Oguri i ndryshimit

6 Janar 2015 - 08:00 - Flaka Surroi      

Moti nuk më ka bërë vaki ta shkruaj “zgafellen” në ambient plotësisht të qetë. Ka dy ditë që shoh shumë pak vetura në qarkullim; shumë pak njerëz rrugëve; shumë më pak kafehane të hapura sesa në vitet e shkuara... Është hera e parë mbas shumë kohësh, dhe nuk e di pse, që e ndiej me plot fuqinë gjithë dashurinë me të cilën më kanë rrethuar në shtëpi, punë e shoqëri.

Pas gjithë këtyre viteve që kanë sjellë frustrim e zhgënjim, nisja e vitit me këso ndjenje ishte një zbulim i ri. Është, e besoj, më shumë se dëshirë për t’u çliruar nga ankthi në të cilin na kanë burgosur politikanët tanë injorantë dhe arrogantë. Sepse pas shumë kohësh e hetoj një qetësi, e cila do të doja të besoja se është ogur i mirë. Mbase edhe heshtje para stuhisë, por asaj së mirës, që do të marrë me vete të keqen që na ka kapur në zgrip.

Një shkëlqim në qendrën e botës

Këtij disponimi, pa dyshim, i ka kontribuuar edhe koncerti tradicional i Vitit të Ri i Filarmonisë së Vjenës, qytetit të bukur që për çdo vit në këtë kohë shndërrohet në qendër të botës. Koncertin, në të cilin po të donit të shkonit, do të duhej t’i hynit garës së shortit për madje tre vjetët e ardhshëm, sepse kërkesa është tejet e madhe për t’u bërë me një biletë që për parter kushton madje mbi 1 mijë euro.

Kësaj radhe dirigjoi indiani Zubin Mehta. Sinqerisht, askush nuk do t’ia jepte 77 vjetët që i bart me shumë elegancë. Impresiv, veshi i tij absolut dhe energjia me të cilën udhëhoqi Filarmoninë vjeneze për më shumë se një orë e gjysmë; tepër simpatik teksa e udhëhiqte publikun te pjesa e shuplakave te Marshit Radetzky dhe teksa ngrinte dolli për Vitin e Ri.

Po për ne shqiptarët, qendra e botës na e solli kënaqësinë më të madhe të përjetuar prej kohësh: Shpirtin shqiptar të cilin e solli violinisti i Filarmonisë së Vjenës, gjakovari Shkëlzen Doli, që ishte përzgjedhur për ta shënuar 150-vjetorin e bulevardit qarkor në zemër të Vjenës, Ringstrasse. Dhe shyqyr që nuk e kemi ditur për befasinë që na e bëri, se më së pari krejt politikanët kishin ngarendur për t’u krekosur me të, e bile-bile, edhe u kishte shkuar në mendje të thoshin se performanca e Dolit është rezultat i punës së diplomacisë kosovare.

Virtuozitetin e tij në violinë e nisi me “Hapi sytë e zeza...”, e vazhdoi me një miks ballkanik, për ta përfunduar me një valle tonën, në përcjellje të violonçelit, kitarës e klarinetës, ndër të tjera. Ishin ato katër minuta që na bënë të ndiheshim më të rëndësishmit bile për një çast – sepse koncerti u përcoll në 90 shtete dhe një publik prej rreth 50 milionë njerëzve.

Nuk pati mënyrë më të mirë se kjo për ta nisur vitin: duke i treguar botës se kemi vlera dhe se pasqyrën që ia kemi krijuar vetes para saj është e rreme. Dhe të cilën, gjithsesi, duhet ndërruar.

Dy anët e monedhës

Pas shumë kohësh, është hera e parë që kaloj nga një vit në tjetrin pa frikën se çdo moment mund të më godas sulmi në zemër nga petardët që dinin të eksplodonin me tonelata në vitet e shkuara. Dhe ky ishte një ndryshim, dhe atë jo pak i rëndësishëm. Është hera e parë që në qendër të qytetit nuk kemi pasur shpërthime petardësh as para, e as pas Vitit të Ri. Gjë e cila do të mund të konsiderohet sukses që nisi me një vendim të Komunës që të gjobisë të gjithë ata që zihen “me petardë në dorë”. E që besoj më shumë pati efekt vetëdijesimi sesa kërcënimi të vërtetë – ani që ne, si popull, tregohemi shumë të disiplinuar atëherë kur na e godasin xhepin.

Pas shumë kohësh u tentua një diçka që kishte dështuar dy herë që nga çlirimi: të pritej Viti i Ri në rrugë, me një koncert. Natyrisht se këtij organizimi nuk i ndihmoi fare moti polar, që duke iu falënderuar erërave nga veriu dukej se na kishte vendosur diku në Siberi; mbase nuk i ndihmoi as përzgjedhja e këngëtarëve, nuk e di – porse e gjithë mbledhja para Zahirit nuk kaloi mirë. Pak njerëz, stenda të improvizuara të drurit të vendosura gjithandej nëpër shesh, të kafiterive prishtinase, rrinin të mbyllura, dhe shëmtuara, të mbuluara me najlon; një lëmsh jo fort me shije..., mbaroi relativisht herët dhe bëri mirë – sepse fituam qetësinë të cilën po e gëzojmë këto ditë.

Por më alarmante sesa një koncert i dështuar, që mund t’i ndodhë gjithkujt, është dështimi i Komunës, e që nuk do të duhej të ndodhte: pastrimi i rrugëve, përkatësisht mospastrimi i tyre. Kjo do të ketë qenë mbase nisja më katastrofale e vitit për Shpend Ahmetin dhe zyrtarët e tij – pos rrugës kryesore që është e pastër dhe me gjasë për t’u rrëzuar vetëm për shkak të shtresimit të akullit mbi pllakat e granitit – rrugët e tjera dhe posaçërisht trotuaret janë në gjendje të mjerueshme. Përderisa ditën e parë kur filloi të binte borë në Prishtinë shërbimet komunale reaguan me shpejtësi dhe hodhën kripë mjaftueshëm sa për të mos lejuar shtresimin e akullit, ditëve në vijim reagimi i këtillë mungoi.

Po flitet për bojkotimin e qëllimshëm të disa kompanive të pastrimit – po qe se kjo është e vërtetë, këta do të duhej të akuzoheshin për vepër penale, sepse po i rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e popullatës. Me apo pa bojkot, megjithatë dhe pa bërë panik, komunarët kanë mundur të ndërmerrnin masa emergjente e që me procedura të shkurtuara të angazhonin ekipe që do të dilnin për t’i pastruar rrugët. Nëse kjo Kosovë ka diçka me bollëk, atëherë ka të papunë. Jam shumë e sigurt se nuk do të mungonin “vullnetarët” për t’u bërë punëtorë krahu bile për disa ditë.

Po qe se bojkotimi i pretenduar nuk është i vërtetë dhe po qe se ka pasur kalkulime të gabuara në angazhimin e ekipeve të këtilla me procedura të prokurimit, atëherë dikush do të duhej të jepte përgjegjësi në Komunë. Dhe atë menjëherë. Kjo, po qe se kjo qeverisje komunale do që të dëshmohet se është më ndryshe sesa ajo e kaluara.

Lindje për alarm

Dhe ngjarjet e fillimvitit u rrumbullakuan me lindjen e parë që tradicionalisht shënohet si lajm në të cilin protagonist është shefi i shtetit. Kësaj radhe Jahjaga zgjodhi të mos shkonte në Spitalin e Prishtinës. E besa aty mungoi edhe ministri i Shëndetësisë. Arsyeja: thonë se nuk kishin shkuar për ta uruar nënën e re, për shkak se ajo ishte e mitur. Thuajse mosshkuarja e tyre aty do ta linte pa shënuar ngjarjen. Thuajse me mosshkuarjen e tyre problemi i amësisë së hershme do të shuhej fare.

Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja që solli në jetë foshnjën e parë sivjet, do të mund të shërbente si shembull i një problemi serioz të cilin e ka krijuar kjo shoqëri dhe me të cilin nuk di të ballafaqohet. Apo është se nuk do.

Shtatzënësia e kësaj të miture do të mund të ishte rezultat i një sërë rrethanash, e që të gjitha të jenë të vërteta dhe madje edhe të ndërlidhura: mungesa e edukatës seksuale në shtëpi e në shkollë; mosmarrja e kontraceptivëve; mungesa e perspektivës në familjen amë dhe shkuarja “rob” te tjetra, apo edhe ka mundur të jetë se vajza është dashuruar dhe ka dashur të martohet sa më shpejt...

Është problem kur një e mitur, e cila ende nuk e ka shijuar as fëmijërinë e as adoleshencën si duhet, merr mbi vete barrën e rritjes dhe të edukimit të një fëmije tjetër, përderisa vetë do të jetë e varur nga të tjerët që duhet ta përkrahin edhe financiarisht e edhe moralisht. Është problem ndaj të cilit nuk duhet t’i mbyllim sytë, për shkak se është fenomen që është shënuar jo pak herë gjatë vitit të shkuar. Ministria e Arsimit do të duhej të mendonte se si t’i qasej kësaj pune – fëmijët në pubertet do të duhej të njoftoheshin me procesin e riprodhimit dhe me masat parandaluese të shtatzënive të padëshiruara. Sepse nëse këtë edukatë nuk ua japin në shtëpi, gjithsesi do të duhej ta merrnin në shkollë.

Është problem edhe mungesa e perspektivës dhe diskriminimi i vazhdueshëm i vajzave dhe i grave në jetën shoqërore në Kosovë. Është papunësia, është pabarazia në vetë strukturat politike që i vendosin parimet dhe ligjet – shikoni veç përbërjen e Qeverisë aktuale; përbërjen e Kryesisë së Kuvendit apo edhe të partive politike, dhe krejt janë të qarta.

Shikoni edhe sesi kryetarja, femër, i ikën takimit me vajzën 16 vjeç, që ka pasur fatin apo fatkeqësinë për t’u bërë nënë në këtë moshë të re. Mosardhja e saj në spital është diskriminuese. Madje do të mund të ishte anatemuese për lehonën e re. E do të duhej të shërbente si rast për ngritje të alarmit. Për prononcimin publik, ku do të duhej të kërkonte që shoqëria ta përmbushte obligimin që të përkujdeset për një rritë normale të rinisë së vet. Që të alarmojë se sistemet e arsimit e të shëndetësisë, si dhe politikat e punësimit, ndër të tjera, do të duhej të siguronin që edhe përtëritja e brezave të ndodhë, por jo në varfëri e mungesë perspektive. Të ndodhë në kushte ku prindërit e rinj do të kishin mundësinë që t’i rrisnin fëmijët e tyre të dëshiruar me sa më pak pengesa e mungesa.

E me gjithë ngathtësinë e Jahjagës, qetësia që po na rrethon, megjithatë, është ogur i mirë. Një i tillë që flet për ndryshimin që duhet të ndodhë.

flaka@koha.net

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...