Rruga e Viktor Meierit

4 Dhjetor 2014 - 08:41 - Enver Robelli      

Në kujtim të një gazetari që e kishte një pasion të madh: lirinë e popujve të Ballkanit

1. Në Prizren, më 1978
Ndoshta mund të ketë qenë viti 1977 ose 1978, atëherë kur nënkryetar i Qeverisë së Kosovës ishte Pajazit Nushi dhe kur për herë të parë e kisha dëgjuar emrin e Viktor Meierit. E kishte përmendur dikush në shtëpi, i cili punonte në Frankfurt, atje ku botohej “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), gazeta për të cilën nga Vjena raportonte Viktor Meieri mbi zhvillimet në Evropën Juglindore.

Ai që e kishte përmendur emrin e Meierit s’do të kthehej me vite të tëra në Kosovë për arsye politike – nga frika se do të arrestohej nga policia jugosllave. Megjithatë, më shumë se një herë në vit dërgonte pako me karamele e çokollata, panorama me dëshirat më të mira, disa numra të revistës “Der Spiegel” dhe enciklopedi nga më të ndryshmet, në të cilat ishin të fshehur pa kujdes të madh artikuj të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Më 1978 Kosova gjendej në vitin e katërt të autonomisë së gjerë brenda Jugosllavisë dhe udhëheqja e atëhershme krahinore kishte marrë guximin të organizonte shënimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Ishte një manifestim i denjë, së paku kështu lënë për të kuptuar literatura e kohës dhe protagonistët e atëhershëm. Në krye të këshillit organizativ për shënimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ishte Pajazit Nushi. Njëri prej vëzhguesve perëndimorë të festimeve në Prizren ishte atëbotë edhe gazetari i “FAZ”, Viktor Meier.

Autoritetet e dinin se po qëndronte në Kosovë, madje e kishin përcjellë pothuaj çdo lëvizje të tij. Shqiptarët e adhuronin, shovinistët e urrenin. Viktor Meieri ishte ndër të parët gazetarë perëndimorë që e kishte denoncuar terrorin e Beogradit në Kosovë.

2. Një miqësi e gjatë

“Për fat të keq babai ka vdekur” – kështu shkroi para një jave një familjare e Viktor Meierit në adresën time elektronike. Tingëllonte disi si fjalia e parë e romanit “I huaji” të Albert Camus: “Sot vdiq nëna”. Meier vdiq në moshën 85-vjeçare pas një karriere legjendare në gazetari, një karrierë që ndoshta s’mund të përsëritet më për shkak se kanë ndryshuar edhe rrethanat e ushtrimit të profesionit të gazetarit. Me raportet, reportazhet, analizat dhe komentet për Ballkanin, Meier ishte njëri prej zërave më të shquar në mbrojtje të popujve të rajonit nga hegjemonizmi i Beogradit.

Fillimisht kishte punuar për gazetën “Neue Zürcher Zeitung”, pastaj nga viti 1975 deri më 1993, kur u pensionua, ai shkroi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Ishte ndër gazetarët e parë gjermanë që u lejua të vizitonte Shqipërinë e izoluar të Enver Hoxhës në fillim të viteve ‘80. Sllovenia, Kroacia dhe Kosova e kanë nderuar Viktor Meierin me dekorata të larta. Shumicën e protagonistëve politikë të kohës ai i njihte personalisht – nga Milan Kuçani, kryetari i mëvonshëm i Sllovenisë, deri te Mahmut Bakalli, lideri i komunistëve të Kosovës deri më 1981.

Nga politikanët e Kosovës, Meier ka njohur edhe Azem Vllasin, Veton Surroin, Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin. Me Bujar Bukoshin, ish-kryeministrin në ekzil, Meierin e lidhte një miqësi e gjatë. Në vitet ‘90 ai kishte dhënë këshilla të çmueshme për Qeverinë e atëhershme të Kosovës dhe kishte qenë pjesë e delegacioneve kosovare që vizitonin Washingtonin.

3. Gabimet perëndimore

Raporti i Meierit me hegjemonizmin serb ka qenë përherë i tensionuar. Pa dorëza dhe përtej të ashtuquajturës korrektesë politike ai kritikoi tendencat e Serbisë që nën maskën e mbrojtjes së Jugosllavisë të forcojë dominimin në shtetin shumëkombësh ballkanik. Tejet kritik Meier ishte edhe ndaj politikës perëndimore, e cila, sipas tij, kishte treguar mirëkuptim të pafalshëm për palën serbe. Këtu ai veçonte Francën dhe Britaninë e Madhe.

Në një analizë të botuar në “FAZ” më 20 korrik 2000, një vit pas çlirimit të Kosovës, ai shkruante se në Mitrovicë Franca është duke “udhëhequr një politike aktive të ndarjes”. Po aq fatale, sipas tij, ishte sjellja e Parisit në Bosnjë: “Vizita e (presidentit François) Miterrand në Sarajevë në fund të qershorit 1992 i shërbeu qëllimit që aktiviteti i Perëndimit në Bosnjë të kufizohet në ndihma humanitare”.

Shkurt dhe gjermanisht Meier mendonte se Perëndimi është peng i serbocentrizimit: “Ideja që Serbia, me apo pa Milosheviqin, përherë do të jetë fuqi prijëse rajonale në hapësirën e dikurshme jugosllave dhe madje edhe përtej saj, ishte krahas elementeve më shumë irracionale me siguri arsyeja kryesore për ‘serbocentrizmin’ e politikës perëndimore ndaj Ballkanit, me ç’rast Shtetet e Bashkuara shpesh nuk qëndronin larg evropianëve”.

Andaj Meier s’mund të fshihte gëzimin kur pas luftës së Kosovës e dëgjoi presidentin Bill Clinton duke thënë se Jugosllavia nuk mund të rikthehet – ndonëse iluzione e nostalgji kishte edhe në kancelaritë e disa vendeve perëndimore.

4. Shteti i pabanueshëm

Në përkujtimin me rastin e vdekjes se Viktor Meierit, botuar javën që shkoi në “FAZ”, mes tjerash, thuhet se Ballkani ishte pasioni i përjetshëm i këtij gazetari të pasionuar. Në disertacionin e tij nga viti i largët 1956, me titullin “Sistemi i ri ekonomik jugosllav”, ai u mor me shtetin më kundërthënës të Evropës Lindore, i cili mbante bashkë kombe, minoritete, kultura, histori dhe fe të ndryshme.

Me origjinë nga qyteti Winterthur i Zvicrës, Meier studioi ekonomi në St. Gallen dhe i vazhdoi në Beograd. Pastaj punoi shkurt korrespondent i gazetës “Neue Zürcher Zeitung” nga Rabati i Marokut, dhe nga viti 1957, deri kur u pensionua, ai pothuaj nuk u shkëput nga Ballkani – me përjashtim të disa pauzave si korrespondent në Washington, Moskë dhe Athinë. Pas pensionimit Meier u kthye në vendlindjen e tij zvicerane, ku shkroi dy libra që sot konsiderohen vepra standarde për historinë e Jugosllavisë (“Si u humb Jugosllavia”, botuar më 1995, dhe “Trashëgimtarët e Jugosllavisë”, botuar më 2001).

Kur kishte ardhur në Jugosllavi në vitet ’50, atij ky shtet as atëherë, as më vonë nuk i ishte dukur artificial, “por në çastin kur kjo krijesë shtetërore u bë jorealiste dhe politikisht e papranueshme, ishte e domosdoshme që kjo të kuptohej. Në verën e vitit 1991, Jugosllavia ishte bërë e pabanueshme për kombet dhe kombësitë joserbe”. Andaj Meier mbajti qëndrim pro kërkesave për pavarësi të sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, malazezëve e kosovarëve.

5. Matufi, demagogu dhe lideri pasiv

Por, fakti që Meier mbështeti aspiratat për pavarësi të popujve të rrezikuar nga hegjemonizmi i Beogradit, nuk e bëri atë të verbër ndaj realiteteve politike. Ai ishte kritik i ashpër i nacionalizmit të liderit kroat Franjo Tugjman dhe e shikonte me habi e zemërim pasivitetin pothuaj qesharak të Ibrahim Rugovës në Kosovë. Në librin e tij “Trashëgimtarët e Jugosllavisë” ai kështu e përshkruan skenën politike të Kosovës së pasluftës: “Në Rambouillet ishin marrë edhe vendimet për raportet mes komunitetit shqiptar në Kosovë, të cilat së paku deri në zgjedhjet komunale të tetorit të vitit 2000 mbetën determinuese.

Pala perëndimore e kishte përzgjedhur delegacionin shqiptar kryesisht sipas tekeve të veta. Ajo i shpërbleu gjoja përfaqësuesit e UÇK-së në atë masë, saqë kjo e pati të mundshme që bashkë me matufin Rexhep Qosja të organizojnë një lloj puçi dhe ta emërojnë Thaçin si kryeministër të përkohshëm në rast të kthimit në Prishtinë”. Arsyen e favorizimit të Thaçit nga perëndimorët Meier e shihte te pasiviteti i Rugovës, prej të cilit “nuk mund të pritej të ishte lider aktiv politik”, sepse “gjërat shtetërore dhe juridike me sa duket ishin diçka e largët për të”.

Sipas Meierit, kjo u pa pas çlirimit të Kosovës, kur duhej themeluar institucione legjitime për mbarë Kosovën: “Në Këshillin Administrativ të Bernard Kouchnerit, Rugova rrinte i qetë dhe i kënaqur, Qosja fliste budallallëqe, dhe që të dy ia lanë vetëm Thaçit iniciativat politike, të cilat shpesh ishin demagogjike.

Kundërthënia mes popullaritetit, të cilin Rugova e gëzon si ikonë e rezistencës, dhe paaftësisë së tij absolute për veprim politik, mund të shihet si një prej problemeve kryesore për zhvillimin e shtetësisë kosovare; kjo kundërthënie ua mundësoi edhe figurave pak legjitime në rrethin e Rugovës që duke shfrytëzuar autoritetin e presidentit të ushtrojnë pushtet dhe të bllokojnë zhvillime”.

Po aq i ashpër Meier ishte edhe me administratorin e dytë të Kosovës, Bernard Kouchner, të cilin e përshkruante si të papërshtatshëm për këtë detyrë, pa asnjë aftësi administrative, personalisht të dobët, ngurrues në marrjen e vendimeve, i paaftë për të ndjekur një linjë të qartë dhe i gatshëm të instrumentalizohej për interesat kombëtare franceze.

“Është e pasigurt se sa i fuqishëm ishte pozicioni i tij në Paris, por së paku në mars të vitit 2000 ai e kishte kapërdirë që njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ishte rrahur në Paris nga shërbimi sekret ushtarak francez, sepse gjoja nuk ishte sa duhet proserb”, shkruan Meier.

Ajo që kishte shkruar Meier menjëherë pas luftës për politikanët kryesorë të Kosovës s’mund të rrëzohet as sot: „Liderët shqiptarë të Kosovës, që janë shfaqur deri më tani, nuk kanë dhënë dëshmi se mund të udhëheqin shtet. Këtu shihet një e keqe e madhe dhe e vjetër shqiptare dhe kjo është prirja – historikisht jo aq e pakuptueshme – që çdo pushtet shtetëror të shikohet si diçka negative apo armiqësore dhe të mos mendohet përtej interesave personale apo të familjes dhe klanit”.

6. Dy anekdota politike

Mbi katër dekada të kaluara në Ballkan e kishin bërë Viktor Meierin adhurues të sarkazmit. Përjetimet e tij i tregonte shpesh duke shijuar një gotë të bardhë verë nga Sllovenia. Dy prej anekdotave të tij politike po i ndaj këtu me lexuese dhe lexues:
“- A ka Kosova ekip kombëtar të futbollit?
- Po, por s’mund të luajë për shkak se FIFA refuzon ta pranojë Kosovën.

- Do të ishte mirë që ekipi kombëtar i Kosovës t’i kishte katër lojtarë të pakicës serbe dhe ata patjetër do të duhej të ishin mbrojtës. Kështu do të shihej sa luajalë janë ata ndaj shtetit të tyre – Republikës së Kosovës”.
Nga vizita e parë në Shqipëri si gazetar, Viktor Meier veçonte këto vaki:

“Pas shumë lutjeve autoritetet komuniste më lejuan të shkoja në Shqipëri. Isha gazetar i luftës së ftohtë. Shqipëria ishte vend i izoluar. Dy përjetime dua t’i veçoj: kur shkova të vizitoja Tepelenën një grumbull pleqsh pyetën shoqëruesin tim: kush është ky, kush është ky? Shoqëruesi im tha: një gazetar gjerman. Pleqtë insistuan: si e ka emrin? Shoqëruesi u përgjigj: zotëria quhet Viktor Meier.

Pleqtë e Tepelenës thanë: Viktor Meieri që shkruan mirë për Kosovën, ky është, vërtet? - Përjetimi tjetër: regjimi dëshironte të tregonte të arriturat e Shqipërisë, andaj më dërguan në veri për të parë hidrocentralet e ndërtuara nga kinezët. Në mbrëmje u kthyem në Shkodër.

Në njërën anë Adriatiku, në anën tjetër Liqeni i Shkodrës. Zumë vend në një restorant dhe unë porosita peshk. Pas pak kamerieri u kthye dhe tha se nuk kishte peshk. Shoqëruesit e mi u ndien keq. Por, pas pak erdhi kryekamerieri dhe me ton ushtarak më tha: për Viktor Meierin ka përherë peshk”.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...