Bosnja përtej miteve

11 Dhjetor 2014 - 08:21 - Enver Robelli      

Dhunë, liberalizim, shkatërrim: në librin e tij mbi historinë e Bosnjë-Hercegovinës Noel Malcolm rrëzon shumë mite, sidomos në kapitujt e fundit, në të cilët merret me historinë e këtij vendi pas Luftës së Dytë Botërore

Në një nga prononcimet e tij të fundit publike para vdekjes së papritur diplomati amerikan, Richard Holbrooke, kishte shprehur keqardhje që në negociatat për paqen në Bosnjë-Hercegovinë, të zhvilluara në Dayton (Ohio), në vjeshtë të vitit 1995, bashkësia ndërkombëtare kishte pranuar që pjesës së kontrolluar nga serbët t’i lejohet përdorimi i cilësimit “Republika Srpska”.

“Nomen est omen” thoshin latinët: kësisoj edhe “Republika Srpska” nëpërmjet emrit sinjalizon se është zonë e rezervuar për serbët, edhe pse formalisht Marrëveshja e Daytonit garanton kthimin e të përndjekurve në vatrat e tyre. Në fakt shprishja etnike në Bosnjë duket e pakthyeshme së paku në periudhën afatmesme.

Në librin e tij “Bosnja – një histori e shkurtër” (për fat të keq ende të papërkthyer në shqip) historiani britanik Noel Malcolm korrigjon shumë interpretime të gabueshme, rrëzon mjaft mite dhe prezanton fakte që e plotësojnë mozaikun e historisë së Bosnjës. Në këtë shkrim do të përqendrohemi në kapitujt e fundit të librit, ku Malcolm merret me Bosnjën pas vitit 1945 dhe vë në dyshim shumë mite.

Miti i parë: pas fitores së partizanëve kundër nazistëve, Bosnja dhe pjesët e tjera të Jugosllavisë së AVNOJ-it filluan rindërtimin e vendit.
- Para rindërtimit ishte terrori: llogaritet se në vitet 1945 dhe 1946 në kampet e komunizmit në Jugosllavi humbën jetën gati 250 mijë njerëz. Ata u pushkatuan, vdiqën gjatë marsheve torturuese apo nga puna e rëndë në kampe. Vetë Josip Broz Tito kishte thënë se qëllimi i OZNA-s, policisë sekrete dhe ndëshkuese komuniste, ishte “t’ua fusë frikën në palcë atyre që nuk e duan këtë Jugosllavi”. Pamëshirshëm u luftuan të ashtuquajturit armiq klasorë – dhe të tillë kishte shumë, sidomos në pjesët e Jugosllavisë që deri më 1918 i kishte administruar Perandoria Austro-Hungareze.

Miti i dytë: Toleranca e përhershme fetare
- Pas vitit 1945 u luftua sidomos Kisha Katolike për shkak të afërsisë me regjimin e Ante Paveliqit, aleatit të Musolinit dhe Hitlerit si dhe shefit të të ashtuquajturit “Shtet i Pavarur i Kroacisë” (NDH). Deri në vitin 1964 në Jugosllavi ishte e ndaluar të shtypej çfarëdo libri mbi fenë islame. Kjo qasje ndryshoi kur Tito e kuptoi se myslimanët e Jugosllavisë mund t’i shfrytëzojë si urë lidhëse me shtetet arabe, shkruan Malcolm.

Shumë diplomatë myslimanë shërbyen në vendet arabe, ku përfaqësuan interesat e Jugosllavisë. Barazia fetare u bë pak a shumë realitet tek në vitet ‘70 me themelimin e Fakultetit të Teologjisë Islame në Sarajevë. Por, në anën tjetër, urrejtja e një pjese të elitës serbe kundër myslimanëve u bë gjithnjë e më e theksuar. Shkrimtari Vuk Drashkoviq shkroi romanin e tij antimysliman “Thika”, Dobrica Qosiqi në vitin 1985 portretizoi një ideolog çetnik.

Miti i tretë: Alija Izetbegoviq – një patriot gjithëpërfshirës boshnjak
- E vërteta është se Alija Izetbegoviq, presidenti i Bosnjë-Hercegovinës gjatë luftës së viteve ‘90, gjatë ekzistimit të Jugosllavisë më shumë merrej me pozitën e fesë islame në botë dhe e konsideronte komunizmin si rend të papërshtatshëm shoqëror. Atëbotë ai e projektonte Bosnjë-Hercegovinën si shtet islamik, ku do të çrrënjoseshin alkoolizimi, pornografia dhe prostitucioni.

Sipas tij, islamin nuk e përbëjnë vetëm bindjet, por mënyra e të jetuarit dhe dimensioni shoqëror dhe politik, nënvizon Malcolm. Më vonë, gjatë dhe pas luftës, Izetbegoviq përfaqësoi qëndrime më liberale, por propaganda serbe e kishte vënë në shënjestër si islamik ekstrem. Dhe kjo propagandë pati jehonë edhe në qarqe të veçanta politike në Perëndim.

Miti i katërt: Serbia nuk ishte e përzier në luftën e Bosnjës
- Është një përrallë që përmendet me ngulm nga propaganda e Beogradit për të larguar çdo përgjegjësi për krimet e llahtarshme në Bosnjë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite Serbinë për gjenocidin në Bosnjë. Beogradi ka shpëtuar me vetëm një qortim për shkak se, siç thuhet në vendimin e GJND-së, nuk e kishte penguar gjenocidin në Bosnjë.

Arsyet për këtë duhet kërkuar te Carla Del Ponte. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi kishte marrë protokollet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes në Beograd me premtimin se do t’i përdorte vetëm në proceset e Tribunalit kundër të akuzuarve për krime lufte dhe nuk do t’ia dorëzonte GJND-së, ku Bosnjë-Hercegovina kishte paditur Serbinë për gjenocid. Malcolm shkruan se lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, gjatë luftës iu kishte lavdëruar një gazetari britanik se gjatë javës bisedonte në telefonon disa herë me liderin serb në Beograd, Slobodan Milosheviq.

Në Kongresin e Partisë Socialiste të Serbisë të mbajtur në Pejë (sic!), më 9 tetor 1991, nënkryetari i partisë, ish-disidenti dhe filozofi Mihajlo Markoviq tregoi se si do të dukej Jugosllavia e ardhshme: “Në Jugosllavinë e re do të ketë së paku tri njësi federale: Serbia, Mali i Zi dhe treva e bashkuar e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kninit. (...) Nëse myslimanët boshnjakë duan të mbesin në shtetin e ri jugosllav, ata mund të mbesin. Nëse duan të shkëputen, atëherë duhet ta dinë se shteti i myslimanëve boshnjakë do të jetë i rrethuar nga të gjitha anët nga territori serb”.

Por, s’ishte vetëm Serbia që ëndërronte të gllabëronte pjesën kryesore të Bosnjës – këtë synonte ta bënte edhe Kroacia e Franjo Tugjmanit, duke nxitur kroatët e Hercegovinës të luftojnë kundër myslimanëve, duke masakruar myslimanë si në fshatin Ahmiqi dhe duke hedhur në ajër urën e famshme mbi lumin Neretva në Mostar.

Miti i pestë: Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për të shpëtuar Bosnjën
- Malcolm e jep këtë shpjegim: “Në fund dukej se politika amerikane iu nënshtrua analizës së rrejshme, e cila aq shumë e helmoi politikën evropiane që nga fillimi i luftës – analizës e cila rrënjët e konfliktit i shihte te ‘urrejtja e lashtë etnike’, andaj ishte e prirë të pranonte një lloj ndarjeje etnike si zgjidhje.

Këmbëngulës në paaftësinë për të kuptuar të kaluarën e Bosnjës, burrështetasit perëndimorë – si ata evropianë, ashtu edhe amerikanë – ndihmuan që Bosnjës t’i garantohet një e ardhme shumë më e rëndë dhe e pasigurt”.

Natyrisht Malcolm i konfirmon edhe disa gjëra që dihen. Pa Josip Broz Titon boshnjakët (siç e quajnë veten sot myslimanët e Bosnjës) nuk do ta gëzonin statusin e kombit. Nacionalistët serbë i shihnin myslimanët si serbë të turqizuar, ndërsa shovinistët kroatë ishin të bindur se myslimanët e Bosnjës janë vetëm tradhtarë të kishës katolike dhe se herët apo vonë do të ktheheshin në gjirin e ngrohtë të kombit katolik kroat.

Me gjithë represionin në vitet e para pas Lutës së Dytë Botërore boshnjakët arritën që në fazën e liberalizimit të sistemit shtetëror jugosllav të përparojnë në aspektin arsimor, kulturor dhe ekonomik. Dëshmi e përparimit ishin edhe Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984 – ndonëse të organizuara në një kohë të krizës së thellë ekonomike në Jugosllavi.
Me gjithë përplasjen nacionaliste në periferi të shoqërisë, shumica e tre popujve të Bosnjës (boshnjakët-myslimanët, serbët dhe kroatët) vitet nën Jugosllavinë e Titos i mbajnë në mend si vite me më së paku tensione ndëretnike.

Siç e thotë poeti boshnjak Izet Sarajliq, në një poezi: “Në atë shtet / Vojisllav Shesheli arriti të doktorojë / Ndërsa ne në shtetin e tij nuk do të mund / të merrnim as frymë”. Ashtu si libri i tij për historinë e Kosovës, edhe studimi për Bosnjën i Noel Malcolmit është brilant në thellësinë e tij dhe rezultat i hulumtimeve të gjera e serioze, një punim elokuent, që rrezaton autoritet shkencor, dije, qartësi dhe vendosmëri në argumentim. Më shumë nuk duhet kërkuar, as nuk duhet pritur nga një libër mbi historinë.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...