Populizmi neveritës

19 Mars 2014 - 14:41 - Flaka Surroi      

Intenca për ta themeluar Fondin për shërimin e fëmijëve me leukemi e kancer është demagogji përtej demagogjisë. Me këta 5,5 milionë tash, e shumë e shumë miliona të tjerë që ka mundur t’i ndante më herët (në vend se t’i shpenzonte 1 miliard euro për më pak se 100 kilometra rrugë), kryeministri ka mundur ta bënte QKUK-në qendër shërimi..., e jo qendër ku është normale që të vdesë madje një grua shtatzënë nga gripi i derrave apo edhe plot të tjerë nga rriqrat autoktone

Se cila ishte e veçanta e kësaj jave, do të më pyeste kush. Për mua, pa dyshim, botimi i numrit 6.000 të gazetës – një arritje e madhe e disa brezave të rinjsh që në këta shtatëmbëdhjetë vjet ia kanë dalë, përherë në kushte të rënda, për të siguruar informatën e mirëfilltë dhe të mbështetur në fakte, që ta mbajnë të informuar opinionin për të vërtetën që të gjitha qeveritë janë përpjekur ta fshehin. S’ka dyshim se të hënën pata arsye shumë të madhe të ndihesha krenare për këtë fakt. E vetëdijshme se mund të mungojë modestia për atë që do ta shpreh në vijim, megjithatë nuk mundem pa e thënë: “KOHA Ditore” është njëra nga gjërat më të mira që i kanë ndodhur Kosovës. Do të ketë të tillë që nuk do të pajtohen me mua, dhe ata kryesisht do të jenë të tillët që kanë qenë kryeprotagonistët e ballinave të gazetës, dhe jo bash për shkak se janë komplimentuar për të bëmat e tyre. Atyre dhe të ngjashmëve, u premtoj se do të vazhdojnë ta kenë të rezervuar bile një copë të ballinës edhe në të ardhmen.

Kryetitullarët e javës

E të tillët këtë javë kanë qenë disa nga përfaqësuesit e nomenklaturës së lartë të partisë në pushtet, të cilët brenda ditës bënë që t’i zinin tri vendet e para edhe në renditjen e lajmeve televizive.

Bajrush Xhemajli, ish-kryetari i Ferizajt, pas pesë vjetësh e pranoi fajin për aksidentin që e kishte shkaktuar duke ngarë veturën me shpejtësi tepër të lartë, ku kishte lënë të vdekur një të ri 21 vjeç dhe i kishte lënduar edhe disa të tjerë, përfshirë edhe veten. U dënua me 2 vjet burgim. Njeriu, i cili ka mundur të jetë deklaruar i fajshëm para pesë vjetësh dhe që ka mundur të jetë treguar burrë duke dhënë dorëheqje për shkaqe morale, luajti me të gjitha instancat e sistemit gjyqësor të Kosovës, për të arritur në fund te një kërkimfalje të pasinqertë, të cilën askush nuk ia beson.

Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit, i cili gjatë fushatës së shkuar të zgjedhjeve i nënshtrohej procesit gjyqësor, i cili u shty ashtu që aktgjykimi të shpallej vetëm tash, u dënua dy vjet me kusht, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Pra, transformimi i pronës në administrimin e AKP-së në pronë komunale dhe dhënia e saj një firme private me shkelje ligjore, konsiderohet vepër e lehtë penale, aq sa mjafton dënimi me kusht. Kjo, thjesht, paraqet ftesë të hapur për keqpërdorime të mëtejme të llojit të këtillë, sepse dënimi thuajse nuk ekziston.

Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit, akuzohet për korrupsion në dy procese të ndara e që lidhen me kontratat për ndërtimin e rrugëve në kohën derisa ky ka qenë ministër. Flitet për rrugët rajonale dhe lokale. Rruga e Kombit nuk bëhet objekt shqyrtimi, ngase nuk dihen kushtet e kontratës dhe nëse ka pasur keqpërdorime gjatë ndërtimit të rrugës mbase më të shtrenjtë në Evropë, për shkak se, sërish duhet thënë, kontrata e nënshkruar nuk është parë kurrë në publik – është përfundimisht sekreti më së miri i ruajtur i këtij shteti.

Dhe përderisa Xhemajli nuk ka post të lartë ekzekutiv në parti a komunë, kurse Limaj e ka braktisur partinë që e bëri edhe ministër e edhe deputet, megjithatë proceset kundër tyre dhe Mujës janë shumë të rëndësishme dhe indikative: për shkak se te rasti i Limajt dhe Mujës hetimet u intensifikuan pas raportimit në gazetë e më pas edhe në mediumet e tjera. Te rasti i Xhemajlit ishte presioni i mediumeve ai që nuk lejoi që procedura të hidhej në harresë. Dhe ky fakt gëzon, për shkak se nxit mbase shpresën se hallka më e dobët e pushtetit në Kosovë, gjyqësori, po fuqizohet, pavarësisht se sa marrshëm do të mund të dukej.

Është fatkeqësi e madhe që nomenklatura së cilës i takojnë edhe tre të apostrofuarit ka bërë që Evropa dhe bota sot të diskutojnë jo nëse duhet themeluar Tribunal të veçantë për krimet në Kosovë sipas raportit të Martit, por kur dhe ku duhet themeluar atë. Kanë bërë që të nisim t’i frikësohemi mundësisë që i gjithë një popull të na barazojnë me pjesëtarët e bandave mafioze të krimit të organizuar – ashtu siç na quanin serbët në vitet ’90 – për shkak të atyre që besojnë se krimi shpaguhet.

Ky vend sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që keqbërësit të përfundojnë prapa grilave duke i kthyer ato që ia kanë vjedhur këtij populli, në aspektin financiar. Se shpresën dhe nervat e humbura nuk kanë si ia kompensojnë me para. Ka nevojë për një ndryshim radikal në udhëheqje. Ka nevojë për njerëz që kuptojnë se zhvillimi ekonomik do të thotë prosperitet për krejt shtetin e jo vetëm për xhepat e tyre. Ka nevojë për eliminimin e keqpërdoruesve dhe manipuluesve me fatkeqësinë e fëmijëve dhe mjerimin e të tjerëve, për përfitim të drejtpërdrejtë politik, e për pasojë edhe të pushtetit që për ta vlen më shumë se jeta. E popullit, kuptohet.

Hashimbilionat

Shyqyr që Kosova nuk ka valutë të vetën dhe Bankë Qendrore që shtyp para, se qeky Guverner Gjarpri, na kishte bërë “miliardera” sikurse kishim qenë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të shkuar. Në fakt, duke e njohur dita më ditë afinitetin e tij për të garuar me gjithë dynjanë për t’u treguar i pari dhe më i miri, me siguri se do të vendoste që bankënota më e madhe kosovare t’i kishte pesëmbëdhjetë shifra, do të na bënte “bilionera” (sa për ta sqaruar – nëse më 1993 bankënota më e madhe e asaj që quhej Jugosllavi kishte qenë 500.000.000.000 dinarë, kjo e Kosovës do të ishte 500.000.000.000.000 hashima).

Me ritmin e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve, rritjes së investimeve në blerjen e traktorëve me vlerë të xhipit të blinduar apo edhe me ndërtimin e autostradës për në Shkup – vlera e reale e kësaj bankënote do të zhvlerësohej sipas planit afatshkurtër të Qeverisë. Kështu, në qershor, kur të mbaheshin zgjedhjet, do të shtypej kontingjenti më i madh i “hashimbilionave”, ashtu që inflacioni t’i mbërrinte nja 5.000% menjëherë të nesërmen pasi kryeministri aktual të shpallej fitues i zgjedhjeve, të cilat, siç shihet nga ky shembull, do t’i kishte blerë.

Ky do të ishte skenari imagjinar, i cili fatmirësisht nuk ka shans të ndodhë. Së paku jo këto ditë e mbase jo edhe shumë vjet. Besa do të duhej t’i pinim ujë për shëndet Kouchnerit, kur kishte vendosur që valuta e Kosovës së UNMIK-ut të ishte marka gjermane. Sepse, nëse në katër vjetët e shkuar kemi pasur inflacion mesatar prej 20%, me gjithë euron në qarkullim, po t’i kishim paratë tona, athua ku kishim mbërritur me këtë Qeveri që nuk e kupton as shkronjën “E” të fjalës ekonomi.

Skenari përnjëmend është ai i nisuri prej disa javësh dhe i cili po intensifikohet sa më shumë po afrohet dita e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve. Në një ekstra fushatë të planifikuar dhe të përpunuar mirë, kryeministri po lëviz prej një vendi në tjetrin nëpër Kosovë, për t’u shfaqur si njeri i popullit, i cili, tash mbasi i ka kryer krejt punët e vështira, do të merret me një gjë për të cilën ka ekspertizë të jashtëzakonshme: zhvillimin ekonomik. Pasi që premtoi rritjen e pagave të arsimtarëve, mori vendimin për rritjen e pensioneve – e nënshkroi njëfarë dokumenti në prezencën e përfaqësuesve të pensionistëve që njëherë i duartrokitën e më pas i thanë se i kishte mashtruar me përqindje. Më pas shkoi në “Trepçë”, në 25-vjetorin e grevës së tyre, për t’u thënë minatorëve se do t’ua rriste rrogat edhe atyre. Në fund, e mori vendimin që t’ua rriste krejt atyre që e bëjnë administratën publike, përfshirë edhe politikanët në pozitë. U ankuan disa deputetë dhe dolën e thanë se nuk e donin rritjen, sepse kjo ishte politike. Edhe pse ishin po të njëjtët deputetë që me vite përpiqen ta kalojnë ligjin për privilegjet e tyre, ku i parashohin vetes kushte më të mira kur të dalin në pension. Në të kaluarën nuk ishin ankuar për këto privilegje (pos VV-së), por, përkundrazi, u ankuan pse Kushtetuesja ua shpalli jokushtetuese privilegjet që ia kishin vizatuar vetes.

Nejse, duke parë se vendimi për rritje të rrogave të zyrtarëve politikë do të kishte efekt të jashtëzakonshëm negativ në fushatë, në stilin e përsosur demagogjik, e mori vendimin për themelimin e Fondit për shërimin e fëmijëve nga leukemia dhe kanceri. Dhe këtë e bëri në kohën kur në Prishtinë miqtë e familjarëve të një vajze të prekur me sëmundjen e rëndë kanë organizuar fushatë mbledhjeje donacionesh me koncerte, sms, transferime bankare e të ngjashme... E bëri edhe rrafsh pas gjashtë vjetësh e kusur pushteti, në të cilin e mban përgjegjësinë absolute për degradimin e plotë të sistemit shëndetësor të Kosovës, i cili dëshmohet të jetë po aq i korruptuar sa plot segmente të tjera të strukturave që i menaxhon partia e tij, nëpërmjet bordeve të nduarnduarshme.

Në vend se t’i kishte orientuar mjetet me kohë, në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor që do të kishte kapacitet për të trajtuar pacientë në Kosovë, pa pasur nevojë të shpenzohen me miliona për shërim jashtë vendit (lexo: kryesisht në Turqi), tre-katër muaj para zgjedhjeve, e krijon Fondin, i cili po të përdorej për shërimin e plotë të pacientëve do të mjaftonte për jo më shumë se 50 fëmijë. Me këta 5,5 milionë tash, e shumë e shumë miliona të tjerë që ka mundur t’i ndante më herët (në vend se t’i shpenzonte 1 miliard euro për më pak se 100 kilometra rrugë) ka mundur ta bënte QKUK-në qendër shërimi..., e jo qendër ku është normale që të vdesë madje një grua shtatzënë nga gripi i derrave apo edhe plot të tjerë nga rriqrat autoktone.

Të luash me fëmijë e me minatorë e pensionistë në këtë formë aq të vrazhdë populiste për motive elektorale është shumë neveritëse, pavarësisht gëzimit që do të paraqesë për të përfshirët me këtë fushatë. Pse është neveritëse e populiste, e meriton ndëshkimin më të madh për këtë Qeveri – humbjen e pushtetit. Me votë dhe pa hile.

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...