Më zi se qençe

23 Dhjetor 2014 - 08:41 - Flaka Surroi      

Java nisi me mbledhjen në të cilën Kuvendi nuk ia doli t’i votonte komisionet e veta. Kjo për shkak se nuk merreshin vesh ata të cilët tashmë janë marrë vesh me shkrim se nuk do të votojnë kundër nismave të cilat vetë i paraqesin. Dhe për shkak se nuk merrnin përkrahje nga ata të cilëve me shkrim ua kanë premtuar plotësimin e të gjitha dëshirave politike, dhe jo vetëm.

Gjatë seancës së parë përnjëmend, Mr. Kty u dëshmua të jetë deputet që nuk i di rregullat dhe kryetar Kuvendi i kujdesshëm që t’ia lërë fajin sekretarit të Parlamentit po qe se shkreton në procedurë. Imitimi i Marlon Brandos kur ulet me trupin e mbështetur mbi krah të majtë, teksa i flitet në vesh, duket të mos jetë bash i rastësishëm. Dhe, kur po e mendoj edhe më shumë, s’është vetëm poza. Është besa edhe intonacioni dhe zëri me të cilin u drejtohet kolegëve deputetë. Madje edhe atëherë kur mendon se shakatë i ka për të qeshur...

Nejse, ajo që dështoi të hënën, pati sukses të enjten. U funksionalizuan komisionet parlamentare – askush nuk mbeti i kënaqur dhe të gjithë u hidhëruan pse komplet procesi u zhvillua pa ndonjë demokraci të madhe, por brenda parametrave të Rregullores së punës. Me rëndësi është se tash edhe deputetët mund të thonë se do të punojnë bile diçka, mbasi i kaluan gjashtë muaj në vegjetim e sipër, bashkë me të gjithë ne. Me dallimin se ne i paguam për të vegjetuar...

Komisionet erdhën në rend të ditës tek pasi kryetarja e mbajti fjalimin e përvitshëm, pas të cilit, sipas një tradite të instaluar nga koha e Rugovës, nuk pati debat. Fillimisht, Jahjaga e huqi një shkallë tek përshëndetej me ministrat, dhe duke iu falënderuar takës së hollë, është se shpëtoi pa u rrëzuar. Më pas, e këtë duhet pranuar si aftësi të fituar dhe të zbatuar mirë në praktikë, e lexoi pa gabime të mëdha fjalimin që ia kishin përgatitur, prej asaj që në televizion quhet “prompter” – përkatësisht ekranit ku i shfaqen fjalët. Jahjaga me zhdërvjelltësi ka mësuar të shikojë herë njërin e herë tjetrin ekran, dhe të lexojë – dhe ky është një përmirësim i dukshëm krahasuar me fjalimin e saj të parë para Kuvendit.

Sido që të jetë, Jahjaga përjetoi që opozita t’ia lëshonte sallën – me arsyetimin se kishte humbur tiparin e unitetit të popullit dhe se kishte treguar anim shumë të qartë për PDK-në gjatë krizës gjashtëmujore politike. E se pyetja e saj e kotë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, menjëherë pas zgjedhjeve, në fakt edhe e nisi krizën – nuk lë shumë hapësirë për dilema. Prandaj edhe qortimi që ua bëri partive politike, për vonesën në krijimin e institucioneve, jo vetëm që ishte patetik, porse ishte edhe hipokrit.

Në përgjithësi, fjalimi i saj rrezatonte mungesë sinqeriteti; rrezatonte demagogji dhe shpëlarje përgjegjësie, duke e përsëritur sesi kishte mbi një vit që kishte paralajmëruar këtë apo atë problem. Nuk e zuri ngoje në asnjë vend, se të mos ishin treguar të ngathtë këshilltarët e saj, të cilët e udhëzojnë për të vepruar, kriza politike mbase nuk do të kishte ndodhur.

Autobusi i shtat’ve

Dhe kjo krizë vetëm sa e thelloi varrën në bërthamën e shtetit të Kosovës, e që vazhdon të gjakosë. E dëshmoi se kjo Kosovë nuk ka njerëz që mund ta udhëheqin për ta shpënë përpara. E dëshmoi se shumica absolute, me shumë pak përjashtime, janë të blershëm dhe të shitshëm dhe se parimet i kanë vetëm fraza dhe paravana. E dëshmoi se ama bash asnjë brengë nuk e kanë për mirëqenien e popullit dhe se në fakt kur vjen puna për t’u bërë me pushtet, pjesëtarët e tij shndërrohen në numra – në vota që mund t’ua zgjasin jetën perandorive të tyre.

Kështu, premtimet zgjedhore për rritjen e pagave dhe krijimin e vendeve të punës u shfrynë si flluska që në hapin e parë. Ministri i ri i Financave u përpoq ta shpjegojë se pse nuk mund të ketë rritje – e këtë është dashur ta ketë thënë edhe gjatë fushatës: sepse nuk ka para. Kosova nuk prodhon asgjë pos emigrantëve, nuk eksporton gati asnjë send dhe të hyrat e veta i mbështet në taksat doganore dhe tatimin që paguhet në doganë. Pra, krejt paratë e gatshme që i kemi, i çojmë jashtë për të blerë sende, për të cilat më pas paguajmë, pos tatimit te arka e vetëshërbimit, edhe atë tatimin që e ka paguar importuesi. Plotësisht i kuptueshëm hidhërimi i sindikatave, pasi që anëtarët e sindikatës ua kanë dhënë votat atyre që i kanë gënjyer – porse plotësisht e kuptueshme edhe indiferenca e sektorit privat që nuk mund t’i rrisë pagat për punëtorët e vet, për shkak se mezi mbijeton dhe për shkak se nuk ka asnjë përkrahje nga shteti, as në kuptimin e lehtësirave bankare.

Në një vend ku punëdhënësi më i madh është shteti, natyrisht se përherë do të ketë problem edhe me demokraci, por edhe me standard. Dhe sinqerisht, vështirë mund të besohet se ky shtet mundet me ecë para me një Qeveri me 21 ministra që i kanë gjithsej 105 këshilltarë politikë dhe 72 zëvendësministra me gjithsej 216 këshilltarë politikë – pa i llogaritur truprojat, shoferët dhe këshilltarët e jashtëm. Paramendojeni Titanicun dhe aty do ta gjeni të gjithë Qeverinë bashkë me kabinetet e tyre përkatëse.

Prandaj, për shkak të ngecjes ekonomike, për shkak të papunësisë tepër të madhe, për shkak të kriminalitetit të lartë, për shkak të gjyqësisë joefikase, përfundimisht për shkak të mungesës së perspektivës, ikja nga Kosova nuk po ndalet. Siç do ta komentonte një mik imi në FB: “Ata që kanë mbetur në Kosovë nuk e kanë kuptuar ende se nuk do të ketë Babadimër. Ish nis me lyp azil me autobusin e shtat’ve”.

Qeni

E në mesin e atyre që kanë mbetur në Kosovë, me siguri jo pse presin gjë të mirë, por për shkak se nuk mund të ikin, do të ketë qenë familja rome Jashari nga Fushë-Kosova. Pa dyshim, se nuk kanë mundur të përjetonin tragjedi më të madhe sesa ajo që u ndodhi para disa ditësh: nga pasojat e kafshimit të qenve, u vdiq fëmija shtatë vjeç, që po gjurmonte nëpër kontejnerët e bërllokut.

Kjo ngjarje tragjike hodhi në sipërfaqe një situatë sa absurde, aq edhe neveritëse. Duke u nisur nga rregulli që kishte imponuar KFOR-i menjëherë pas luftës, u ndalua vrasja e qenve endacakë, në emër të moslejimit të keqtrajtimit të shtazëve. U bë ligj dhe qentë ka 15 vjet nuk vriten. Po e pranoj se në kohën kur vriteshin në rrugë nga ata që njiheshin si “shinterë”, ishte ajo një pamje shumë e shëmtuar. Porse edhe më e shëmtuar më duket pamja e një fëmije të sakatuar nga qentë e tërbuar, apo edhe ndjenja e të qenit të rrethuar me shtatë qen të ndyrë, të zgjebosur, e kush e di, ndoshta ndonjë ditë edhe të tërbuar, teksa eci rrugës kryesore të Prishtinës – veç pse po insistohet që të zbatohet ligji që na qenka sipas standardeve evropiane.

Standardet evropiane thonë se duhet ta kemi shkollimin shumë cilësor, e nuk e kemi. Standardet evropiane thonë se duhet të kemi barazi gjinore, e këtu kemi diskriminim gjinor; ato thonë se krimet duhet të paguhen me burg, e te ne njerëzit paguhen për krime; standardet evropiane thonë që të gjithë jemi të barabartë para ligjit, e nuk jemi... Është shumë pikëlluese që në shtetin ku nuk ka mbetur ligj pa u shkelur, krejt ligjshmëria po mbrohet me ligjin për ndalimin e trajtimit çnjerëzor të kafshëve, a qysh në dreq quhet... Është e mjerueshme që çështjet sikur kjo, përherë më pas shndërrohen në tema që shmangin vëmendjen nga problemet reale me të cilat ballafaqohet ky vend, i zhytur në skamje.

Pashoshat

E ata që nuk e konsideruan skamjen si perspektivë të vetën u dënuan me nja 40 vjet burgim. Vetëm disa nga anëtarët e grupit të krimit të organizuar që i kanë vjedhur 1.4 milionë euro (që po dihen dhe për të cilat janë akuzuar) e që janë përfshirë në aferën e pasaportave, do të detyrohen t’i kthejnë ca para në formë të gjobave, dhe do t’u konfiskohet pasuria e krijuar në formë të kundërligjshme dhe me paratë e vjedhura.

Gjoba që do të paguajnë tetë të dënuarit kap shumën prej 106 mijë eurosh; nga ana tjetër, të gjithë të dënuarit do të mund të liroheshin, për sjellje shembullore apo edhe me amnisti pas kalimit të dy të tretave të burgimit..., kjo pa paragjykuar se çfarë do të jetë vendimi i shkallës së dytë.

Pas të gjitha skandaleve në të cilat është përfshirë EULEX-i, tash do të mund të dalë të thotë se e ka përfunduar një gjykim relativisht shpejt dhe me një verdikt pak më ndryshe se gjithë të tjerët deri tash: ku pos burgimit është paraparë edhe gjoba, edhe konfiskimi i pasurisë. Por, megjithatë, mbetet shija e hidhur, se nuk janë kapur ata të mëdhenjtë që është dashur. Sepse edhe pse e akuzuara e parë e ka thënë shumë herë se shumë njerëz janë përfshirë në këtë muhabet, prokuroria është kufizuar në këta që e hëngrën dënimin. E mbase edhe për këtë, në vend se në qeli, janë vendosur në spitalin e burgut – sepse kushtet aty, thonë, janë më të mira.

Zor që dikush e ka pritur se fundi i vitit 2014 do të na gjente në këtë disponim të keq dhe në këtë situatë ku njerëzit mundohen t’i gjejnë rrugëdalje mjerimit të tyre edhe me shpallje sikur që e ka gjetur miku im Llapa: (teksti origjinal) “Leshoj gasonjerken per qifte qe dëshirojn të kalojn një pushim 3 ose 4 orësh. Qmimi 7 euro”.

Kësaj i thonë më zi se qençe. Sepse qentë së paku i mbron ligji.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...