Facebook kryeministrat

10 Dhjetor 2014 - 08:20 - Augustin Palokaj      

Zhvillimi teknologjik, interneti, “Facebooku”, “Ttwiteri” dhe rrjetet e tjera kanë mundësuar arritjen e një shpejtësie të paimagjinuar të shpërndarjes së informacioneve. Por tash duket se është kaluar në një ekstrem, është krijuar një botë virtuale e cila po u pëlqen edhe politikanëve. Ata mbyllen në zyrë dhe mendojnë se mjafton që me qytetarët të komunikojnë përmes porosive që postojnë në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale. Në këtë gjë e kanë tepruar sidomos dy aleatët që posa zbuluan besimin ndaj njëri-tjetrit, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Politikanët duhet ta kuptojnë se gatishmëria e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pos që është shprehje e një kulture demokratike politike, është edhe obligim i tyre e jo vetëm vullnet i mirë

Para disa ditësh një deputete e Parlamentit Evropian nga Kroacia, në një takim të 11 deputetëve kroatë me gazetarë nga ky shtet kur secili jepte ndonjë porosi dhe shprehte gatishmërinë për bashkëpunim në mandatin e ardhshëm 5-vjeçar, iu drejtua gazetarëve me këto fjalë: “Nëse doni bashkëpunim me mua unë jam gati. Nëse nuk doni s’ka problem sepse e kam ‘Facebookun’!”

Kjo nuk ishte shaka. Ajo vërtet ashtu mendon. Duke parë fytyrat e shokuara të gazetarëve ajo ua tha edhe arsyen e vërtetë pse ka vendosur që kështu të sillet me gazetarët: “Unë kam dashur të bashkëpunoj me ju, por jo në mënyrën se si ju raportoni. Paramendojeni para disa muajsh një kolege juaj ka raportuar se si duken nevojtoret në Parlamentin Evropian. Unë nuk dua të raportoni në atë mënyrë, por për aktivitetet tona. Nëse nuk doni unë nuk kam nevojë për ju”, tha ajo, u ngrit nga tavolina dhe shkoi duke thënë se “ka shumë punë!”

Më vonë kuptuam se kur një gazetare nga Kroacia e kishte vizituar Parlamentin Evropian e njëjta deputete i ishte ankuar se në çfarë kushtesh të vështira duhej të punonte dhe, ndër tjera, ia kishte treguar se sa e vogël ishte WC-ja, të cilën duhet ta përdorin disa deputetë. Gjithsesi ishte një reportazh shumë simpatik, idenë për të cilën e kishte dhënë vetë ajo. Por tash nuk do që gazetarët të merren me gjëra të tilla.

Ky shembull tregon mirë se sa komod janë bërë sot politikanët dhe sa lehtë mendojnë se e kanë t’i evitojnë gazetarët, t’i evitojnë mediet dhe që vetë të vendosin se kur është momenti për të thënë diçka, kur i duhet dhe për çfarë gazetarë dhe çfarë duhet të bëjnë ata e çfarë jo.

Kështu politikanët kanë filluar të kthehen prapë nga koha e sistemit të njëanshëm të informimit publik. Sistemit jotransparent kur përmes komunikatave thonë se çfarë duan, kryesisht duke bërë propagandë për punën e tyre, dhe kur mundësia për të vënë në pikëpyetje punën e tyre dhe për të pyetur për sqarime limitohet në maksimum. Gazetarët u duken jo më si një kanal i komunikimit me publikun dhe me qytetarët, por thjesht si një kategori e mërzitshme që i bezdisë ata. Është shumë më lehtë vërtet të ulesh në tavolinë dhe të shkruash çfarë të duash në “Facebook”.

Zhvillimi teknologjik, interneti, “Facebooku”, “Twiteri” dhe rrjetet e tjera kanë mundësuar arritjen e një shpejtësie të paimagjinuar të shpërndarjes së informacioneve. Por tash duket se është kaluar në një ekstrem, është krijuar një botë virtuale e cila po u pëlqen edhe politikanëve. Ata mbyllen në zyra dhe mendojnë se mjafton që me qytetarët të komunikojnë përmes porosive që postojnë në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale. Me këtë gjë e kanë tepruar sidomos dy aleatët që posa zbuluan besimin ndaj njëri-tjetrit, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Politikanët duhet ta kuptojnë se gatishmëria e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pos që është shprehje e një kulture demokratike politike, është edhe obligim i tyre e jo vetëm vullnet i mirë. Rrjetet sociale duhet të kuptohen si mjet ndihmës, por jo zëvendësuese të medieve tradicionale.

Në këta gjashtë muaj sa ka zgjatur cirku maratonik i ndërtimit të institucioneve të Kosovës, edhe Thaçi, edhe Mustafa, kanë preferuar “Facebookun” si mjet kryesor komunikimi. Dhe mediet kryesore të Kosovës në vend që të protestojnë për një mungesë të tillë të transparencës janë kënaqur duke cituar postimet e tyre në këtë rrjet. Televizionet nacionale dhe shumë medie të tjera, të mos flas për portalet të cilat bëjnë lajme pothuajse pa pasur fare gazetarë, pa asnjë kritikë raportonin “Isa Mustafa ka porositur përmes Facebookut!”, “Kështu ka thënë përmes postimit në “Facebook” kryeministri në largim Hashim Thaçi” e deri tek lajmet qendrore në RTK kur raportohej se nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli, natyrisht po ashtu përmes një postimi në “Facebook”, e ka vlerësuar si historike rënien e murit të Berlinit. Kemi parë para disa ditëve edhe garë se kë nga politikanët e ka pranuar më herët “Facebooku”.

Që ironia të jetë edhe më e madhe, në ato postime politikanët e Kosovës fillojnë me: “Të nderuar qytetarë!”, dhe mediet i përcjellin ato. Pastaj atyre politikanëve u përgjigjet me kundërpostime ndonjë politikan tjetër dhe mediet i përcjellin edhe ato reagime. Kështu mediet, apo ato të cilat e konsiderojnë veten të tilla, bëhen vetëm platformë e përcjelljes së postimeve në rrjetet sociale.

Në gjuhën shqipe kurrë nuk pa pasur me numër më shumë portale lajmesh, por fitohet përshtypja se kurrë nuk ka pasur më pak gazetarë, pra prodhues. Portalet janë bërë kryesisht përcjellës të rrjeteve sociale dhe të njëra-tjetrës. Ato gjithnjë e më pak dallojnë prej njëra-tjetrës dhe kanë gjithnjë e më shumë përmbajtjen e njëjtë. Për më tepër, duke lejuar komente “të lexuesve” që nuk janë të tilla por më shumë fushatë, janë bërë edhe platforma të disa psikopatëve apo edhe të atyre që qëllimisht nxisin urrejtje ndërfetare, ndëretnike, ndërpolitike dhe madje bëjnë thirrje të haptë për dhunë dhe vrasje. Nuk është habi pse Komisioni Evropian ka kërkuar që të rregullohet edhe me ligj kjo skenë e medieve online në Kosovë.

Do të duhej që portalet të përgjigjen para ligjit, jo vetëm për përmbajtjen e materialit që ato botojnë, por edhe për komentet në faqet e tyre. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i tyre nga ana e nxitësve të urrejtjes, e edhe të psikopatëve.

Qeveria e Kosovës mbase duhet të jetë e vetmja në Evropë, ose së paku njëra ndër të rrallat, që ka funksionuar pa zëdhënës. Kjo më shumë se gjithçka tjetër dëshmon mungesën e transparencës. Hashim Thaçi për nga natyra nuk është person jokomunikativ, por ai është shumë selektiv kur duhet komunikuar me publikun dhe kur duhet sqaruar. Preferon vetëm atëherë kur ai ka interes. Isa Mustafa për nga natyra duket më i mbyllur. Por të përbashkët kanë dëshirën që të komunikojnë përmes rrjeteve sociale, ndërsa punën ta kryejnë përmes forumeve partiake që vetë i kontrollojnë. Edhe para se të formohen institucionet kanë dëshmuar mungesë të respektit për Kuvendin e Kosovës dhe kanë bërë të qartë se e konsiderojnë vegël në duart e tyre. Pra, ata edhe në të ardhmen pritet të kontrollojnë punën e Kuvendit, natyrisht duke pasur parasysh servilizimin e deputetëve nga partitë e tyre, e jo siç do të duhej të ishte, që Parlamenti të kontrollojë punën e qeverisë. Dhe nëse në atë mënyrë sillen ndaj deputetëve të Parlamentit dhe nëse edhe në të ardhmen kryesisht do të injorojnë mediet, atëherë nuk pritet që të tregojnë më shumë përgjegjësi as para qytetarëve. Por të mbetemi me shpresë se ata dhe politikanët e tjerë do të kuptojnë se cili është roli i medieve në shoqëri të hapura dhe si duhet të sillen politikanët ndaj tyre, e jo të shfrytëzojnë rrjetet sociale për të dhënë porosi të njëanshme dhe të mendojnë se ia kanë sqaruar opinionit të gjitha ato që kanë dashur.

Mediet nuk ekzistojnë për t’i pasur nën kontroll, as për t’i shfrytëzuar si platformë për propagandë, por janë shtyllë e një shoqërie demokratike e cila ka rol që, përmes një qasjeje kritike, të shërbejë edhe si njëri prej mbikëqyrësve të pushtetit. Politikanët duhet të kenë një qëndrim proaktiv ndaj medieve, duke treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur interesit të tyre, jo duke tentuar të bëhen kryeredaktorë si mendojnë edhe disa përfaqësues të misioneve të huaja në Kosovë, jo duke bërë fushata kundër tyre dhe duke i kërcënuar gazetarët, por duke i ndihmuar në punën e tyre.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...