A jemi normalë?

7 Janar 2015 - 08:00 - Augustin Palokaj      

Kur kryeredaktori Agron Bajrami na kishte dërguar një email qarkullor, duke na tërhequr vërejtjen se Viti i Ri po afrohet, e koha për kolumnet e Vitit të Ri edhe më shpejt, reagimi i parë ishte: “A është ai normal!” Jo pse, si gjithmonë, kërkon që shkrimet të dërgohen “sa më parë”, por pse kësaj radhe kishte insistuar që të mos shkruajmë për “ata” dhe të mos i përmendim në asnjë mënyrë në shkrimet për numrin festiv, sepse ky numër do t’u kushtohet qytetarëve dhe atyre nuk do t’u prishet festa, duke i përmendur “ata”, me të cilët tërë vitin merren mediet.

Por, kur nisa të mendoj se çfarë do të mund të shkruaj, e të mos i përmend ata, m’u kujtua pyetja e para shumë vjetësh e një miku: “A jeni ju normalë? A dini ju gazetarët të flisni diçka tjetër pos për pol...” Vërejtje të tilla se “A jemi normalë?” kemi marrë shpesh, kryesisht nga miqtë të cilët nuk janë kosovarë, nuk janë as nga rajoni. Sepse, nëse je shqiptar, apo nga cilido vend tjetër i rajonit, nuk ka rëndësi se çfarë profesioni ke: nuk di të flasësh për gjërat e tjera pa i përmendur “ata” dhe profesionin e tyre.

Për ta flasim kur pimë kafenë e mëngjesit, për ta flasim kur pimë birrë pas ndeshjes së futbollit, për ta flasim kur shkojmë mysafirë te ndonjë mik sapo t’i kryejmë formalitetet “Si jeni...? Si e keni familjen...?”, për ta flasim me miqtë edhe në festat e ditëlindjes, për ta flitet edhe në kryeshnosh (të pame), ndërsa nëpër dasma dhe syneti jo vetëm që flitet për ta, por shpesh edhe u këndohen këngë. Jo rrallë u jepet mikrofoni për t’i nderuar të pranishmit me ndonjë porosi të tyre. Për ta flet me taksistët sapo t’i tregosh se cili është destinacioni, për ta flet në autobus, në çajtore apo kafene, në oborre të kishave apo xhamive pas ceremonive fetare, e besa edhe gjatë predikimeve.

“Ata” nuk janë jashtëtokësorë, Ata duken sikur edhe ne dhe shpesh na thuhet se janë pjesë jona. Ose se kanë dalë nga “gjiri i popullit”. Punën e tyre, përmes së cilës përfitojnë, pasurohen dhe marrin shumë privilegje e quajnë “sakrificë për qytetarët”. Ata thuhet se “i kanë rrogat e vogla, por të ardhurat shumë të mëdha!” Ata në Kosovë janë bërë zot të fatit të dikujt. Pa ta, apo në lidhje me ta, është vështirë të gjesh vend pune, të bësh ndonjë biznes të suksesshëm, të regjistrohesh në shkollën e dëshiruar. Ose duhet të kesh lidhje me ta ose të bëhesh pjesë e tyre.

Nuk mund të aktivizosh televizorin e të mos dalin menjëherë “Ata” nga ekrani. Jo vetëm në emisionet e lajmeve apo debateve polit..., që në shtëpitë e familjeve kosovare nga njëri kanal në tjetrin shikohen nga mëngjesi deri në mbrëmje, por edhe në emisione ndërmjet lajmeve. Edhe kur shikon futboll, kamera i kap ata diku në stadium. Edhe kur shikon ndonjë emision zbavitës dalin ata diku, ose përmenden. Edhe kur ka ndonjë reportazh për promovimin e ndonjë libri, hapjen e ndonjë ekspozite apo premierën e ndonjë shfaqjeje teatrale, nuk bën pa i parë ata dhe pa dëgjuar mendimin dhe vlerësimin e tyre. Ata janë të gjithanshëm.

Krejt kjo na tregon se jeta jonë vërtet nuk është normale dhe ajo ka tepër vlerë për të humbur aq shumë kohë duke u marrë me ta. Por ata kanë arritur të depërtojnë në çdo pore të jetës së qytetarëve. Kur ata të cilët nuk përmenden në këtë numër të gazetës të mos jenë aq shumë në mendjet tona, në bisedat tona, në shqetësimet tona, atëherë do të thotë se e kemi jetën më normale. Ironia është se edhe ata do të donin që nganjëherë ne të mos merremi me ta. Do të donin që vetëm të votojmë për ta, t’i lavdërojmë për meritat e tyre, por jo edhe të zgjojmë dyshime në sakrificat e tyre që i bëjnë për popullin.

Unë në këtë numër të kësaj gazete e kam respektuar kërkesën e kryeredaktorit. Nëse urdhri i tij ka qenë diçka që nuk ka bërë kurrë - “censurë” - atëherë unë në këtë shkrim kam bërë atë të vetmen që bëjnë shkruesit në censurë, t’i iki asaj tërthorazi duke folur për “temën e ndaluar” pa e përmendur atë formalisht. Unë në vazhdimin e karrierës sime do të vazhdoj të merrem me ta, aq sa do të jetë e nevojshme. Por u premtoj miqve se në jetën private, në aktivitetet e lira, në ndeja, do të bëj çmos që t’i përmend sa më pak.

Madje edhe kur të takohem me ta, sepse edhe në mesin e tyre kam miq, sepse edhe ata janë njerëz. E ata kur të merren me atë profesionin e vet, le të bëjmë çmos që ta ruajnë njerëzinë e të mos japin kontribut për ta konfirmuar thënien se ai profesion i prishë njerëzit. Qytetarëve me këtë nuk dua t’ua prish festën, por vetëm t’u uroj gjithë të mirat në Vitin e Ri dhe që “ata” dhe profesioni i tyre të jenë sa më pak të pranishëm në jetën e qytetarëve. Pra të kenë një jetë më të hareshme, me më pak brenga, më normale.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...