Viti 2014 nuk solli kthesë në rrugën e Ballkanit drejt BE-së

24 Dhjetor 2014 - 08:34 - Augustin Palokaj      

Viti 2014 para shumë vitesh ishte përmendur si një vit kthese, sepse mendohej të përdorej rëndësia historike e këtij viti kur u shënua 100-vjetori nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, e cila nisi në Ballkan dhe ndezi tërë botën. U mendua se sa bukur do të ishte sikur 100 vjet më vonë Evropa të jetë e bashkuar dhe pa armiqësi, e zhvilluar dhe me prosperitet, me të gjitha vendet që duan të jenë anëtare në BE. Por ky mbeti vetëm një sugjerim i bukur

Samiti i fundit i Bashkimit Evropian për këtë vit nuk përmendi fare procesin e zgjerimit të BE-së. Kjo është hera e parë që në samitin e dhjetorit, me asnjë fjalë të vetme, shefat e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare nuk e përmendin këtë proces, i cili deri vonë ka qenë një ndër proceset kryesore të zhvillimit të Bashkimit Evropian përgjatë historisë.

Në BE nëse pyesni pse kësaj radhe zgjerimi nuk qe fare temë e samitit do të hasni në dy përgjigje më të shpeshta zyrtare. Së pari, do të thonë se “Me këtë çështje janë marrë dy ditë më herët ministrat në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme” dhe, së dyti, se nuk ka asnjë çështje të vështirë politike në procesin e zgjerimit që do të kërkonte që shefat e shteteve të merren me të”.

Në shikim të parë përgjigjet e tilla janë të sakta. Vërtet ministrat e jashtëm dhe ata të çështjeve evropiane u morën me procesin e zgjerimit në takimet e tyre tri ditë para samitit. Vërtet jo që nuk pati asnjë vendim të vështirë, por kësaj radhe nuk pati fare vendim në këtë proces. Vetëm formalisht u konstatua se “procesi vazhdon” dhe se secili vend, i cili aspiron anëtarësimin në të ardhmen do të vlerësohet “sipas meritave individuale”. Nuk e lanë pa e përmendur edhe një herë se “politika e kushtëzimit” do të vazhdojë të zbatohet në mënyrë rigoroze. Prandaj, kur nuk ka vendime të nivelit të lartë, nuk ka nevojë që shefat e shteteve të merren me një temë.

Por, përkundër kësaj edhe niveli në të cilën diskutohen temat e caktuara dëshmon se sa të rëndësishme janë ato për Bashkimin Evropian. E zgjerimi nuk dhe për një kohë të gjatë nuk do të jetë më temë e rëndësishme në BE. Ky proces, i cili edhe me Kroacinë që u anëtarësua në verën e vitit 2013 ka shkruar ngadalë, tash do të shkoj edhe më ngadalë. Në këtë proces nuk dihet se kush kur do të anëtarësohet në BE por së paku dihet se në pesë vitet e ardhshme asnjë shtet nuk do ta arrijë këtë qëllim. Kështu në këtë samit, me faktin se procesi i zgjerimit nuk u përmend fare, u dëshmua se po ndiqet politika dhe qasja e Presidentit të ri të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker se në pesë vitet e fundit nuk do të ketë zgjerim të BE-së.

Konstatimi i tillë i Jucnkerit gjatë verës, e i cili u përsërit edhe ku ai u bë kryetar i ri i Komisionit Evropian, ka irrituar shumë qarqe të cilat janë mbështetëse të procesit të zgjerimit. Në anën tjetër, i ka dekurajuar edhe liderët politikë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk do të nxitojnë të përmbushin kërkesat e BE-së në kohën kur askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me zgjerimin, apo e dinë se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ndodhë asgjë. Pra liderët politikë në Ballkan nuk e kanë të zhvilluar aq shumë ndjenjën e përgjegjësisë saqë të mendojnë se për punën eventuale të tyre në këto momente në zbatimin e kërkesave të BE-së rezultatet do të shihen pas pesë vitesh, kur ndoshta në pushtet do të jetë dikush tjetër. Edhe ashtu liderët politikë në Ballkan nuk janë aq të interesuar që vendet e tyre të përparojnë drejt BE-së, pos nëse një gjë e tillë u sjell atyre përfitim personal, qoftë duke e rritur popullaritetin e tyre tek votuesit apo edhe përmes përfitimeve materiale.

Kështu viti 2014, i paralajmëruar si “viti i kthesës së madhe në rrugën e Ballkanit drejt BE-së” përfundoi me vetëm dy hapa konkretë në këtë rrugë. Serbia nisi negociatat e anëtarësimit në fillim të këtij viti, ndërsa Shqipëria mori statusin e kandidatit, por me porosinë se askush nuk mund ta dijë se kur do të mund të nisë negociatat. Kosova përmbylli negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi, por e cila do të nënshkruhet eventualisht në vitin e ardhshëm për të hyrë në fuqi, nëse nuk dalin pengesa të reja, në vitin 2016. Negociatat me Malin e Zi vazhduan ndërsa Maqedonia mbeti peng i problemit që ka me Greqinë rreth emrit të saj duke e mbajtur të bllokuar për të gjashtin vit me radhë nisjen e negociatave të anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina mori vetëm një premtim se, nëse liderët e saj do të zotohen me shkrim se do t’i zbatojnë reformat, atëherë do të mund të hyjë në fuqi MSA-ja e këtij shteti me BE-së. E Kosova vazhdon që raportet me BE-në t’i ketë si një “entitet, i cili nuk është shtet sovran” (në bazë të kësaj qasjeje të BE-së është shkruar edhe teksti i MSA-së) dhe askush nuk e di se kur do të mund të trajtohet si shtet nga BE-ja. Si pasojë Kosova nuk do të mund të bëj asnjë hap formal në procesin e anëtarësimit në BE, sepse në këtë proces mund të përfshihen vetëm shtetet.

Viti 2014 para shumë vitesh ishte përmendur si një vit kthese, sepse mendohej të përdorej rëndësia historike e këtij viti kur u shënua 100-vjetori nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, e cila nisi në Ballkan dhe ndezi tërë botën. U mendua se sa bukur do të ishte sikur 100 vjet më vonë Evropa të jetë e bashkuar dhe pa armiqësi, e zhvilluar dhe me prosperitet, me të gjitha vendet që duan të jenë anëtare në BE. Por ky mbeti vetëm një sugjerim i bukur. Bosnjë-Hercegovina nuk funksionon si shtet. Kosova është praktikisht e ndarë dhe të ndara rreth statusit të Kosovës mbeten edhe shtetet e Bashkimit Evropian. Shqipëria ka bërë vetëm hapat e parë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa liderët e tashëm në Serbi, që ishin luftënxitësit më të mëdhenj në të kaluarën, ende nuk po dëshmojnë se e kanë të vetmin orientim integrimin në BE, sepse po bëjnë pazare edhe me Rusinë.

Kështu në vitin 2014 kemi ardhur në një situatë ku as BE-ja nuk është tepër e interesuar që të vazhdojë procesin e zgjerimit me ritëm të mëparshëm e as që liderët e vendit të Ballkanit e kanë sinqerisht këtë prioritet në veprimet e tyre. Që të dyja anët vazhdojnë të flasin se sa i rëndësishëm është ky proces, por prapa fjalëve të tyre nuk qëndrojnë shumë veprime.

Se cilat janë prioritetet e BE-së u pa nga temat në samitin e fundit. Aty, kur nuk u përmend fare zgjerimi, edhe pse kishte tentime që së paku të thuhen dy-tri fjalë për të, u fol për nxitjen e investimeve në BE - Investimet në këtë moment janë 15% nën nivelin e periudhës para shpërthimit të krizës financiare dhe kjo për BE-në është e patolerueshme. Liderët e 28 shteteve anëtare debatuan se si të mobilizohen 300 deri 500 miliardë euro për investime në tri deri pesë vitet e ardhshme, në mënyrë që të sigurohet rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës në shtetet ku papunësia është rritur në nivelin më të madh deri më tash duke tejkaluar diku edhe 20%. Nëse këto kushte, edhe po të ishin rastësisht gati vendet e Ballkanit për t’u anëtarësuar në BE: vështirë se do të pranoheshin sepse tash BE-ja, pos që insiston në kushtet që duhet përmbushur vendet kandidate, si kusht ka edhe përgatitjen e BE-së për t’i pranuar ato. Dhe realiteti në këtë moment është se as vendet e Ballkanit nuk janë afër për të qenë gati për integrim në BE e as që BE-ja është gati t’i pranojë ato me këtë nivel të papunësisë dhe zhvillimit të tyre ekonomikë. Kështu 110-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, pra viti 2024, duke më real për të bërë ndonjë kthesë në rrugën e Ballkanit drejt BE-së sesa që ishte viti 2014 të cilin po e lëmë pas.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...