Zero tolerancë ndaj Qeverisë

14 Dhjetor 2014 - 08:45 - Agron Bajrami      

Vonesa gjashtëmujore në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit e ka zhdukur edhe fijen më të vogël të optimizmit në pritjet që vendi mund t’i ketë nga Ekzekutivi, i cili tani e tutje do të udhëhiqet nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Arsyeja e pesimizmit, që duket qartë se dominon tek vëzhguesit e zhvillimeve, nuk është vetëm te koha e humbur kot, por edhe për shkak të shumë faktorëve të tjerë që ndërlidhen me të kaluarën e dy partnerëve qeverisës, raportet e tyre politike dhe kapacitetet e munguara për të ardhmen.

Me një fjalë, Qeveria Mustafa, me gjithë premtimet para dhe paselektorale demagogjike, nuk nxit asnjë shpresë se mund të bëjë edhe ndryshimin më të vogël në vendin ku shumica e qytetarëve vuajnë nga probleme të shumta e të mëdha politiko-ekonomike, sistemore dhe ekzistenciale. Sidomos jo, pas lojërave të pështira politike të Mustafës dhe LDK-së në gjashtë muajt e fundit, të cilat këtij politikani dhe pjesës më të madhe të krerëve të kësaj partie ua siguruan epitetin e manipuluesve që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm për pushtet.

* * *

Derisa pas zgjedhjeve në të kaluarën një pjesë e elektoratit gjithnjë mbetej e zhgënjyer, por tek pjesa tjetër krijohej një ndjenjë e optimizmit, kësaj radhe as ata që e fituan pushtetin nuk duket se i gëzohen kësaj fitoreje fort. Optimizmi mungon në radhët e PDK-së meqë koalicioni shihet si një hap i padëshiruar që bëhet vetëm për shkak se është mënyra e vetme për të mos e humbur tërë pushtetin, derisa tek LDK-ja as marrja e postit të kryeministrit për herë të parë që nga lufta nuk e ka zhbërë ndjenjën e humbjes mbase më të madhe politike të kësaj partie që nga vdekja e kryetarit Ibrahim Rugova.

Dhe, janë disa arsye pse kjo është kështu.

Së pari, me koalicionin PDK-LDK kemi një aleancë që, edhe pse është e përbërë prej dy forcave që veten e deklarojnë si të djathta, ato po mbeten rivale dhe ende ka zyrtarë në të dy partitë që e konsiderojnë partinë tjetër armike të përbetuar. E kaluara e marrëdhënieve mes këtyre dy partive jo vetëm se është problematike, por në masën më të madhe e definon karakterin e të dy forcave politike: derisa PDK-ja në vazhdimësi e konsideron LDK-në si pengesë historike të veten, LDK-ja e sheh veten si viktimë e PDK-së agresore. Sigurisht, bashkëpunimi i këtyre dy forcave politike është i mundur, sidomos në sektorët joformalë, dhe një gjë e tillë është dëshmuar shumë mirë në koalicionin Thaçi-Sejdiu të viteve 2007-2010, kur afrimi (por edhe ndarja) u bënë në kontekstin e interesave të ngushtë dhe individuale të krerëve të këtyre dy partive.

Edhe marrëveshja Thaçi-Mustafa është e tillë.

Faktori i dytë që nxit pesimizëm që nga dita e parë ka të bëjë me vazhdimësinë që e garanton prania në Qeveri e PDK-së, dhe posaçërisht e ish-kryeministrit Thaçi. Pas shtatë vjetëve të qeverisjes Thaçi, nuk ka mbetur kush me mendje të shëndoshë në Kosovë që tani mund t’u besojë deklarimeve për luftim të korrupsionit dhe keqqeverisjes nga një Qeveri ku personi me fuqinë më të madhe politike është i njëjti nën qeverisjen e të cilit këto probleme arritën në shkallë epike. Qytetarët e Kosovës, të mësuar tashmë me gënjeshtrat e përsëritura politike, janë ngopur nga deklarimet për “zero tolerancë ndaj korrupsionit”, të cilat pasi i dëgjuan me vite nga goja e Thaçit, tani i dëgjojnë të përkthyera në gjuhën e Isa Mustafës: “Kam parë vullnet te Hashim Thaçi për ta luftuar korrupsionin!”

Në anën tjetër, nuk do mend se lëshimi i karriges së kryeministrit nga Thaçi, pa e zënë atë të presidentit të vendit, do të ketë efekt nxitës tek shefi i sapoemëruar i diplomacisë kosovare që të veprojë në mënyra jo fort diplomatike me partnerin e tij të koalicionit. Thaçi, bazuar në historinë e tij të të bërit politikë, nuk do ta lëshojë as rastin më të vogël që Mustafës t’ia komplikojë jetën qeveritare, për të krijuar perceptimin e superioritetit politik. Sigurisht, Mustafa nuk do jetë pa aleatë ndërkombëtarë në atë lojë, dhe nuk do mend se me kalimin e kohës do të mund të shohim reagime jodiplomatike edhe prej kryeministrit të ri. Por, marrë parasysh jopopullaritetin momental të Mustafës, që në javët e fundit vetëm se është në rritje, çdo përplasje dhe dështim qeverisës do t’i faturohet kreut të LDK-së dhe partisë së tij.

Përveç këtyre, faktor tjetër është edhe përkrahja e dobët që Mustafa e ka në partinë e vet. Derisa Thaçi, me gjithë krejt lojërat me njerëz, mbetet me autoritet të pakontestuar brenda PDK-së, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Mustafën në LDK. Për më tepër, reagimi i tij nervoz ndaj deputetëve të LDK-së që u rebeluan kundër koalicionit PDK-LDK vetëm sa do ta thellojë mosrespektimin e tij nga bashkëpartiakët. Dhe, në kohën kur mungon respekti për Mustafën tek partia e tij, nuk mund të pritet respektim i tij nga partnerët e koalicionit, nga opozita parlamentare apo cilido segment i shoqërisë kosovare. Për më tepër, reagimet e pamenduara, nxitëse dhe nervoze të Mustafës, çfarë ai shpesh i bën kur përballet me kritika ndaj tij, do ta bëjnë atë cak të preferuar të publikut, të etshëm për të goditur një simbol që personifikon degradimin shoqëror, të cilin shumica e ndiejnë se i ndodh vendit nën sundimin e kësaj kaste politikanësh supermakiavelianë.

Së fundi, dhe jo më e parëndësishme, është pritja që bazohet në performancën e kaluar, e cila në rastin e Mustafës na del sërish shumë e munguar. Siç mund të konstatohet fare nëse shikohet puna e kaluar e Mustafës si kryetar i Prishtinës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, rezultatet e punës janë në shpërputhje të madhe me premtimet që kishte dhënë ai. Në Komunën e Prishtinës, siç mund ta dëshmojë secili që jeton këtu, administrata e Isa Mustafës për më shumë se gjashtë vjet qeverisje nuk ka prodhuar shërbime të mira për qytetarët, ndërsa kryesimi i LDK-së nga ana e tij as nuk e ka reformuar partinë, as nuk e ka rritur atë. Marrja e pushtetit tani është rezultat i rrethanave fatlume për LDK-në dhe PDK-në, dhe fatkeqe për disa të tjerë!

* * *

Sado që mund të duket i shpenzuar, politikani Isa Mustafa tani vetëm po e nis qeverisjen e tij me Kosovën. Sa do zgjasë ky eksperiment, do të varet pak prej tij, e më shumë prej të tjerëve – më së shumti prej atyre që edhe ia siguruan pozitën: Hashim Thaçit dhe segmenteve ndërkombëtare që nuk e deshën lëvizjen “Vetëvendosje” në pushtet.

Por, në përllogaritjen e kapaciteteve reale të Qeverisë Mustafa ndoshta do të bënim mirë të ndryshonim premisën mbi të cilën ndërtojmë pritjet tona. Marrë parasysh gjithçka, defekti kryesor duket të mos jetë vetëm te njerëzit që vijnë në pushtet, si puna e Isa Mustafës tani dhe e Hashim Thaçit para tij (apo të gjithë kryeministrave të tjerë para tyre), por edhe tek fakti se qytetarët, të lodhur nga jetesa e rëndë dhe pa një perspektivë të prekshme pozitive, kultivojnë shpresën për ardhjen e befasishme të një lideri të vërtetë, që do ta nxjerrë këtë vend nga balta e varfërisë, korrupsionit dhe mosdijes. Një lideri mesianik, që do të rindërtojë ëndrrën kosovare për një demokraci me Liri, Barazi e Drejtësi!

Mbase është koha që të zgjohemi e të shohim përreth, edhe nëse kostoja është se do të kuptojmë që jemi të dënuar shtetin të na e udhëheqin jo më të mirët, por mendjemëdhenjtë.

Me të tillë në pushtet, formula e vetme që na mbetet është: Zero tolerancë ndaj Qeverisë!

agronb@kohaditore

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...