Qeveri me shije pelini

16 Dhjetor 2014 - 08:25 - Flaka Surroi      

Ka shumë pak të entuziazmuar me këtë Qeveri që së bashku me stafin përcjellës politik do të numërojë mbi dyqind veta. Të gjithë këta njerëz i janë shtuar ekzekutivit në vitet e fundit, ashtu siç zgjerohet simboli i ri shtetëror i Kosovës, fizarmonika, atëherë kur duhet marrë ajër, para se të lëshojë tinguj. Tinguj të akorduar, po qe se jemi me fat

“Ka qenë mami, babi, motra, vëllau dhe... ministri...”. Ky ishte fillimi i përrallës që kishte nisur ta dëftonte nipi im trevjeçar, natën e dytë të seancës së Kuvendit, në të cilën u zgjodh Qeveria e dalë nga zgjedhjet e qershorit. Duke mos e ditur kuptimin e asaj që e thoshte, ai në fakt po e përsëriste fjalën magjike, e cila nuk u ndal së përsërituri nja dy javë me radhë, që nga koha kur u kuptua se PDK e LDK kishin arritur marrëveshje koalicioni.

“Ministër” tash ishte bërë sinonim i aspiratës maksimale politike në Kosovë – për shkak të peshës tenderore që e ka. Sepse vlerën tjetër, të zotnillëkut dhe të aftësisë për të udhëhequr, e ka mbytur fakti se kjo Qeveri është madje edhe më e madhe se ajo e kaluara për një ministri, dhe se do t’i ketë hiç më pak se 42 zëvendësministra. Madje as një autobus s’mund t’i zërë krejt.

Dhe kjo na ishte java e funksionalizimit të Kuvendit dhe të formimit të Qeverisë së re me një kryeministër idhnak dhe me një zëvendëskryeministër/ministër i Jashtëm që i ka rezervuar të gjitha shëtitjet dhe mëditjet për vete kësaj radhe.

Kuvendi u bë me një kryetar të ri, i cili që në komunikimin e parë me deputetët dhe opinionin publik tregoi afinitetin e tij për të folur shumë e për të mos thënë gjë me rëndësi; për ta aktivizuar nënvetëdijen atëherë kur kjo më së paku i nevojitej (“...nuk do të lejojmë që të mos ketë diskriminim...”) dhe për të na zbuluar trajtën e re të ndajfoljes “këtu” – e cila me një aftësi brilante të shqiptimit të rrjedhshëm të dy bashkëtingëlloreve të komplikuara, të përziera me një zanore që kërkon pakëz më shumë përpjekje për t’u shprehur, na doli të jetë fjala “kty”.

Po edhe kjo gjetje e re gjuhësore do të ishte e kapërdishme, po mos ta dinim se po qe se Jahjaga do të këshillohej të jepte dorëheqjen tash, do ta kishim për ushtrues detyre kryetar shteti njeriun, i cili ka udhëhequr një shërbim sekret partiak, që pos që është cilësuar kriminal, është bërë pjesë e hetimeve zinxhirore, si pjesë e veprave të ndryshme penale.

Pra, në vend të përmirësimit aq të nevojshëm të imazhit, posaçërisht pas Martyt dhe Williamsonit, Kosova del para opinionit me një fytyrë të re, por të dalë nga errësira.

Lajmi i vetëm i mirë nga gjithë kjo fizkulturë politike që zgjati tepër, e që ka mundur të zgjidhej moti (meqë kjo paska qenë intenca e atyre që me çdo kusht deshën të bëheshin me pushtet), është se javën që vjen Kuvendi do ta votojë Ligjin e buxhetit për vitin 2015. Nëse ende dikush e ka ndonjë dyshim – le t’i pyesë bizneset. Këto do të tregojnë se Kosova është në kolaps total financiar dhe se është çudi shumë e madhe sesi ende nuk kemi bankrotuar plotësisht.

Atë që jemi duke e përsëritur që katër vjet pa u ndalur është se ekonomia e Kosovës funksionon në bazë të këmbimit mall-mall, dhe se para të gatshme nuk ka në qarkullim. Sepse këto janë ose jashtë (p.sh. të trustit e të privatizimit),ose ato i merr “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradave.

Aklamacioni

Të njëjtën ditë kur u bëmë me Qeverinë e re, Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Mbase lajmi më i mirë i javës; bile një gëzim. Tash sportistët tanë mund të garojnë në Olimpiadë nën flamurin e Kosovës dhe në përcjellje të himnit po qe se fitojnë, natyrisht, me kusht që ua japin vizat për të udhëtuar edhe në shtetet që nuk na kanë njohur.

Nuk do të ishte normale, po të mos ishte e komplikuar. Mbase detaji më i shëmtuar i gjithë atij gëzimi të komunitetit ndërkombëtar ishte falënderimi që kryetari i KOK-ut, Hasani, ia bëri Serbisë. Demek, flm që nuk na penguat. Bllak.

Thuajse e kurdisur me qëllim, zgjedhja e Qeverisë u bë pas anëtarësimit në KON. Po s’ishte e kurdisur nga mandatari që t’i gëzoheshim këtij lajmi. Vonesa në zgjedhjen e Qeverisë ndodhi me insistimin e Beogradit. Lista Srpska, të cilën e forcoi, e legjitimoi dhe e fuqizoi Thaçi me nënshkrimin e marrëveshjes së famshme me Daçiqin, u bë faktori që nuk do të duhej të ishte në formimin e Qeverisë.

Duke insistuar në përzgjedhjen e njerëzve të vet dhe duke kushtëzuar me bojkotim (që natyrisht do të shihej si shenjë e keqe nga ndërkombëtarët), Srpska ia doli të bënte atë që e deshi. Dhe të përçojë porosi shumë të qartë: se asnjë ndryshim i Kushtetutës apo edhe i ligjeve të rëndësisë jetike nuk do të mund të ndërrohen pa ta. Për shkak se dy të tretat e votave të minoriteteve bëjnë 15, e këta vetëm i kanë 9. E pse Srpska i ka 9 e nuk i kanë partitë e tjera serbe që kanë qenë të përfaqësuara në legjislacionet e kaluara duhet pyetur ish-kryeministrin, tash kryediplomatin tu Kosovës.

Zgjedhja e Qeverisë u bë pa debat. Për më tepër, sipas asaj që e thoshte opozita, madje edhe programi qeveritar i prezantuar nga mandatari, mendohej të kalohej pa fije debati.

Porse duket se do të kenë ndikuar miqtë ndërkombëtarë për t’i treguar pushtetit të ri se, edhe pse e kanë shumicën absolute, megjithatë duhej të linin përshtypjen se në Kuvend po zhvillohej njëfarë demokracie. Kështu, Mr. Kty, pasi që kishte konstatuar se tashmë ishte shterur debati dhe se fundja “nuk kishin pse e pyesnin opozitën për çfarëdo”, e qiti në votim, me aklamacion, zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar.

Votimi me aklamacion do të ketë pasur qëllimin e dyfishtë: një, shmangien e befasive dhe rritjen eventuale të numrit të të pakënaqurve që do të votonin kundër, pra rrezikimin e zgjedhjes së kabinetit qeveritar, dhe dy, frikësimin e atyre deputetëve që kishin ndërmend të votonin kundër, me linçim politik eventual. Dhe Qeveria u zgjodh, por la pas një shije pelini që mbase nuk do të kalojë as deri në zgjedhjet e ardhshme.

Pelini

Përzgjedhja e ministrave ishte dëshpëruese. Kjo Qeveri na solli një odë burrash të maaaadhe, në të cilën shohim shumë pak fytyra të reja. Pra, pak ndryshime në nivelin e ekzekutivit të një vendi ku çdo ditë, pos 9 dhjetorit (që është Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit), është ditë e korrupsionit. Kaq sa për zotimet se do të luftohet e keqja më e madhe me të cilën jetojmë qe sa vjet.

Prej gjysmës së popullatës u gjetën vetëm dy femra që e paskan “merituar” të bëheshin anëtare të kabinetit qeveritar. Njëra, kryetare e një partie mbase inekzistente, tjetra profesoreshë universiteti, por aktive në partinë e saj. Kështu, partnerët e koalicionit na e vërtetuan në praktikë atë që e dimë prej kohësh: shoqëria patriarkale kosovare nuk duron femra të mençura dhe të guximshme dhe nuk e duron garën intelektuale me ato që nuk i kanë muskujt mjaft të fortë. Na e vërtetuan edhe se barazinë gjinore nuk e pranojnë as si postulat, dhe se demokracia e brendshme partiake e tyre është barazi me atë çka vendos shefi..., apo shefqiqat, që mëtojnë me ia zënë vendin, ama jo pa u dëshmuar njëherë si supozitorë të efektshëm.

Kishte të tillë që votuan kundër partisë, si dhe vetë shefit. Kush për parim, e kush për hidhërim. Të hidhëruarit mbetën pa poste politike ekzekutive dhe iu hakmorën shefit publikisht – duke ia marrë fytyrën. Sepse njeriu që nuk mund t’i kontrollojë burrat brenda partisë së vet, si mund t’i kontrollojë ata të tjerët që deri dje i ka sharë...

Nga ana tjetër, dy gra mbetën të palëkundura në atë që e kishin thënë prej kohësh: Vjosa Osmani dhe Doruntinë Maloku (e treta, Alma Lama, e shpiku llojin e ri të votës: “abstenimin kundër”, që në esencë paraqiti një oportunizëm klasik). Votuan kundër për shkak se kishin kundërshtuar koalicionin me PDK-në. Dhe e mbrojtën parimin. Dhe tash, vetëm sa nuk po ua hanë veshët. Ka mjaftuar të përcillet intervista e fundit e Osmanit të Interaktiv: shprehja e fytyrës me buzëqeshje të ngrirë dhe sy të ngrysur mjaftonin për të kuptuar se presioni të cilit i është nënshtruar është tepër i madh.

Mbledhja përfundoi me kërcënimin që kryeministri i ri ua bëri atyre nga partia e tij që nuk e kishin votuar atë dhe Qeverinë e tij, në të cilën ka edhe akomodime dostash, rrymash fetare e qejfesh. Dhe e cila do t’i shpenzojë shumë miliona nga buxheti i shkretë për t’ia betonuar vetes heshtjen..., e besa edhe rehatinë.

Fizarmonika

Pranim-dorëzimet e detyrave u bënë. Burrat dolën prej një zyre në tjetrën. I morën do fasciklla (për mos t’iu thënë fashikuj), dolën n’syret, e mbajtën një mbledhje të përbashkët dhe ia nisën punës.

Edhe pse në shikim të parë i ka numrat dhe mund të quhet Qeveri stabile, kjo megjithatë është e brishtë, njësoj sikurse ka qenë ajo e 2007-s, e cila ra për shkak se iu prish qejfi Sejdiut, e jo për ndonjë parim. Edhe këtu do të ketë mundësi për prishje qejfesh dhe rrëzim qeverish, për shkak se kështu është koncipuar marrëveshja e koalicionit LDK-PDK, që grupet parlamentare të votojnë përherë njësoj dhe që të mos ketë disonancë. E kjo e fundit iu ndodhi që në mbledhjen e parë dhe kjo dëshmoi se sa të paqëndrueshme janë marrëveshjet ndërshqiptare. Për më tepër, kjo dëshmoi se sa pak u besohet këtyre partive, që rrenën e kanë program politik dhe stil komunikimi me publikun.

Do të mund të binte edhe për shkak të mosrespektimit të një marrëveshjeje ekstra që LDK e PDK e kanë nënshkruar me Srpskan, që kështu çfarë është e shpie Kosovën në federalizëm. Dallimi me këtë marrëveshje është se këto dy parti nuk do të mund ta ndryshojnë as Rregulloren e Kuvendit pa dy të tretat e votave të minoriteteve, e lëre më të bëjnë diçka më serioze. Sepse marrëveshja e prillit i ka faktorizuar këta që tash luajnë pipirevkë me Kuvendin.

Ka shumë pak të entuziazmuar me këtë koalicion. Dhe shumë më pak të entuziazmuar me këtë Qeveri që së bashku me stafin përcjellës politik do të numërojë mbi dyqind veta. Të gjithë këta njerëz i janë shtuar ekzekutivit në vitet e fundit, ashtu siç zgjerohet simboli i ri shtetëror i Kosovës, fizarmonika, atëherë kur duhet marrë ajër, para se të lëshojë tinguj. Tinguj të akorduar, po qe se jemi me fat.

Porse druaj se i gjithë ky eksperiment i shtrenjtë në fakt do të prodhojë një kakofoni që nuk do ta kalojë dyvjetshin, sepse është i panatyrshëm, dhe për shkak se mbështetet në mosbesim dhe mungesë sinqeriteti. Është rezultat i bashkimit të interesave personale të atyre që mendojnë vetëm për vete dhe për një rreth të dëgjueshmish. Për ata të cilët nuk e di se qysh u bënë pjesë e përrallës së nipit tim...

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...