Drama e familjes Loxha

23 Dhjetor 2014 - 20:49 - Enver Robelli      

Dy fëmijë të një familjeje kosovare me banim në Zvicër dyshohet të jenë nisur për t’iu bashkangjitur “Shtetit Islamik” (IS). A u radikalizuan ata nga imami Selman Ramadani në një xhami në Embrach afër Zürichut?

Që nga java e kaluar nuk dihet asgjë për vendndodhjen e dy fëmijëve të familjes Loxha, e cila jeton afër Zürichut. Babai i fëmijëve (15 dhe 16 vjeçar) ka udhëtuar i tmerruar në Turqinë jugore, ku thuhet se ishte lokalizuar sinjali i telefonit mobil të njërit fëmijë. Policia zvicerane është njoftuar për rastin. Policia turke në qytetin Adana po shpërndan fotografi të fëmijëve në stacione policore në përpjekje për të zbuluar vendndodhjen e tyre. Deri më tani pa sukses. Babai i fëmijëve është më se i bindur se ata janë radikalizuar nga elementë të organizatës terroriste IS (të ashtuquajturit Shtet Islamik).

Mediet zvicerane njoftojnë se fëmijët kanë ndjekur mësim fetar në organizatën “el-Furkan”, e cila ka një xhami në fshatin Embrach. Kjo xhami është përmendur disa herë si pikëtakim i radikalëve islamikë me origjinë nga Ballkani. Në Gjermani “el-Furkan” është nën vëzhgim të shërbimit sekret për shkak të dyshimeve mbi aktivitete të paligjshme. Në xhaminë e Embrachut afër Zürichut thuhet se predikon imami Selman Ramadani. Tani për tani nuk dihet se nga cili territor shqiptar në Ballkan rrjedh ky person. Organizata “el-Furkan” ka shtrirë aktivitetet e veta në Zvicër para më shumë se një viti, duke u përqendruar sidomos në joshjen e të rinjve shqiptarë dhe indoktrinimin e tyre përmes interpretimit radikal të fesë islame. Autoritetet lokale janë shprehur të shqetësuara për praninë e kësaj organizate në Embrach.

Në radikalizmin fetar të të rinjve shqiptarë edhe në diasporë viteve të fundit kanë luajtur rol veçanërisht predikimet shpeshherë të marra dhe të rrezikshme të imamëve radikalë si Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami dhe hoxhallarëve të njohur për qëndrime tejet problematike sa i përket feve dhe etnive të tjera. Disa prej këtyre imamëve para se të arrestoheshin dhe pastaj liroheshin sivjet në Kosovë kanë vizituar rregullisht komunitetin shqiptar në Zvicër. Vizitat e tyre janë organizuar prej shoqatave fetare që drejtohen nga njerëz lehtë të manipulueshëm dhe pothuaj të paintegruar në Zvicër. Përkundër njohurive se bëhet fjalë për imamë kundërthënës, ata nga ambasadat perëndimore në Prishtinë janë pajisur rregullisht me viza Schengen. Imami Shefqet Krasniqi është ftuar dhe ka marrë pjesë në takimet vjetore të të ashtuquajturit Këshill Qendror Islamik i Zvicrës, që drejtohet nga Nicholas Blancho, një konvertit agresiv zviceran, i cili po ashtu është nën vëzhgim të autoriteteve. Blancho është i martuar me një grua nga Jemeni dhe ka dy fëmijë. Sipas një raporti të gazetës “SonntagsZeitung” të Zürichut, Blancho ka braktisur familjen dhe bashkëjeton në Bernë me gruan e tij të dytë – një shqiptare të re me shtetësi zvicerane.

© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...