e më pas një tjetër në maj 1998 e pastaj në shtator 1998, e mandej një seri më 15 janar 1999, e më 26 mars 1999 e më 2 prill 1999 etj., etj. Me siguri se ende nuk e ka kuptuar, sepse është i ri e i papjekur i shkreti, se gjatë bombardimeve të NATO-s vrasjet në Kosovë i kanë bërë paramilitarët, policët dhe ushtarët serbë – dhe se shqiptarët nuk i kanë vrarë bombat e NATO-s. Nëse nuk e ka ditur ta kuptojë atëherë, mbase duhet treguar se NATO-ja nuk ka pasur trupa tokësore në Kosovë para datës 12 qershor 1999, kurse kufomat e shqiptarëve të masakruar janë bartur me kamionë e frigoriferë për në Serbi nga masakruesit dhe varrmihësit e regjimit, pjesë e të cilit kanë qenë shefat e tij përnjëmend.

Sepse shefi i tij nominal, Mustafa, u korit fare me një deklaratë që në vete dëshmon mungesën absolute të vendosmërisë për të imponuar autoritetin dhe për të bindur se vërtet është shef Qeverie, i cili di të menaxhojë situata të shëmtuara sikurse ishte kjo. Atë që e tha ishte kjo: “Unë sot dëgjova se ministri Jabllanoviq është distancuar nga deklaratat e tij lidhur me protestuesit. Nuk është e mirë që ai i ka quajtur ashtu”.

Është vështirë të kuptosh se si dikush mund të distancohet nga deklarata të cilën e ka bërë vetë. Mund ta mohojë, ta pohojë, ta modifikojë, por s’mund të thotë “nuk po pajtohem me vetveten”. Tutje, të konstatosh se nuk është mirë që i ka quajtur “divljaka” protestuesit që ka vite nuk bëjnë gjumë, sepse nuk e dinë se ku i kanë eshtrat e familjarëve të tyre, është madje as të mos jesh diplomatik e as i balancuar në përgjigje. Kjo është sikur ta qortosh një carrok se nuk ka bërë mirë që i ka hëngër tre bonbone.

E Jabllanoviqi, për fat të keq, nuk është carrok të cilit ia kris dy shuplaka në prapanicë dhe e çon në gjumë për dënim. Është njeriu, i cili do ta mbajë peng komplet Qeverinë, e besa edhe Kuvendin, për shkak se funksionon në bazë të instruksioneve që ia japin shefat e tij nga Beogradi. Është njeriu të cilin e ka fuqizuar një proces dialogu pa kurrfarë koncepti e ideje dhe një marrëveshje të cilën madje edhe ata që e kanë negociuar dhe nënshkruar, publikisht e pranojnë se nuk zbatohet nga ana e Serbisë.

Gjë e cila, megjithatë, nuk i mëson mend këta që sot e mbajnë pushtetin: sepse dialogu do të vazhdojë sikurse do të vazhdojnë, për fat të keq, edhe koncesionet që do t’u bëhen atyre që prej shekujsh na shohin e na përjetojnë si “divljaka”.

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...