Mbi financat tona

29 Dhjetor 2014 - 08:40 - Lumir Abdixhiku      

Një vështrim i përgjithshëm mbi buxhetin e ri

E kam thënë vazhdimisht se diskutimet buxhetore, ndonëse esenciale në çdo rrethanë, do të ishin më pak determinuese sikur vendi ynë të varej shumë më shumë nga sektori privat sesa nga shpenzimi ose jo i një miliard e gjysmë eurove në vit nga sektori publik. Gjithsesi, për vetë nomenklaturën ekonomike tonën, për vetë varësinë tonë, pra në sjelljen e publikes, diskutimet buxhetore bëhen më esenciale; bëhen pra më përcaktuese të rrjedhave ekonomike.

Dhe kështu rrjedhat ekonomike të viteve të fundit – të marrim të tre viteve të fundit – shënojnë njëkohësisht edhe rekordet më të ulëta zhvillimore që i ka pasur Kosova që nga paslufta. Rritja jonë ekonomike pra, në këto tre vitet e fundit, në mesatare është rrumbullakuar në vetëm 2.7%. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova kishte rritje ekonomike në vitin 2012 prej 2.5%; po aq në vitin 2013; ndërsa rritja ekonomike në vitin 2014, këtë të fundit pra, parashihet të jetë vetëm 3%.

Gjithsesi se kontribuues esencial në këtë performancë ekonomike tonën rekord-ulëse në tre vitet e fundit është edhe sjellja e politikave publike, ku bën pjesë dhe buxheti i Republikës. Dhe ky i sivjetmi, fatkeqësisht, përngjan në skajshmëri me buxhetet paraprake që kanë sjellë pikërisht stagnimin ekonomik tonin që rrumbullakon në vetëm 2.7% rritje.

Është fatkeqe ideja se do të duhet të kalojmë edhe një vit sikurse paraprakët; dhe është edhe më fatkeqe ideja se një qeverisje e re replikon në identitet perfekt sjelljen financiare të paraprakes – për të përfunduar kështu pra në numra zeroimpresivë të prosperitetit tonë ekonomik.

Për lexuesit e kësaj kolumne buxheti i vitit 2015, në numra të përgjithshëm pra, parasheh një inkasim prej 1.57 miliardë eurosh kundrejt një shpenzimi prej 1.66 miliardëve. Pra edhe këtë vit do të shpenzojmë më shumë sesa kemi mbledhur, për të krijuar një diferencë (pa interes) prej 106 milionëve; pjesa më e madhe e së cilës do të mbulohet nga borxhi publik – përkatësisht huazimi i brendshëm. Fakti se çdo vit marrim nga 100 milionë hua na dëshmon mjaftueshëm për një trend rritës të borxhit të jashtëm, i cili megjithatë duhet të ketë një limit; në të kundërtën mbulesa nëpërmjet huamarrjes që nuk ka kthim është tmerrësisht e rrezikshme.

Dhe ky deficit krijohet – në radhë të parë – për shkak niveli të ulët të inkasimeve; pra për shkak të nivelit të ulët të të hyrave. Ato këtë vit rriten për vetëm 8% (nga 1.45 miliardë në 1.57 miliardë); madje rriten më pak se sa ishin rritur një vit më parë – plot 11% (nga 1.31 miliardë në 1.45 miliardë). Kështu nga një trend rritës të të hyrave dyshifrore, këtë vit ne kalojmë paradoksalisht në një trend rritës njëshifror. Dhe lajmi më i keq është se trendi i projektuar i të hyrave do të zvogëlohet edhe më shumë në vitet në vijim – së paku sipas parashikimeve të vet propozuesve të buxhetit.

Kështu në vitin 2016, të hyrat priten – besoni ose jo – të shënojnë rënie, nga 1.576 në 1.573 miliardë euro. Do të jetë viti i parë që nga paslufta, sipas parashikimeve, që inkasimet buxhetore shënojnë rënie. Ato do të rriten lehtësisht në 1.59 miliardë euro në vitin 2017, vetëm 1% rritje në dy vjet. Pra buxheti në fjalë na thotë se të hyrat buxhetore për tre vitet e ardhshme do të rriten me vetëm 1% dhe se premtimet e idetë për një buxhet mbi dy miliardësh (menjëherë pas vitit të parë qeverisës) do të jenë të harruara tashmë.

Stagnimi i të hyrave buxhetore – deri në vitin 2017 – do të nënkuptojë se Kosova do të ballafaqohet edhe me stagnim të shpenzimeve; të cilat për dallim nga vitet paraprake do të ngurtësohen jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet vijuese.


Niveli i tanishëm dhe i projektuar i të hyrave derivon dy konkluzione të dhimbshme. E para, se ky buxhet (që reflekton një qëllim qeverisës) nuk e ka për plan luftimin e informalitetit dhe evazionit fiskal fare; në të kundërtën me çfarë logjike zvogëlohen të hyrat e projektuara në të ardhmen. Them se kjo qeverisje e re do të duhej së paku deklarativisht e nëpërmjet buxhetit me plot guxim t’i shpallte luftë evazionit fiskal e informalitetit duke paraparë themelimin e – le të themi – policisë financiare; dhe kështu rritjes së të hyrave – të cilat më pas do të reflektoheshin dhe në buxhet. Mosreflektimi nënkupton mungesë të intencës për veprim.

E dyta, se ky buxhet nuk e ka për plan as transformimin e mbledhjes së tatimeve nga pikat doganore në brendi të Republikës. Pra me fjalë të tjera, ideja e zhbërjes së mbledhjes së TVSH-së në kufi – ende pa filluar procesimi i punës nga tatimdeklaruesit – do të mbetet barrë edhe për plot vite në vijim. Kështu nëpërmjet buxhetit i thuhet sektorit privat se edhe një vit (e sipas projeksioneve edhe tre vite madje) ai do të ballafaqohet me pengesën më të rëndë të mundshme – të ngarkesës financiare në kufi – si asnjë vend tjetër rajonal.

Pra sado që idetë e reja do të mund të futen në të ardhmen, ato mbesin të papërfshira në këtë buxhet dhe në projeksionet e tij. Përfshirja e tyre në të ardhmen natyrshëm se është e mundshme, porse çdo ripërfshirje na sjell më pas në problemin esencial të qeverisjeve të deritanishme – e që është mungesa e planifikimit dhe veprimet e zakonshme të atypëratyshme. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka më së shumti nevojë për një vizion e ide të qartë ekonomike, financiare e biznesore.

Buxheti – nëpërmjet vijave të trasha – nuk parasheh as ndonjë program masiv kursimi. Kujtoj se kur kryeministri britanik David Cameroon kishte marrë qeverisjen, në muajt e parë të tij kishte urdhëruar një plan të përgjithshëm kursimi që kishte shkurtuar jo vetëm administratën publike, por edhe luksin publik. Buxheti i sivjetmë yni parasheh plot 220 milionë euro shpenzime në mallra dhe shërbime (pa përfshirë mëditjet). Ka një mal të tërë shpenzimesh të pakontrolluara në dreka, darka, udhëtime, telefona e lukse tjera publike që meritojnë shkurtime. Dhe këto shkurtime nuk do të ishin vetëm deklarative sa për të dhënë një imazh të mirëmenaxhimit, por do të ishin kursime të njëmendta.

Buxheti i sivjetmë gjithashtu parasheh traditën e vjetër të investimeve kapitale në një projekt të vetëm, në autostradën e Shkupit, duke mos lënë mundësi për forma alternative të financimit të projekteve kapitale. Pra obligimi kontraktual për rrugën e Shkupit mund të jetë trashëgimi e qeverisjes së kaluar, por alternativa e financimit të tij mbetet e kësaj së tanishmes.

Mbi të gjitha, buxheti i sivjetmë nuk parasheh ndonjë ndryshim radikal të shpërndarjeve buxhetore që do të sillte edhe ndryshim madhor në ecjen tonë ekonomike. Përkrahja për gjyqësor, sektor privat, shëndetësi e arsim mbetet identike me vitet paraprake. E identiteti me vitet paraprake, siç dhe argumentova më lart, sjell hiç më shumë sesa numra të thatë e stagnues të performancës sonë ekonomike.


Lajm i mirë, megjithatë, mbetet mosrritja e mëtutjeshme e pagave dhe kështu futja në një spirale të çmendurisë financiare për sektorin e madh publik në kurriz të sektorit privat. Nëse asgjë tjetër, sektori publik është dyfish më i paguar se ai privat dhe secila rritje tjetër – në përmasat e 25% madje – do të ishte e papërballueshme financiarisht për buxhetin e vendit dhe jo vetëm aq.

Jo vetëm aq, meqë do të ishte tërësisht e padrejtë që shërbyesit publikë të vazhdonin të merrnin shpërblesa e rritje të mëtutjeshme pa një rritje të gjithëmbarshme ekonomike. Pra ky vend nuk guxon të shpërndajë arkën e vet për një grup të privilegjuar njerëzisht – që qëllojnë të jenë punonjës publikë – porse duhet që të ecë bashkazi duke ndarë prosperitetin për të gjithë. Nëse vazhdojmë të kemi një pasurim të publikes në kurriz të privates, atëherë shumë shpejt do të përfundojmë edhe pa publiken, por edhe pa privaten.

Prandaj i gjej të paarsyeshme thirrjet e sindikatave të pangopura e aktorëve politikë profiterë të krizave që provojnë të kërkojnë edhe më shumë ngritje të pagave për publikët. Janë të paarsyeshëm, janë të padrejtë dhe janë të kushtueshëm në secilën rrethanë.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...