Koalicionet e kompromiseve Kosovë-Serbi

20 Dhjetor 2014 - 09:27 - Adriatik Kelmendi      

Në Kosovë, me krijimin e koalicionit të madh PDK-LDK-“Srpska”, me mbi dy të tretat e votave në Kuvend, si dhe në Serbi me një fuqi edhe më të madhe të votës me koalicionin SNS-SPS-SVM – do të mund të kalohet çdo gjë. Ky është shansi që nuk do t’ia lejojnë vetes ta lëshojnë nga dora Brukseli, Washingtoni e Berlini, me synimin që njëherë e mirë ta mbyllin kapitullin e problemeve në Ballkanin e Jugut

NË SYTË E BASHKËSISË ndërkombëtare nuk mund të ketë kohë më të përshtatshme për ta hequr qafesh problemin Kosovë e Serbi sesa 3-4 vjetët e ardhshëm. Dhe të gjithë ne që jetojmë në këto dy shtete me probleme me njëra-tjetrën do të duhej të jemi të përgatitur për ato që mbesin të shkruara pastaj në histori si - vendime të mëdha.

Në terren është fuqia. Në Kosovë, me krijimin e koalicionit të madh PDK-LDK-“Srpska”, me mbi dy të tretat e votave në Kuvend, si dhe në Serbi me një fuqi edhe më të madhe të votës me koalicionin SNS-SPS-SVM – do të mund të kalohet çdo gjë.

Një koalicion PDK-LDK edhe më herët është përdorur për të bërë kompromiset e mëdha për të shpallur pavarësinë ashtu siç u shpall më 17 shkurt 2008, teksa në Serbi koalicioni i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq për herë të parë në Kuvend nuk e ka asnjë parti që është kundër anëtarësimit në BE.

Ky është shansi që nuk do t’ia lejojë vetes ta lëshojnë nga dora Brukseli, Washingtoni e Berlini, me synimin që njëherë e mirë ta mbyllin kapitullin e problemeve në Ballkanin e Jugut.

Gjithçka nëpërmjet vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

E të gjitha këto, me shtysën, plotësimin e kushteve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

MUND TË THUHET se nuk mund ta di vetëm po të kishte mundësi që dikush të jetonte në Mars për këta 15 vjet, por të gjithë të tjerët që kanë ndonjë njohuri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe e dinë se cilat janë synimet e palëve.

Shqiptarët dëshirojnë që nëpërmjet dialogut ta rrumbullakojnë procesin e pavarësisë dhe të sovranitetit, dhe në fund të jetë në këtë aspekt e barabartë me shtetet e tjera të botës.

Serbët e dinë se s’mund ta ndalin këtë, por në të njëjtën kohë kërkojnë sa më shumë autonomi dhe të drejta për pjesëtarët e etnisë së tyre në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare do që nëpërmjet sintagmës eufemistike “normalizim i marrëdhënieve”, të mbajë palët e interesuara në dialog, derisa të mos vijë koha e kërkesës edhe për njohje juridiko-kushtetuese të të dyja shteteve mes vete.

Mirëpo të gjitha këto të ditura e kanë një të përbashkët kryesore – frikën. Drojën se nëpërmjet këtij procesi gjërat mund të shkojnë keq, dhe që përfundimisht palët, por edhe kjo pjesë e Ballkanit, do të zhytet në probleme të reja.

Shqiptarët druajnë se duke bërë koncesione të mëdha ndaj serbëve në mënyrë që këta të fundit ta njohin pavarësinë, veçanërisht me rastin e kompetencave të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kjo mund të dalë si një Kalë Troje në fund. Nëse do të ketë kompetenca ekzekutive e politike Asociacioni, druhet se edhe në rastin e njohjes së pavarësisë ai mund të jetë një faktor destabiliteti me dirigjim nga Beogradi për shtetin e ri, i cili do ta bëjë defunksional edhe vetë shtetin. Në këtë mënyrë, pra, koshienca shqiptare punon, serbët do të mund ta rrënojnë çdo të arritur, e rrjedhimisht edhe të minojnë gjasat për anëtarësim në BE, me qëllimin final që Kosovën ta quajnë shtet të dështuar, nga i cili mund edhe të ndahet Asociacioni dhe t’i bashkohet Serbisë.

Në anën tjetër, serbët druajnë që nëse procesi i dialogut përfundon pa pasur ata njëfarë lloj autonomie brenda Kosovës, atëherë shqiptarët do të mund që t’i kritikojnë rrethanat në atë mënyrë që vendi të zbrazet përfundimisht prej tyre.

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikën se me mosmenaxhim si duhet të situatës dhe me mungesë të një pajtimi të kënaqshëm nga shqiptarët dhe serbët, rrezikohet i gjithë angazhimi i tyre i deritashëm në rajon, si dhe rritet potenciali i konflikteve të reja.

KËTO EDHE JANË çështjet kryesore që diskutohen edhe në takimet formale e joformale të përfaqësuesve të të dy popujve nga Kosova dhe Serbia, siç janë edhe ato që organizohen tash e disa vjet me elegancë nga Qendra për Qeverisje Gjithëpërfshirëse me seli në New York. Në një të tillë të mbajtur në Mal të Zi së fundi, ku morën pjesë përfaqësuesit e subjekteve kryesore politike dhe të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, brenga kryesore ishte pikërisht Asociacioni i Komunave Serbe. Krijimin dhe kompetencat.

Dhe të gjitha palët konfirmonin me ose pa vetëdije frikët e veta. Si dhe mosbesimin në palën tjetër.

Ndonëse të qarta ishin tashmë se cilat janë vijat e kuqe: Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara.

Por me probleme jo të vogla për t’i zgjidhur.

Çështja është se si të arrihen të gjitha këto?

Përgjigjet do të detyrohen t’i japin në këta 3-4 vjet Mustafa e Thaçi, në njërën anë, dhe Vuçiqi e Daçiqi, në anën tjetër.

E shumë prej qytetarëve do t’u duken të vështira për t’u përtypur.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...