Mustafa tash i bashkohet Thaçit në krijimin e miteve rreth sukseseve në integrimet evropiane

17 Dhjetor 2014 - 08:37 - Augustin Palokaj      

Hashim Thaçi, pos që është partner i Isa Mustafës në koalicionin qeveritar, duket se është edhe mentor i tij politik. Thaçi duhet të jetë fenomen në Evropë, i cili me vite jep premtime të cilat nuk realizohen dhe ai vazhdon me premtime të reja, ndërkohë që askush nuk i kërkon llogari për mospërmbushjen e atyre të mëhershme. Tash pasi kaluan së paku tri katër vite që Thaçi kishte përmendur si afate për liberalizimin e vizave , del Isa Mustafa me premtime se që në pjesën e parë të vitit që vjen do të hiqen vizat. Gjasat nuk janë të mëdha që kjo të ndodhë, sikurse nuk ka shumë gjasa që Kosova në mandatin e kësaj qeverie të shënojë ndonjë hap formal në procesin e integrimeve në BE

Integrimet evropiane dhe liberalizimi i vizave duket se do të përdoren edhe nga kjo qeveri e re e Kosovës, sikur edhe nga ato të mëhershmet, për të arsyetuar kompromiset jo të lehta me Serbinë dhe dëgjueshmërinë ndaj secilit sugjerim të bashkësisë ndërkombëtare, pa asnjë hezitim nga ana e Kosovës. Qeveria e sapozgjedhur e Kosovës dhe mënyra se si u arrit ajo bën të qartë se në këtë drejtim nuk do të ketë ndryshime. Në katër vitet e fundit të qeverisë “Thaçi 2” pothuajse nuk kishte ditë kur nuk përmendeshin “dhurata të BE”së dhe “suksese në procesin e integrimeve”. Këto ishin shtuar sidomos pas nisjes së dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë dialog Kosova i pranoi të gjitha ato për të cilat liderët e sajë zotoheshin se nuk do t’i pranonin kurrë, madje as që do të bisedonin për gjëra të tilla. Kosova pranoi që në nismat rajonale dhe në ato ndërkombëtare të marrë pjesë jo si e barabartë pasi që emri i saj shkruhet me (*), që Edita Tahiri e pati quajtur si “fjollë bore e cila do të shkrihej me ardhjen e verës”. Por disa vera kaluan dhe ajo fjollë, e që në fakt është më shumë njollë, mbi emrin e Kosovës mbeti dhe nuk e dimë edhe sa vera do të kalojnë e ajo nuk do të shkrihet. Zotimet se me Beogradin nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh politike, por vetëm teknike u shkelën shumë herët një dialog. Thëniet se “me Serbinë nuk do të bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës” tash u dëshmuan të kanë qenë tallje me qytetarët, sepse tash pa Beogradin nuk mund të pastrohet as një urë mbi një lumë, as të zhvillohen zgjedhjet e as të formohet qeveria e Kosovës. Thëniet se “Kurrë me Serbinë nuk do të bisedohet për veriun e Kosovës” dramatikisht dhanë si rezultat jo më pak se një status special të serbëve në Kosovë dhe një lloj autonomie për veriun, sido që ta pagëzojnë politikanët e Kosovës. E në tërë këtë kohë, Serbia arriti të ketë në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të fitojë liberalizimin e vizave, të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe të nisë edhe procesin e negociatave.

E çfarë mori Kosova? Asgjë konkrete deri me tash. U përmbyllen negociatat për një Marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, por e cila ende nuk është nënshkruar dhe, edhe kur të nënshkruhet, nuk do ta ketë efektin e njëjtë sikur MSA-të me vendet e tjera të rajonit. Vetë BE-ja atë marrëveshje e quan si “Marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse me Kosovën” por nuk e quan si “marrëveshjen e parë kontraktuale”. Megjithatë, edhe kjo Marrëveshje, sado gjysmake që të jetë, është rezultat i vetëm i dukshëm në zhvillimin e raporteve mes BE-së dhe Kosovës, por nuk mund të quhet si hap në procesin e integrimeve evropiane sepse qëllimi i saj, siç shihet edhe nga teksti i së njëjtës, është “zhvillimi i Kosovës” e jo integrimi i saj në BE si vend anëtar, siç është për vendet e tjera.

Një pritje tjetër e kosovarëve, dhe e përmendur shpesh si një dhuratë e mundshme që Kosova mund ta marrë nga BE-ja për kompromisin në dialog me Beogradin, ishte liberalizimi i vizave. Kosova ende po vazhdon dialogun me BE-në rreth kësaj, por koha kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza nuk mund të parashikohet në këtë moment. Premtimet që i dha Hashim Thaçi me ish-ministrat e tij nuk u realizuan, ndërsa vetë brenda BE-së, e edhe në Kosovë, janë keqësuar rrethanat dhe do të jetë më e vështirë sesa më parë të arrihet ky sukses. Në BE është shtuar rritur kundërshtimi për heqjen e vizave, ndërsa në Kosovë është keqësuar gjendja sociale e qytetarëve në kohën kur nuk ka rezultate konkrete në luftë kundër korrupsionit, që po ashtu është një element nga i cili varet suksesi në dialogun e vizave. Edhe kur të ndodhë një ditë liberalizimi i vizave po ashtu nuk ka lidhje me procesin e integrimeve në BE. Liberalizim vizash kanë edhe shtetet të cilat janë jashtë BE-së, madje edhe entitetet, të cilat nuk janë fare shtete si Hong-Kongu dhe Tajvani. Liberalizimin e fito para Kosovës edhe Moldavia, e cila nuk ka të ofruar kurrfarë “perspektive evropiane, e cila u është ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në njërën prej intervistave të tij të para, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dha premtime se ai do të insistojë që në pjesën e parë të vitit do të ndodhë liberalizimi i vizave. Premtime të tilla kishte dhënë edhe në fushatën zgjedhore duke thënë se në vitin e parë të qeverisjes së LDK-së do të ndodhin edhe liberalizimi i vizave edhe MSA-ja. Sa i përket MSA-së, mund edhe të realizohet ky parashikim por puna është kryer nga qeveria e mëhershme, ndërsa tash varet kryesisht nga BE-ja, e cila, para hyrjes në fuqi të saj, duhet të vazhdojë një proces që do të zgjasë ndoshta deri në vitin 2016. E liberalizimi i vizave është një çështje e dhimbshme për qytetarët, sepse i bën kosovarët të dallojnë nga të tjerët dhe të kenë edhe një shembull se janë të diskriminuar, po ashtu nuk pritet të ndodhë në vitin e parë të qeverisë Mustafa.

Isa Mustafa dhe LDK-ja, njëlloj sikur edhe Ramush Haradinaj dhe AAK-ja, deri më tash vetëm i kanë mbështetur kompromiset që Thaçi i ka arritur me Serbinë në Bruksel. Por tash Mustafa dhe LDK-ja do të marrin përgjegjësi direkte për implementimin e tyre, duke e formalizuar statusin special të veriut dhe “Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe”. Madje, nëse versioni i Marrëveshjes së Mustafës dhe Thaçit me Listën Serbe” (që jo rastësisht ka të njëjtin emërtim sikur edhe një entitet në Bosnjë-Hercegovinë!) që është botuar në mediet e Kosovës është autentikë, këta dy liderë kanë nënshkruar një dokument i cili nuk flet për një “asociacion të komunave” (siç është përdorur në shqip deri më tash) por një “Bashkësi komunash” (Zajedinca opština) siç ka thënë Beogradi. Në aspektin gjuhësor dhe formal këta dy terma kanë shumë dallim, sepse njëra ka status më të fortë sesa tjetra dhe vështirë që mund të quhet vetëm një “OJQ”. Duke u bërë bashkëpjesëmarrës në kompromise me Serbinë, e ndoshta edhe duke marrë një përgjegjësi edhe më të madhe, pasi që e ka kryesimin e qeverisë, Isa Mustafa dhe LDK-ja duhet të dalin edhe me premtime në formën e përfitimeve që mund të marrë për qytetarët. E çfarë mund t’u premtohet tjetër pos asaj që me vite ka premtuar edhe Thaçi, madje duke dhënë edhe “Garanci”, pra MSA dhe liberalizim vizash.

Hashim Thaçi, pos që është partner i Isa Mustafës në Koalicionin qeveritar, duket se është edhe mentor i tij politik. Thaçi duhet të jetë fenomen në Evropë, i cili me vite jep premtime të cilat nuk realizohen dhe ai vazhdon me premtime të reja, ndërkohë që askush nuk i kërkon llogari për mospërmbushjen e atyre të mëhershme. Tash pasi kaluan së paku tre- katër vjet që Thaçi kishte përmendur si afate për liberalizimin e vizave, del Isa Mustafa me premtime se që në pjesën e parë të vitit që vjen do të hiqen vizat. Gjasat nuk janë të mëdha që kjo të ndodhë sikurse nuk ka shumë gjasa që Kosova në mandatin e kësaj qeverie të shënojë ndonjë hap formal në procesin e integrimeve në BE.

Është për t’u habitur se si politikanët e Kosovës nuk i kanë mësuar disa nga parimet kryesore të komunikimit politik. Dy thënie nuk mund t’i dëgjoni nga goja e politikanëve të përgjegjshëm perëndimorë “kurrë” dhe “garantojmë”. Kur Thaçi thoshte se ka “garanci nga Brukseli” se do të hiqen vizat së shpejti, një diplomat evropian me cinizëm thoshte se “Garanci merr kur blen televizor”. Sa vlen fjala “kurrë” nga goja e politikanëve të Kosovës mund të shihet nga vetë fakti se LDK-ja hyri në koalicion me PDK-në dhe ata që thoshin “kurrë” tash bëhen sikur kjo është “zgjidhja më e mirë”.

Kosova duhet të ecë drejt integrimeve në BE dhe duhet të punojë në liberalizmin e vizave. Por kjo nuk do të ndodhë me numrin e madh të ministrave dhe zëvendësve të tyre, as me premtime e as me thirrje në ndihmë politike. Sikur të varej nga këto, moti do të ishin realizuar pritjet.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...