Shkuarja e Vetonit

3 Janar 2015 - 14:01 - Veton Surroi      

Rrëfimi për Vetonin që u nis për në Gjermani nga rruga e Suboticës

1.
Vetoni e mori emrin nga unë.

Diçka të mirë duhet të kem bërë që ta ketë inspiruar vjehrrin e rrobaqepëses sime për ta pagëzuar kështu njërin prej nëntë fëmijëve të saj.

Kështu disi duhet të tingëllojë satisfaksioni me faktin se kam shërbyer si model pagëzimi. Kështu disi ia thashë edhe rrobaqepëses dhe kështu disi e kuptoi edhe ajo.

Vjehrri kishte ditur për mua më shumë se kaq, tha ajo, dhe vjehrri donte që njëri prej nëntë fëmijëve ta kishte të ndjellë rrugën e jetës me emrin tim.

2.
Vetoni u rrit dhe u bë "alamet djali", tha rrobaqepësja. Çdo herë që na binte të takoheshim, e nuk ishin edhe aq të shpeshta, Vetoni rritej dhe rritej, derisa u bë "alamet djali".

Dhe rrëfimi për të nuk kishte ku shkonte më. Duhej të kalonte në përshkrimin tjetër, atë ku do të bëhej "tamam burrë", ku do të zinte një vend pune, të martohej, të sillte në shtëpi gjeneratën e ardhshme të trashëgimisë.

Diku mes rrëfimit të përfunduar të "alamet djali" dhe atij të paarritur të "tamam burri", Vetoni i tha s’ëmës, në mbrëmje, se brenda dy orësh do të nisej me autobus për në Suboticë, se e kishte gjetur mënyrën për ta kaluar kufirin dhe se kishte gjasa të mira që së shpejti ta takonte dajën në Gjermani.

- Do të gjej punë e do të rehatohem, i tha si porosi të fundit.

Dhe rrobaqepësja nuk pa ëndërr se si djali po e zinte vendin e punës, po e merrte banesën me qira, po i siguronte dokumentet nga punëdhënësi - një ditë të vinte e me bekimin e saj të gjente një nuse, e cila një ditë do të ishte gruaja e mbërritjes së burrërisë së Vetonit.

Rrobaqepësja nuk pa ëndërr, sepse nuk e mbylli syrin. Syri, me pamjen e shpinës së tij, duke u larguar nga dera, nuk mbyllej as për gjumë, e jo më për ëndrra.

3.
Vetoni e gëzoi, përkohësisht, rrobaqepësen me zërin e tij nga Hungaria.

Pastaj edhe e brengosi, sepse i tha se e kishin zënë duke e kaluar kufirin dhe e kishin vënë në kamp refugjatësh.

Pastaj e gëzoi sërish kur pas tri ditësh i tha se kishte dalë në Austri. Hungarezët, të vërshuar me bashkëkombësit e Vetonit, nuk kishin aq vend në kampet e veta sa kishte kandidatë kosovarë për to, dhe kishin filluar t’i lëshonin në liri pas 72 orësh qëndrimi.

Rrobaqepësja ndjeu tundimin se ndoshta ishte tash momenti që duhej ta shtynte te telefoni, ta thërriste vëllanë në Gjermani dhe t’i thoshte se e ka Vetonin në Austri e se nuk do t’ia harronte kurrë të mirën e as obligimin (se daja për nip pushkë qet) po qe se shkon ta marrë.

Por tundimi zgjati kaq, sa shkrepja e mendimit; rrobaqepësja dhe çdokush që di diçka për shkuarje kah Subotica për në Gjermani e di gjithashtu se ai që zihet duke ndihmuar hyrjen ilegale në BE mund të quhet dajë a nip, por nga autoritetet gjermane quhet kontrabandist njerëzish, me pasoja legale burgu.

Dhe ajo nuk e thirri dajën që të qesë pushkë për nipin.

4.
Vetonin e zunë, së bashku me shokë, në stacionin hekurudhor të Vjenës, aty ku është, siç qe përshkruar disa herë nga shkrimtarë e pretendues për të qenë të tillë, kufiri mes Ballkanit dhe Evropës.

Policia i dërgoi në kampin e qëndrimit të përkohshëm dhe prej aty Vetoni e gëzoi nënën me gjallërinë e zërit të tij dhe e trishtoi me lajmin se nuk arriti të mbërrinte për në burrërinë e projektuar.

Rrobaqepësja thotë: "Tybe nuk e di kur e kthejnë tash".
Njëri që rri në stol brenda dyqanit dhe e përcjell bisedën, ashtu siç përcillen te berberi e te rrobaqepësja, thotë se e kthejnë pas dy javësh.

"Edhe vëllanë tim e kthyen kështu. Deri tash nja tri herë po".

Rrobaqepësja ofshan, merr frymë, merr inspirim e guxim të thellë dhe fillon të shajë njerëzit që janë në krye të këtij vendi.

Ashtu disi, dikur, në shekullin e kaluar, shanim pushtetin e Serbisë.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...