Në pritje të mrekullisë

9 Dhjetor 2014 - 08:21 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për sundimin patriarkal dhe për potencialin e dhunës që e imponojnë ikjen më parë sesa ballafaqimin e të pabarabartëve

Pamja më e shëmtuar, të cilën me siguri nuk kemi pritur se do ta shihnim 15 vjet pas çlirimit, është ajo e ikjes së qindra të rinjve nga Kosova në kërkim të një perspektive të re; të një të ardhmeje më të mirë, në ikje nga një amulli që e ka kapluar një popull të tërë. Thuajse ky tashmë është dorëzuar para së keqes dhe para keqbërësve.

Dhe kjo amulli nuk është një gjumë qetësie, por një gjumë depresioni të thellë, ku përpiqesh t’i harrosh e t’i tejkalosh të gjitha duke i ikur realitetit. Duke fjetur, dhe me shpresën se nuk do ta shohësh madje asnjë ëndërr, as të mirë, as të keqe. Me shpresën se kur të zgjohesh, e tëra do të ketë kaluar, vetvetiu...

E se sendet nuk kalojnë vetvetiu, por bëhen qëllimshëm edhe më të këqija, e dëshmon ndër të tjera edhe raporti i fundit i Transparency International që na qiti të parët në Evropë për diçka krejt të shëmtuar: për korrupsionin. Kështu fjalët hajni dhe vjedhje që i njihnim nga e kaluara u zëvendësuan me korrupsion, me të cilën u zgjerua vistra e dallavereve që mund t’i bëjnë njerëzit, që pos që duhet ta kenë imagjinatën e mbrapshtë, duhet të jenë të pafytyrë për t’u pasuruar në krah të të tjerëve.

Këtë fenomen, që ka shtrirë rrënjët thellë në Kosovën e pasluftës, zyrtarët politikë me ngulm vazhdojnë ta quajnë “perceptim”. Porse perceptimi i këtij lloji në Kosovë flet për gjyqësi të keqe; për shmangie tatimi; për shitblerje notash e diplomash; për kontrabandë organesh; për mitdhënie e mitmarrje; për marrëveshje potencialisht kriminale në emër të mbrojtjes së vlerave...

Kështu, java që shkoi nuk ishte më ndryshe nga shumë të tjerat që i kemi përjetuar gjatë këtyre vjetëve, ku dita më ditë kanë shkuar duke na u shuar shpresat se diçka vërtet e mirë do të mund të na ndodhte. Kaluan edhe shtatë ditë të tjerë në të cilat ata që janë marrë vesh nuk po mund të merren vesh se kush do të mbajë postin e kryeministrit, e kush do t’i mbajë cilat ministri. Kaloi edhe një javë në të cilën sërish nuk u caktua vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës; thuajse dikush ka ende kohë për të ushtruar edhe pak trysni te personat e caktuar, thuajse ende ka nevojë për t’i thyer bashkëpartiakët që janë deklaruar kundër këtij koalicioni të orkestruar. Të orkestruar me gjasë nga të huajt, por me pjesëmarrje tepër aktive të tre liderëve partiakë, përkatësisht të treve që e synonin postin kryesor të ekzekutivit: njërit që “donte me punu”; tjetrit që e beson se postin e ka të rezervuar me të lindur dhe të tretit që është dëshmuar më tinëzaku dhe më i pabesë në telenovelën e fundit gjashtëmujore.

E se cili do të na bëhet kryeministër duket të jetë krejt irrelevante. Qeveria e ardhshme do të vazhdojë të jetë fizarmonika e njëjtë e herës së kaluar me një kallaballëk ministrash e një batalion zëvendësministrash; do të jetë Qeveri pa program qeverisës me shumë gjasa që të shpartallohet brenda dy vjetësh. Do të jetë partneritet me gjasa të mëdha që të mbetet pa një numër të madh deputetësh apo edhe ministrash që do të angazhohen me “punë të përkohshme” në gjykatën speciale që do ta formojnë vetë; një partneritet i panatyrshëm që ka shumë gjasa të thyhet kur të vijë dita për t’u vendosur posti i kryetarit të shtetit. Për këta partnerë, krejt të tjerat do të jenë të parëndësishme – pos natyrisht akomodimit të qejfeve të atyre që do ta shijojnë famën e pushtetit dhe të parasë, për aq sa të zgjasë.

Mosfunksionalizimi i Kuvendit dhe moszgjedhja e Qeverisë ka kohë që nuk janë kurrfarë lajmi: këto janë vetëm edhe dy elemente që kanë arritur ta trashin amullinë tonë. Është e pabesueshme sesi krejt aktivitetin qytetar e kemi reduktuar në përsëritjen e ankesave të njëjta para mikrofonit të Hajt Pakut. Nuk ka as fuqi sindikale që i qet punëtorët në rrugë; nuk ka as fuqi tjetër civile që mund t’ia dalë të mbledhë të pakënaqur për ta manifestuar pakënaqësinë e tyre në rrugë – sepse përfaqësuesit e tyre kanë zgjedhur autobusët dhe kombibusët për të ikur prej këtu, si formën e tyre më të efektshme të protestës. Pavarësisht çmimit.

Arsye për këtë do të jenë me qindra. Dhe këto do të jenë brumë i jashtëzakonshëm për t’u studiuar nga sociologët e psikologët besa – ashtu që të mundohen ta gjejnë një shpjegim të logjikshëm e të arsyeshëm se përse është kështu siç është.

Analizuar nga perspektiva e një qytetareje pa pretendim ekspertize, java e shkuar i ka identifikuar së paku dy shkaqe se përse gjërat në Kosovë nuk mund të ecin para: njëri është mentaliteti patriarkal, e besa në këtë rast do të mund të quhej primitiv, që i udhëheq ende familjet tona (e për pasojë edhe shoqërinë); i dyti është manipulimi me segmente të caktuara të shoqërisë për ta arritur një qëllim të caktuar politik.

Gjaku i huaj

Një nga anekdotat më të shëmtuara që kam shënuar gjatë punës sime në terren ka qenë ajo e zbulimit të përkufizimit origjinal kosovar të fëmijës. Kishte rastisur llapjan, porse nuk dallonte shumë edhe nga burrat e trevave të tjera. Ishte punëtor sezonal në Zvicër, dhe më tepër për kurtuazi e pata pyetur sa fëmijë i kishte. Përgjigjja e tij ma la shakanë më të pakripë që e përsëris jo rrallë, më shumë nga mllefi. Më kishte thënë: “I kam dy fëmijë dhe dy çika”. Prej tij mësova që çikat ishin edhe “rob i huaj”, sepse do të shkonin te burri, përderisa shtyllat e shtëpisë dhe të familjes do të ishin djemtë. Trashëgimtarët.

Kjo informatë po i vinte trurit tim të hutuar pasi që isha diplomuar dhe pasi që kisha mësuar në fakultet se në materien e trashëgimisë që të gjithë ishim të barabartë para ligjit, pavarësisht gjinisë. Sa gabim e kisha mësuar. Se një ishte ligji. Krejt tjetër ishte praktika.

Kështu, në më pak se tri javë, u bënë publike dy raste (dhe çuditërisht që të dyja në Suharekë) ku nuseve u mohohej e drejta e trashëgimisë së shtëpive familjare në cilësinë e bashkëshorteve pasjetuese. Përderisa do të mund të diskutohej ndoshta çështja e kontributit të nuseve në krijimin e asaj pasurie, ajo që është krejtësisht e papranueshme dhe neveritëse është kualifikimi i zonjave të veja si “gjak i huaj”, që nuk ka çka të kërkojë më te familja e burrit. E aq më neveritëse, nëse ky kualifikim vjen nga vjehrra, që, sipas kësaj logjike, do të duhej të ishte gjak i huaj edhe vetë, sepse edhe ajo është akomoduar në shtëpinë e burrit të saj.

Pra, diskriminimi i qartë gjinor, i cili sado që është luftuar prej brezash, nuk ka dalë të çrrënjoset jo vetëm për faj të burrave – por për faj të vetë grave që pranojnë edhe nënshtrimin e edhe trajtimin e tyre si rob. Si send. Si mall që s’ka as gojë, as tru.

E në situatën ku ka burra që imponojnë autoritetin, është e qartë ekzistenca e piramidës së vendimmarrësve sipas peshës së atyre të mbledhur në odë burrash. Për fat të keq, pas më shumë se gjysmë shekulli lufte emancipimi shoqëror, për ta tejkaluar një strukturë anakronike, vetë lufta e Kosovës e ktheu prapa filozofinë e sundimit patriarkal. Atij të sundimit mbi të gjithë. Dihet kush i merr vendimet për të gjithë. Dhe dihet kush nuk mund të ketë zë. E nëse ka zë, han edhe dajak.

Protestë me prapavijë

E dajaku mund të jetë ai që e pret rektorin Zejnullahu, që po refuzon t’i regjistrojë 1050 studentë, sipas listave që i paraqesin shoqatat e dala nga lufta. Insistimi që të regjistrohen njerëzit që nuk i kanë kaluar provimet pranuese, vetëm pse ashtu e kërkojnë shoqatat e veteranëve dhe familjarëve të luftëtarëve, është diskriminuese. Ashtu siç është diskriminues memorandumi i mirëkuptimit, i cili në fund të fundit, mund të mos ketë fuqi të obligueshme ligjore.

Se sa janë të vërteta fjalët që dëgjohen, se në mesin e njerëzve që po luftojnë për regjistrimin e këtyre ka edhe të atillë që kanë marrë para për këtë punë, nuk e di. Porse, po qe se kjo punë është e vërtetë, janë dy gjëra që gjithmonë duhet pasur parasysh në këtë kontekst: sa herë që duhet marrë ndonjë vendim kur duhet treguar fuqinë për ta stabilizuar situatën, tollovinë e krijojnë veteranët, kurse me shpejtësi të dritës i qetëson kryeministri, apo ndonjëri emisar tiji. E dyta ka të bëjë me paranë, si burim financimi të këtyre organizimeve me autobusë, dhe si motivin që ka udhëhequr shumë nga “veteranët” që kanë “zapuar” çka kanë mundur pas luftës. Në emër të luftës çlirimtare.

Është potenciali i dhunës (ai i cili me gjasë u orkestrua në vitin 2004 dhe që u shfaq në formën e vet më të shëmtuar), ai i cili bën që njerëzit të frikësohen edhe nga përfaqësuesit e popullit të vet. Është potenciali i dhunës, i përcjellë nga mosndëshkimi, ai i cili bën që njerëzit më parë të ikin prej këtu, sesa të ballafaqohen me skamjen dhe dhunën psikologjike së cilës i nënshtrohen nga klasa politike, që për qëllim e ka pushtetin dhe paranë. Është potenciali i dhunës, i përcjellë nga kontrollimi i secilit segment të rëndësishëm nga grupet e organizuara kriminale, që nuk lënë hapësirë të besohet se ndoshta nesër përnjëmend bëhet më mirë.

Pos nëse ndodh një mrekulli. Një largim masiv i penguesve të jetës normale, si me shkop magjik. Si me shkop gjyqësie. NATO-ja na e dëshmoi se mrekullitë ndodhin. A thua, sa duhet pritur për të ardhshmen? Mbase jo gjatë.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...