Kosovarët duhet ta zgjedhin presidentin në zgjedhje popullore e jo në Kuvend

31 Dhjetor 2014 - 11:08 - Augustin Palokaj      

Duke pasur parasysh se në Kosovë institucionet krijohen si rezultat i pazareve personale, prapa dyerve të mbyllura, dhe duke e ditur nivelin e ulët të besimit që ka mbetur në partitë politike, do të ishte mirë që së paku presidentin e Kosovës ta zgjedhin qytetarët. Vetëm në atë mënyrë presidenti apo presidentja, edhe pse me kompetenca të kufizuara në një sistem parlamentar, do të mundë të luante rolin e një balancuesi dhe unifikuesi

Presidentja e tashme e Kosovës, Atifete Jahjaga, është zgjedhur në atë post me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata deputetë janë zgjedhur me votat e qytetarëve. Dhe nga kjo, në shikim të parë, del edhe legaliteti dhe në një masë edhe legjitimiteti i saj. Por para se të merrte votat e deputetëve, pra të “përfaqësuesve të popullit” ajo u caktua të jetë presidente e Kosovës si rezultat i marrëveshjes së katër burrave. Deri atëherë shumë pak e njohur, e disa thonë që nuk e gjenin as në “Google”, Jahjaga u bë presidente e Kosovës me “propozimin” e ishambasadorit amerikan, Dell, dhe që formalisht u transmetua se tre liderët e partive politike u pajtuan që ajo të jetë një lojë zgjedhje kompromisi për kreun e shtetit. Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Behxhet Pacolli, bënë marrëveshjen e cila në krye të shtetit solli presidenten e tashme. Ajo marrëveshja pati edhe disa pjesë të tjera, por ato nuk u realizuan. Pra, presidenten e kemi në këtë postë si rezultat i marrëveshjeve private në shtëpi private të dikujt, si rezultat i pazareve personale. Se sa të interesuar janë që të kenë një grua në krye të ndonjë institucioni, së sa të gatshëm janë të angazhohen për barazinë e femrave në politikë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dëshmuan në krijimin e Qeverisë së tashme.

Dhe tash njëlloj janë zgjedhur edhe presidenti i Kuvendit të Kosovës, Qeveria dhe ministrat e saj. Madje kjo është bërë në marrëveshje të vetëm dy personave, kryetarëve aktualë të dy partive politike, Hashim Thaçi, nga PDKja, dhe Isa Mustafa, nga LDK-ja. Natyrisht ata thonë se e kanë edhe “mbështetjen e partisë”, edhe pse është e qartë se nuk u bë Marrëveshja me mbështetjen e anëtarëve të Partisë, por së pari u morën vesh kryetarët e pastaj ajo marrëveshje iu shit partive.

Sipas asaj marrëveshjeje, pasi Atifete Jahjagës do t’i skadojë mandati, president i Kosovës do të duhet të bëhet Hashim Thaçi. Madje kryetari i Qeverisë thotë se anëtarët e LDK-së e kanë obligim ta votojnë Thaçin për president. Pra jemi dëshmitarë të mohimit të së drejtës kryesore të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës, deputetëve, që në mënyrë të pavarur, me integritet personal dhe me përgjegjësi të plotë, sipas ndërgjegjes së tyre, të votojnë si përfaqësues të qytetarëve. Vërtet ata janë zgjedhur në listat e partive politike, por kur ulen në Kuvend ata janë përfaqësues të zgjedhur direkt nga populli dhe nuk janë të detyruar të dëgjojnë urdhrat e askujt, por interesin e qytetarëve. Ky Kuvend jo vetëm se nuk do të ndryshojë shumë në rritjen e rolit të mbikëqyrësit të qeverisë, por do të jetë edhe më shumë vegël e saj. Nëse është për të gjykuar nga veprimet e para, deputetët nga Isa Mustafa shihen vetëm si një makineri votuese e jo si përfaqësues të qytetarëve. U pa si kaluan ata të cilët nuk votuan sipas komandës së tij.

Dhe pikërisht pjesa e marrëveshjes së Mustafës dhe Thaçit që ky i fundit të bëhet president i vendit me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet të nxitë debat në Kosovë për një çështje tashmë të harruar, atë të zgjedhjes së presidentit me vota të drejtpërdrejta. Duke pasur parasysh se në Kosovë institucionet krijohen si rezultat i pazareve personale, prapa dyerve të mbyllura, dhe duke e ditur nivelin e ulët të besimit që ka mbetur në partitë politike, do të ishte mirë që së paku presidentin e Kosovës ta zgjedhin qytetarët. Vetëm në atë mënyrë presidenti apo presidentja, edhe pse me kompetenca të kufizuara në një sistem parlamentar, do të mund të luante rolin e një balancuesi dhe unifikuesi.

Mashtrimi i paparë që ua bëri LDK-ja votuesve të saj, duke bërë koalicion me PDK-në pas shumë zotimeve se “kurrë nuk do ta bëj këtë” dëshmon se pazaret politike thirrja në “miqtë ndërkombëtarë”, interesat personale janë kritere më të rëndësishme për zgjedhjen e krerëve të pushtetit sesa votat e qytetarëve. Nuk është fjala vetëm për numrat e mjaftueshëm në Kuvend që legalizojnë pazaret e tilla por për kredibilitetin e procesit.

Politika në Kosovë ka humbur besimin, edhe prania ndërkombëtare në Kosovë nuk ka shumë kredibilitet, sepse po identifikohet me strukturat politike për të cilat vetë thonë se janë të korruptuara duke i mbështetur ato dhe duke ua lanë fajin qytetarëve pse kanë votuar për ta. Hapi i parë për t’i kthyer besimin do të ishte që së paku presidenti të zgjidhet me votime të drejtpërdrejta të popullit.

Një gjë e tillë nuk do të ndryshonte shumë ndoshta. Nëse deri në atë moment do të ishte ende gjallë koalicioni PDK-LDK, atëherë mund ta kandidojnë kryetarin e PDK-së për president dhe, nëse vërtet besojnë se populli ka besim në ta, atëherë Thaçi do të fitonte bindshëm. Ata që aq shumë thirren në popull nuk duhet t’i frikohen votës direkte të popullit. Dhe vetëm atëherë popullit mund t’i lihet përgjegjësia pse e kanë votuar dikë që të jetë në krye të shtetit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të izolohen edhe më shumë nga qytetarët. Do të vazhdojnë t’i injorojnë ata dhe të tregojnë arrogancë edhe më të madhe ndaj tyre. Do të vazhdojë degradimi i demokracisë në Kosovë. Vetëm një president i cili do të dilte nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve do të kishte fuqi që të thërrasë në përgjegjësi qeverinë. Do të kishte një fuqi të cilët nuk e pati dhe nuk e ka Atifete Jahjaga.

Ka mbetur mjaft kohë deri te përfundimi i mandatit të Jahjagës që deri atëherë të përmbyllet reforma zgjedhore dhe në kuadër të saj të vendoset që presidenti i shtetit të votohet direkt nga populli. Natyrisht, në atë reformë do të duhej të ndryshoheshin edhe disa gjëra të tjera në proceset zgjedhore në Kosovë. Tash e sa vjet qëllimisht në Kosovë po vonohet reforma zgjedhore. Po të ishte në interes të qarqeve kryesore politike ajo do të ishte përmbyllur deri me tash por atyre duket se u konvenon më shumë që situata të mbetet e tillë çfarë është në mënyrë që të mundë të ushtrojnë pushtetin sipas interesave dhe pazareve të tyre prapa dyerve të mbyllura. Transparenca është një prej elementeve kryesore të funksionimit të demokracisë e në krijimin e institucioneve të Kosovës ajo nuk duket të respektohet.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...