Kukatësi Vs mburraveci

19 Dhjetor 2014 - 09:01 - Halil Matoshi      

Pas gjashtë muajsh bllokade, që nga tetë qershori, Kosova më në fund bëhet me Kuvend dhe me Qeverinë e saj të koalicionit të madh PDK-LDK, e sipas të cilit, Isa Mustafa, pasi “tradhtoi” bllokun opozitar, nominalisht është kryeministër, vetë i treti, porse kritikët e tij ia krijuan ndjesinë si të ishte vetë i katërdhjeti! Po pse po i bien kështu në qafë Isa Mustafës? Pse pikërisht Rexhep Qosja “e përfshin”, duke e “marrë me vete” Mustafën, në një debat jo me argumente ad hominem, por me pandehma të pështira?

Debati publik është para së gjithash grindje e një apo më shumë personave me një apo më shumë persona të tjerë, rreth ndonjë çështjeje të rëndësisë publike, prandaj edhe argument ad hominem në përgjithësi (nëse vërtet është racional dhe shqyrton një çështje apo një rrethanë me interes për publikun) mund të shihet si një pjesë integrale e argumentimit të rëndomtë, dhe më konkretisht, i diskutimeve polemizuese dhe debateve.

Në vija të përgjithshme janë tri qasje në studimin e argumentit ad hominem (mbi njeriun): logjik, pragma-dialektik dhe retorik. Si shumë autorë të tjerë, Woods dhe Walton argumenteve ad hominem u qasen si krejtësisht të pranueshme. D. Walton pretendon se "intensifikimi i pjesëmarrjes personale në një diskutim", dhe "evoluimi i emocioneve" të sjella nga argumentet ad hominem - nuk kanë asgjë të qortueshme në vetvete.

Problemi është se "argumenti si sulm personal është i lidhur me grindjen tipike, si një lloj i dialogut."
Në anën tjetër, Eemeren dhe Grootendorst (qasja pragma-dialektike) mendojnë se një sulm personal ndaj kundërshtarit (dikujt) është përpjekje për ta zhdukur atë si një partner serioz në diskutim dhe për ta eliminuar të drejtën e tij për të çuar përpara një pikëpamje.

Në të gjitha variantet e argumentit ad hominem, çështja parësore është nëse komentet e një pale vërtet mësyjnë shkatërrimin - pozicionin e palës tjetër si një partner të besueshëm në bisedë. Në këtë qasje të bazuar në teorinë e aktit të fjalimit dhe analizës së diskursit, këta autorë mëtojnë ta sigurojnë një kuadër normativ ku argumenti ad hominem është vlerësuar mbi bazën verbale të këmbimit të argumenteve racionale ndërmjet pjesëmarrësve. Megjithatë van Eemeren dhe Grootendorst ende e mbajnë si ide të gabuar nocionin e argumentit ad hominemr, pra si diçka negative në shqyrtimet publike.

Ruth Amossy në anën tjetër shqyrton se deri në çfarë mase kundërshtarët në interaksion duhet të sigurojnë argument racional ad hominem, të vlefshme për debatin publik dhe këta, ai argumentet ad hominem i vrojton nga aspekti etik në një perspektivë interaktiviteti.

Sipas këtij autori (a) Argumenti ad hominem nuk duhet të analizohet në fushën e logjikës, dhe të logove, si një ide e gabuar (ose, për këtë çështje, si një jo-ide e gabuar).
(b) Analiza e argumentit ad hominem duhet të bëhet në një kuadër interaksional, ku këmbimi i arsyetimeve në mes të pjesëmarrësve dhe jo arsyetimi në vetvete është vendimtar.

(c)Argumenti ad hominem mund të analizohet në perspektivë retorike si një instrument i vlefshëm të bindjeve që kanë të bëjnë jo vetëm për logot dhe patosin, po me qëllim kryesisht etik (Brinton e quan "argumenti ethotic.").

Debati shumë i rëndësishëm ndërmjet dy akademikëve kosovarë, Rexhep Qosja dhe Isa Mustafa, ky i fundit kryeministër aktual i Republikës së Kosovës, ndonëse me interes për publikun (publiku ka të drejtë ta dijë të kaluarën e secilës figurë publike) nuk shquhet për argumentin racional ad hominem – por atë e shquan fjalori denoncues e fyes për tjetrin duke e kthyer argumentin ad hominem në armë me të cilën i bëhet një sulm personal kundërshtarit (dikujt) si përpjekje për ta zhdukur atë si një partner serioz në diskutim dhe për ta eliminuar të drejtën e tij për të çuar përpara një pikëpamje ose një shqyrtim të një çështjeje.

Ndonëse Qosja angazhohet dhe sipas tij është e nevojshme që Kosova të merret me të kaluarën e saj.
“Është e nevojshme që Kosova të krijojë vetëdije të saktë e të drejtë për të kaluarën e saj prej vitit 1945 e deri sot. Është e pashmangshme se kjo ditë kur Kosova do të pastrojë të kaluarën e saj do të vijë dhe në këtë ditë të ardhur Kosova do të pastrohet edhe prej Isa Mustafës, që sot është bërë simbol i mashtrimeve, nëpërbaltjeve, pabesive, tradhtive dhe krimeve politike, që, ja, mburret me gjuhë agresive e kërcënuese për atë të kaluar të tij!” – shkruan Qosja.

Mirëpo “e vërteta”, “ajo e drejta” dhe e sakta e legjitimja duhet të formësohen sipas masës së tij, sepse ai e pandeh veten si instanca më e lartë, ndoshta e vetmja legjitime për shqiptimin e këtyre të vërtetave!?
Shqiptimi i këtyre të vërtetave, sipas Qosjes, del të mos i lejohet askujt tjetër, sipas konceptit të “bastisjes së historisë” dhe “përndjekjes, pra abuzimit të fakteve” e aq më pak Isa Mustafës. Po kush është Isa Mustafa dhe përse të gjithë po i bien në qafë?
Isa Mustafa në anën tjetër nuk është subjekti i cili me lehtësi të padurueshme mund ta denoncojë “komunizmin, socializmin…” dhe mekanizmat me të cilët ka funksionuar kjo ideologji, sepse argumenti ad hominem se ai ka qenë zyrtar komunist është racional, pra argument i vlefshëm.

Porse kundërshtari i tij, Qosja, në këtë shqyrtim publik, përdor “denoncimin policor” ndaj tjetrit jo si fakt të vlefshëm, por për t’ia ulur prestigjin në debat, që argumentet e tij të bëhen jolegjitime, të pavlefshme. Qosja vetëm pak ditë më përpara e cilësonte ish-kryeministrin kosovar stalinist, ngase ky i fundit paskësh retushuar një fotografi të Konferencës së Rambouillet-së, por që tash ai është i adresuari, i një habie për më tepër një tmerri, të cilin, ja që e paskësh lejuar të ndodhte, kur në qilimin e kuq dhe para trupave të FSK-së ia dorëzoi Mustafës postin e kryeministrit!?
“U tmerrova”, tha së pari, pastaj tha edhe: “Kuku Kosovë! Çka të ka ndodhur!”

Qosja e qorton Thaçin pse ka lejuar (kjo është ceremoni e rëndomtë protokollare), ndërsa e quan vrasës kryeministrin e ri. Sipas tij, Mustafa ka qenë pjesë e estabilishmentit titoist në vitet ’80 (kryetar i Prishtinës dhe pastaj pjesë e makinerisë vrasëse të Rrahman Morinës (ish-shef partie në Kosovë) përkatësisht të Slobodan Milosheviqit, pas heqjes së autonomisë së Kosovës, më 1989. Është e vërtetë se Mustafa ka qenë pjesë e pushtetit politik edhe në vitet ’80 edhe në ato ’90.

Por vetvetiu të qenit lider komunist nuk është ndonjë krim. Të tillë ishin edhe Lech Walesa deri kur e themeloi “Sindikatën Solidarnosc” ose slloveni Milan Kuçan, që në mënyrë perfekte e kapërceu transicionin nga socializmi në demokraci, sikur edhe Stjepan Mesiq, i cili ishte kryetari i fundit i federalizmit jugosllav dhe po ashtu kryetar i Kroacisë gjatë transicionit.

Isa Mustafa ka filluar karrierën e tij politike në vitet ’80 të shekullit 20, kur ai u bë kreu i qeverisë komunale të Prishtinës, nga 1984 - 1988.

Mustafa ishte ministër Ekonomie në kabinetin kontrovers të Rrahman Morinës (një ish-polic federal dhe pastaj politikan kosovar), që erdhi në krye të Partisë Komuniste të Kosovës në vitin 1990 dhe pastaj me bekimin e Milosheviqit LK të Kosovës e shndërroi në Partia Socialiste e Serbisë për Kosmet. Morina gjithashtu konsiderohet si dorë e zgjatur e Serbisë dhe bashkëpunëtor i regjimit fashist të Slobodan Milosheviqit.

Në vitet 1990, kur Jugosllavia filloi të prishej, Mustafa dhe pothuajse tërë kabineti qeveritar i asaj kohe u pozicionuan kundër regjimit fashist të Milosheviqit, i cili urdhëroi organet e ndjekjes që të ngrenë aktakuza për cenim të rendit kushtetues ndaj tyre, pra edhe ndaj Mustafës, i cili u largua nga Kosova.
Ai pastaj u bë ministër i Financave në Qeverinë e ekzilit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Bujar Bukoshi.
Mirëpo Rexhep Qosja i jep vetes të drejtë që t’i bjerë Mustafës në qafë pse ka qenë politikan në epokën e Titos, kur Kosova ishte në kulmin e lulëzimit të të drejtave të saj të ligjshme, emancipuese, arsimore dhe ekonomike e politike, sipas Kushtetutës së vitit 1974, atëherë kur edhe vetë Qosja ishte një komunist që e vlerësonte lart mareshalin Tito.
Sepse Qosja paskësh të drejtë të jetë një titoist – sepse qeniesia komuniste e tij është patriotizëm, që i shërben popullit – kurse të qenët e tjetrit në këtë shërbesë na qenkësh krim!?

Në gazetën "Rilindja" dhe revistën “Zëri” të Kosovës, gjatë kohës kur Tito vdiq (maj 1980), Rexhep Qosja e përshkroi me këso fjalësh ikjen e tij: “Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar Luftën Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë - ja një meritë e mjaftë historike për të gjitha kohërat.(…) Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë, duke i hapur rrugën ngadhënjimit të socializmit - ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë”.(…)
Pra Qosja del antimonarkist dhe lartëson socializmin – pra shfaqet me identitet komunist.

“Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve dhe kombësive - ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike”. (…) Qartë, Qosja në këtë vargan meritash për Titon jo vetëm që miraton bashkim-vëllazërimin, por shqiptarët e tij i cilëson sipas logjikës sovjetizuese titoiste: kombësi!?
“Tito i ka prirë idesë së madhe që i reziston presionit të fuqive të mëdha e që sot njihet si ide e mosinkuadrimit - ja edhe një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme…”

Madje me fjalinë e fundit, të cituar, del se Qosja ishte një antiimperialist, pra një antiamerikan!?

Po ashtu Qosja e quan vrasës Mustafën (ishte ministër Ekonomie, sado që në një kabinet kontrovers) pa të drejtë, sepse vrasjet dhe ndjekjet e shqiptarëve të Kosovës kryheshin nga policia dhe ushtria jugosllave që komandoheshin kryesisht nga gjeneralë serbë dhe nuk bëheshin me konsensus të ministrave kosovarë (tashmë me autonomi territoriale e politike të suprimuar), pra zor se do ta ketë pyetur kush Isa Mustafën se çfarë duhej bërë në Kosovë.

Porse, nëse ishte Qeveri kukull ose së paku kontroverse, Mustafa si i shkolluar, ekonomist i ri, atëbotë, nuk është dashur ta pranonte një post të tillë – që për qëllim nuk e kishte vetadministrimin e Kosovës, por legjitimimin e Serbisë në Kosovë.

Pra ky mund t’i cilësohet si gabim politik Mustafës, por sipas këtyre konditave kurrqysh nuk mund të cilësohet vrasës, sepse për vrasje të supozuara, do të duhej që, Qosja dhe kushdo tjetër, të mblidhnin argumente dhe t’i drejtoheshin prokurorit të Shtetit!
Mustafa, në anën tjetër, thotë se mburret me atë çfarë ka bërë dhe biografisë së tij nuk ia heq asnjë presje, duke e quajtur Qosjen rrenc, kukatës, me mendësi të UDB-së dhe Sigurimit Shqiptar dhe duke i sugjeruar atij psikiatrinë dhe duke aluduar të ketë bërë edhe krime!?

Kryeministri kosovar ka hyrë kështu në një debat joracional, por me rëndësi për publikun, porse me mjete joracionale dhe pa vlefshmëni faktike, ai ka rrëshqitur në vorbullën e sharjeve mujshore - tipike shqiptarçe - gjë që themeluesi i partisë së tij, Rugova, nuk do ta bënte për të gjallë të tij!?
Në këtë lloj debati publik (kam shkruar më përpara rreth grindjes së neveritshme ndërmjet akademikëve – së paku nominalisht - Qosja dhe Islami) nuk ekziston forca e argumentit, por argument i forcës, ky model i grindjes ishte funksional vetëm në shtete policore (totalitare) për të denoncuar ndonjë armik të shtetit (rëndom dihej denoncuesi, por mbahej fshehtë, mbrohej nga shteti, dihej edhe i denoncuari, i cili torturohej ose vritej, por në fund gjithnjë mungonte armiku, ai s’shihej gjëkundi, si në “Shkretëtirën e tartarëve” të Dino Buzzatit.

E ruaj një stenogram të vitit 1988 (Debati publik për ndryshimet kushtetuese,) sipas të cilit Isa Mustafa si njeri i besuar i partisë dërgohet në Hajvali, për të debatuar me qytetarët për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Serbia – pra ky debat në thelb ishte justifikimi i heqjes së autonomisë së Kosovës.
Mustafa sipas stenogramit dhe në kontekstin e atëhershëm politik del një mbrojtës i mire i kauzës së shqiptarëve kosovarë për të drejtat e patjetërsueshme kulturore dhe gjuhësore, po aq sa Qosja në Kongresin e Shkrimtarëve në Novi-Sad, por ende asnjëri dhe as tjetri nuk po e përmendnin Republikën.
Deri kur u shfaq Ibrahim Rugova!

Mustafën e kam kritikuar pse i është bashkuar një modeli qeverisës të njerëzve të ligj (kakistokratikë) dhe kleptokratikë, por Mustafa si qytetar, në debatin me Qosjen duhet mbrojtur, për aq sa ka të drejtë në renditjen dhe shkoqitjen e fakteve historike, por jo edhe në mburravecërinë dhe në krenarinë e tij fëmijërore për çdo gjë që ai paskësh bërë në ish-regjimin komunist.

Këtë debat publik e shquajnë argumentet e varfra qofshin ato edhe ad hominem, pra argumente tërësisht të papranueshme.
Ky lloj i debatit publik është fyes për konceptet e qytetarisë, për retorikën dhe etikën dhe shkakton ndotje ambientale, akustike dhe morale.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...